United Nations Development Programme Kosovo

KHDR 2006 – Një gjeneratë e re për një Kosovë të re


Informator

Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2006


Anketa

Prepared by the Communications Team, UNDP
e-mail: advocacy.comms.ks@undp.org
http://www.ks.undp.org

Në kuadrin e përgatitjes së Raportit të Zhvillimit Njerëzor 2006 u realizua një
anketim i cili pati si synim evidentimin e perceptimeve dhe kryerjen e
analizave mbi arritjet dhe problemet e rinisë në Kosovë. Rezultatet e anketës
janë përdorur në Raport
• Mostra ishte strukturuar dhe mbështetur në dy kritere kryesore: grupmosha
dhe përkatësia etnike.
• Mostra përfshiu 1200 persona të moshës 15 deri në 29 vjeç, 800 prej të
cilëve ishin shqiptarë, 200 serbë dhe 200 nga pakicat tjera.
• Mostra përfshiu të intervistuarit nga zonat urbane (44.6%) dhe rurale
(55.4%) të Kosovës.
• Pyetsori përbëhej nga 100 pyetje kryesore të grupuara në 9 kapituj, të cilat
morën parasysh strukturën e Raportit të Zhvillimit Njerëzor.
• Pyetjet kanë synuar marrjen e një informacioni sa më të gjerë dhe të
përditësuar për rininë në Kosovë.
• Pyetjet japin informacione të ndryshme si: të dhëna të përgjithshme për të
intervistuarin, të dhëna për familjen, pjesëmarrja e rinisë në shoqëri,
marrëdhëniet sociale të rinisë, qasja e rinisë në shërbimet publike dhe në
infrastrukture si dhe rinia lidhur me arsimin, statusin social, zhvillimin dhe
politikën.
• Janë organizuar diskutime me nëntë fokus grupe që përfshinin studentë,
komunitetin e biznesit, aktivistë politikë dhe politikanë, prindër, të papunët,
veteranë të luftës, artistë, nëpunës civilë dhe pakica.
• Gjithashtu u organizuan shtatë debate publike me studentë, nxënës të
shkollave të mesme, aktivistë të OJQ-ve, aktivistë të forumeve rinore të
partive politike, gazetarë etj, në gjashtë qytete të Kosovës


Fakte të Përgjithshme

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë


• Popullsia nën moshën 25 vjeç përfaqëson mbi 50% të popullsisë së
gjithëmbarshme të Kosovës ku të rinjtë e grupmoshës 14-24 vjeç zënë rreth
21% të popullsisë së saj.
• Rreth 50% të të rinjve - pa ndonjë dallim të dukshëm të etnisë – do të
emigronin po të kishin mundësi.
• Arsyet ekonomike dhe mundësia për të siguruar një jetë më të mirë
dallohen si arsyet më kryesore, që i shtyjnë të rinjtë për të emigruar.
• Familjet qytetare janë më tolerante lidhur me largimin e fëmijve të tyre nga
familja për të jetuar vetëm krahasuar me familjet në fshat.
• Edhe kur prindërit e tolerojnë largimin e të rinjve nga familja, kjo nuk ka
mundësi praktike të realizohet, sepse shumica e familjeve nuk kanë të
ardhura të mjaftueshme për t’i mbështetur ata financiarisht.
• Rreth 74% e të rinjve deklarojnë se do të ndahen nga prindërit kur të gjejnë
punë dhe të jenë financiarisht të pavarur.
• Vetëm 29% e tyre e lidhin ndarjen nga prindërit me krijimin e familjes së
tyre.
• Në Kosovë, vetëm 56.5% e të rinjve shprehen se vendimin për martesë çdo
pjesëtar i familjes së tyre e merr sipas dëshirës së tij. Ndërsa këtë vendim e
marrin në mirëkuptim me prindërit rreth 23.4% e të rinjve kurse rreth 20% e
të rinjve shprehen se janë prindërit ata që vendosin për martesën e
pjesëtarëve të familjes së tyre.



Varfëria

Kosova është vendi më i varfër në Ballkan dhe nga vendet më të varfëra në
Evropë


• Nga analiza e varfërisë në të ardhura vlerësohet se në vitin 2002 rreth 37% e
popullsisë jetonte nën linjën e varfërisë prej 1.42 Euro në ditë për frymë
ndërsa 15.2% nën linjën e varfërisë së skajshme prej 0.93 Euro në ditë.
• Të moshuarit, ekonomitë familiare me kryefamiliar femër, familjet me
fëmijë, personat me aftësi të kufizuara dhe të papunët janë grupet më të
prekura nga varfëria.
• Varfëria e skajshme është e përhapur më shumë tek fëmijët dhe të rinjtë
deri në moshën 24 vjeç. Të gjithë së bashku ata zënë rreth 57% të të
varfërve të skajshëm gjithsej, ndërsa vetëm të rinjtë e grupmoshës 15-24
vjeç zënë 22.4%
• Në varfëri të skajshme jetojnë 14.6% e shqiptarëve dhe 13.9% e serbëve,
ndërkohë që grupet e tjera etnike e kanë treguesin e varfërisë së skajshme
31%, apo mbi dy herë më të lartë se serbët dhe shqiptarët, që do të thotë se
në këto komunitete afërsisht në çdo tre banorë njëri jeton në varfëri të
skajshme.
• Shkallën më të lartë të varfërisë së skajshme e ka rajoni i Ferizajt, ku rreth
29% e popullsisë jetojnë me më pak se 0.93 Euro në ditë.
• Pas vijnë Mitrovica dhe Peja, ku ky tregues është përkatësisht 24.2% dhe
22.6%. Në çdo 4 njerëz që jetojnë në varfëri të skajshme në Kosovë, një
banon në Mitrovicë.


Komunitetet Etnike

Konfliktet e viteve ‘90 kanë lënë gjurmë të thella në tolerancën dhe
bashkëpunimin midis të rinjve të komuniteteve të ndryshme etnike.


• Pjesën më të madhe të numrit të të papunëve, rreth 91.4%, e zënë
shqiptarët. Serbët zënë rreth 3.7% ndërsa komuniteti RAE, turqit dhe
boshnjakët, së bashku zënë rreth 4.9%.
• Komuniteti RAE, më pak i arsimuar, ballafaqohet me diskriminim më të
madh social dhe ekonomik dhe në të njejtën kohë është më i ekspozuar
ndaj pengesave për të gjetur punë.
• Rreth 39% e të rinjve të komunitetit serb janë të punësuar në ferma
bujqësore, kundrejt vetëm 7.4% të të rinjve shqiptarë dhe 7.7% të të rinjve
të komunitetit RAE.
• Shërbimi publik i punësimit vlerëson se qasja e etnive serbe dhe RAE në
këtë shërbim ka filluar të përmirësohet dukshëm që nga viti 2005.
• Të rinjtë shqiptarë të kënaqur me punën e strukturave qeverisëse janë më të
shumtë se të rinjtë e komuniteteve të tjera. Të rinjtë serbë shprehen dy herë
më pak të kënaqur se të rinjtë shqiptarë për punën e administratës së
UNMIK- ut dhe rreth 35% e tyre nuk shprehen fare për këtë strukturë.
• Rreth 65% dhe 62% e të rinjve shqiptarë refuzojnë miqësinë me të rinjtë e
komunitetit serb dhe RAE. 54.6% dhe 51% e të rinjve nuk do ta donin këtë
fqinjësi përkatësisht me të rinjtë e komunitetit serb dhe RAE.
• Të rinjtë serbë refuzojnë miqësinë me të rinj të komunitetit turk 33%, dhe
RAE 29%. Vetëm 25% e tyre refuzojnë të miqësohen me të rinjtë shqiptarë.
• Të rinjtë e komuniteteve etnike RAE, turq dhe boshnjakë shprehen se kanë
ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët shqiptarë.


Arsimimi

Të rinjtë cilësisht të arsimuar janë garancia për të ardhmen e përparuar e të
qytetëruar të Kosovës


• Sot Kosova ka një shkallë analfabetizmi 5.8%, e cila mund të konsiderohet e
lartë, megjithëse analfabetizmi është i përqëndruar më shumë në
popullsinë mbi 65 vjeç.
• Norma e analfabetizmit tek komuniteti RAE është rreth 24.4%.
.
• Në vitin shkollor 2005-2006 ndoqën arsimin e mesëm të lartë rreth 70 mijë
nxënës në 107 shkolla të mesme. 56% e tyre ishin të regjistruar në sistemin e
arsimit të mesëm profesional.
• Numri më i madh i nxënësve u regjistrua në shkollat e profilit teknik, rreth
46%, dhe në shkollat e profilit ekonomik, rreth 22.7%. Rreth 35% e të rinjve
të regjistruar në arsimin e mesëm profesional janë femra.
• Sipas grupeve etnike, norma e regjistrimit të të rinjve është më e larta tek
komuniteti serb 96.3%.
• Numri i aplikuesve për një vend të lirë në Universitetin e Prishtinës është
mesatarisht tri herë më i madh se numri i studentëve të pranuar.
• Mesatarisht, rreth 53.8% e të rinjve mendojnë se pranimet në universitet
nuk janë të bazuara tek njohuritë e kandidatëve. Këtë mendim e kanë rreth
84% e të rinjve të komunitetit serb dhe rreth 80% e të rinjve të komunitetit
RAE.
• Vetëm rreth 13% të popullsisë së moshës 25-64 vjeç në Kosovë është me
arsim të lartë, apo 18% e meshkujve dhe 8% e femrave.
• Numri i të diplomuarve është zvogëluar nga rreth 2200 të diplomuar në vit
që ishte gjatë periudhës 1989-1990 në rreth 1000 të diplomuar në vit tani.
• Të dhënat e fundit për arsimin e minoritetit serb i përkasin vitit akademik
2003-2004 dhe pas kësaj periudhe shkollat e këtij minoriteti nuk raportojnë
të dhëna tek institucionet e Kosovës.


Papunësia

Duhet bërë më shumë që të rritet punësimi dhe rinia të mos largohet nga
Kosova


• Papunësia në fund të vitit 2005 arriti në 39.7%. Ky është edhe niveli më i
lartë i papunësisë në të gjithë rajonin e Ballkanit. Në krahasim me vlerën
mesatare të shkallës së papunësisë në Bashkimin Evropian papunësia në
Kosovë është rreth 4.5 herë më e lartë.
• Në fundin e 6-mujorit të parë të vitit 2006, numri i të papunëve arriti në
rreth 324 mijë vetë, duke shënuar një rritje prej rreth 15% në krahasim më
fundin e vitit 2003. Numrin më të madh të të papunëve e ka Prishtina, ku
është edhe përqëndrimi më i madh i popullsisë, e ndjekur nga Mitrovica.
• Janë 530 të papunë për 1 vend të lirë pune.
• Në vitin 2004 rreth 43% e të rinjve ishin në kërkim të punës për më shumë
se një vit.
• Në çdo 4 të papunë, 3 prej tyre janë në moshë më pak se 40 vjeç.
• Të rinjtë zënë rreth 29% të të papunëve gjithsej dhe numri i tyre në fund të
6-mujorit të parë të vitit 2006 arriti në rreth 94 mijë.
• Në Kosovë rreth 40% e të rinjve të grupmoshës 15-19 vjeç dhe rreth 69% e
atyre të grupmoshës 20-24 vjeç janë aktivë në tregun e punës.
• Në fund të vitit 2005 punëtorët e pakualifikuar përfaqësonin rreth 59% të
numrit të përgjithshëm të të papunëve.
• Në vitin 2005 u ofruan 7121 vende pune krahasuar me 8400 dhe 7848
përkatësisht në vitin 2004 dhe 2003.
• Në çdo katër vende pune që ofrohen, tri janë në sektorin e shërbimeve,
ndërkohë që vetëm 15% e vendeve të punës janë në sektorin prodhues.
• Shkalla e pjesëmarrjes në punë është rreth 46.2%. Ky tregues është mjaft i
ulët krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian, por edhe më i ulët se të
gjitha vendet e Ballkanit, në të cilat shkalla e pjesëmarrjes zakonisht nuk
zbret nën 60%


Gjinia

Gratë e vetëpunësuara dhe ato të papuna nuk kanë qasje në skemat
kontribuese të mbrojtjes sociale dhe kuadri ligjor në Kosovë nuk përputhet
me standarde te BE-së për këtë kategori punonjësish


• Në zonën rurale, rreth 9.5% e vajzave të grupmoshës 16-19 vjeç janë
analfabete, ndërkohë që një ndër katër të reja kanë njohuri shumë të pakta
shkrimi e leximi.
• Numri i vajzave të regjistruara në shkollë fillore është më i vogël se ai i
djemve, gjë që shprehet në vlerën e raportit të regjistrimit të vajzave ndaj
djemve që është 0.92.
• Papunësia e femrave është rreth dy herë më e lartë se e meshkujve.
• Femrat rezultojnë të kenë disavantazhe në tregun e punës në krahasim me
meshkujt; 60% e grave janë të papuna krahasuar me 38% meshkuj të
papunë.
• Pagat mesatare të femrave janë më të ulta se ato të meshkujve dhe ky
ndryshim rritet me rritjen e nivelit të shkollimit. Për të diplomuarit në
universitet ndryshimi mesatar i pagës është rreth 20%.
• Poste të veçanta pune dhe profesione lidhen me femrat (pastruese,
infermiere, mësuese, sekretare etj) pa marrë parasysh aftësitë profesionale
dhe nivelin arsimor.
• Familja drejtohet nga kryefamiljari, i cili është mashkull në pothuaj 93% të
familjeve, përjashtim përbëjnë rastet kur kryefamiljari nuk jeton më dhe
gruaja është e ve. Për vajzat ka raste kur tranzicioni i vendimmarrjes kalon
drejtpërdrejt nga prindërit tek burri.
• Trafikimi i vajzave është një nga dukuritë negative të përbashkëta të
vendeve të Europës Jug-Lindore, që u shfaqën gjatë periudhës së
tranzicionit. Deri më sot nuk ka të dhëna zyrtare mbi trafikimin e femrave
nga Kosova, por vetëm mbi femrat e trafikuara në Kosovë. Rreth 60% e tyre
janë vajza të moshës deri 24 vjeç.


Pjesëmarrja

Në Kosovë ekziston një mendim i përgjithshëm që pjesëmarrja reale e të rinjve
në shoqëri, dhe veçanërisht në vendimmarrje, është e pakët


• Më shumë se 60% e të rinjve shprehen se nuk kanë asnjë ndikim në çështjet
e komunitetit në tërësi dhe të lagjes ku jetojnë në veçanti.
• Rreth 80% e tyre shprehen se nuk janë në gjendje të ndikojnë në punët dhe
çështjet që ndodhin në komunën e tyre.
• Rreth 60% e të rinjve mendojnë se mund të ndikojnë në familje.
• Në disa prej rasteve, të rinjtë e pyetur nuk e kishin të qartë se pse duhej të
ndikonin në çështje, të cilat i kishte për detyrë t’i zgjidhte administrata
lokale.
• Vetëm rreth 4.4% e të rinjve shprehen se janë anëtarë të OJQ-ve dhe vetëm
1.9% se janë pjesë e ndonjë iniciative rinore, pra vetëm më pak se 6.5% e të
rinjve janë të interesuar për veprimtaritë e OJQ-ve. Kjo përgjigje është e
përafërt si për të rinjtë shqiptarë ashtu edhe për ata të komuniteteve të tjera
etnike.
• Aktualisht, rreth 4.1% e të rinjve shprehen se janë përfshirë vetë ose një
pjesëtar i familjes së tyre në veprimtari e projekte të zbatuara nga OJQ-të.
• Pyetjes se a do të donit të merrnit pjesë vullnetarisht në një OJQ, rreth 91%
e të rinjve i përgjigjen negativisht.
• Mbi 93.8% e të rinjve të intervistuar nuk ndjehen përfitues të projekteve të
organizatave rinore.
• Pyetjes nëse janë përfitues nga ndonjë projekt i OJQ-ve, vetëm rreth 6.2% e
të rinjve i përgjigjen pozitivisht si përfitues vetë ose ndonjë pjesëtar i
familjes së tyre.
• Vetëm numri i të rinjve që kanë marrë pjesë në protesta publike dhe kanë
nënshkruar peticione është më i madh. Rreth 22% e të rinjve të intervistuar
kanë marrë pjesë në protesta publike dhe 1 në çdo 4 të rinj ka nënshkruar
një peticion gjatë vitit 2006.


Vullnetarizmi

Vullnetarizmi i mundëson rinisë angazhimin në veprimtari përmes të cilave
fiton përvojë praktike, nxit miqësinë dhe ndjesinë e qytetarisë, pronësisë dhe
pushtetit.


• Vullnetarët dhe vullnetarizmi kanë luajtur një rol të madh në vitet 1990, kur
në Kosovë ka ekzistuar periudha e të ashtuquajturit “vullnetarizëm
institucional”.
• Përfundimi i konfliktit krijoi një klimë të re në Kosovë dhe vullnetarizmi
shumë shpejt u zëvendësua me veprimtarinë e një numri të madh
organizatash ndërkombëtare. Paralelisht, u krijua një numër i madh
organizatash jo qeveritare vendase, të cilat, të mbështetura nga donatorët,
filluan zbatimin e projekteve të shumta.
• Këto zhvillime mbyllën kapitullin e vullnetarizmit institucional. Tani, gati
tetë vjet më vonë, shihet qartë se tradita dhe dëshira për të dhënë
kontribut vullnetar, është në rënie, veçanërisht tek të rinjtë.
• Rreth 68% e të rinjve nuk kanë punuar ndonjëherë në ndonjë veprimtari
vullnetare.
• Të rinjtë e zonave rurale janë më të gatshëm për të marrë pjesë në
veprimtari vullnetare krahasuar me ata të zonave urbane dhe 38% e tyre
shprehen se kanë punuar si vullnetarë, kundrejt 27% të të rinjve të qytetit.
• Ndjenja e vullnetarizmit është më shumë e zhvilluar tek të rinjtë shqiptarë
dhe më pak tek të rinjtë serbë dhe kjo pasqyrohet në faktin se rreth 18% e të
rinjve serbë shprehen se kanë marrë pjesë në veprimtari vullnetare, kundrejt
34% të shqiptarëve dhe 27% të të tjerëve.
• Të rinjtë, që e njohin vullnetarizmin, parapëlqejnë të kontribuojnë në
veprimtari në fushën e shëndetit dhe arsimit, veprimtari kulturore dhe të
përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike.
• Vullnetarizmi përceptohet nga të rinjtë më tepër si aktivitet edukues sesa si
një aktivitet shoqëror. Pyetjes se çfarë përfitimesh vijnë nga përfshirja në
punë vullnetare, një në çdo dy të rinj i përgjigjet se përfitimi kryesor është
aftësimi dhe fitimi i përvojës dhe vetëm një në çdo katër të rinj konsiderojnë
se përfitimi është kontributi i dhënë për zhvillimin e komunitetit.


Rinia dhe Politika

Të rinjtë ndjekin punën e institucioneve qeverisëse dhe nuk hezitojnë të japin
perceptimin e tyre mbi to


• Rreth 70% e të rinjve shprehen se rinia nuk është e përfaqësuar sa duhet në
politikë.
• Rreth 93.5% e të rinjve të pyetur shprehen se politika është jashtë interesit
të tyre dhe se nuk mendojnë të merren ndonjëherë vullnetarisht me
politikë.
• Në Kosovë numri i votuesve të rinj ka ardhur duke u zvogëluar. Pjesëmarrja
e të rinjve në zgjedhjet e fundit lokale e parlamentare ishte vetëm rreth
49%. Ky trend mund të ndryshojë në zgjedhjet e ardhshme. Rreth 81.4% e të
rinjve shprehen se këtë radhë do të votojnë sepse këto do të jenë zgjedhjet
e para pas shpalljes së Statusit përfundimtar të Kosovës.
• Numri i përgjithshëm i të rinjve që shprehen të kënaqur dhe shumë të
kënaqur me punën e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë arrin 52.5% dhe
52%.
• Për punën e Kuvendit të Kosovës shprehen të kënaqur vetëm 7% e të rinjve
serbë.
• Vetëm një në çdo tre të rinj shprehet i kënaqur me punën e pushtetit lokal.
Kjo lidhet me faktin se kjo administratë është më afër komunitetit dhe
përballet me problemet e përditshme të njerëzve, përfshirë rininë.
• Me punën e Qeverisë së Kosovës shprehen të kënaqur vetëm 8.7% e të
rinjve serbë ndërsa me punën e pushtetit lokal të kënaqur shprehen vetëm
21% e tyre.
• Afërsisht një në çdo dy të rinj është i kënaqur ose shumë i kënaqur me
punën e administratës së UNMIK-ut. Pjesa e pakënaqur i referohet më
shumë transferimit të ngadaltë të përgjegjësive tek institucionet vendase.


Rinia dhe Mediat

Të rinjtë sot kanë qasje në një sërë burimesh mediatike elektronike dhe të
shkruara, të tilla si radioja, televizioni, shtypi dhe interneti.


• Televizioni është burimi kryesor i informimit dhe media më e shfrytëzuar
nga të rinjtë për t’u informuar. Radio është burimi i dytë dhe më pas shtypi
dhe interneti. Kjo renditje është e njëjtë për të gjitha grupet etnike.
• Rreth 73% e të rinjve mendojnë se mediat e Kosovës janë shumë të
besueshme ose të besueshme deri diku, dhe vetëm rreth 5% e tyre
shprehen se mediat nuk janë aspak të besueshme.
• Mediat janë më të besueshme për të rinjtë shqiptarë, gjë që shprehet me
faktin se rreth 80% e tyre i vlerësojnë mediat si shumë të besueshme ose të
besueshme deri diku. Mediat janë më pak të besueshme për të rinjtë e
komunitetit serb. Vetëm një në çdo tre të rinj serbë i konsideron mediat si
shumë të besueshme ose të besueshme deri diku.
• Të rinjtë shqiptarë parapëlqejnë transmetimin e emisioneve arsimore dhe
edukative, ndërsa të rinjtë serbë tërhiqen më shumë nga transmetimi i
ngjarjeve sportive.
• Vetëm rreth 155 nga 1.200 e të intervistuarve ndjekin dhe pëlqejnë
edicionet e lajmeve apo edicionet informative. Po kështu, vetëm 1% e të
rinjve të pyetur shprehen se parapëlqejnë të ketë më shumë emisione me
tematikë religjioze.
• Kërkesat e të rinjve ndaj mediave janë shumë më të mëdha ngaqë ata bëjnë
krahasimin me mjetet e huaja të komunikimit të pranishme ose jo në
Kosovë.
• Më pak se 8% e të rinjve thonë se mediat i përmbushin plotësisht nevojat e
të rinjve. Mendimi i përgjithshëm i shprehur nga rreth 55% e të rinjve është
se mediat i përmbushin shumë pak kërkesat e të rinjve.


Rinia dhe Interneti

Impakti i teknologjive të reja, veçanërisht i teknologjisë së informacionit,
është i madh tek të rinjtë


• Interneti i ka mundësuar të rinjve krijimin e lidhjeve me botën e përparuar
dhe ka filluar të ndikojë dukshëm në shtimin e njohurive të reja, të cilat po
plotësojnë gjithnjë e më shumë njohuritë e mangëta ose jo të përditësuara,
që të rinjtë marrin në shkollë.
• Megjithëse numri i të rinjve që kanë kompjuter është ende i vogël, shumica
e të rinjve kanë njohuri për kompjuterin dhe mesatarisht në çdo 4 të rinj 3
përdorin internetin.
• Djemtë janë përdorues më të shumtë të internetit se vajzat.
• Është mjaft inkurajues fakti që interneti shfrytëzohet edhe nga shumë të rinj
në zonën rurale dhe, në këtë aspekt, dallimi me të rinjtë e zonës urbane nuk
është shumë i madh.
• Numri i të rinjve që kanë lidhje interneti në shtëpi është rreth 16%.
Mundësitë më të pakta i kanë të rinjtë që banojnë në zonat rurale, ku vetëm
10% e të rinjve deklarohen se e kanë internetin në shtëpi, kundrejt rreth
22% në zonën urbane.
• Nga anketimi rezulton se në çdo katër të rinjë, tre e përdorin internetin për
komunikim me e-mail, 2 e përdorin për dialog, ndërsa vetëm 1 e përdor për
të plotësuar njohuritë e shkollës. Numri i të rinjve që e shfrytëzojnë
internetin për qëllime pune nuk kalon 15% të numrit të përgjithshëm të të
rinjve.
• Të dhënat nuk pasqyrojnë dallime të dukshme e sistematike midis
komuniteteve të të rinjve me përkatësi të ndryshme etnike.



Marre nga: http://www.kosovo.undp.org/repository/docs/FS_Alb.pdf
Raporti i plote anglisht: http://www.kosovo.undp.org/repo