Si ta paraqesim sa më mirë shkollimin dhe përvojën
Puna e ëndrrave? Ja cv-ja e përsosur
Pamja e jashtme dhe kurrikulumi, hapat e parë drejt arritjes së synimit
Nëse po kërkoni një punë të mirë, duhet të dini se është shumë e rëndësishme të paraqisni sa më mirë veten tuaj në mënyrën më të mirë për punëdhënësin. Kjo bëhet nëpërmjet shkrimit të CV (curriculum vitae - nga latinishtja "historia e jetës"), e cila në shumë vende emërohet "rezyme". Vende të ndryshme mund të kenë kërkesa të ndryshme, ndaj ju duhet të përshtateni me to.
Për çfarë është e nevojshme një përmbledhje jete?
Një CV është thjesht një "reklamim" për të "shitur" veten tek një punëdhënës i caktuar. Ju duhet ta çoni CV-në tuaj në një vend të caktuar, kur firma ka lëshuar një kërkesë për punë, ose kur vendi është vakant. Qëllimi i CV-së është që t‘ju bëjë të dukeni sa më tërheqës, interesantë dhe të duhur për kompaninë që ofron punë.
Para se të filloni
Uluni dhe merrni një letër. Shikoni për punën që dëshironi të aplikoni. Merrni në konsideratë aftësitë, edukatën dhe eksperiencën tuaj dhe krahasojini ato me kërkesat e kërkuara nga firma. Sa informacion keni për këtë punë?
Ndonjëherë, punëdhënësit nuk të japin informacion të plotë. Pyesni për më shumë detaje nëse iu nevojiten. Kaloni kohë duke kërkuar detaje për punën: strukturën, produktet dhe sukseset e kompanisë apo firmës.
Çfarë duhet të përfshini në CV?
Detaje personale
Emri, mbiemri, seksi, adresa e shtëpisë, nr. i telefonit, adresa e e-mailit dhe data e lindjes duhet të jenë të përfshira patjetër. A keni faqet tuaj personale në internet? (Nëse po shumë mirë, shkruajeni dhe atë).
Edukata
Jepni emrat e shkollës ku keni studiuar, duke filluar më parë me edukimin fillestar. Përfshini ndonjë projekt të veçantë, tezë ose punë disertacioni që mund të keni bërë gjatë viteve.
Përvoja në punë
Listoni punët tuaja që keni bërë kohët e fundit. Jepni emrin e punëdhënësit tuaj, titullin që keni në punë dhe më e rëndësishmja çfarë keni bërë dhe çfarë keni fituar nga kjo punë.
Interesat
Punëdhënësit e shikojnë në mënyrë të veçantë këtë detaj dhe sidomos nëse ju keni qenë drejtues ose përgjegjës në një grup të caktuar. Nëse keni bërë ndonjëherë punë vullnetare, jepni detaje dhe për këtë.
Aftësitë
Aftësia për të folur një ose dy gjuhë, njohuria në kompjuter ose pasja e një patente janë detaje plus që duhet të përfshihen në CV.
Referencat
Zakonisht jepni dy emra; një nga shkolla juaj dhe një nga puna që keni pasur. Mundësisht jepni kontaktet e personave që kanë shkruar referencat për të qenë të besueshëm.
Gjatësia
Dy faqe letre A4 janë të mjaftueshme për të shkruar një CV. Mos e zgjasni më shumë se kaq. Shkruani numrin e faqeve në fund të çdo faqe (një detaj i vogël që mund të bëjë përshtypje).
Kronologji
Informacioni duhet të ecë kronologjikisht.
Opsione të tjera
Do të ishte shumë mirë nëse përfshini në CV tuaj edhe një arsye se përse ju mendoni që jeni të përshtatshëm për këtë vend pune. Këtu mund të përfshini aftësitë, kualitetet, shpresat dhe planet tuaja. Këto detaje do të inkurajojnë punëdhënësin që ta lexojë deri në fund CV tuaj.
Një detaj tjetër i rëndësishëm është edhe fotografia: duhet ta përfshini në CV, mund të jetë qoftë e skanuar ose e ngjitur. Mos harroni që duhet të jetë një foto e mirë.
DISA TRUKE QE JU KESHILLOJME
Pozicionet e ëndërruara të punës kanë kërkesa të mëdha dhe për këtë arsye një CV e pasur dhe e plotë mund t‘ju ndihmojë për të marrë atë që dëshironi. Rendisni në CV-në tuaj të gjitha aftësitë tuaja dhe do të shikoni që gjithçka do të shkojë mirë. Në pamje të parë mund të duket e lehtë, por shumica e njerëzve harrojnë të paktën një nga elementet që duhet të ketë një CV e kompletuar. Sigurohuni që e juaja nuk është një nga ato:
Lexojeni, rilexojeni dhe kontrolloni për herë të dytë dhe të tretë nëse do t‘ju shfaqen gabime. Nuk e keni idenë se sa CV marrin në ditë kompani të ndryshme, shumë nga të cilat janë me gabime ortografike, ndaj bëni mirë që në këtë pikë të jeni të kujdesshëm. Sipas një studimi të realizuar nga shoqëri të ndryshme nga e gjithë bota, treguan se rreth 50 për qind e CV që ata kishin marrë kishin gabime ortografike dhe mosha që bënte më shumë gabime ka qenë grupmosha nga 21 deri në 25 vjeç. Për ata që bëjnë përzgjedhjen, qoftë edhe një gabim i vogël është një arsye për ta hedhur menjëherë CV në kosh të plehrave.
Shkruani sa më shkurt dhe saktë
Ndoshta dy faqe A4 mund të mos mjaftojnë për të treguar gjithë eksperiencën tuaj. Një rregull i pashkruar është: mundohuni të jeni sa më koncizë në atë që do të shkruani.
CV perfekte duhet të jetë e gjatë dy faqe, edhe tre është e pranueshme nëse personi që aplikon ka shumë eksperiencë. Mos harroni se kur shkruani një CV ju "shisni" veten tuaj në letër, kështu që përpiquni t‘i bini shkurt, fjalitë të kenë lidhje logjike, të jenë të përshtatshme si dhe të jini interesant.
Ndershmëria është politika më e mirë
Teksa shkruani një CV mund t‘ju duket shumë tunduese të hidhni në letër të gjithë eksperiencën tuaj. Nuk keni dëshirë të harroni qoftë edhe një detaj të punëve që ndoshta nuk kanë lidhje të drejtpërdrejt me atë që ju po aplikoni. Është i njohur fakti i "zbukurimit", i cili konsiston në zmadhimin ose në dhënien e atributeve që nuk i keni pasur. Nxirrni në pah gjërat tuaja më pozitive, aftësitë dhe eksperiencat frytdhënëse. E rëndësishme është të mos gënjeni, pasi gjërat janë lehtësisht të kontrollueshme. Përpiquni të jeni sa më të ndershëm.
"Nëse shkruani gjëra të pavërteta në CV-në tuaj, ju mund të kapeni. Me ndihmën e disa teknikave, punëdhënësit kontrollojnë informacione të tilla si: rezultatet e provimeve, kualifikimet dhe të tjera", Lucy Hampton, drejtues kompanie
Qëndroni larg turmës
Mundohuni të jeni sa më origjinal në shkrimin e CV-së. Një ide mund të jetë: bashkangjitur me CV-në tuaj të paraqisni edhe një kërkesë ku të shprehni dëshirën tuaj të madhe për t‘u bërë pjesë e kompanisë ku po aplikoni. Përpiquni që ta bëni sa më interesante CV-në tuaj, duke përdorur shenja dalluese. Nëse kërkoni punë në fusha "konservatore", një paraqitje e mirë si përdorimi i pikave dhe i ngjyrave do ta bënin CV-në tuaj unike. Mundohuni që të mos përdorni manovrat me kompjuter "copy & paste". Funksionon, por në shumicën e rasteve, krijoni më mirë një CV individuale.
5. Përshtatuni
Punëdhënësit mendojnë se janë objektivë, por kur bëhet fjala për të intervistuar, ata bëhen subjektivë. Çdo CV duhet të shkruhet në mënyrë që të përshtatet me vendin e punës në të cilin ju po aplikoni.
gazeta-shqip
Krijoni Kontakt