Raporti i fundit i OBSH për shfaqjen dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse
Një sëmundje e re vrasëse, e krahasuar për nga forca shkatërruese dhe epidemike me HIV-Aids, apo ebolën, ka shumë mundësi që të shpërthejë në vitet e ardhshme, duke u bërë kështu një kërcënim shumë i madh për miliona veta në planetin tonë. Ky është paralajmërimi që ka dhënë Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e saj të fundit vjetor. Ndër të tjera aty theksohej se këto sëmundje vdekjeprurëse do të jenë të një force shkatërruese të jashtëzakonshme dhe në rang global dhe çka është më e keqja do të përhapen më shpejt se kurrë më parë në historinë e përhapjeve të epidemive infektive. Që nga viti 1970, thuajse çdo vit janë identifikuar sëmundje vdekjeprurëse infektive. Sot ka informacion për ekzistencën dhe karakteristikat e rreth 39 sëmundjeve ngjitëse, për të cilat kohë më parë nuk dihej asgjë. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e gjithë bota është e përfshirë nga rreziku dhe lloje sëmundjesh të reja po shfaqen çdo vit me një shpejtësi e shpeshtësi të paprecedentë. Në raport këshillohen qeveritë e gjithë botës që të jenë vigjilente ndaj kërcënimeve të reja epidemike, siç ishte rasti i SARS-it në vitin 2003, që u përhap në 30 vende dhe mori jetën e 800 personave. Në raport thuhet se do të ishte shumë naive dhe aspak kompetente që të besohej se në të ardhme, madje në atë të afërt, nuk do të shfaqen sëmundje epidemike vdekjeprurëse të rrezikshmërisë dhe përmasave të SIDA-s, ebolës, apo Sarsit. Një nga shkaqet e përhapjes së shpejtë të këtyre sëmundjeve ishte qarkullimi i madh në botë, udhëtimet e lëvizjet shumë të mëdha e të shpeshta të popullatës së planetit. Brenda 5 viteve të fundit janë identifikuar 1000 epidemi, përfshi gripin e zogjve, kolerën dhe poliomielitin. Me rreth 2 miliardë persona që lëvizin me avion gjatë një viti në botë, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se "shpërthimi i epidemive në një pjesë të botës përhapet në një pjesë tjetër brenda pak orësh e rrezikon për punë ditësh të kthehet në një rrezik ndërkombëtar. "Sëmundjet infektive po përhapen aktualisht më shpesh se në çdo kohë", thuhet në raport dhe ndërkohë bëhet thirrje për një monitorim më të madh të sëmundjeve, të cilat kanë mundësinë që të kthehen në epidemi të tilla si kolera dhe ethet e verdha. Sipas agjencisë, ndërkohë që virusi i gripit të pulave nuk ka pësuar shumë mutacion që kur u shfaq, epidemia e ardhshme ka shanse që të kthehet në njerivrasëse dhe mund të prekë rreth 1.5 miliardë veta. Vendet e varfra mund të kenë nevojë për ndihmë për të identifikuar sëmundjet e reja virale, të tilla si ebola apo ethet hemorragjike, të cilat që të dyja shkaktojnë rrjedhje gjaku deri në vdekje. Raporti ishte një paralajmërim për të shtuar përpjekjet në rang botëror për identifikimin e parandalimin sëmundjeve epidemike.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt