Kapitaneria e Portit të Durrësit konfirmon shtrëngatën që e ka ngritur detin deri në shtatë ballë

Egërsohet deti, bllokohen emigrantët

Katamarani "San Guan" anulon 3 lundrime, duke lënë në Durrës 1209 pasagjerë


Egërsohet deti, 1209 pasagjerë ngelin në tokë të braktisur nga trageti me të cilin do të lundronin drejt Italisë. Katamarani "San Guan" ka pezulluar tri lundrimet e tij, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike në det. Pasagjerët, kryesisht emigrantë shqiptarë që po kthehen në vendet e tyre të punës, pas pushimeve në atdhe janë ftuar të ruajnë qetësinë dhe të presin qetësimin e detit për të nisur lundrimin me të njëjtin mjet. Kjo ka shkaktuar shqetësim dhe pakënaqësi te një pjesë e mirë e emigrantëve. Përveç qëndrimit në rrugë dhe shpenzimeve ekstra për udhëtimet e pezulluara dhe të shtyra për një kohë tjetër, ata rrezikojnë dhe vendet e punës. "Nuk kemi asnjë njoftim nëse do të udhëtojmë nesër. Gjithçka varet nga parashikuesit e motit, por unë rrezikoj të humbas vendin e punës. Planifikova të kthehem të shtunën, të pushoj të dielën dhe të nis punën të hënën, po tani nuk di asgjë. Më duhet të marr pronarin në telefon e ta sqaroj, megjithëse nuk e di nëse do të më besojë", shprehet i shqetësuar njëri prej udhëtarëve. Ai kishte prerë biletën për t‘u nisur në orën 09.30 të ditës së shtunë drejt Barit me katamaranin. Dje trageti nuk ka mundur të mbërrijë në Portin Detar të Durrësit. Deti me forcë 7 ballë dhe era me drejtim të pafavorshëm nga veriperëndimi e kanë mbajtur në kalatat bareze tragetin e vogël me gjatësi 40 metra. Në Kapitanerinë e Portit të Durrësit thanë për gazetën se situata detare gjatë ditës së djeshme ka qenë në përkeqësim. Forca e detit është ngritur nga 6 në 7 ballë gjatë mbrëmjes çfarë e ka bërë të pamundur lundrimin e katamaranit. "San Guan" i përket agjencisë së lundrimeve "San Nicola", e cila ka njoftuar Kapitanerinë e Portit Detar të Durrësit për pezullimin e tre prej lundrimeve të tragetit dhe autorizuar atë të njoftojë nëpërmjet mediave për situatën. Për të përballuar fluksin e madh të emigrantëve në këtë sezon të nxehtë, katamarani bën dy rrugë vajtje-ardhje mes porteve të Durrësit dhe Barit. Kështu, ditën e djeshme, nuk janë realizuar udhëtimet e orës 09.30 dhe orës 19.00. Ndërkohë, i pezulluar është deklaruar nga kapitaneria dhe udhëtimi i paradites së sotme, ai i orës 09.30 të së dielës. Kapitaneria portuale, nëpërmjet policisë lokale, ka kërkuar ndihmën e mediave për të përcjellë te udhëtarët e "San Guan"-it lajmin e pezullimit të lundrimeve deri në përmirësim të situatës detare. Mëngjesin e djeshëm ishin 429 udhëtarë që u kthyen mbrapsht, për shkak të mosmbërritjes së tragetit në port, ndërsa në udhëtimin e mbrëmjes ishin 350 pasagjerë të tjerë që s‘mundën të lundrojnë gjithashtu. I njëjti fat do të jetë dhe për 430 pasagjerët që kanë prerë biletat për udhëtimin e paradites së sotme, i cili gjithashtu nuk do të realizohet. Policia ka kërkuar të paralajmërojë udhëtarët që të mos nisen nga banesat e tyre deri në një njoftim të dytë.



Gazeta Shqip