Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 9
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Festohet 10 vjetori i fjetjes së Nënë Terezës

    10 VJET PA NANEN TEREZE!!!



    10 VJETE SHEJTE NANA E DASHUNISE NJERZORE!

    Papa Gjon Pali II lumturoi në tetor të vitit 2003 Nënën Terezën e Kalkutës, duke e përshpejtuar shenjtërimin e saj për ndihmën e dhënë të varfërve. "Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdin", deklaroi atëherë Papa. Më shumë se 150 000 pelegrinë, turistë dhe përkrahës të besimit jo të krishterë morën pjesë në ceremoninë e lumturimit në meshën e zhvilluar në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

    Në fakt, që kur Nënë Tereza ndërroi jetë në vitin 1997, çdo përvjetor të lindjes apo të ikjes së saj qindra vetë grumbullohen në varrin e saj, duke u lutur dhe duke kënduar. Murgeshat e urdhërit "Misionaret e Bamirësisë", që ajo themeloi 56 vjet më parë në Kalkuta, çdo vit vendosin lule para memorialit prej çimentoje të bardhë.

    Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

    Nga ky moment Nënë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t'ia dedikonte tërësisht të varfërve.Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës, kur nuk duhet harruar se ajo e filloi aktivitetin vetëm me dy pasuese. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshtë, pa pasuri. Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

    Fama e saj u përhap kur gazetari i njohur britanik, Nugerigj, shkroi një libër dhe xhiroi një film për jetën e saj të titulluar "Diçka e bukur për zotin". Ish-ateist ai tha se ajo kishte influencuar jashtëzakonisht shumë në konvertimin e tij katolik. Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministria e Indisë, Indira Gandi, pas takimit me të bëri këtë koment: "Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjen e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë". Por duhet thënë se jo gjithkush e vlerësonte punën e saj.

    Edhe vetë kisha katolike në fillim ishte plot dyshime. Priftërinjtë e besimit hindu ishin armiqësorë në fillim pasi mendonin se ajo po përpiqej për t'i konvertuar hindutë në katolikë. Por ajo fitoi admirimin e të gjithëve kur u kujdes në maksimum për një prift hindu, që po vdiste dhe më tej insistoi që atij t'i bëhej një varrim sipas të gjitha riteve të besimit të cilit i takonte. Prej këtij momenti hindut u shndërruan në përkrahësit e saj më të zjarrtë. Debatet u shtuan tepër pasi ajo u deklarua kundër mjeteve artificiale të kontrollit të lindjeve dhe veçanërisht kundër abortit.

    Kundërshtaret e saj thanë se qendrimi i Nënë Terezës ishte i dëmshëm veçanerisht në Indi, ku sipas tyre, mbipopullimi ishte shkaktar kryesor i varfërisë masive. Por ajo vazhdoi të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qënie njerëzore të lindur apo jo. Kur u mori çmimin 'Nobel' për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: " Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret femijën që mban në barkun e saj atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?


    Shtëpia e Zajmeve - 17 vjet selia e të parëve të Nënë Terezës


    Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qënë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

    "Ata u vendosën në shtëpinë tonë si qeraxhinj në vitin 1946", i ka treguar ATSH-së disa vjet më parë djali i kësaj shtëpie, Fatos Zajmi, biri i profesor Ahmet Zajmi, patriot i ardhur në Tiranë nga Kosova.

    Drania, nëna e shënjtores së madhe, e njohur nga të afërmit me emrin Loke, mbeti shumë shpejt e ve nga i shoqi dhe e lidhi jetën e saj me Agen, vajzen e madhe të saj. Ndërsa Agia, e cila punoi si redaktore ne Radio-Tirana dhe më vonë si përkthyese në ambasadën jugosllave në Tirane, kur e hoqën nga puna, u detyrua të bënte punën e rrobaqepëses për të siguruar bukën e gojës. Lazri, i vëllai, iku përgjithmonë për të jetuar në Itali.

    "Në këtë kohe Nënë Terezën e njihnim me emrin Gonxhe", sipas familjes Zajmi. "E dinim se ishte murgeshë dhe jetonte në Kalkuta. Letrat dhe fotografitë ishin të vetmit elementë që na njohën me të". Familja Zajmi, e njohur në Kosovë për tradita patriotike, ndonëse ishte një familje muslimane, nuk pati asnjë ngurim të "strehonte" pranë saj një familje katolike. Bile, vajza e kësaj familje u bë katolike vetëm për shkak të miqësisë së ngushtë që u lidh mes tyre. Dhe qeraja për strehim u "vol" vetëm për pak kohë, se ajo nuk mund t'i merrej njerëzve të familjes.

    "Zoti të ka çuar ëngjell mbrojtës të nënës tënde", i shkruante në një letër Nënë Tereza motrës së saj Ages. Ndërsa ne një letër tjetër shkruante se "kur shkova për herë të parë në Kalkuta, duke hipur në një pajton, dëgjova fjalë shqipe". Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën. Nënën dhe motrën nuk i pa kurrë.

    Nëna e saj i shtynte ditët e varfërisë me rreshtat që bija e saj i shkruante nga pika të ndryshme të rruzullit ku ndodhej për të dhënë ndihmën e Zotit, thjeshtësinë, humanizmin, dashurinë. Nënë e bijë u varrosën pranë njëra- tjetrës në Varrezat e Sharrës, në periferi të kryeqytetit, në praninë e shumë pak të afërmve.

    Këmbët e zbathura të Nënë Terezës, futur në sandalet me një gisht, si të Krishtit, shkelen tokën shqiptare ku preheshin kockat e gjakut të saj vetëm në vitin 1989. Vetëm disa orë para se ajo të ngushëllohej me to, ishte kërkuar me ngulm dhe me forca policie varri i tyre...! "Atëhere nuk mundëm ta takonim dot", tregon Fatos Zajmi.

    "Shtëpia jonë ishte shtëpia e saj. Të tjerë duhet t'ia tregonin dhe duhet ta sillnin në shtëpinë e saj". Në vitin 1991, kur Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri, dhe kur Shqipëria ishte hapur ndaj botës, njerëzit e shtëpisë Zajmi e takuan atë dhe i dhuruan shumë relike të nënës dhe të motrës së saj.

    "Ato i morën motrat dhe me siguri tani janë në Kalkuta", sipas familjes Zajmi. Kur Nëna e Madhe ndërroi jetë për të jetuar me shënjtërinë e saj për të gjithë jetët, shumë njerez vizituan shtëpinë e nënës që i dha botës, Nënë Terezën. Dhe siç është zakoni i shqiptarëve kur ndërrojnë jetë njerëzit e shtëpisë, u ndanë të gjithëve kafe.


    "Kur vdiq nuk qava, por vetëm u luta"


    Kështu është shprehur në vitin 1997 për ATSH-në, Artistja e Popullit, Marie Kraja. Këngëtarja e cilësuar si një ambasadore e muzikës shqiptare, pak ditë pas vdekjes së Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë, në 5 Shtator të vitit 1997, rrëfeu kujtimet e saj me familjen e bamirëses së madhe, në një intervistë dhënë për ATSH-në.

    E lindur në Zarë të Dalmacisë nga një familje arbëreshe (pas mërgimit të familjes së saj që në vitet e vona të 1800-it), ajo ishte ndër të paktat personalitete që kishte patur rastin të kishte miqësi me familjen e Nënë Terezës, e cila gjatë regjimit komunist ishte parë si një figurë e largët dhe e paprekshme nga shqiptarët. Në intervistën e saj dhënë ATSH-së më 9 Shtator të vitit 1997, Marie Kraja, rrëfen se njohja e saj me Agen, motrën e Nënë Terezës, kishte qënë vazhdimësi e një njohjeje dhjetëra vjeçare të familjeve të tyre.

    Maria u njoh me Agen, motrën e Terezës kur gjyshërit e tyre, i prezantuan në qytetin e Shkodrës. Këngëtarja Kraja atëherë sapo ishte kthyer në Shkodër pas studimeve në Vjenë dhe punonte si mësuese në shkollën "Donika Kastrioti", ndërkohë që më vonë punoi në Institutin Femëror në Tiranë si dhe dha një sërë koncertesh në muzikë klasike dhe popullore.

    Në intervistën që Artisja e Popullit Kraja dha në moshën 86 vjeçare për të vetmen agjenci shtypi (ATSH), pohoi të kishte qëndruar për shumë kohë pranë familjes së Nënë Terezës, që ajo nuk e pa gjatë 50 vjetëve, e mohuar nga sistemi komunist në Shqipëri.

    "Nga familja e Nënë Terezës kam njohur nënën dhe motrën e saj dhe nëpërmjet tyre njoha dhe shenjtoren e madhe", citohet të jetë shprehur Marie Kraja vetëm pak ditë pasi Nënë Tereza mbylli sytë në Kalkuta (Indi). Ajo tregoi më tej se familja Paluca (gjyshi nga e ëma e Krajës) kishte pasur lidhje miqësore me familjen e Nënë Terezës që jetonte në Shkup, lidhje që trashëgoheshin prej dhjetëra vitesh. Më pas familja e Nënë Terezës u transferua në Tiranë, pasi i ati i Terezës vdiq i helmuar gjatë një udhëtimi për në Beograd, ku shkoi për të hapur një shkollë shqipe.

    "Kur erdhën nga Shkupi, Age (e motra e Nënë Terezës) punoi si redaktore në Radio Tirana, dhe si spikere po aty, por më pas u hoq nga puna, dhe për të jetuar, u detyrua të bënte punën e rrobaqepëses", kishte rrëfyer atëhere artistja e madhe. "Më kujtohet letra e parë që i dërgoi Nënë Tereza së ëmës si dhe një fotografi të vogël, e veshur me petkun e bardhë në mes të indianeve: Ç'është kjo, tha e ëma që s'po e njihte të bijën".

    Mbështetur në kujtimet e Maries, Nënë Tereza e ka quajtur ditën më të bukur të jetës së Saj, ditën kur për herë të parë, pas 50 vjetësh vizitoi Shqipërinë në vitin 1989. Prejardhja e saj shqiptare e bëri një të dërguar të natyrshme dhe të kujdeshme të Papës gjatë viteve të pas shembjes së komunizmit dhe ajo bëri me të vërtetë një punë të lavdërueshme për vizitën historike të Papës në Shqipëri më 1993, ku ai u shoqërua në vizitën e tij nga Nënë Tereza."Falenderoj Zotin që i ka dhuruar botës Nënë Terezën", tha atëherë Papa Gjon Pali në Shkodër. Kraja, e njohur në interpretimin e operave të famshme shqiptare dhe botërore, ka përmendur gjatë kësaj interviste dhe takimet e drejtpërdrejta me Nënë Terezën.

    "Takimi i parë me Nënë Terezën, ishte tepër prekës, shkuam direkt e ne varrezat ku preheshin ato që e vuajtën madhështinë e saj, nëna dhe motra", tregonte ajo."Po gëzohem që i nderoni të vdekurit, paska varreza shumë të bukura" citohet t'i ketë thënë vetë Nënë Tereza, këngëtares së madhe.

    "Komshijtë, që vonë e kishin mësuar emrin e saj, çuditeshin kur shihnin gruan e vogël e me famën e madhe, që shkelte në rrugicën e tyre, me këmbët e zbathura në sandalet me një gisht, si të Krishtit", citohet të jetë shprehur Marija. Më tej ajo vazhdonte se "Asaj (Nënë Terezës) në fakt nuk i bëri përshtypje shtëpia ime "birucë", por fakti se, pse jeton këtu një artiste kaq e madhe. Duke kujtuar një takim të dytë me Nënë Terezës në një nga spitalet e Tiranës ku ajo ishte shtruar në vitin 1991, Marija kujtonte se "erdhi e më vizitoi, kishte sy ëngjëllor, dhe më shumë se asnjëherë e ndjeva forcën e tyre në ato çaste". "Kur vdiq nuk qava, vetëm u luta, O Nënë Tereza, Ti, që shkove në Qiell na e jep bekimin këtu". Me këto fjalë përfundon kujtimet e saj Marie Kraja, e cila ndërroi jetë në Tiranë vetëm dy vjet pas Nënë Terezës, në 24 nëntor të vitit 1999.

  2. #2
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    MTKRS, aktivitete të larmishme në nderim të veprës dhe jetës së humanistes shqiptare

    MTKRS, aktivitete të larmishme në nderim të veprës dhe jetës së humanistes shqiptare


    Muzeu Historik Kombëtar, "Memorial për Nënë Terezën"



    Në përkujtim të 10 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, MTKRS po organizon në harkun kohor prej 10 ditësh, nga data 5 deri më 15 shtator, aktivitete në nderim të veprës dhe jetës së humanistes shqiptare, e cila tashmë i përket gjithë njerëzimit. Zëdhënësja e MTKRS pohon se ështe hera e parë që në Shqipëri konceptohen dhe marrin jetë veprimtari kaq serioze me përfshirje të madhe të elementit historik, kulturor, intelektual dhe zhanreve të ndryshme të artit.

    Me këtë rast, aktivitetet nisin sot me vendosjen e pllakës tek shtëpia ku jetuan nëna dhe motra e Nënë Terezës. Po sot në Muzeun Historik Kombetar organizohet ekspozita "Memorial për Nënë Terezën" në të cilën do të prezantohet marrëdhënia e saj me vendlindjen, veprimi i saj humanist universal dhe përbotshmëria e saj.

    Më 6 shtator, Galeria Kombëtare e Arteve ka ftuar piktorë të shquar shqiptarë të ekspozojnë veprat e tyre më të mira me teme "Mrekullia e Dashurise" që në vetvete ishte dhe motivi i jetës së humanistes shqiptare.

    Gjithashtu Bibilioteka Kombëtare, hap më 7 shtator një tjetër ekspozitë të quajtur "Nënë Tereza dhe shenjtorët e Shqipërisë në shekuj" ku vizitorët do të mund të konstatojnë kontributin e madh shqiptar në fushën e humanizmit. Për herë të parë do të ekspozohen antikuaret e këtij lloji.

    Zëdhënësja e MTKRS bën të ditur gjithashtu se më 8 shtator, Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve dhe Qendra Kombëtare e Kulturës organizon për fëmijët një perfomancë pikture, duke i dhënë fëmijëve hapësirën të hedhin në telajo imazhin që ata kanë për Nënë Terezën dhe vepren e saj. Ndërsa të rinjtë do të njihen me përmasat universale të Nënë Terezës nëpermjet disa koncerteve, filmave dokumentarë dhe interpretimeve të trupës së Teatrit Kombëtar.

    Më 10 shtator, në hollin e Teatrit Kombëtar do të organizohet një koncert me muzikë dhome në të cilin do të perfomojnë artistët më të njohur të muzikës shqiptare.

    Aktivitetet do të kulmojnë me Koncertin e Madh të Paqes të organizuar nga TOB në Pallatin e Brigadave, me pjesmarrje të gjerë në të cilin janë ftuar personalitetet më të larta të shtetit shqiptar dhe Trupi Diplomatik.

    Një aktivitetet tërësisht i veçantë do të jetë vendosja e monumentit të Nënë Terezës në ambjentet e Aeroportit me të njejtin emer në Rinas.






    Katër piktorë të njohur shqiptarë do të sjellin pikturën e tyre më të zgjedhur për publikun kryeqytetas


    Dy ekspozita në kujtim të veprës së Nënë Terezës


    Dy ekspozita do të çelen në Tiranë, sot dhe nesër, në kujtim të 10-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, e cila, që kur ndërroi jetë në vitin 1997, në çdo përvjetor të lindjes apo të ikjes së saj, përkujtohet nga mijëra njerëz në të gjithë botën.

    Një ekspozitë historiko-dokumentare, e ndarë në tre seksione, do të çelet në Muzeun Historik Kombëtar, mesditën e sotme, pjesa më e madhe e të cilave, sipas drejtorit të këtij Muzeu, Beqir Meta, do të prezantohen për herë të parë.

    Kushtuar tërësisht veprës së bamirëses së madhe, në këtë ekspozitë do të prezantohen fotografi, portrete, sikundër edhe punime në skulpturë. Ndërkohë, Galeria Kombëtare e Arteve ka iniciuar organizimin e një ekspozite tjetër për ditën e nesërme (6 shtator), e cila i kushtohet veprës së Nënë Terezës. Genc Mulliqi, drejtor i kësaj galerie, por edhe kurator i kësaj ekspozite, bën të ditur se do të jenë katër piktorë të njohur shqiptarë, Hasan Nallbani, Arben Theodhosi, Lumturi Blloshmi, Gazmend Leka, të cilët do të sjellin me pikturën e tyre më të zgjedhur, për publikun kryeqytetas, dhimbjen, shpresën, gëzimin, në kujtim të Nënë Terezës, që lindi në 1910 nga prindër shqiptarë. Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza u shpall e "lumturuar" më 19 Tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II. Nënë Tereza konsiderohet si simbol i ndihmës për "më të varfërit e të varfërve".


    Pllakë përkujtimore në shtëpinë ku kanë jetuar të parët e Nënë Terezës


    Një pllakë përkujtimore do të vendoset sot më 5 shtator në Tiranë, në 10-vjetorin e ikjes së Nënë Terezës nga kjo jetë, në shtëpinë ku kanë jetuar anëtarë të familjes së saj. Ceremonia, e cila pritet të organizohet rreth orës 10.00 të mëngjesit të së mërkurës, do të çelë kështu edhe aktivitetet e shumta që pritet të mbahen në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit, në kujtim të Nënë Terezës, e cila u bë nënë e të gjithëve dhe që jetën e saj ua dedikoi tërësisht të varfërve. Për 17 vjet, shtëpia ku do të vendoset kjo pllakë përkujtimore ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës, të cilët u vendosën si qeraxhinj në këtë shtëpi, në vitin 1946. Pronari i saj ishte profesor Ahmet Zajmi, një patriot i ardhur në Tiranë nga Kosova dhe që pa ngurrim i konsideroi gjatë të gjithë jetës "qiraxhinjtë" e tij baraz me anëtarët e familjes. Këmbët e zbathura të Nënë Terezës, futur në sandalet me një gisht, si të Krishtit, shkelën tokën shqiptare ku preheshin kockat e nënës dhe të motrës së saj në vitin 1989, por atëherë vetë rrethanat e diktuara nga regjimi komunist bënë që kjo familje të mos e takonte dot. Në vitin 1991, kur Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri dhe kur Shqipëria ishte hapur ndaj botës, njerëzit e shtëpisë Zajmi e takuan dhe i dhuruan shumë relike të nënës dhe të motrës së saj, të cilat tani, sipas të gjitha gjasave, mendohet se ndodhen në Kalkuta (Indi).

    Kur Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997, shumë njerëz vizituan shtëpinë e nënës që i dha botës Nënë Terezën.


    Parlamenti i Maqedonisë, seancë kushtuar Nënë Terezës


    Në nderim të figurës së Nënë Terezës, në 10-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta, Parlamenti i Maqedonisë, sot do të mbajë një seancë kushtuar bamirëses shqiptare me famë botërore. Lajmi u bë i ditur për ATSH-në nga Anton Sereçi, zv.drejtori i komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare të Maqedonisë, i cili nënvizoi se seanca do të zhvillohet në prani të Presidentit Branko Cërvenkovski, kryeministrit Nikolla Gruevski. Aktivitetet për nder të Nënës Terezës në Shkup kanë filluar më 26 gusht, me konkursin letrar për 10 punime më të mira në temën "Nënë një je në botë", që organizohet nën patronazhin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë (MASHM). Ndërkohë mësohet se një ceremoni solemne do të mbahet më 5 shtator në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), ku fjalën e rastit do ta mbajnë Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, akademik Cvetan Grozdanov, ipeshkvi Kiril Stojanov, dhe si ambasadorët e Shqipërisë, Vatikanit dhe Kroacisë në Shkup.


    Qilimi ku është lutur Nënë Tereza ndodhet në Arqipeshkvinë Tiranë-Durrës


    Qilimi ku është lutur Nënë Tereza, deri në çastet e fundit të jetës së saj, ndodhet në Arqipeshkvinë Tiranë-Durrës, në Tiranë. Qilimi me motive popullore shqiptare është sjellë në Shqipëri nga Monsinjor Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Durrësit, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, në shtator të vitit 1997, kur ai u kthye nga Kalkuta (Indi), pas ceremonisë funerale të Nënë Terezës. Don Mariani, një prift pranë Katedrales së Shën Palit në Tiranë, katër vjet më parë, në prag të lumturimit të Nënë Terezës, i pohoi ATSH-së se "gjatë regjimit komunist, Shqipërinë nuk mund ta vizitonte asnjeri që i shërbente fesë, të ndaluar me ligj nga regjimi komunist". Ndaj edhe në vitin 1972, kur Nënë Terezës i vdiq e ëma, në moshën 83-vjeçare, ajo nuk u lejua të vinte në Tiranë. Kur në gusht të vitit 1989, Nënë Tereza erdhi në Shqipëri me protokoll qeveritar, vizita e saj si shtetase shqiptare zgjati vetëm pak ditë, ndërsa kur u largua mori me vete si kujtim nga Shqipëria një qilim, të cilin e vendosi në dhomën e saj të lutjes, në Kalkuta. Mbi këtë qilim me motive shqiptare, ajo është përkulur edhe në ditët e fundit të jetës. Pas ceremonisë funerale në nder të Nënë Terezës (në Kalkuta), Monsinjor Rrok Mirdita e ka marrë këtë qilim, mbi të cilin Nënë Tereza është lutur për tetë vjet, deri më 5 shtator 1997, kur ajo u nda nga jeta. Sipas Don Marianit, qilimi ruhet në një sallë të Arqipeshkvisë, bashkë me një portret të Nënë Terezës, ku ajo paraqitet si misionare e bamirësisë. Pranë këtij portreti ndodhet portreti i Papës dhe i Monsinjor Rrok Mirditës, si dhe një kryq në të cilin është gdhendur trupi i Jezu Krishtit.

  3. #3
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Nënë Tereza, Nëna që u flijua për dashurinë ndaj njerëzve

    Nënë Tereza, Nëna që u flijua për dashurinë ndaj njerëzve


    “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".
    Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër. Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme: "Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". Kjo lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit. Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze, mori Kungimin e parë në moshën pesë vjeç e gjysëm e u krezmua në nëntor të vitit 1916. Që ditën e Kungimit të parë, ndjeu në zemër një dashuri të thellë për shpirtrat njerëzore. Me vdekjen e papritur të babait, në sa Anjezja nuk i kishte mbushur endè 8 vjetët, për familjen filluan vështirësitë ekonomike. Dranja, grua burrneshë, i rriti fëmijët plot dashuri, duke ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën e jetës që do të zgjidhte e bija. Më pas formimi fetar i Gonxhes u thellua në famullinë Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve, në sa merrte pjesë gjallërisht ndër të gjitha veprimtaritë.
    Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t'u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin "Motrat e Loretos", në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: "Vashë e Jezusit" për "amshim". Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza. Vazhdoi të jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë. E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ, ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim.
    Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu "frymëzimin" e ri, "thirrjen brenda thirrjes". Atë ditë, si e qysh ajo nuk e tregoi kurrë, etja e Krishtit për dashuri e për shpirtra njerëzore e pushtoi zemrën e saj dhe dëshira e flaktë për ta shuar etjen e Zotit u bë qëllimi kryesor i jetës. Në javët dhe muajt e mëpasëm, ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj e të shihte vegime. Krishti i zbulonte kështu dëshirën e zemrës së Tij ndaj "njerëzve, që duke u flijuar për dashurinë", "do të rrezatonin dashurinë e tij ndër shpirtra". "Eja, të jesh drita ime"- iu lut - "nuk mund të shkoj vetëm". E i tregoi sa vuante duke parë mospërfilljen ndaj të varfërve, sa i dhimbte, kur mendonte se ata nuk e njihnin e sa dashuri të zjarrtë kishte për ta. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi rregulltare, Misionaret e Bamirësisë, që do t'i kushtoheshin shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet të varfërve. Kaluan rreth dy vjet arsyetimesh e verifikimesh, para se Nënë Tereza të merrte lejen për fillimin e misionit të saj të ri. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, të cilin e donte aq shumë, për të hyrë në botën e të varfërve.
    Pas një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna, Nënë Tereza u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të Varfërve. Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak që dergjej në rrugë të madhe dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi. E niste ditën me Jezusin në Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t'i gjetur dhe për t'u shërbyer atyre që janë: "të braktisur, të padashur, të papërkujdesur". Disa muaj më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj.
    Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t'i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar Kongregatës nga Papa Pali VI në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë. Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera në Romë e në Tanzani dhe, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën. Për t'iu përgjigjur sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza më 1963 themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984, Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim" ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj.
    Gjatë këtyre viteve, në sa misioni i saj përhapej me të shpejtë, bota filloi t'ia ngulte sytë Nënë Terezës dhe veprës që ajo kishte nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t'i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Si çmimet, ashtu edhe gjithçka që e vinte në qëndër të vëmendjes, i pranoi "për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve".
    Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe një virtyt tjetër heroik i kësaj gruaje të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas vdekjes së saj. E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë, jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti "errësirë". "Nata e dhimbshme" e shpirtit të saj, e cila nisi në kohën kur sapo kishte filluar apostullimin mes të varfërve e që vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi Nënë Terezën në një bashkim edhe më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit, në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin e të varfërve.
    Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t'i printe Kongregatës së saj dhe t'u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Në vitin 1997 Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit "Eja, të jesh drita ime!", u bë Misionare e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit.
    Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.

  4. #4
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    10 vjet pas vdekjes, figura e Nënë Terezës është në qendër të vëmendjes

    10 vjet pas vdekjes, figura e Nënë Terezës është në qendër të vëmendjes

    Letrat e fundit të Nënë Terezës


    Nënë Tereza ishte një nga figurat fetare më të njohura të shekullit të kaluar. 10 vjet pas vdekjes së saj, letrat e fundit të publikuara të Nënë Terezës kanë ngjallur debate kudo në botë lidhur me besimin e saj. Për të folur mbi figurën e Nënë Terezës, Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë me Dom Pjetër Popajn, prifti i Kishës "Zoja e Shkodrës" në Hartsdale të Nju Jorkut, dhe me Dr. Gëzim Alpionin, në Londër, profesor në Universitetin e Birmingamit dhe autor i librit "Nënë Tereza: Shenjtore apo personalitet".

    Zëri i Amerikës: Dom Popaj, 10 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës, cilat janë reflektimet tuaja për figurën dhe punën e saj?

    Dom Pjetër Popaj: Kujtimi më i bukur janë frymëzimet që ajo ka lënë, megjithëse është fizikisht e ndarë prej nesh, por shpirti i saj qëndron akoma në mesin tonë, në mesin e çdo personi, sidomos në misionin e saj, në Kuvendin e saj, në motrat e saj, priftërinjtë, të gjithë personat që e ndjekin atë mision, në shërbim ndaj Zotit, për Zotin, ndaj njerëzve ose njerëz që me dashuri të plotë e dedikojnë jetën e tyre në shërbim për Zotin, të varfërve e njerëzve që nuk e kanë mundësinë të kujdesen për vete. Kujtimet më të mëdha kuptohet se janë këto: një dhuratë kaq e madhe që Zoti ia ka dërguar shekullit të 20-të, por edhe shekujve të mëpasshëm.

    Zëri i Amerikës: Prof. Alpion, juve e keni studiuar Nënë Terezën jo vetëm si figurë fetare, por edhe lidhur me rolin e saj. Si e ka përdorur ajo median dhe statusin e saj për ta tërhequr vëmendjen drejt punës dhe misionit të saj. Cili është mendimi juaj për imazhin e saj tani 10 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës?

    Prof. Gëzim Alpion: Nënë Tereza është një nga figurat më magnetike të shekullit të 20-të dhe një nga arsyet është se Nënë Tereza u bë e famshme në shekullin e medias. Fakti që 10 vjet pas vdekjes së Nënë Terezës ka një interes kaq të madh për një personalitet të tillë si ajo, tregon se njerëzit e feve të ndryshme, të kombësive të ndryshme, janë të interesuar në këtë personalitet të jashtëzakonshëm të shekullit të 20-të, por unë jam i interesuar në figurën e saj, në kontekstin e sociologjisë së fesë, sociologjisë së medias dhe të sociologjisë së nacionalitetit. Për mendimin tim, ajo është një personazh tepër kompleks që mendoj duhet studiuar veçanërisht nga ne shqiptarët, për të nxjerrë në pah, nëpërmjet Nënë Terezës, vlerat e kombit tonë.

    Libri i ri me letrat e Nënë Terezës titullohet: "Come be my light", "Bëhu Drita ime" dhe ka ngjallur mjaft debate lidhur me pikëpyetjet e saj dhe dëshpërimin e saj shpirtëror, që ajo ndjeu deri në ditët e fundit të jetës së saj, nga pamundësia për të vendosur një lidhje me Zotin, siç thoshte ajo. Këto dyshime kanë ngjallur mjaft debate si mes besimtarëve, ashtu edhe mes njerëzve të fesë.

    Zëri i Amerikës: Dom Popaj, çfarë do të thotë për Kishën Katolike botimi i këtyre letrave dhe përmbajtja e tyre?

    Dom Pjetër Popaj: Nënë Tereza ka qenë një njeri mistik dhe mistikët dallohen prej njerëzve të tjerë për arsye se e vënë në shërbim dedikimin e tyre, jetën e tyre, me një sinqeritet që ata e kanë me gjithë zemër, me gjithë mendje, që e duan Zotin edhe veprimin e tyre merret vesh që ata e bëjnë për Zotin, atëherë edhe kanë disa vegime dhe dukje të zotit në jetën e tyre. Siç thotë edhe Shën Pali, diku mendja nuk mundet kurrë ta kuptojë se si është Zoti, apo çfarë ka përgatitur Zoti për të dashurit e vet. Atëherë kur këto vegime ndalohen, se nganjëherë Zoti është mister dhe ai ka mënyrat e veta, planet e veta, mundet që krijon në shpirtin e personit shqetësime. Por personi që është i sinqertë, këto i quan ligështi dhe ballafaqohet me to. Nënë Tereza ka qenë në këtë karakter, ajo është ballafaquar me ligështitë e veta. Në jetën e mistikëve ligështitë nuk janë gjë e jashtëzakonshme. Letrat e Nënë Terezës nuk kanë qenë diçka e paditur. Nënë Tereza nuk donte t'i publikonte ato, sepse njerëzit që janë ateistë, që nuk besojnë tek Zoti, do të thoshin: "E sheh, nuk ka Zot", por në të kundërtën, nga të gjitha këto shihet se Nënë Tereza është ballafaquar me ligështitë e veta dhe ajo ka qenë gjithnjë Nëna Terezë me të varfër, me mbretër, me pasanikë, në të gjitha kulturat dhe besimet.

    Zëri i Amerikës: Prof. Alpion, botimi i këtyre letrave ose më saktë përmbajtja e tyre, a solli diçka të re për ju? A ishte i papritur për ju nga studimi që i keni bërë juve jetës dhe personalitetit të Nënë Terezës?

    Prof. Gëzim Alpion: Në mes të hagiografëve (studimi i shenjtëve, shënim i redaktorit) dhe biografëve të Nënë Terezës, ka qenë e ditur që Nënë Tereza ka pasur dyshime jo në ekzistencën e Zotit, siç po trumpetohet tani nga media perëndimore, por ka pasur dyshime. Kjo tregon që Nënë Tereza ka qenë një personalitet tepër intelektual dhe jo një murgeshë e thjeshtë me origjinë fshatare, siç është trumpetuar nga disa nga kolegët e saj. Për mendimin tim si sociolog, botimi i këtyre letrave, është një përpjekje tjetër e Kishës Katolike për ta përshpejtuar shenjtërimin e Nënë Terezës, por në kontekstin e normave etike, besoj që është gabim që këto letra janë botuar. Si sociolog unë jam i gëzuar që këto letra botohen, sepse do të më japin mundësi mua dhe kolegëve të mi ta studiojmë Nënë Terezën në një kontekst tjetër, por duke pasur parasysh që Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj, edhe në vitet 1950 filloi me insistim të kërkojë që letrat e saj që u kishte dërguar tre kryepeshkopëve të Kalkutës, kjo tregon se Nënë Tereza në një farë mënyre e kuptoi se dikush po e përdorte dhe si një personalitet ndërkombëtar, ajo donte që ajo anë intime, për probleme intime të cilat ua besonte personaliteteve të kishës, nuk donte që të bëheshin publike dhe unë mendoj që këto personalitete duhet ta kishin respektuar të drejtën e Nënë Terezës që këto gjëra duhet të kishin mbetur intime, ose të paktën të kishin kaluar rreth 30-40 vjet dhe atëherë të publikoheshin.

    Zëri i Amerikës: Dom Popaj, ndonjë reagim lidhur me këtë qëndrim të Prof. Alpionit?

    Dom Pjetër Popaj: Jam plotësisht dakord. Atë u mundova të theksoj gjithashtu, se dëshira e saj nuk ka qenë që ato të botohen për këtë arsye, sepse krijon konfuzion dhe ndoshta nuk janë interpretime të sakta të asaj që ajo ndjente. Këto kanë qenë letra vetëm mes saj dhe Zotit, ka qenë një rrëfim i saj personal, një gjë për të cilën ajo ka dashur të ballafaqohet me të, të pastrohet prej saj, për t'u forcuar prej Zotit. Ajo ka qenë shenjtëreshë. Këto letra vetëm e vetëm që e shpejtojnë edhe më tepër shenjtërimin e saj.

    Zëri i Amerikës: Prof Alpion, ju në librin tuaj flisni për famën dhe si e përdori Nënë Tereza këtë famë për të tërhequr vëmendjen tek misioni i saj, si edhe për ndikimin që kanë pasur vitet e saj të hershme tek jeta e saj. A mund të na thoni, ju lutem, sesi e ka përdorur Nënë Tereza famën dhe sa ndikim patën vitet e rinisë së saj tek jeta dhe vepra e saj?

    Prof. Gëzim Alpion: Në studimin tim, i cili nuk është biografi dhe as hagiografi, unë jam përpjekur të gjej burimin e frymëzimit fetar të Nënë Terezës dhe ajo që ka shkaktuar reagime pozitive dhe negative për librin tim është se unë dua, në kuptimin pozitiv, ta sjell në tokë këtë hyjneshë për të cilën po bëhet kaq zhurmë dhe po bëhen disa interpretime, ndoshta dhe jo shumë racionale. Konkluzioni im është që Nënë Tereza është frymëzuar ose më saktë është traumatizuar në moshën 9 vjeçe, kur vdiq babai i saj, Nikollë Bojaxhiu, i cili u vra në rrethana misterioze ngaqë ishte patriot dhe personalitet jashtëzakonisht i shquar në Shkup, dhe unë argumentoj në libër, në kontekstin e Frojdit dhe Marksit, se feja, besimi tek Zoti, besimi tek Jezu Krishti, qenë të një rëndësie vitale për Nënë Terezën, sepse ishte në këtë kohë kur Nënë Tereza filloi të zëvendësonte babain e saj biologjik me babain hyjnor. Pra, që në atë kohë shikojmë sesi Nënë Tereza filloi një përkushtim ndaj figurës së Krishtit dhe është pikërisht kjo periudhë vitet 1918-1919 kur filloi të ketë një lidhje të veçantë edhe me nënën e saj, Drane Bojaxhiun. Unë argumentoj që në vitin 1946, Nënë Tereza u shokua nga konflikti mes hinduve dhe muslimanëve, dhe aty vendosi që përfundimisht të shkëputet nga Urdhri i Loretos, për të aplikuar atë metodë përkushtimi ndaj Krishtit, për të cilën ajo kishte lënë Shkupin në vitin 1928, gjë që ishte e veçantë për femrat shqiptare të bëheshin murgesha dhe aq më tepër të shkonin për t'i shërbyer Zotit jo në rrethinat e Ballkanit, por në një vend të largët si India.

  5. #5
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Vlerësimi për humanizmin, solidaritetin dhe vlerat e larta morale që përfaqësonte !!!

    Vlerësimi për humanizmin, solidaritetin dhe vlerat e larta morale që përfaqësonte shenjtorja e madhe

    Bum aktivitetesh për bamirësen shqiptare me famë botërore

    Galeria Kombëtare e Arteve, pjesëmarrëse e nismës së madhe të MTKRS për përkujtimin e fenomenit shqiptar, të famshmes Nënë Tereza, çeli mbrëmë Ekspozitën "Mrekullia e Dashurisë". Në përurimin e kësaj ekspozite merrnin pjesë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Prof.Dr.Ylli Pango, zëvendësministrat Zana Turku e Eqerem Spahiu, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe dhjetra personalitete të artit dhe kulturës shqiptare. Duke përshëndetur të pranishmit në këtë eveniment të rëndësishëm, ministri Pango tha se në 10-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, MTKRS, me ndihmën edhe të disa institucioneve të tjera, ka organizuar shumë aktivitete në përkujtim të shenjtores së madhe, e cila (ndonëse nuk është shenjtëruar ende, por shumë shpejt do të shenjtërohet), është krenaria jonë, është vërtet ajo që na ka frymëzuar. Kreu i MTKRS tha se është pikërisht madhështia e Nënë Terezës ajo që ka frymëzuar këtë ekspozitë "Mrekullia e Dashurisë". Nisur nga fakti se kjo ekspozitë ka të veçantën që i kushtohet më shumë asaj që i takon shpirtit të Nënë Terezës, shpresës së paqes, shpresës së dashurisë së saj, ministri Pango tha se "në këtë sens, ekspozita "Mrekullia e Dashurisë" është origjinale, është e përzgjedhur tamam në frymën e Nënë Terezës dhe është një nga blatimet e pakta që kemi mundësi të bëjmë ne për veprën e madhe, që tashmë e njeh dhe e nderon e gjithë bota".

    Ndërkohë, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Genc Mulliqi, u shpreh se Ekspozita "Mrekullia e Dashurisë" vjen si një përpjekje e GKA për të sjellë para publikut vepra që u përzgjodhën për mesazhin e tyre human dhe kualitetin e tyre profesional.

    Pjesëmarrës në Ekspozitën "Mrekullia e Dashurisë", që i dedikohet Nënë Terezës, janë katër artistë, tashmë të konsoliduar, elitarë dhe aktivë në skenën shqiptare të artit pamor: Hasan Nallbani, Gazmend Leka, Lumturi Blloshmi dhe Arben Theodhosi. Gjatë fjalës përshëndetëse, Mulliqi i prezantoi ata si artistë të ndryshëm, që ofrojnë situata njerëzore në mënyra tepër të ndryshme.

    Në këtë ekspozitë të tërheqin veçanërisht skenat biblike të pikturuara me emocion nga Hasan Nallbani, piktura e sofistikuar dhe e artikuluar me mjeshtri nga Gazmend Leka, optimizmi mistik, virtuoz, i Arben Theodhosit si dhe dhimbja femërore dhe situatat e mbartura me jetë të Lumturi Blloshmit. Drejtori i GKA tha se këta katër artistë përcjellin gjendjet njerëzore, të tragjizmit, shpresës dhe dritës që po lind. Materialin jetësor në artin e tyre, këta artistë e kanë marrë në të njëjtin mjedis njerëzor ku Nënë tereza shkriu jetën dhe energjitë e veta, me po ato kontradikta universale ku shenjtëria e saj sakrifikoi jetën në ndihmë të më të dobtit.






    Një përmendore për Nënë Terezën në QSUT

    Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për figurën e madhe të kombit shqiptar, Nënë Tereza, e cila ia kushtoi tërë jetën ndihmës dhe kujdesit për njerëzit në nevojë, fëmijët dhe të sëmurët, Ministria e Shëndetësisë vendos të shpallë konkurs kombëtar për ngritjen e përmendores për Nënë Terezën


    Një përmendore e Nënë Terezës do të vendoset në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, që mban emrin e humanistes shqiptare, deklaroi dje Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilës, "realizimi i përmendores do të ishte një shenjë nderimi për shenjtoren e madhe, por edhe një akt vlerësimi për humanizmin, solidaritetin dhe vlerat e larta morale që përfaqësonte ajo dhe për të cilat ka aq shumë nevojë shoqëria shqiptare".

    Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për figurën e madhe të kombit shqiptar, Nënë Tereza, e cila ia kushtoi tërë jetën ndihmës dhe kujdesit për njerëzit në nevojë, fëmijët dhe të sëmurët, Ministria e Shëndetësisë vendos të shpallë konkurs kombëtar për ngritjen e përmendores për Nënë Terezën. Ministria e Shëndetësisë, me reformat e ndërmarra dhe në të gjithë aktivitetin e saj, synon pikërisht që idetë, vlerat dhe humanizmi i Nënë Terezës të inspirojnë rritje të cilësisë dhe profesionalizmit, për një kujdes më të mirë dhe të lartë shëndetësor në dobi të qytetarëve dhe të shoqërisë. Njëherësh, në përkujtim të Nënë Terezës, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me QSUT, do të ndërmarrin aktivitete dhe masa të tjera nderimi e përkujtimi. Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, të gjitha recetat, dokumentet spitalore të QSUT, mjetet kancelarike në përdorim, etj., do të mbajnë fotografinë simbolike të Nënë Terezës. Po ashtu, fotografia e saj dhe lutja për "punë të vogla, por me dashuri të madhe" do të vendoset në të gjitha mjediset spitalore dhe universitare të kësaj qendre.






    QNK "Arbnori", dokumentar mbi jetën dhe veprën e Nënë Terezës
    Qendra Ndërkombëtare e Kulturës "Arbnori", në kuadrin e "Javës së veprimtarive për Nënë Terezën" ka paraqitur përpara piramidës dokumentarin mbi jetën dhe veprën e Nënë Terezës, me po të njëjtin titull. Dokumentari prej 90 minutash do të vazhdojë të jepet për disa netë me radhë dhe në po të njëjtën orë.

    Dokumentari, nën regjinë e Anne Petrie dhe producentës Zhanet Petrie, paraqet aspekte nga fillimi i veprimtarisë së saj prej bamirëseje në Kalkuta të Indisë, përmes një misioni që u bë qëllimi i jetës së saj për t'u shërbyer të varfërve të më të varfërve, të sëmurëve nëpër spitale, etj.

    Në këtë dokumentar paraqitet jeta e motrave të ndara nga bota për t'iu shërbyer njerëzve në nevojë, të cilët nuk shqetësoheshin për asgjë tjetër për sa i përket botës, por vetëm për të shërbyer, sepse kjo ishte më e mira që ato kishin zgjedhur(...).






    U çel ekspozita "Imazhe për Nënë Terezën"


    Qendra Ndërkombëtare e Kulturës "Arbnori", në kuadrin e Javës së veprimtarive për Nënë Terezën çeli ekspozitën "Imazhe për Nënë Terezën" të piktorit Gjovalin Paci.

    Ekspozita është organizuar për nder të figurës së shenjtë të Nënë Terezës dhe përmban rreth 90 punime me teknikën e akrilikut dhe teknika të përzjera (mikse).

    Tematika e trajtuar në këto punime është nga jeta, po ashtu edhe kompozime me figura, florale (lule), si dhe kompozime abstrakte.






    Sot, konkursi me krijimet më të mira për Nënë Terezën
    Sot paradite, tek Salla e Kinemasë në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori" organizohet aktiviteti "In Memoriam për Nënë Terezën". Kjo organizohet në kuadrin e javës së veprimtarive për shenjtoren Nënë Tereza.

    Është një minikonkurs me disa nga letrarët me të rinj të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Tiranës, që do të jenë protagonistë të këtij aktiviteti.

    Në fund të veprimtarisë, të rinjtë do të lexojnë krijimet e tyre, prej nga do të dalin edhe fituesit, ku do të ndahen certifikata për të gjithë pjesëmarrësit, po ashtu edhe çmime të para, të dyta dhe të treta për fituesit.






    Aktivitetet që do të organizojë QNK, deri më 15 shtator


    Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së shenjtores së famshme shqiptare Nënë Tereza, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës "Arbnori", në kuadrin e "Javës së veprimtarive për Nënë Terezën" organizon këto aktivitete nga data 6-15 shtator 2007:

    -Performancë artistike nga të rinjtë e Tiranës;

    -Mbresa të njerëzve që kanë takuar Nënë Terezën;

    -Interpretime nga krijimtaria e Nënë Terezës;

    -Dokumentarë mbi jetën e Shenjtores Nënë Tereza;

    -Koncert instrumental, etj;

    -Imazhe për Nënë Terezën, ekspozitë e piktorit Gjovalin Paci.

    -"In Memoriam për Nënë Terezën", Salla e kinemasë në QNK "Arbnori", një minikonkurs me disa nga letrarët me të rinj të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Tiranës. Në fund të veprimtarisë, të rinjtë do të lexojnë krijimet e tyre, prej nga do të dalin edhe fituesit, ku do të ndahen certifikata për pjesëmarrësit, po ashtu çmime të para, të dyta dhe të treta për fituesit;

    -Një minikonkurs me pjesëmarrjen e piktorëve të rinj, të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, portreti i "Nënë Terezës".

    -Koncert i fëmijëve dhe të rinjve "Rinfest tek Këmbana e Paqes", përpara piramidës, të dielën, më 10 shtator 2007.

    -Veprimtari bamirësie. Hapja e një salloni me internet falas në xhepin e djathtë të odeonit të piramidës, etj.






    Shkodër: Meshë në kujtim të Nënë Terezës

    Bamirësja shqiptare me famë botërore, Nënë Tereza, është përkujtuar në Shkodër, në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta, me një sërë aktivitetesh që kanë nisur dje dhe kanë vazhduar dhe gjatë ditës së sotme. Në këtë qytet, përveç aktivitetit që ushtron Urdhri i Nënës Terezës, ndodhet dhe shtëpia ku ka jetuar familja e bamirëses së madhe dhe që tashmë është kthyer në muze, me një vendim të Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Po ashtu, rruga ku ndodhet kjo banesë ka marrë emrin "Nënë Tereza". Ceremonitë në kujtim të 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të Nënë Terezës nisën me një meshë solemne, në kishën katolike të Shkodrës, drejtuesit e të cilës kanë patur rastin ta kenë në gjirin e tyre vite më parë, kur bamirësja shqiptare organizoi vizitën e parë në qytetin e Shkodrës, e shoqëruar dhe nga Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali i Dytë. Mesha u zhvillua në katedralen "Shën Shtjefni" të qytetit dhe u celebrua nga Arqipeshkvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, Angelo Masafra. Të pranishëm në këtë meshë ishin dhe prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, kryetari i Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi, kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, të cilët, në emër të pushtetit vendor, përcollën nderimin për këtë figurë të përmasave botërore. Gjatë predikimit të meshës, Imzot Masafra foli para besimtarëve të shumtë për vlerat e mëdha dhe të pakrahasueshme që disponon kjo figurë e madhe botërore. Masafra nënvizoi se Nënë Tereza i përket dhe Shkodrës, prindërit e të cilës kanë jetuar në këtë qytet, gjë për të cilën flet me konsideratë në kujtimet e saj të shkruara edhe vetë Nënë Tereza. Aktivitetet në kujtim të Nënë Terezës do të zhvendoseshin në rrugën "Badra", aty ku dhe gjendet shtëpia në të cilën ka jetuar familja e Nënë Terezës. Qytetarë të shumtë shkodranë ishin pjesëmarrës të një tubimi zhvilluar në këtë lagje, nën kujdesin e Bashkisë së qytetit. Anëtari i Këshillit Bashkiak, Anton Benusi, njëherazi dhe banor i kësaj lagjeje, foli për jetën e Gonxhe Bojaxhi (Nënë Tereza) dhe familjes së saj. Aktivitetet në nderim të bamirëses shqiptare vijuan në rezidencën e motrave të Nënë Terezës, ku dhe funksionon një spital modern, i vetmi i këtij lloji në vendin tonë, në shërbim të njerëzve në nevojë.

  6. #6
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Dom Lush Gjergji: Letërkëmbimi i Nënë Terezës rikonfirmoi shenjtërinë e saj

    Dom Lush Gjergji: Letërkëmbimi i Nënë Terezës rikonfirmoi shenjtërinë e saj

    Dom Lush Gjergji, autor i biografisë së Nënë Terezë, në një intervistë të posaçme për Europën e Lirë, flet për personalitetin e papërsëritshëm të shenjtores shqiptare, si dhe për polemikën e kotë që ushqeu shtypi shqiptar rreth publikimit të correspondences së saj personale

    Dom Lush Gjergji, dhjetë vjet pas vdekjes së Nënës Terezë cilat janë kujtimet që keni për të dhe për punën me të cilën ajo u bë e njohur në botë?
    Unë e kam njohur atë që në vitin 1968, si student i filozofisë në Romë dhe e kam përcjellë pak a shumë gjatë tërë jetës, deri në kalimin në amshim, më 1997. Mund të them se që prej takimit të parë që pata si dhe në takimin e fundit, gjithmonë ndjenja ka qenë si të ishte hera e parë, para një personaliteti të jashtëzakonshëm, para një nëne të mirë dhe të madhe, para një shenjtëreshe të gjallë. Kjo më ka detyruar të merrem me të dhe të mundohem me 13 libra ta ndriçoj jetën dhe veprën e saj, sidomos dy periudha të panjohura, 18 vjetët e fëmijërisë dhe rinisë në Shkup dhe 18 vjet si motër e Loretos. Mbetet personalitet tejet i rrallë dhe i papërsëritshëm në historinë e Kishës dhe në historinë e njerëzimit.

    Në qarqe të ndryshme ndërkombëtare janë ngjallur debate mbi një libër që përmban letrat e Nënës Terezë, në të cilat, siç thuhet, ajo ka përshkruar dëshpërimin shpirtëror në disa periudha të jetës së saj, për shkak të disa dyshimeve. Cili do të ishte komenti juaj mbi këtë çështje?
    Qarqet laike nuk e kanë kuptuar një gjë që është e rëndësishme në historinë e Kishës, e sidomos në historinë e të shenjtëve apo shenjtëreshave të mëdha. Sa më e madhe të jetë shenjtëria, aq më të mëdha janë vuajtja, sprova, baticat apo zbaticat, apo kryqi. Kështu që edhe Nëna Terezë, në disa momente të jetës së saj, pati një lloj zbrazëtie, një lloj mangësie të asaj që ishte kënaqësia shpirtërore për të shërbyer Zotin në njeriun dhe njeriun në Zotin. Mirëpo, ajo, me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, jo vetëm që i tejkaloi të gjitha këto dhe i mbeti besnike Zotit, Kishës dhe mbarë njerëzimit, por dha një dëshmi se nuk kishte periudha shterpe; sa më vështirë që ishte, ajo aq më e madhe u dëshmua në jetë dhe në veprim. Prandaj, këto sprova, këto kryqe, këto batica apo zbatica, këto mungesa të ndjenjës së plotë të pranisë dhe të dashurisë së Zotit, për të ishin vetëm një thellësi apo lartësim drejt Zotit dhe drejt njeriut.

    Do të thotë, këto të ashtuquajturat tundime janë gjetur në letrat e shkruara nga Nëna Terezë?
    Po, postulatori Pater Bryan i ka mbledhur letrat që nga viti 1946, kur filloi periudha e thirrjes në thirrje e deri në kalimin në amshim, nuk di a në formë integrale apo si të përzgjedhura. Këto letra i ka botuar dhe dje ia ka dorëzuar Papës Benedikti XVI, me një dëshirë dhe një kërkesë që të shihet shpirti i saj, lufta e saj e brendshme dhe mbi të gjitha fuqia e fesë dhe frymëzimi i dashurisë, që nuk kanë munguar kurrë, sepse edhe në momentet kur ajo hetonte në vetvete zbrazësi apo largësi prej Zotit, gjithmonë ishte e buzëqeshur, gjithmonë ishte e sigurt, gjithmonë jetoi për Zotin dhe për njeriun dhe kurrë nuk është marrë me vetveten apo me çështjet e brendshme familjare, kombëtare, kishtare, shqiptare, edhe pse të gjitha ato i mbante në shpirt dhe në zemër. Dhe, këtu është madhështia e Nënës. Nëna flijohet dhe dhurohet për të mirën e të gjithëve. Nëna Terezë, duke folur për këto momente të errëta apo për ndërprerjen e komunikimit mes Zotit dhe saj, e ka përdorur një figurë stilistike, për mua shumë të qëllueshme dhe të mrekullueshme; thotë: ‘Zoti luan me ne sikurse nëna që luan me fëmijën apo me foshnjën e saj’; fshihet diku pas dere apo në një kënd, fëmija fillon ta kërkojë andej e këndej dhe nëse nuk e gjen për një kohë, fillon të qajë dhe atëherë nëna me gëzim i lajmërohet dhe triumfon dashuria – edhe nëna edhe fëmija janë shumë të lumtur pas një loje të tillë. Kështu janë sprovat që Zoti ia lëshon shpeshherë njeriut.

    Çfarë do të thotë e gjithë kjo për Kishën Katolike?
    Mendoj se pas këtyre letrave, siç tha Pater Bryan, do të dëshmohet edhe një herë shenjtëria e saj edhe më e madhe, besnikëria e saj, luftërat e saj të brendshme, e sidomos thesari i saj i jashtëzakonshëm, që ishte dashuria në vepër ose dashuria në veprim. Kisha Katolike me Nënën Terezë e ka një përvojë krejtësisht të re, sepse ajo nuk mundohet më për t’i kthyer të tjerët në krishterim, por e kuptoi njëherë e përgjithmonë se Zoti është dashuri dhe nuk duhet të bëjmë asgjë tjetër përveç t’ua dëshmojmë dhe t’ua dhurojmë njerëzve Zotin në dashuri dhe ky ishte misioni i saj. Për këtë arsye tejkaloi çdo kufi hapësinor apo kohor. Çdo institucion i saj ishte për Zotin dhe për njeriun, prandaj tejkaloi kufijtë racorë, gjinorë, kastorë, fetarë, etnikë dhe u bë dhe do të mbesë Nëna e njerëzimit, misionarja e parë pas 2000 vjetësh, e cila në kuptimin e plotë është e krishterë dhe i ndihmon botës mbarë, hinduizmit, budizmit, islamizmit, si dhe vetë ateistëve që ta njohin Zotin-dashuri dhe vëllanë-njeri.

    Dom Lush Gjeri, një çështje tjetër, që është duke u debatuar në këtë kuadër, është edhe dilema nëse Nëna Terezë do të dëshironte që letrat e saj të bëheshin publike në botë. Çfarë mendoni ju?
    Mendoj se nuk kërkonte publicitet dhe popullaritet. Prandaj, nga ky aspekt, nuk besoj se do të dëshironte. Mendoj, personalisht, se ajo nuk ka shkruar dhe nuk ka vepruar asgjë që të tjerët ta dinë, por ka shkruar dhe ka vepruar vetëm e vetëm me një qëllim, në nder dhe lavd të Zotit dhe në dobi dhe në të mirë të popullit, sidomos të të mjerëve. Por, sigurisht se nuk ka çka të fshehë, sepse madhështia e saj ishte e tillë, aq e pastër si loti. Prandaj, çfarëdo që të ketë në letrat e saj, do ta rrisin edhe më tepër fytyrën e bijës, motrës dhe nënës shqiptare.

    Dhe, në fund, Dom Lush Gjergji, dhjetë vjet pas, cila është trashëgimia që Nëna Terezë i la botës?
    Një trashëgimi e jashtëzakonshme dhe e madhe që unë jam munduar ta zbërthej në dy pika - kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Nëna Terezë ishte mbrojtëse e jetës në çdo anë dhe kënd të botës, duke u nisur prej kraharorit të shenjtë të nënës në shtatzëni, deri te varfëria, mjerimi, papunësia, sëmundjet, braktisjet, alkoolizmi, droga, prostitucioni, terrorizmi, SIDA. Nëna Terezë e thoshte një parim të mrekullueshëm: ‘Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne’. Prandaj, është mbrojtësja më e guximshme dhe më e madhe e jetës, kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. ‘Jeta ka kuptim vetëm kur ka dashuri dhe pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim’, janë fjalët e Nënës Terezë dhe vetëm dashuria do ta shpëtojë botën. Prandaj, këto dy shtylla, mendoj se e përfshijnë, në një mënyrë, figurën madhore të Nënës Terezë - kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Dhe, njerëzimi me shekuj do të hulumtojë thesaret, të cilat janë në shprehje në jetën dhe në veprat e Nënës Terezë.

  7. #7
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705

    Institucioni i shenjtë i Nënë Terezës

    Institucioni i shenjtë i Nënë Terezës


    Nga Visar ZHITI


    Qilimi shqiptar i saj


    Nëse do të shkonit në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, në ndonjë mbasdite të qetë, kur në bankinat e Kishës sheh brenda ndonjë vetmitar që është zhytyr në lutjen e tij apo ndonjë grua që pasi bën kryq, kërkon të ndezë një qiri, por të kthesh kokën pas nga vitrazhet gjithë ngjyra të përndezura të kishës, teksa marrin një shkëlqim tjetër të përëndërrt prej rrezeve diellore, krahas skenave biblike me Krishtin dhe kryqin e rëndë, do të shohësh në të majtë edhe diçka tjetër të re shqiptare: Nënë Terezën të buzëqeshur, së bashku me arqipeshkvin tonë, Shkëlqesinë e tij, zotin Rrok Mirdita, duke parë projektin e kësaj katedraleje. Të duket sikur ke parë një skenë nga bibla e re, e një realiteti të ri, tonin. Dhe po pate rast të takosh arqipeshkvin e të hysh në bisedë me të, ai gjithë përzemërsi të tregon për Nënë Terezën, e ka njohur, e ka folur dhe ka ndenjur shpesh dhe gjatë me të në Vatikan, por dhe në Amerikë, dhe së fundi, edhe në Shipëri. Teksa endeni mesoreve të katedrales, do të ndaleni tek një kornizë e madhe, e varur me planimetrinë e kësaj ngrehine, me firmat dhe vulat e arkitektëve dhe të shtetit anash, që kanë dhënë miratimin e ndërtimit, por në mes është një medalion i vogël metalik, një Shën Mëri, e vuri Nënë Tereza, tregon arqipeshkvi, ja tek hodhi edhe ajo firmën e saj: "God bless you! Mother Tereza". Por emocionet do të shtohen kur të shkosh në sallën përballë dhe në murin anësor të saj do të shohësh një qilim të vogël shqiptar me motive popullore. Është i Nënë Terezës, tregon Shkelqësia e tij, Rrok Mirdita. Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, ia dhuruan kujtim gratë bashkatdhetare dhe Ajo e mori me vete në Indi, lutej mbi të, e vuri para tempullit atje, që kur të gjunjëzohej, t'i fanitej Shqipëria. Kur ishte vetëm fare, Nënë Terezës lutjet i vinin në gjuhën shqipe, ashtu siç ia kishte mësuar e ëma në fëmijëri, vazhdon të tregojë arqipeshkvi dhe kur bënte rrëfimin e zakonshëm, e bënte në shqip. Motrave të Nënë Terezës, zoti Rrok Mirdita u kërkon një shenjë nga Shenjtorja jonë, që ta sillte në Atdhe dhe ato mblidhen kokë më kokë dhe vendosin që t'i japin qilimin shqiptar...


    -Nënë Tereza ka folur shqip-

    -Pasaporta shqiptare e saj-


    Nënë Tereza shqipen e kishte gjuhë familjare dhe dihet që e fliste atë, mësimin fillor e ka marrë në gjuhën amtare. Një mbesë e saj në Siçili, gjë që e dëshmon në një libër dhe një gazetare italiane, tregon, p.sh, se kur vinte halla, pra Nënë Tereza, apo kur shkonim ta takonim, ajo me babin fliste shqip pa ndërprerje. "Shumë po vepron qoftëlargu, si në Kosovë, si në Shqipëri", do t'i thoshte fjalë për fjalë Nënë Tereza priftit të arkidioqezës së Shkup-Prizrenit. Kurse në ditën kur mori çmimin "Nobel", ajo shkroi një lutje shqip për shqiptarët, faksimilja e të cilës është botuar në shumë libra dhe gazeta tonat tani. Duhej të gdhendej në mermer, ashtu me shkrimin e saj dhe pllaka të vendosej mureve. Gjithmonë kam ëndërruar shtatore të Nënë Terezës shesheve të qyteteve tona, madje dhe libra të mëdhenj prej guri a bronzi, të hapur, ku të ishin të shkruara përjetë thënie nga lutjet e saj dhe bashkë me to dhe vargje nga poezia, dhe pse jo edhe nene të Kanunit tonë madhështor. Ndërkohë, shqiptarët e Amerikës kujtojnë mesha shqip me Nënë Terezën. Edhe kur erdhi në Tiranë, në një takim të hapur në Pallatin e Kongreseve, lutjen hyrëse ajo, së bashku me Presidentin Berisha, e bëri në shqip. Madje ajo kishte marrë edhe pasaportën shqiptare.


    Libri "Mërmërimë Shenjtoreje"


    ... tashmë, brerorja prej drite e Nënë Terezës, ajo aurerolë që rrethon fytyrat e shenjtorëve, që feks prej shpirtit të bëmave dhe lëshon rreze qiellore e përshkëndrit botën përreth, janë dhe lutjet e saj të bukura, si poezi...


    ****

    Kur e takova për herë të parë Nënë Terezën, ndërsa i kërkoja të më linte një autograf mbi librin e saj, guxova dhe i thashë:

    Kam përkthyer nga lutjet e tua...

    Mirë ke bërë, u përgjigj shkurt, duke më dhënë ndjesinë se mërmëriti shqip, me zërin si ato të nënave tona, të ngrohtë dhe misterioz, prej dheu dhe qielli bashkë, gjithsesi të zhveshur. Pashë ç'po shkruante me dorën e saj të kockët, me një lehtësi mahnitëse në librin e hapur mbi prehërin e saj, si flatrat e bardha të një pëllumbi: "God bless you!"dhe vuri emrin në fund, "M. Tereza m e". Ç'shkrim i mrekullueshëm! Kushtimi m'u duk si një fjongo e lidhur në flatrën e një shprese.

    ... Leximi i lutjeve të Nënë Terezës të jep një ndjesi të veçantë, të ngjashme me zbulimin, të asaj se sa afër teje paskësh qenë, madje dhe brenda nën lëkurën tënde, po ti e kishe harruar, siç harron njeriu qarkullimin e gjakut. Dhe të vjen t'i mërmërisësh, të dëgjosh zërin e vërtetë të vetes, atë të natyrshmin, të papërçudnuarin...

    Ajo mërmërimë e harruar rrjedh duke të çlodhur sadopak prej të keqes, të jep zemër e ti kërkon të duash më shumë, për të bërë më shumë. Ndërkaq je i magjepsur për mirë. Lutjet e Nënë Terezës kanë një thjeshtësi mahnitëse, gati parake, atë konkretësinë prekëse të gjërave aq afër teje, të cilat rrezikojnë të harrohen si çdo gjë e afërt. Ndërkohë kanë filozofi biblike, imazh dhe figuracion. Fjala e saj vjen si e zhveshur, të kujton duart e saj të zgjatura, në të gjithë kontinentet, pakëz dridhëse, prekin plagët... plagët e të tjerëve ishin diamantet e saj, pasuria e saj. Duke marrë forcë tek dobësia, me mjetin më të brishtë, të dukshëm dhe të padukshëm, me eterikun, me dashurinë për të cilën kujtohemi po aq si për dritën, Nënë Tereza u fut në dashurinë e njerëzimit, nga dashuria në dashuri, që di të jetë edhe e tufantë, llavë e zjarrtë e thellësive të jetës. Nënë Tereza bëri profesion dashurinë. S'ka rëndësi se sa shumë bën, do të thoshte ajo, por ka rëndësi sa dashuri ke vënë në atë që bën. Sidomos për më të varfrit e më të varfërve. Duke parë gjithë atë mjerim, por edhe indiferencën e tmerrshme, ku brutaliteti i jetës shkatërron jetën, ajo zgjodhi gërmadhat e mishit të gjallë, por me një mision të kundërt, të shenjtë, ringjallës... Dhe kur shekulli i Nënë Terezës llogariste sasinë e çeliqeve të prodhuara dhe jo vetëm të grurit dhe të makinave, por dhe të plumbave dhe të tankeve, ajo llogariste buzëqeshjet. Që të rriteshin statistikat e buzëqeshjeve, ishte shqetësimi i shtëpive të saj të bamirësisë. Si një sfidante e madhe, madje dhe kundër bujës së saj, ajo u quajt nëpër metropole si investitore e dashurisë apo industrialiste e mëshirës. Kështu, ato rrënoja të gjalla, materien infernale të mjerimit, duart e thara të Nënë Terezës, e ngritën duke e gjallëruar deri në kuptimin e shenjtë të vetë jetës, duke krijuar lumturinë e pamundur. Dhe ne, duke u lutur për Nënë tonë të madhe Terezë, lutemi për të gjitha nënat shqiptare, sipas poetit të shquar nga vendi i nënës së Nënë Terezës, Ali Podrimja. Nënë Tereza u fut në ndërgjegjen e botës pa shpikur asgjë, pa udhëhequr asnjë vend, e nëse ka personalitete që futen në histori me dhunë, duke shembur muret e historisë e dalin prej andej duke i zvarritur statuja, Nënë Tereza mbetet në ndërgjegjen e madhe të njerëzimit pa zbuluar zjarrin a ndarjen e atomit apo ligje të së vërtetës fizike, pa shkruar epopera mbi mermerin e ngjarjeve, pa biznes e madhështira, skajshmërisht modeste dhe e varfër skajshmërisht, e megjithatë gruaja më e njohur e kohës së saj.

    Ajo hyri në dashurinë e gjithkohshme me të vetmen gjë që kishte: me dashurinë e saj të cilën e ktheu në dashuri hyjnore, duke bërë të besohet edhe më shumë se edhe dashuria hyjnore është më se njerëzore.

    Lutja e fundit e Nënë Terezës, po aq sa lamtumirë (sepse është e fundmja e jetës së saj dhe do të ikë për në Qiell), ndërkohë është edhe një lloj rikthimi. I rikthehet nisjes, vendit…


    * * *


    Siç duket, Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë dhe zgjodhi një grua për barazi. Caktoi një shqiptare, s'dihet për ç'shpërblim ndaj kombit tonë të martirizuar dhe solli kështu në jetë Gonxhen e vogël, më 27 Gusht 1910, ndoshta në shekullin më apokaliptik të njerëzimit. Familja e saj, Bojaxhinjtë, me tradita patriotike, kishin ikur nga Prizreni në Shkup. Mbaron shkollën fillore në gjuhën shqipe. Duke qenë në një atdhe të varfër dhe të pushtuar, i parandolli vetes një liri dramatike si kryqi, ku pasuri do të kishte vetëm shpirtin. Duke parë persekutimin e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, ideoi menjëherë, mbase, që jo vetëm të dojë të gjithë të persekutuarit e botës nga fati i mbrapshtë, por edhe t'u kushtohet atyre me përdëllimin më të lartë.

    Në rrugën e shenjtë që do të merrte, nuk e çon ndonjë kompleks, gjymtim apo cen, përkundrazi, vajza Gonxhe Bojaxhiu është e bukur, gjithmonë me libra në duar apo me mandolinën e saj. Merrte pjesë në kor, në grupin teatror. Do të studionte më vonë në sllavisht, pastaj do t'i shkëpuste lejen s'ëmës për t'u bërë misionare, jo për të mbuluar ndonjë njollë në të kaluarën e saj, siç i pëlqen të dyshojë ndonjë të edukuari keq, asgjë të tillë nuk gjejnë biografët e saj, edhe ata që e përflasin si lavdimadhe dhe të lidhur me më të pushtetshmit e botës, se ajo ia dha veten Krishtit, ky është i dashuri i saj, sa imagjinar, edhe real. Duke shkuar në Irlandë, anglishtja do të bëhej gjuha e saj e punës. Me gjuhën e Shekspirit u mërmëritën dhe u shkruan së pari lutjet e saj.

    Që në moshën 18-vjeçare do të ikte në Indi, do të diplomohej në Universitetin e Kalkutës dhe do të punonte si mësuese, dhe më pas si drejtoreshë e Shkollës Superiore e Bijave të Santa Anës, urdhër indian ky, i përafërt me atë të murgeshave të Loretos, në kohën e perandorisë së Britanisë së Madhe. Vëllait të saj, oficer në shërbim të Mbretit Zogu i I, ajo i thoshte duke buzëqeshur se ti i shërben një mbreti që ka 3 milion shtetas, unë i shërbej një mbreti që ka gjithë universin, Zotit.

    Zgjedh për vete emrin Tereza, në nderim të Terezës së vogël franceze dhe shkruan emrin si të shenjtores së lavdishme të shekullit XVI, spanjolles Shën Tereza e Aviles, dhe mbase vetëndjehej si rimishërim i tyre, sepse ngjante, me njërën nga shtati dhe me tjetrën nga dashuria e pafundme ndaj Krijuesit, në vetëflijimin absolut.

    Dhe ashtu me sandalet e pluhurosura, të vetmet (nuk i gjenden të tjera as për muzeume, sepse kishte vetëm një palë) me gishtat e këmbëve të ngjeshur si fëmijë varfanjak në stolin e një mence bamirësie, ajo shtegton, jo me bucelat me ujë folklorik mbi supe, por me kufoma, që vazhdojnë të ngjallen edhe pas vdekjes së saj.

    "Ungjilli i gjallë" e kanë cilësuar, "pena e Zotit", "specialistja e plagëve të botës", kurse çmimet dhe nderimet për të janë të gjithanshme dhe nga kudo. "Lotosi i Mrekullisë" i jepet në Indi, "Gruaja më e merituar e Azisë" në Filipine, pastaj çmime nga Vatikani, nga Papa, të tjera në SHBA, "Doktor Nderi" në shumë universitete të botës, qytetare nderi, etj., etj., tre nështetësi: atë të Vatikanit, indiane dhe shqiptare, po edhe atë të Qiellit, shenjtore.

    Të tillë e bëri dashuria e tepërt, megjithëse dashuria nuk është e tepërt kurrë.


    -Shenjtërimi dhe djallëzitë-


    Duke u shenjtëruar Nënë Tereza, pra duke iu shtuar një shenjtore njerëzimit, të gjithë janë shenjtëruar nga pak…

    Por këtë fillim shenjtërimi, më shumë nga të gjithë, natyrisht, duhet ta kenë ndjerë atdheu i saj dhe bashkatdhetarët. Prandaj të gjithë do të dëshironin të ishin bashkatdhetarë. Dhe këtu nis djallëzia e parë. Duke patur parasysh edhe vokacionin e Nënë Terezës, që atdheu i saj është i gjithë planeti me emrin Tokë, vetë shpirti i njeriut, në një farë mënyre, kjo jep të drejtën, që të gjithë të kenë mundësi të shfaqin dashuri ndaj saj, por edhe djallëzi.

    Për hir të një të vërtete reale dhe të thjeshtë, larg çdo kompleksi, deliri i çdo djallëzie që s'ka dhe s'ka pse të ketë komplikime, bashkatdhetarët e Nënë Terezës janë shqiptarët dhe atdheu i saj është Shqipëria, bijë e të cilës Ajo është. Këtë gjë e pohon vetë Nënë Tereza dhe e di gjithë bota.

    Ajo s'ka qenë asnjë ditë maqedonase. Sepse kur lindi në Shkup, qytet i një sanxhaku shqiptar atëherë nën perandorinë turke, nuk kishte Maqedoni, s'ekzistonte, dhe kur u bë Maqedonia, Nënë Tereza kishte ikur dhe qe bërë bijë e botës, gruaja më e famshme e planetit.

    Dhe detyrë jona ishte jo që të bindnim vetveten dhe të tjerët për gjëra që dihen, por të bënim sa më shumë në nderim të Shën Terezës së shqiptarëve. Të zbulonim bëma të sajat, të bënim të njohura të panjohurat, intervistat, letërkëmbimet, librat, biografi, lutjet e saj të mrekullueshme, takimet, thënjet e personaliteteve të botës për Nënë Terezën të zbulonon sa më shumë lidhjet e saj me atdheun, të cilat janë komplekse, të shumta dhe të bukura, që kanë kaluar dhe kalojnë përmes vështirësish e djallëzish, të mendonim për memorialet, obeliskët dhe shtatoret në nderim të saj, por që do të nderonim veten, etj, etj. Të edukonim veten dhe ta edukojmë me shembullin madhështor të Nënë Terezës, se kështu do të pakësonim djajtë.

    Pra, çështja qëndron jo në është shqiptare Nënë Tereza, por sa janë shqiptarët të Nënë Terezës?


    Engjëlli udhërrëfyes


    Engjëlli udhërrëfyes i Nënë Terezës ka folur shqip:

    Para se të na internonin, ne merrnim letra nga Nënë Tereza deri në vitin 1951, më tregon zonja nga Shkodra, Luçia Mozali, e bija e Filomena Lukës, shoqe fëminie në Shkup me Nënë Terezën. Te shtëpia e saj rrinim, atje hanim. Po kur babai ra në burg, humbëm gjithçka, edhe letrat. Kur erdhi për herë të parë Nënë Tereza në Shqipëri, kërkoi të takojë nënën time. Vajtëm me frikë në Tiranë, ende s'kishte rënë diktatura. U përqafuan dhe qanin, dhe s'dinin ç'thoshin më parë me shqipen e tyre të plakur. Po unë dua të tregoj diçka tjetër, për një letër të çuditshme që Nënë Tereza ia kishte dërguar nënës time, shqip, ku i tregonte për mbërritjen e saj në Indi, kur ishte vajzë e re 18-vjeçare, murgeshë. Askush nuk kishte dalë ta priste në Kalkutë dhe ajo s'po dinte nga të shkonte. Kur i afrohet dikush dhe i thotë, nëse donte taksi. Po, - përgjigjet Nënë Tereza dhe i tregon adresën. Taksisti i rrëfen rrugës se është shqiptar, madje nga qyteti i saj, Shkupi. Kur mbërrin në Kuvendin e murgeshave, ato i kërkojnë falje që s'kishin dalë ta prisnin, se ashtu ishin punët. Ndërkaq kujtohen se duhet paguar taksisti. Por ai ishte zhdukur. E kërkojnë në stacionin e taksive. S'ishte. Pyesin për të përreth në shoqatën e taksistëve, në kryesi e të tjerë, por iu thanë se s'kishin patur kurrë një taksist shqiptar. Ç'donte një kurbetli i tillë kaq larg në Indinë e varfër? Ai s'ekzistonte. Patjetër që ma kishte dërguar "Zoja e Shkodrës", që të më ndihmonte, të më jepte kurajo, të mos kthehesha pas. Dhe ashtu u bë. Amen!


    Me Nënë Terezën, kombi shqiptar ndjeu nevojën t'i jepte botës mesazhin e dashurisë për njeriun, një dashuri aktive, të cilën as vetë nuk e kishte ndjerë ta merrte aq shumë nga bota, duke kapërcyer kufijtë shtetërorë dhe largësitë kontinentale, paragjykimet dhe konfliktet shekullore, mëritë, fetë dhe racat, madje dhe vetveten, duke bërë të pamundurën, mrekullinë.

    Përsëritim: shqiptarja Nënë Tereza u bë gruaja më e njohur e planetit, me profesion dashurinë, që investonte buzëqeshjet, industrialistja e mirësisë, me të vetmen pasuri, plagët e botës.

    Kombi ynë sikur deshi kështu t'i shtojë shpatës skënderbejane lutjet e shenjta për njeriun të Nënë Terezës, të cilat s'janë thirrje për pasivitet apo për gjunjëzim, por, përkundrazi, të ftojnë për veprime sa njerëzsore, po aq dhe të perëndishme, të bësh për njerëzimin në emër të kësaj dashurie dhe paqes. Dhe pikërisht simboli i saj bën që Shqipëria të njihet më shumë dhe të çmohet më shumë, dhe të bëjnë më shumë dhe për të.

    Si një gazetar do të ilustroja me një shembull mahnitës që, mbase, pak veta e dinë. Kur skulptori nga Prishtina Luan Mulliqi do t'i dhuronte Presidentit të SHBA, Bill Klintonit, një statuetë të Nënë Terezës, do të dëgjonte prej tij se kur ai kishte urdhëruar luftën kundër Jugosllavisë së mbetur dhe nisën bombardimet mbi Beograd për të ndaluar plojën dhe dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta, ishte dhe përmbushja e një fjale të dhënë e Presidentit amerikan ndaj Nënë Terezës, e cila i kishte kërkuar të ndihmohej populli i saj. Të mbrohej. Dashuria e Nënë Terezës, ideali humanist, vetë imazhi i saj u bënë mbështetje e një lufte të domosdoshme kundër luftës për drejtësinë dhe paqen e mëvonshme.
    Ndryshuar për herë të fundit nga TOKE GEGA : 08-09-2007 më 18:15

  8. #8
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Smundet titujt pak me "SIZE" me te vogel ti shkruash se vertet pengojn!
    Sui generis

  9. #9
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    30-10-2004
    Postime
    705
    Citim Postuar më parë nga RaPSouL Lexo Postimin
    Smundet titujt pak me "SIZE" me te vogel ti shkruash se vertet pengojn!

    NANA E DASHUNIS JU PENGON ? PO CILI JU JEPE ...?

Tema të Ngjashme

  1. Cilat jane meritat kombetare te Nene Terezes?
    Nga altruisti_ek84 në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 106
    Postimi i Fundit: 26-12-2010, 15:49
  2. Nena Tereze vleresohet per shpirtin e saj apo per famen e saj?
    Nga fisniku-student në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 19-03-2009, 20:47
  3. Ikona e Nene Terezes
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 13-09-2006, 11:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •