
Postuar më parë nga
thekthi
"Ministria e Shëndetësisë ka dhënë leje importi për barnat që ishin të paregjistruara"
Mes letrave të shumta të invalidëve, ankesave të kategorive të ndryshme për përfitime apo për shkelje të statusit, në zyrën e Kryeministrit këto ditë është dërguar edhe një tjetër. Një nga listat e fundit të ankesave ka qenë ajo e farmacistëve të penalizuar kohë më parë për tregtim të barnave të palicencuara. Konkretisht, sipas ligjit në fuqi, të gjitha ato subjekte farmaceutike që kapen në flagrancë duke tregtuar barna që nuk janë të regjistruara, penalizohen deri në heqjen e licencës për dy vjet me radhë. E ndërsa tani ka ende nga ato farmaci që "vuajnë dënimin", sipas farmacistëve mësohet që kohët e fundit me një leje importi, të tilla barna janë rikthyer në treg. Pikërisht, farmacistët të cilët janë penalizuar e në të njëjtën kohë nuk u është dëgjuar zëri nga autoritet e shëndetësisë, janë mbledhur dhe kanë menduar që për ankesat e tyre t‘i drejtohen Kryeministrit. Në këtë letër, farmacistët e penalizuar, pjesë e Urdhrit të Farmacistëve, denoncojnë prishjen e tregut farmaceutik dhe shkeljen e ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi.
Letra në Kryeministri
"Lënda: shkelja e ligjit për barnat dhe shërbimi farmaceutike nga ministri i Shëndetësisë legalizon kontrabandën e barnave", nis kështu letra e farmacistëve drejtuar kreut të ekzekutivit, Sali Berisha. Sipas farmacistëve, kohët e fundit ministri i Shëndetësisë ka dhënë një leje importi për barna të paregjistruara. Numri dhe sasia e barnave të përshkruara në të është e konsiderueshme. "Këto barna janë të regjistruara dhe qarkullojnë në vendin tonë nga shumë kompani të tjera farmaceutike, kështu që nuk përbëjnë ndonjë lloj emergjence dhe nevoje për tregun farmaceutik, përkundrazi dëmtojnë tregun legal të barnave", sqaron letra më tej. Më pas në letër theksohet: "Kjo përbën shkelje të ligjit të mësipërm, në bazë të së cilit shumë farmaci janë penalizuar me dy vjet heqje licence edhe për një kuti të vetme barnash të paregjistruara. Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë mbron farmacistët nga veprimet arbitrare të administratës shtetërore dhe në kërkesat e tyre drejtuar këtij organizmi për anulim të masës së marrë ndaj tyre ka mbrojtur ligjin".
Denoncimi
"Të njëjtin qëndrim ndaj kërkesës së këtyre farmacistëve ka mbajtur edhe ministri i Shëndetësisë, edhe drejtoria farmaceutike edhe qendra e kontrollit të barnave. Sot janë një numër i madh farmacish që vazhdojnë të vuajnë dënimin e marrë kohë më parë, heqjen e licencës për tregtim të barnave të paregjistruara", thuhet në letër.
Po ashtu, në këtë letër farmacistët kanë sqaruar: "Me këtë leje importi barnat për të cilat disa farmaci janë penalizuar, sot qarkullojnë të legalizuara nga ministri i Shëndetësisë, i cili nuk fal farmacistë për një kuti depon dhe tani jep leje për 300 mijë të tilla". Në këto kushte, Urdhrit të Farmacistëve i lind e drejta të denoncojë legalizimin e kontrabandës, e cila sjell shkatërrimin e tregut farmaceutik të kontrolluar, por edhe të kërkojë mbrojtjen e këtyre farmacistëve të penalizuar".
Për sa shkruajmë më sipër është shumë e lehtë mundësia e verifikimit nga ana juaj dhe marrja e masave për të eliminuar pasojat që ky veprim sjell për shërbimin farmaceutik. Me besimin se ju do ta vlerësoni drejt këtë problem, jemi në pritje të një përgjigjeje nga ana juaj.
Barnat e licencuara
Konkurrenca në treg dhe vendosja e barnave
Në tregun farmaceutik ka barna që janë të licencuara apo të palicencuara. Lista e barnave të licencuara miratohet nga Ministria e Shëndetësisë. Por në këtë treg, ashtu si në të gjithë tregjet e tjera, mund të futen edhe barna të cilat janë të paregjistruara, që mund të sjellin përfitime materiale më të mëdha për farmacistët, kjo nga mënyra sesi ato përftohen. Për të evidentuar këto raste, si dhe për të ruajtur balancat e tregut, bëhen kontrolle nga strukturat përkatëse. Nga kontrollet e befasishme, disa farmaci janë penalizuar për tregtim të barnave të paregjistruara. Tani që ato janë futur në treg me një leje importi kanë krijuar debate dhe pakënaqësi në radhët e atyre farmacistëve që janë penalizuar pikërisht për tregtimin e këtyre medikamenteve "plangprishëse".
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt