Përse nuk e kanë seriozisht historianët politikë
Nga Mero Baze
Disa vite më parë, kam takuar në Nju-Jork një historian të ri kanadez, i cili ka shkruar një libër të mrekullueshëm mbi Fan Nolin. Nuk dua t’ia përmend emrin, se libri është botuar në Tiranë edhe në shqip. Historiani i ri kanadez, i cili e kishte marrë me pasion jetën e Fan Nolit dhe gjërat e pathëna për të, kishte mbetur i tronditur nga një kolegu i tij shqiptar në Tiranë, për të cilin kishte një mirënjohje të veçantë, se e kishte ndihmuar gjatë kohës që i ishte dashur të rrinte në Tiranë për të bërë kërkime për Nolin. Kur kishte marrë librin e përfunduar në Tiranë, “fannolologu” i njohur shqiptar kishte shpërthyer nga zemërimi dhe gati e kishte kërcënuar historianin kanadez në telefon. Shkaku ishte se historiani kanadez me rregullat profesionale të historianit nuk e kishte cilësuar 24 qershorin e 1924, revolucion demokratik, por përmbysje me dhunë të pushtetit. Problemi ishte, se historiani kanadez nuk ishte tronditur nga kërcënimet e ish-kolegut të tij nga Shqipëria, që ia kishte kushtuar gjithë jetën e tij “mërgatës së qyqeve”, por ishte shqetësuar, përse ky njeri në liri duhet ta quante ende revolucion demokratik një revolucion normal që përmbys me dhunë një pushtet. Pak a shumë me të njëjtën egërsi që ishte ndeshur historiani kanadez para 6 vitesh, po ndeshet sot opinioni publik pas deklarimit të një nisme qeveritare për t`i hapur rrugë rishkruajtjes së të vërtetave në histori. Historianët e vjetër shqiptarë, që janë përpjekur të gdhendin historinë tonë në funksion të ideologjisë së tyre, tani nuk janë të shqetësuar për historinë, por për rënien e tabuve të tyre, mbi të cilat kanë ngritur simbolet e ideologjisë së tyre. Mizore është se në këtë debat, i cili nuk duhet të ishte politik, ka një angazhim zyrtar politik për të mos prekur asgjë nga historia e shkruar gjithë gënjeshtra. Qeveria nuk ka dhënë ndonjë direktivë sesi duhet të shkruhet historia, kurse e majta po jep direktivë të prerë të mos preken gënjeshtrat tabu që mbajnë në këmbë ideologjinë e saj. Ky është një ndryshim i madh që shpjegon qartë, ku qëndron kriza e historiografisë shqiptare.
Krijoni Kontakt