Frrok Frroku: Im bir ushtronte dhunë ndaj nesh dhe na keqtrajtonte
Babai qëllon të birin, pas një sherri për ujin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Lezhës, kur 67-vjeçari Frrok Frroku ka qëlluar mbi të birin, Mikljanin. Zënka e djeshme, mes babë e bir, ka qenë si pasojë e një sërë sherresh që ata kishin mes tyre vite më parë. Por, dita e djeshme ka shënuar kulmin e një marrëdhënieje konfliktuale mes babait dhe të birit. Pas një debati për ujin, Frroku është përballur me Mikljanin, i cili nuk e ka lejuar atë dhe e ka shtyrë e qëlluar 67-vjeçarin. Ky i fundit ka rrëmbyer armën dhe pa e hequr dorën nga këmbëza e ka zbrazur gjithë karikatorin në trupin e të birit.
Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 14.30 minuta të ditës së djeshme në fshatin Tale 1 të rrethit të Lezhës. Ditën e djeshme, Frroku kishte vendosur që të nxirrte rakinë sipas traditës dhe për këtë i duhej një sasi uji nga pusi që përdornin babë e bir. Por, prej disa kohësh ata kishin pasur konflikte për çështjen e pusit, prandaj dje debatet kanë vijuar edhe më ashpër. Në këto kushte ka nisur debati, ku 32-vjeçari, përveçse ka filluar ta kërcënonte të atin dhe ta ofendonte, e ka shtyrë atë duke e përplasur në tokë. Kaq ka mjaftuar që Frroku të hynte në dhomën e gjumit dhe të qëllonte me kallashnikov mbi të birin e tij. Plagët e marra kanë qenë fatale për të riun, i cili ka dhënë shpirt në vend pa pasur mundësi që të merrte ndihmën mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, babai ka shkuar brenda në shtëpi, prej nga nuk ka pranuar të dalë. Në vendin e ngjarjes nuk ka vonuar që të vijnë dhe forca të shumta policie, të cilat kanë bërë të mundur fillimisht rrethimin e shtëpisë së Frrokut.
Agjentët e policisë i kanë kërkuar autorit të krimit që të dorëzohej, por ai ka vazhduar që të qëndronte i ngujuar në shtëpi, madje u kishte thënë të afërmve të tyre se do të vriste veten, pasi nuk mund të duronte dot më. Pas tentativave të dështuara për t‘u dorëzuar, policia ka ngritur dhe planin për të hyrë në shtëpi dhe pas gjysmë ore kanë bërë të mundur dhe arrestimin e 67-vjeçarit.
Pas prangosjes, Frroku ka pranuar dhe autorësinë e krimit. Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se nuk mund ta duronte dot më sjelljen arrogante të të birit, i cili prej dhjetë vjetësh i trajtonte keq familjarët e tij. Madje, ai nuk i lejonte që të mbushnin ujë në pusin që e kishin hapur bashkë. Frroku ka pranuar edhe raste të tjera kur 32-vjeçari kishte ushtruar dhunë fizike mbi të. Tashmë Mikljani nuk jeton më, ndërsa ka lënë pas një fëmijë dy vjeç. Një krim i shëmtuar që do të rëndojë shumë mbi ndërgjegjen dhe shpinën e një familjeje të tërë.
PRECEDENTET
Durrës
Disa ditë më parë, në Durrës Agim Gjuzi qëlloi për vdekje të shoqen, Florën, pasi dyshonte se ajo ishte lidhur me shokun e tij
Tiranë
Dy ditë më parë, në kryeqytet nusja Vasilika Mazniku ka mbytur njerkën e burrit, Bozhanën, pas një konflikti për çështje pronësie
Shqip
Krijoni Kontakt