Ndizni një qiri për opozitën e Edvinit
Ndizni një qiri për opozitën e Edvinit, që ta kujtojmë këtë kufomë politike e cila ka harruar të marrë frymë dhe të jetë mes të gjallëve. Padyshim që qiriri nuk diskutohet ta rikthejë në jetë një kufomë që as merr frymë dhe as ndihet por qëndron e shtrirë në mes të sheshit “Austria” për t’i aromatizuar qelbin korruptiv kryetarit të saj. Nuk është nevoja më që të rikthejmë historitë e kësaj partie apo të uzurpimit të saj nga ana e Edvinit, por po konstatojmë me keqardhje atë që gazeta Sot e ka lajmëruar dhjetëra herë nëpërmjet faqeve apo shkrimeve të saj,atë të shndërrimit të Partisë Socialiste nga një institucion i konsoliduar në një azil ku azilon kryetari i Bashkisë së Tiranës së bashku me stafin e tij. Sot PS është shndërruar në një çerdhe që i jep imunitet kryehajdutit të Bashkisë së Tiranës, i jep imunitet kryecensorit më të madh të mediave në historinë botërore, i jep imunitet njeriut më të papërgjegjshëm dhe më të çmendur të Shqipërisë, që për simptomat që shfaq do të kishte mbi vete dhe zilinë e Hitlerit. Shqipëria e sotme është katandisur si vend i çudirave ku rrojnë njerëz të çuditshëm, të cilët rrinë me sytë nga qielli se mos i madhi Zot i dërgon ca kova ujë dhe ca kilovat korent për të larë sytë në mëngjes dhe për të larë të brendshmet e bëra kore nga djersa dhe zhuli që na ka pllakosur. Të gjithë guakë, të gjithë të papunë. Si asnjëherë tjetër shqiptarët nuk kanë drita, ujë, punë, perspektivë dhe për më shumë me një qeverisje që ti menaxhojë ato pak kursime që i paguajnë nëpërmjet taksave që qeveria i kërkon pa i plotësuar as kushtet më elementare. Sot kemi një ministër Ekonomie armik të biznesit dhe kuçedër të energjisë, një ministër Shëndetësie i cili që ditën që ka vënë këmbën i ka lënë spitalet pa ilaçe, kemi një ministër Finance që i ka shndërruar ligjet në kërbaç për biznesin shqiptar, ku mijëra prej tyre presin me shpirt në dhëmbë ditën e falimentimit pasi i mbyti gjeneratori dhe zhuli, varfëria dhe tatimori. E për mos thënë më shumë për ministrin e turizmit që vazhdon akoma me projektet e vitit ’94 ku sukses quan ardhjen e mijëra emigrantëve që derdhin ato pak kursime nga puna e argatit që bëjnë në vendet e aksidentit, ku shpirti i tyre e di vuajtjen që heqin nëpër radhët e pafund në kufi dhe tragete. E pa llogaritur ministrin tonë pa parti të arsimit që i kapen krerët e rretheve me afera korruptive e që e ka shndërruar ministrinë në partinë demokratike të reformuar. Por këtë dert që na ka pllakosur nuk ka opozitë të na i denoncojë. Ajo ka zënë vendin e saj historik në mauzoleumin e Partisë së Punës, ku kryetari i saj ka marrë të fundmin ministër të sigurimit komunist dhe e ka parfumosur me idealet e tij të reja të politikës së re, ku nga mumia e mauzoleumit kërkon të shpalosë idetë e tij revolucionare. Asnjë oponencë nga kryetari i socialistëve për fatkeqësinë e shqiptarëve. Asnjë oponencë nga liderët socialistë. Pak mërmëritje për energjinë dhe memecëri në këtë parti. Kryetari nuk flet pasi mbi kokën e tij qëndrojnë dosjet e korrupsionit si “Shpata e Demokleut”, ku çdo oponencë për qeverisjen do i nxjerrë lakrat e korrupsionit. Korrupsionit në Bashkinë e Tiranës, korrupsionit në Ministrinë e Kulturës, korrupsion që fillon nga tenderat e Kokëdhimës e vazhdon me këmbanën e Paqes, Panairin në Gjermani, kostumet e Policisë Bashkiake etj, etj ... Berisha hesht. Është i lumtur që i erdhi ky tipi kryetar opozite. Tani mund të mbretërojë i qetë me djalë e me çupë, me nipër e mbesa, me kunetër e kunatollë me Mero dhe Fahri në Sezamin e Ali Babait, i pangacmuar e i patrazuar në pashallëkun e ri që ja ka bërë kismet Zoti dhe kryetari i opozitës Edvin Rama. Ndërkohë ç’duhet thënë më shumë për opozitën shqiptare. Tashmë asaj së bashku duhet t’i ndezim qiririn dhe ta lemë rehat në kufomërinë e saj ashtu të shtrirë pa frymë aty te sheshi “Austria” nën këmbët e nudistit Edvin. Sa për militantët, le të lumturohen me zhgaravinat e pallateve të dala boje që i leu piktori më i dështuar i botës.
Krijoni Kontakt