Kjo sipas ekspertëve ka të bëjë me problemet e shumta të të bërit biznes në vendin tonë
Më shumë se 18 mijë emigrantë shqiptarë drejtojnë biznese në Itali.Shifrën e ka publikuar Dhoma e Bashkuar e Milanos, sipas së cilës, numri i emigrantëve shqiptarë, që po bëhen drejtues të kompanive italiane po rritet nga viti në vit. Por paradoksi është po t‘i krahasosh këto të dhëna me sipërmarrësit
italianë që operojnë në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare, mësohet
se në vendin tonë numërohen
vetëm pak më shumë se 500 kompani,
në krye të të cilave qëndron
një titullar ose pronar italian.
Këto të dhëna mund të ngjajnë
paradoksale duke pasur parasysh
faktin se Italia është investitori i
dytë i huaj më i madh në vendin
tonë, me gati 21 për qind të investimeve
të huaja direkte. Disa ekspertë
e shpjegojnë këtë me nivelin
e ulët të investimeve të huaja
direkte në vendin tonë, si dhe me
klimën problematike. Sipas tyre,
Shqipëria ndonëse ofron potenciale
të mëdha për të bërë biznes,
ende nuk po arrin të bëhet një
vend tërheqës në sytë e investitorëve
të huaj.
Shkaqet
Vitin e kaluar, investimet e huaja
direkte në Shqipëri ishin rreth
250 milionë euro, shifër kjo shumë
larg mundësive reale të vendit
tonë dhe shumë larg investimeve
të huaja që përfitojnë vende të
tjera të rajonit tonë si Bullgaria,
Kroacia madje dhe vetë Maqedonia.
Sipas specialistëve, niveli i
ulët i investimeve në Shqipëri ka
lidhje me një sërë faktorësh, ku
ndër më kryesorët mund të përmendet,
problemi i pronave. Për
investitorët e huaj, kaosi i pronave,
është pengesa më e madh, duke u
bërë padyshim një faktor frenues
i kapitalit të huaj, që tenton të hyjë
në Shqipëri. Aq më keq, në një
kohë që vendi ka shumë nevojë
për kapital hyrës, për shkak të
thellimit të vazhdueshëm të deficitit
tregtar, i cili tashmë nuk mund
të përballohet më me dërgesat e
emigrantëve. Por vështirësive për
të bërë biznes në Shqipëri u shtohen
edhe një sërë problemesh të
tjera. Krizat e njëpasnjëshme energjetike
nuk kanë bërë tjetër
veçse kanë rritur ndjeshëm kostot
e prodhimit, çka bën që edhe vet
biznesi vendas të jetë i paaftë për
të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Konjukturat
Në fakt Shqipëria, ka një shans
shumë të madh, i cili ka lidhje me
anëtarësimin e disa vendeve të
rajonit tonë në Bashkimin Evropian
si Bullgaria dhe Rumania. Kjo ka
bërë që kostot e prodhimit në këto
vende, sidomos ato që kanë të
bëjnë me krahun e punës të rriten
jashtëzakonisht. Shumë prej kompanive
të huaja që operojnë në
këto vende, sidomos ato të industrisë
së prodhimit të veshjeve,
kanë deklaruar se do të tërhiqen
për të kërkuar terrene të reja, ku
kostoja e krahut të punës të jetë më
e lirë. Kjo është një mundësi reale
për vendin tonë, duke pasur parasysh
që prej më shumë se një viti
Shqipëria ka nënshkruar edhe
marrëveshjen e Asocim Stabilizimit,
e cila u jep më shumë besim
investitorëve të huaj. Por guvernatori
i Bankës së Shqipërisë, Ardian
Fullani, paralajmëroi disa muaj më
parë se në rast se nuk do të ndërmerren
hapat e duhur, Shqipëria
nuk do të marrë investimet e pritshme
nga nënshkrimi i MSA-së.
Edhe për këtë vit niveli i investimeve
të huaja duket të jetë në të
njëjtin rend me atë të viteve të
mëparshme, çka sipas ekspertëve
do të vazhdojë deri në momentin
që vendi të ketë kaluar problemet
me pronat, energjinë, infrastrukturën
dhe burokracitë e zyrtarëve.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt