Të dënuar! Gjyqtari shpëton Holandën
Anglezi anulon një autogol të Melchot, nxjerr Canën me të kuqe dhe u jep një dorë tulipanëve. Nxehet Bariç: Jemi të vegjël
Për të dytën herë, Holanda fiton me Shqipërinë falë ndihmës së gjyqtarëve. Anglezi Rajli ka konfirmuar se është një gjyqtar i çuditshëm, ndërsa i ka mohuar një gol të rregullt Kombëtares shqiptare dhe ka larguar nga fusha e lojës me karton të kuq Canën, ndërsa lejonte çdo gjest antisportiv të holandezëve. Me një ndeshje të jashtëzakonshme të Kombëtares shqiptare, gjyqtari bëhet protagonist absolut, duke i krijuar kushtet skuadrës së Van Basten për të arritur një fitore në minutat e fundit.
Si Bariç, ashtu edhe Van Basten respektuan formacionet që kishin deklaruar ditën para ndeshjes. Ndërsa kuqezinjtë luajnë me një 4-4-2 të thjeshtë, Holanda kundërpërgjigjet me një 4-3-3, për të shfrytëzuar depërtimet nga krahët të Babel dhe Van Persit. Prova e parë drejt portës kuqezi vjen nga Babel, që gjuan nga jashtë zonës, po nuk gjen kuadratin. Më pas janë dy goditje këndi radhazi për kuqezinjtë, që vënë në vështirësi Van Der Sar. Në të dytën, Kapllani ka mundësinë të dërgojë topin në rrjetë, por gjyqtari Rajli ndalon aksionin, duke pretenduar për një faull të sulmuesit shqiptar. Për disa minuta ndeshja është e qetë, derisa afron minuta e 19-të, kur Van Persi ekzekuton një goditje dënimi që ndalet nga Beqaj, dhe më pas mbrojtja largon rrezikun. Tani janë holandezët që kontrollojnë lojën qetësisht, ndërsa përfaqësuesja është e tërhequr mbrapa, luan me topa të gjatë drejt Bogdanit dhe Kapllanit, por pa krijuar rreziqe. Holanda sulmon kryesisht në krahun e djathtë, ku veprojnë Melkiot, Shnajder dhe Van Persi, por Duro dhe Vangjeli arrijnë të kontrollojnë mirë zonën e tyre. Rasti i parë për t‘u shënuar në portën holandeze vjen nga këmbët e Duros, i cili gjendet në një pozicion të favorshëm në minutën e 24-t, por gjuajtja e tij nuk gjen kuadratin. Më pas vijojnë disa minuta studimi, me lojën që zhvillohet kryesisht në mesfushë dhe holandezët mendojnë të zgjidhin gjithçka me gjuajtjet nga jashtë zonës, por pa arritur të zbatojnë planin e tyre. Gjyqtari Rajli mbyll një sy disa herë për ndërhyrjet e parregullta të holandezëve, duke acaruar më shumë situatën. Por ai bën "të pabërën" në minutën e 46-të, ku penalizon dukshëm përfaqësuesen tonë. Muka ekzekuton një goditje dënimi, Melkiot kërcen dhe me kokë e dërgon topin në portën e tij. Kuqezinjtë gëzojnë, por çuditërisht Rajli anulon golin pa asnjë arsye të dukshme, duke tensionuar më shumë situatën. Ky episod i jep fund pjesës së parë të takimit.
Pjesa e dytë fillon me ndryshim të kuqezinjve, ku Bushi futet në lojë në vend të Kapllanit. Sulmuesi bëhet menjëherë protagonist, që në minutën e 3-të, duke tentuar nga larg portën e Van Der Sar, por gardiani i holandezëve arrin të mbrojë kuadratin e portës së tij. Kuqezinjtë duken më agresivë dhe në minutën e 51-të është Cana që i afrohet shumë golit të avantazhit, me një gjuajtje nga jashtë zonës, që Van Der Sar e devijon me vështirësi në goditje nga këndi. Por holandezët e kuptojnë që nuk mund të luajnë qetësisht dhe hidhen në sulm. Është Melkiot që vë në provë aftësitë e Beqajt në minutën e 58-të, me portierin kuqezi që arrin të bllokojë në dy kohë. Më pas është De Zeu që provon nga jashtë zonës, ndërsa Beqaj arrin të devijojë përsëri, duke shpëtuar portën. Van Basten duket i shqetësuar dhe vendos të bëjë një zëvendësim në mbrojtje, duke larguar Bouma që kishte probleme me shpërthimet e Bushit, për të aktivizuar Emanuelson, i cili është shumë aktiv në krahun e djathtë me aksione të rrezikshme. Bariç kundërpërgjigjet duke larguar Duron për të hedhur në fushë Haxhin, i cili pozicionohet si mesfushor në krahun e majtë me detyra më shumë mbrojtëse. Holandezët detyrohen t‘i kthehen taktikës së gjuajtjeve nga jashtë dhe në minutën e 75-të është Shnajder që vë në provë reflekset e Beqajt, i cili arrin të devijojë në mënyrë të shkëlqyer duke shpëtuar portën kuqezi. Van Basten përdor kartën e fundit në dispozicion, duke aktivizuar Kajt në vend të Babel, të lënë në hije nga mbrojtja kuqezi, për të shfrytëzuar aftësinë e tij para portës në minutat e fundit. Bariç mbrohet, duke larguar Bogdanin, për të shtuar një tjetër lojtar në mesfushë, Bulkun, që pozicionohet menjëherë në qendër. Situata tensionohet dhe në minutat e fundit Cana ndëshkohet me një karton të kuq, pas një zënke me Shnajder dhe Van Nistelroi, ndërsa dy "kundërshtarët" e tij dënohen vetëm me karton të verdhë. Tashmë gjithë loja është para portës kuqezi, ku të gjithë lojtarët janë vënë në gardh për të mbrojtur rezultatin historik, por një gabim i pafalshëm në minutën e parë shtesë sjell golin e Holandës, me autor Van Nistelroi, që devijon topin në portën e Beqajt. Ndeshja mbyllet në mënyrën e shëmtuar, me një fishekzjarr që shpërthen përmbi kokën e Melkiot dhe me gjyqtarin Rajli që tregohet hapur kundër kuqezinjve, duke mbyllur para kohe ndeshjen. Kaq mjafton për këtë ndeshje, ku si në takimin e parë, gjyqtari ishte më protagonist se sa futbollistët në fushë.
Bariç: E padrejtë!
Trajneri i përfaqësueses shqiptare ka qenë tepër i nervozuar pas përfundimit të takimit, ndërsa është shfaqur i irrituar me mënyrën se si u drejtua takimi nga gjyqtari anglez Rajli. "I dënoj vendimet e gjyqtarit në këtë ndeshje. Anulimi i golit ishte i padrejtë dhe nuk meritonim këtë ndëshkim. Fatkeqësisht, e kam thënë edhe më parë se një gjë e tillë u ndodh atyre që cilësohen skuadra të vogla. Në ndeshjet e ardhshme do të luajmë për të marrë pikë", u shpreh Bariç pas përfundimit të ndeshjes.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt