Van Basten, edhe Shqipëria mes rivalëve
Trajneri i Holandës i përfshin kuqezinjtë përkrah Bullgarisë dhe Rumanisë
Marko van Basten, trajneri i Kombëtares holandeze, e ka klasifikuar Shqipërinë mes pengesave më të vështira në Grupin G eliminator. Sipas tij, gara e "tulipanëve" për një vend në fazën finale të Euro 2008 kalon edhe nga Tirana. "Rumania, Bullgaria dhe Shqipëria janë pengesat më të vështira në grupin tonë eliminator", ka deklaruar ai për mediat holandeze. Përfshirja e kuqezinjve mes dy përfaqësueseve të tjera ballkanike ka ardhur vetëm 4 ditë përpara sfidës së 12 shtatorit në "Qemal Stafa", e duket se Van Basten nuk i ka harruar vështirësitë që Shqipëria i ka shkaktuar skuadrës së tij në takimin e zhvilluar në Amsterdam afro një vit më parë. Në 45 minutëshin e dytë të lojës, kur rezultati ishte 2-0 për vendasit, skuadra e Bariçit ka zhvilluar një lojë të jashtëzakonshme, duke bërë atë që edhe përfaqësueset e mëdha botërore nuk e realizojnë shpesh: të vënë me shpatulla pas murit Holandën. "Kemi disa mungesa, por në mënyrë absolute nuk mund të mendojmë se jemi më dobët se kundërshtarët tanë. Këtë duhet ta tregojmë me rezultate dhe kam besim te lojtarët e mi, ka vazhduar tekniku. Objektivi ynë është vetëm kualifikimi në fazën finale të Evropianit 2008. Nëse do të fitojmë në Shqipëri, atëherë do të bënim një hap të madh përpara në klasifikim. Kam besim për këtë transfertë, pasi skuadra pavarësisht moshës së re, është përmirësuar shumë".
Në këtë deklaratë të tijën, ish-legjenda e futbollit holandez, nuk ka llogaritur mes ekipeve më të mira Slloveninë dhe Bjellorusinë. Të dyja këto përfaqësuese cilësohen si rivalët direkt të skuadrës së drejtuar nga Oto Bariç, që pretendon klasifikimin në vendin e katërt në grup. Vetëm pak ditë më parë, Van Basten kishte vlerësuar tifozerinë shqiptare, që me atmosferën në stadium ia bën të vështirë jetën çdo lloj kundërshtari. Madje, ai kishte deklaruar se "edhe në rast barazimi në Tiranë do të ishte i kënaqur". Pas kësaj deklarate, i përpiktë ka qenë edhe reagimi i trajnerit kuqezi: "Nëse Van Basten është i kënaqur me një barazim, atëherë nuk do mend që unë jam super i kënaqur".
Më ekspresiv në deklaratat e tij ka qenë Xhovani van Bronkhorst, i cili ka vlerësuar se rezultati i vetëm i pranueshëm në "Qemal Stafa" është fitorja. "Marrja e tri pikëve në Shqipëri na ndihmon në arritjen e synimeve tona", ka deklaruar ish-lojtari i Barcelonës, që tashmë militon në radhët e Fejnordit. "Pozitat tona në këto eliminatore janë mjaft të mira dhe do të luftojmë deri në fund për të arritur mes dy ekipeve të para të grupit".
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt