Intervista/Flet Artan Goda, shefi i kardiologjisë: Qëllimi i ndërhyrjes, për të provuar aftësitë e mjekëve
Vjen në Shqipëri aparatura që i jep jetë zemrës
Doktorët shqiptarë e vendosën për herë të parë pajisjen, në zemrën e një 59-vjeçari
Në listën e të përkëdhelurve të fatit këtë herë ka qenë një 59-vjeçar. Megjithëse ka kaluar tri herë aritmi të rrezikshme për jetën, donacioni i një prej firmave më prestigjioze ndërkombëtare e ka rikthyer atë në jetë. Dy ditë më parë, në sallën e operacionit të shërbimit të Kardiologjisë, mjekë shqiptar të asistuar nga mjekë të huaj kanë realizuar një ndërhyrje invazive e njohur ndryshe, si një nga metodat e kardiologjisë moderne. Kjo ndërhyrje shërben për t‘u shpëtuar jetën atyre pacientëve që kalojnë shqetësime të rënda në zemër. Konkretisht, kjo aparaturë quhet defribilator i implementuar. Në një intervistë, shefi i kardiologjisë, Artan Goda, sqaron se kjo pajisje shërben për t‘i dhënë zemrës goditjet e nevojshme elektrike për të përmirësuar gjendjen shëndetësore. Ndërhyrja invazive është tepër e kushtueshme, por është realizuar nga një donacion. Çmimi fillestar nis nga 15 mijë euro. Vendosja e kësaj aparature në trupin e një shqiptari ishte një "test" për mjekët shqiptarë. Tani që mjekët e kaluan provimin, i mbetet shtetit të mendojë nëse Shqipëria do të përqafojë apo jo këto metoda moderne.
Ç‘mund të na thoni lidhur me aparaturën që ka mbërritur në Shqipëri dhe për çfarë shërben ajo?
Dje është kryer një ndërhyrje invazive nga mjekët e spitalit "Nënë Tereza". Është vendosur një aparaturë e cila futet në zemër. Ajo më pas i jep zemrës goditjet që ka nevojë. Në vendet e zhvilluara, kjo ndërhyrje kryhet në 100 raste në 1 milion banorë. Në vende të tjera kemi 20 deri në 30 raste në 1 milion banorë.
Ndërhyrja që është kryer dje në spital është mundësuar nga një donacion nga një firmë e njohur, pasi është e kushtueshme. Kjo ndërhyrje ka pasur si qëllim të provojë aftësitë e mjekëve shqiptarë, nëse do të arrinin ta realizonin atë.
Nuk mendoni se para se të kryhen këto ndërhyrje moderne, nevojitet përmirësimi i infrastrukturës dhe vendosja e pajisjeve kryesore që lënë në radhë pacientët?
Pavarësisht infrastrukturës që mund të kenë spitalet, apo kostos së lartë të kësaj ndërhyrjeje, duhet të shikohet se sa ndikon kjo në uljen e sëmundshmërisë, në incidencën, në preokupimin që sjellin shqetësimet kardiovaskulare. Vendet fqinje kanë metoda të tilla moderne, ne nuk mund të mbetemi pas. Të gjitha i shërbejnë përmirësimit të shëndetit.
Çfarë duhet të bëjë shteti për të rimbursuar këtë metodë të re e cila është shumë e shtrenjtë?
Shteti duhet të mendojë seriozisht lidhur me këto metoda, të cilat përdoren në vende të tjera dhe shërbejnë për të përmirësuar gjendjen shëndetësore. Por duhet të ndryshojë edhe filozofia e politikave. Të gjitha këto shërbime moderne i shërbejnë shëndetit, por sistemi ynë shëndetësor është i nënfinancuar. Sipas të dhënave, në sistemin shëndetësor janë parashikuar të shpenzohen 70 euro për shëndetësi. Ndërsa buxheti i shëndetësisë është vetëm 30 për qind i totalit. Kjo filozofi duhet të ndryshojë.
Duke pasur parasysh kërkesat e shumta për koreanografi dhe radhët e gjata të pacientëve, a ka bërë shërbimi juaj kërkesë për vendosje të një aparature tjetër, e cila të përballojë në kohë të gjitha kërkesat?
Po, kemi bërë kërkesë për një tjetër pajisje koreanografie dhe kjo aparaturë është në proces blerjeje. Kjo pajisje do të instalohet në qendrën spitalore. Specialistët që bëjnë ndërhyrje koronare janë vetëm tre. Por është menduar edhe për një grup prej pesë mjekësh, të cilët do të kryejnë specializimet përkatëse.
Këtë vit janë realizuar 150 ndërhyrje invazive ku përfshihet edhe koreanografia. Një vit më parë kemi realizuar gjysmën e këtij numri. Mendojmë që vitin e ardhshëm edhe me instalimin e një tjetër aparature të realizojmë dyfishin e numrit të ndërhyrjeve që kemi kryer këtë vit.
Statistikat
87 për qind e shqiptarëve vdesin në shtëpi
Rreth 50 për qind e shqiptarëve vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Por jo vetëm kaq. Rreth 87 për qind e tyre vdesin në shtëpi. Statistikat i bën publike Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë. Kjo strukturë, për herë të parë ka sjellë për të gjithë mjekët specialistë, përfundime duke u bazuar në mjekësinë në prova. "Nga studimet e bëra nga Shoqata Evropiane e Kardiologëve, Shqipëria bën pjesë në një nga vendet që cilësohen me rrezik të lartë kardiovaskularë. 50 për qind e shqiptarëve vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare", sqaroi profesor Ahmet Kamberi, një prej pjesëtarëve të grupit të punës, i cili hartoi udhërrëfyesin e parë të mjekësisë të bazuar në prova.
Kardiologjia moderne
Shoqata e Kardiologjisë zhvillon konferencën e 11-të
Shoqata shqiptare e kardiologjisë zhvilloi dje konferencës e 11 që nga dita e themelimit të saj. Kjo shoqatë i ka fillesat në vitin 1994. Konferencat dhe simpoziumet synojnë rritjen e aftësisë profesionale të anëtarësisë sonë. Duke qenë një organizatë profesionale, shoqata e kupton ngritjen e pandërprerë të aftësive profesionale në funksion të shëndetit kardiovaskular të qytetarëve të vendit tonë.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt