Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    Nga Nafplio në Hidra, në gjurmët e Bubulinës

    Eshtë hera e dytë që vij në Nafplio, një nga vëndet më historike të Moresë, që siç kronistët e vjetër, ai është themeluar nga nipi i hyjnisë së Poseidonit. Por ajo që të bën përshtypje në këtë qytet të vogël, në shpat të të cilit ngrihet një nga fortesat veneciane më me histori të Greqisë, janë pikëtakimet me arvanitët, jo vetëm me një nga sheshet kryesore që quhet « Arvanitias » apo plazhi e quajtur po « Arvanitias » por edhe me skelën « Bubulina », apo skulpturat e shtatoret e heronjve të mëdhenj të Revolucionit grek si Kolokotroni, Miauli apo Bubulina që ishin heronj arvanitas.
    Pikërisht aty kishin ardhur anijet e Bubulinës për ta çliruar Nafplion e pushtuar nga otomanët, aty lart në kështjellë do të burgosej Kolokotroni që grekët e quanin « plaku i Moresë ». Që në ditët e para të Revolucionit, Nafplio u kthye në kryeqytetin e parë të Greqisë së lirë. Aty u vendos dhe parlamenti i parë grek e ku shqipja ishte një gjuhë popullore, e parlaentit dhe e shesheve, pasi jo vetëm në Nafplio, por dhe jo larg, në Hydra e Specia, vëndlindja e Bubulinës, flitej shqip. Aty ishte djepi i arvanitasve të lirë, aq të lidhur me maniotët e Manit. Ky qytet simpatik me shtëpitë karakteristike greke, është padyshim një nga vëndet ku pikëtakohen grekët dhe shqiptarët në një çështje të madhe, që ishte ajo e lirisë. Ky qytet duhet të mbetet gjithnjë referencë, jo thjesht për gjurmët që lanë arvanitët në historinë greke, por dhe për të ardhmen, për fatet tona të përbashkëta.

    Zhan d’Arka arvanitase

    Emrin e Bubulinës e kisha dëgjuar që në vitet e rinisë sime, por pak gjëra dija rreth jetës së saj dhe luftës legjendare në detrat e Greqisë e të Mesdheut. Shumë pak kisha dëgjuar për betejat e saj historike gjatë Revolucionit grek. Dija vetëm që kishte qënë arvanitase, nga Hidra, një ishull ku kishin zbarkuar emigrantët shqiptarë, arvanitasit, rreth 8 shekuj më parë, siç kishin zbarkuar dhe në ishuj të tjerë të Greqisë, në Specaj, Psaros, nëpër Peloponez dhe Eube. Ishte pikërisht botimi i librit Bubulina, i romancierit francez Michel de Grece, i cili më nxiti një kureshtje të çuditëshme për të njohur më shumë jetën e kësaj heroine. Në fakt, në muzeumin e Zhan d’Arkës (Jeanne d’Arc), në Rouen të Francës, atje ku dhe është djegur e gjallë kjo heroinë legjendare, kisha parë një rradhë portretesh të simotrave të saj, grave të tjera heroike të botës. Dhe ato cilësoheshin Jeanne d’Arc. Midis tyre ishte figura e një gruaje me armë në dorë, në veriun shqiptar, të botuar në gazetën e njohur franceze Le Petit Journal, në fillimin e shekullit të XX me deçiturën „Jeanne d’Arc albanaise”. Krahas saj ishte dhe figura e Bubulinës greko-shqiptare, e kësaj heroine që i kushtoi jetën e saj Revoucionit dhe çlirimit të Greqisë nga pushtimi shumë shekullor otoman. Nga leximi i romanit të Michel de Grece, figurës së dikurshme që kisha imagjinuar për Bubulinën, imazhit të asaj gruaje të fortë dhe heroike, iu shtua dhe ajo grua sensuale që e donte aq shumë jetën, dashurinë, miqtë, dhe që kërkonte në çdo çast ta përjetonte plotësisht ekzistencën e saj, me hiret, ekstazën dhe forcën e një gruaje.
    Një ditë vere i hypa anijes në portin e Pireut për të marrë rrugën drejt ishullit Egina e Poros, e më pas drejt ishujve Hidra e Specaj, dy ishuj fqinjë që kishin tërhequr vite me rradhë aq shumë poetë, shkrimtarë, udhëtarë e filozofë të botës, duke filluar nga Margarite Yoursenar e gjer tek Lawrence Durell, Michel Deon, Jacques Lacarrière, e shumë të tjerë. Gati dy dekada më parë, një vlonjat, një mbledhës folklori, puntor i kulturës dhe i trashëgimisë shpirtërore shqiptare, më kishte treguar ca inçizime të vjetra të arvanitasve nga ishujt e Greqisë. Madje dhe në Paris kisha gjetur një disk në familjen e një përmetareje, ku dëgjova ato këngë nostalgjike me një shqipe të vjetër që më ringjallën gjuhën që fliste gjyshja ime, nga Filati i Çamërisë. Atë ditë, nën qiellin e Greqisë dhe kaltërsinë e atij deti të pastër, udhëtoja i përkundur nga ajo muzikë në mandolinë që vinte e më pushtonte me një mall të vjetër, të pakuptueshëm, që çuditërisht më risolli meloditë e një „çamiko”, një valleje dhe një kënge që përmëndej dhe në librin e Michel de Grece. Po i afroheshim Hidrës mitike, ishullit malor e kozmopolit, me shtëpitë me tjegulla të kuqe dhe tarraca, ku ende janë zotërimet e famëshme të stilit venecian të familjeve të heronjve të Revolucionit grek si Kondurioti, Miauli apo Tombazi. Tombazi kishte qënë gjyshi i arvanitasit Jean Moreas, apo Jani nga Morea (Jani Papadiamanti), i cili di të bëhej në Francë një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XIX - të, pararendës i simbolizmit dhe mik i Verlenit, Malarmesë e Apolinerit. Por anija atë ditë nuk do të ndalonte në Hidra, vendi që e kishte magjepsur aq shumë Henry Miller, i cili në ditarin e tij kishte shkruar: “ Gjithë qyteti të ngjan me dekorin e një ëndre, një ëndër e lindur nga guri. Në çdo hap, peisazhi ndryshon e Hidra të duket si një shkëmb i vendosur mbi një skenë tetatri që rrotullohet”.
    Anija bëri më tutje për tu ndalur në Specaj, atje ku gjëndej dhe statuja e Bubulinës, që ngjante sikur priste ende marinarët e saj. Specaj ishte si gjithë ishujt grekë, me shtëpitë e bardha me kanatet e dritareve herë herë ngjyrë blu, me shpatin malor me pisha, ku lart, gati në majë, ngrihej një ndërtesë e vjetër, ndoshta e kohës së bëmave të Bubulinës. Të ngjante me një lloj kështjelle apo fortese në rast lufte. Zbritëm në Dapia, në skelën e përmbytur nga dielli i nxehtë dhe gomerët që prisnin turistët që të vizitonin ishullin. Zbritëm atje ku Bubulina kishte bredhur vajzë e re. Tetë topat e saj të vendosura aty, qëndronin ende për tu kujtuar vizitorëve të huaj bëmat e heroinës së Revolucionit. Si dhe Hidra, Specaj ishte një vend ku përziheshin mitet, legjendat, dhe bëmat e vërteta të banorëve të saj. Varri i Barbatasit, ishte lart në varrezat, duke kujtuar gjithnjë vetmohimin e marinarëve trima që në netët pa hënë, nisnin drejt anijeve turke barka me eksploziv për t’i shkatërruar. Banorët tregonin, se ato kohë, më 1827, në bodrumet e kishës së Shën Nikollës, priftërinjtë kishin fshehur trupin pa jetë të nipit të Napoleon Bonapartit, i cili kishte zbritur në ishull i mbushur gjithë plagë nga një betejë detare. Pas lëngatës, atë e kishin kredhur në një fuçi me rum ku u ruajt gjatë pesë vjetëve, në mënyrë që mos të prishej.
    Çuditërisht, në restorantin e parë që ndaluam, buzë portit, u shkëmbyem me disa shqiptarë. Të tjerë shqiptarë shërbenin në tryezat e shtruara në hije. Ata na thanë se ishin të lumtur të punonin nën diellin dhe paqen e atij ishulli, dhe se shumë nga banorët atje flisnin ende shqipen e vjetër. Miku im Jacques Lacarrière vinte shpesh në Specaj, në shtëpinë e botueses së tij në greqisht, Natalia Mela, e cila kishte krijuar dhe statujën e Bubulinës. Lacarriere kishte njohur në shtëpinë e saj një skulptor të talentuar shqiptar, të quajtur Iliaz, i cili punonte bashkë me Natalinë vepra artistike, disa prej të cilave Iliazi i kishte lënë në ishull, para se të largohej pas shtatë vitesh që kishte qëndruar aty. Dëshira ime atë ditë ishte të gjeja gjurmët e Bubulinës, shtëpinë ku kishte jetuar, ku kishte lindur fëmijët, limanin ku kishte nisur drejt luftës flotën e saj dhe gjithshka që kishte të bënte me të, gjer dhe varrin. Të gjithë banorët krenoheshin me të. Ajo e kishte bërë ishullin të njohur, dhe shkrimtarë e historianë të shumtë nga e gjithë Evropa ishin bërë miq të përhershëm të ishullit.
    Shtëpia e Bubulinës ishte në lagjen që quhej „kunupica” që siç thonin dhe studjuesit grekë, origjinën e kishte nga fjala shqipe „kunupi”. Një shtëpi e rëndë dykatëshe, e bardhë, si gjithë shtëpitë e ishujve të tjerë, e mbuluar me tjegulla, ku dritaret e saj të mëdha shihnin kalldremet e ishullit dhe detin përtej. Oborri kuqëlonte nga lulet. Një shtëpi pothuaj treqind vjeçare, me katër dhoma të mëdha e sallone poshtë e sipër, ku dikur jetonte familja e burrit të saj të dytë, Bubulis. Në fakt ajo quhej Laskarina Pinotis, por Bubulina e thirrën pas vdekjes heroike të burrit të saj, Bubulis. Tavani i gdhëndur i asaj shtëpie, i ngjante tavaneve të gdhëndura të Gjirokastrës. Në krah ishte minderi ku dikur priste miqtë, si dhe një pasqyrë e madhe dhe e bukur veneciane. Më tutje, gjëndej një tavolinë franceze e objekte të tjera të blera në Firence apo në Orient, vazo porcelani me figurina vajzash anonime si dhe një kasafortë e madhe e prodhuar në Marsejë, që vite me rradhë kishte qënë në kabinën e anijes së saj „Agamemnoni”. Nuk mungonin aty as koburet e saj, pisqolla të vjetra në argjënd, kamat bizantine apo dhuratat e tjera nga Cari i Rusisë, armë të grabitura kushedi në ç’betejë si dhe piktura të mrekullueshme me portretin e saj, siç ishte dhe një e bashkëkohësit të saj, piktorit Friedel. Po kaq befasuese ishin dhe letrat e shkruara nga dora e saj me një kaligrafi të habitëshme për një audidakte si ajo, jeta e së cilës, në pjesën më të madhe kishte kaluar veçse në detra e oqeane.
    Bubulina lindi në një burg të Stambollit, në atë burg që banorët e quanin „Kështjella e shtatë kullave”. Ishte mëngjesi i 11 majit të vitit 1771. Nëna e saj Shqevo, kishte shkuar të takonte burrin e saj, kapedanin Pinotis, që mbahej i burgosur nga otomanët. Ishte një luftëtar i rezistencës greke që ato vite luftonte për çlirimin e Greqisë. Ajo kishte shitur gjithshka që kishte, vetëm e vetëm që të shkonte të shihte burrin e saj. Rruga gjer në Stamboll kishte qënë e gjatë. Më kot kishte kërkuar ta ndihmonin në dyert e Fanarit, por më së fundit, kishte mundur ta siguronte një leje që të takonte burrin e saj. Çuditërisht, atë mëngjes, kur mbërriti në „Kështjellën e shtatë kullave”, burrin e saj e gjeti të vdekur në qeli. Kishte ditë që kishte vdekur. Nga dhimbja e madhe, gruaja shtatzënë lindi para kohe. Burzino, shoku i armëve të Pinotis, i burgosur bashkë me të, e ndihmoi gjatë lindjes dhe kërkoi t’i vërë emrin Laskarina, në kujtim të nënës së tij. Disa javë më vonë, me Laskarinën kërthi, Shqevo zbarkoi në shtëpinë e saj në Hidra, por shumë shpejt largohet në Specaj, ku dhe martohet për së dyti. Edhe atje banorët ishin arvanitas, por më të butë e më të thjeshtë se ata të Hidrës, rivales së tyre.
    „Në Specaj flasin «arvanitika», pra shqip, gjuhën tonë, - shkruan Michel de Grèce përmes gojës së Laskarinës. - Në fakt, nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qënë të tillë. Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideal, dhe sigurisht, grekë të sakrificës, sepse ne jepnim dhe jetën tonë për Greqinë, por jo grekë nga gjaku, sipas historianëve puristë. Unë jam një arvanitase, me një fjalë, shqiptare. Që prej kohrash tepër të largëta, raca jonë ka patur emra të ndryshëm. Vallë jemi pellazgë, ilirianë ? Mos vallë gjuha jonë vjen drejpërdrejt nga sankritishtja, siç e pohojnë ekspertët ? Di vetëm se ne kemi ardhur në Ballkan që prej mijra vjetësh dhe jemi shpërndarë nëpër koloni, pothuaj ngado nëpër Greqi. Hidra është shqiptare, Specaj po ashtu… »
    Laskarina u rrit në një ambient arvanitas, me këngët dhe zakonet e tyre, të njëjta me ato të Shqipërisë së jugut. Të njëjtat këngë, mite e rite. Shumë e re ajo dashurohet me një grek nga Specaj, të quajtur Jonuzas, që atë kohë, si gjithë burrat e këtyre ishujve, rrihte detet e Greqisë dhe të Mesdheut. Në historinë e atyre ishujve, Bubulina do të ishte e para grua që do të thyente zakonin e vjetër. Duke ia lënë fëmijët nënës së saj, ajo ishte e para që e ndoqi të shoqin në det. Ai e mori atë në portet e Italisë dhe të Dalmacisë, e çoi tutje në Smirnë (Izmir) dhe në portet e Spanjës, ku blinin armë prusiane dhe angleze. Në Marsejë të Francës shisnin grurë dhe blinin mëndafshet e famëshme të Lionit apo verën „Bordo”. Në Kartagjenë shisnin kaviar dhe blinin verën „Malaga”. Tregëtia u shkonte mbarë, edhe pse u duhej shpesh të luftonin me piratët „korserë” apo doganierët turq. I frymëzuar nga Katerina e II e Rusisë, Jonuzas nisi luftën në det kundër otomanëve dhe Laskarina trime e shoqëroi në momentet më të vështira e tragjike. Marinarët e thërrisnin „kapetanica”, sepse ajo ishte e fortë si një burrë dhe armët i mbante ngjeshur në brez. Një ditë, në Specaj, mbërriti trupi pa jetë i Jonuzas, vrarë në betejë me otomanët në ngushticën e Siqilisë. Laskarina 26 vjeçare mbeti e ve me tri fëmijë, por shpejt Bubulis, miku më i ngushtë i të shoqit kërkon të martohet me të. Dhe përsëri, duke ndjekur Bubulis, Laskarina do të vazhdonte aventurën e saj me detin, luftën dhe jetën boheme. Edhe Bubulis ishte trim e njeri i aventurës. Me të ajo do rrahë Atlantikun, do të shkojë gjer në Veracruz e Buenos-Aires, në Lisbonë, Kartagjenë dhe Detin e Zi. Emri i saj tashmë ishte kthyer në legjendë. Por pas vrasjes së Bubulis dhe të djalit të saj në betejat detare, emri i saj do të bëhej simbol i luftës për liri. Gjithshka ajo e vuri në shërbim të revolucionit.

    “Ja vdekje, ja liri! Elefteria i Thanatos!”

    Bashkë me një nga bijtë e saj, Bubulina ishte anëtare e organizatës së fshehtë “Filiqi Eteria” (“Shoqata Miqësore”), e cila u bë shpirti i Revolucionit. Jeta e saj kaloi nëpër betejat detare, gjëmimet e topave dhe stuhitë. Në shtëpinë muze të bën përshtypje një tabllo e anijes së saj “Agamemnoni”. Më 13 mars 1821, në direkun e tij, ajo kishte ngritur flamurin dhe kishte nisur rrugën e madhe të luftës. Marinarët e saj, të gjithë arvanitas speciotë, ajo i thërriste „djemtë e mij”. Pikërisht në 3 prill të atij viti, në majën e këmbanores së kishës së Shën Nikolës ajo kishte ngritur të parin flamur të luftës për pavarësi me mbishkrimin „Ja vdekje, ja liri”, shkruar me gërma të bardha në një sfond të kuq. Shpejt, emri i Bubulinës do të shpërndahej nëpër gjithë ishujt, e më pas në tërë Greqinë e Ballkanin. Duke përshkruar betejën e famëshme të Nafplios, kronisti dhe historiani grek Argirou, shkruan: “Më kujtohet kur më 4 dhjetor 1821, ajo qëndronte në këmbë mbi kuvertën e anijes, duke urdhëruar sulmin mbi kështjellën e Nafplios. Por 300 topat e kështjellës e sprapsën sulmin e marinarëve të saj. Si një amazonë në zëmëratë, Bubulina u thirri: “Jini gra apo jini burra të vërtetë?...Përpara!”
    Në kohën e Revolucionit grek, flota e Bubulinës u bë e tmerrëshme në detin e Egjeut dhe në Mesdhe. Ajo luftonte kudo ku e thërriste Greqia: në Tripolica, Navarin apo Monemvasia, në betejën e Karadros ku u vra dhe biri i saj e kudo në brigjet e Peloponezit. Padyshim, lexuesit të sotëm i duket ndoshta e çuditëshme që një grua si ajo, e kalitur në zjarrin e luftës, të ishte njëkohësisht dhe një grua e ndjenjave të holla, e dëshirës për të bërë dashuri, e këngës dhe e valleve, e pijes gjer në ag të mëngjesit. Duke shkruar për librin Bubulina të Michel de Grece, botuesi francez ka shënuar se “Laskarina Bubulina, kjo femër joshëse dhe heroinë moderne për kohën e vet, bëri që njerëzit t’a adhurojnë secili në mënyrën e vet. Pasurinë e saj ajo e vuri në shërbim të luftës. Por dashuritë e saj të stuhishme s’do ta bëjnë asnjëherë të harrojë pasionin e vërtetë të saj: çlirimin e Greqisë”.

    Ku është varri i Bubulinës?

    Një nga pyetjet e para të vizitorit të huaj që vjen në Specaj është të dijë se ku ndodhet varri i Bubulinës. Por ashtu si dhe mijra të tjerë, dhe unë atë ditë, mbeta pa përgjigje. Askush nuk e dinte me saktësi se ku ndodhej varri i saj. Në mjergullën e kohës, ky detaj kishte humbur, ndoshta nga mënyra e trishtë e vrasjes së saj. Ajo nuk ishte vrarë në luftë por thjesht në gjaknxehtësi e sipër nga njerëzit e të dashurës së birit të saj. Një plumb në ballë e kishte shuar jetën e kësaj trimeje që kishte përballuar aq e aq herë vdekjen në det. Ishte 22 maji i vitit 1825. Revolucioni grek kishte trimfuar. Atë vit, edhe pse lufta kishte mbaruar, ajo vazhdonte të qëndronte e veshur me fustanellën e saj dhe armët e ngjeshura në brez. Bubulina ishte tërhequr nga skena politike dhe mendonte për fëmijët e saj kur dyndja sërrish e otomanëve drejt Greqisë së lirë e bëri t’i përgjigjet përsëri kushtrimit të luftës. Si mund ta linte vetëm të dashurin dhe idhullin e saj, Kolokotronin, këtë kleft trim të një gjaku që i kishte dalë zot Greqisë?... Kureshtar për të mësuar diçka mbi vdekjen e saj, atë ditë të nxehtë, u nisa drejt një shtëpie tjetër, jo më larg se dyqind metra nga shtëpia muze, drejt vendit ku pikërisht ajo ishte vrarë. Gjithshka ishte e heshtur. Nën diellin e fortë iu afrova asaj shtëpie, ku shquhej ai ballkon i vogël ku ajo ishte shfaqur për herë të fundit për të mbrojtur dashurinë e birit të saj. Gjithshka tashmë e mbulonte një heshtje varri. Ishte banesa ku ajo kishte jetuar me Jonuzas, burrin e e saj të parë. Edhe Miller kishte shkelur këtu më 1939 për të gjetur gjurmët e Bubulinës. Hapat e tij kishin kapërcyer oborrin dhe ishin futur në atë ndërtesë të braktisur dhe të pabanuar. “Në shtëpinë Bubulinës, atje ku e kanë vrarë, ndërtesa i ngjan një shtëpie të errët, e gjithë fantazma, - kishte shkruar ai. - Poshtë në sallon, gjëndet një altar i vogël. Nën dyshemenë me dërrasa dëgjohet zhurma e minjve që vrapojnë si të çmendur nga të katër anët...”
    E çuditëshme që jeta e një heroine të tillë kishte përfunduar në një vrasje zëmërate. Djali i saj kishte rrëmbyer një vajzë të Specajt dhe ditën që do të largoheshin nga ishulli, burrat e familjes së vajzës rrethuan shtëpinë dhe qëlluan mbi Bubulinën. Një javë më pas, në Specaj do të vinte dekreti i perandorit rus, i cili për merita të veçanta, e shpallte Bubulinën admirale të flotës ruse të Egjeut. Që nga ajo kohë emri i Bubulinës, i kësaj zonje të madhe apo “megali qiria”, siç i thonin bashkëpatriotët e saj, hyri në legjendë, në këngët popullore që nisën të këndoheshin nga njëri fshat në tjetrin, nga njëri brez në tjetrin. Shumë libra u shkrojtën për të. Flamuri i saj me shqiponjën mbi një fushë të kuqe, të shndruar më pas në blu, rrethuar nga një shirit i kuq, valëvitej tashmë majë çatisë së shtëpisë. Vite me rradhë ai flamur ishte ngritur mbi anijen e saj, nga një betejë në tjetrën, nga Argosi, në brigjet e Patras, Prevezës, Akarnisë e brigjeve të Peloponezit. Ai flamur e kishte çuar në Tripolica ku do të takonte trimin tjetër arvanitas, legjendarin Kolokotroni, të cilin do ta dashuronte që ditën e parë që do ta takonte. Nga grekët dëgjova dhe historinë për vitet e fundit të jetës së saj, kur e vetmuar, e zhgënjyer nga qeveritarët e rinj, e harruar në dhimbjen e plagëve të saj, ajo i kalonte netët nëpër kabaretë e ishullit. Në mesnatë, e përhumbur nën avujt e alkolit, ndodhte që ndonjërit t’i vinte koburen dhe t’a merrte në shtëpi të saj që të kalonte natën me të. Atë ditë vere në Specaj, në vëndin ku dikur kishin shkelur Lamartin dhe Bajron, Miler apo Xhejms Emerson, tërë qënia ime u pushtua nga figura e asaj gruaje që krijohej e bëhej e pranishme gjithnjë e më shumë, nga ai personazh i jashtëzakonshëm që kishte kapërcyer në cakun e legjendës. Bubulina ishte nga ato gra të kësaj bote ku bashkoheshin në një kulm të madh dhe në një ngjizje të nxehtë vlerat e një jete sa të thjeshtë aq dhe heroike, sa romantike e në eksazë aq dhe tragjike, sa paradoksale aq dhe të pabesueshme, jeta në një tjetër dimension siç do të donim ta përjetonim.
    Nën një fllad të lehtë që vinte nga Hidra, tutje, buzë detit, monumenti i Bubulinës vështronte nga horizonti. Ishte një portret i ngjashëm me atë që kisha pikasur në shtëpinë-muze, ku dukej aktorja e famëshme Irena Papas në filmin Bubulina të xhiruar në vitet 1960. Në shtator, në Specaj, marinarët lëshojnë në det një anije të vjetër, të cilën e djegin duke hedhur fishekzjare. Eshtë festa e Bubulinës, festa më e bukur e Specajt. Gjer në mbrëmje vonë, shquhen flakët që mbërthejnë atë anije që digjet ngadalë, sikur t’u kujtojë një kohë tjetër. Të ngjan kështu sikur ende digjet një shpirt...dhe shndrit një mit, sepse në Specaj, ashtu siç shkruante Miller, „gjithçka duket legjendare, prrallore, e pabesueshme, e mrekullueshme, e megjithatë e vërtetë. Gjithçka fillon këtu dhe mbaron po këtu”...

    Tirana Observer
    Sui generis

  2. #2
    Ekuiliber shpirteror Maska e ARKIA
    Anëtarësuar
    29-07-2006
    Postime
    1,068
    Laskarina Bubulina eshte nje emocion patriotik jo i rreme.Ashtu si edhe figura te tjera vigane te ceshtjes : "lufte per liri" ,te cilat koha i rradhiti (i zgjoi) paksa larg tokes ku ata perkisnin , i "dhuruan" kaq shume kombit grek, Bubulina e ardhur nga shekujt duhet te jete gjyqtare e asaj qe ndodh sot midis dy kombeve tane.Mesazhe te tilla nuk duhet ne asnje menyre te keqperdoren,ose te mos perdoren, ne ndihme te fqinjesise se mire midis dy popujve tane.
    Nuk me ben optimist koha per keshilltaret e vjeter qe i ka lene ne harrese.Prape se prape duhet t'i japim edhe nje shans... nenkuptoj kohes , pa lene menjane interesat e perbashketa (jo ato qe na ndajne),qe kemi te dy kombet.. .
    Vizita ne Idhra (Hidra) te renqeth mishin provojeni dhe do te me kujtoni.... pa dashur do te testoni vehten per sasine e patriotizmit qe mbani ne vetvehte dhe qe shume nuk e dine se kane brenda te tille dhe bile te painfektuar nga c'thuhet e c'"rekomandohet"...
    Gezuar!

Tema të Ngjashme

  1. Pyetje mbi librin Gjurmët e Civilizimeve të Zhdukura
    Nga Darius në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 100
    Postimi i Fundit: 24-10-2009, 09:25
  2. Në gjurmët e arkeologjisë otomane
    Nga Davius në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-02-2007, 10:52
  3. Bubulina, arvanitja, luftë dhe dashuri si e çmendur
    Nga Xhuxhumaku në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-04-2006, 18:48
  4. Bubulina
    Nga dodoni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 21-02-2005, 12:14

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •