Leo dhe Suzi, ishin dy qeniet e vetme frymore që mbeten në ambasadën Jugosllave në Tiranë pas prishjes së marrëdhënieve dypalëshe në vitin 1999. Nuk janë njerëz, por dy qenë, që për një periudhë të gjatë kohore kanë ruajtur ambientet e saj, një godinë tashmë historike në rrugën e Durrësit. Me largimin e diplomatëve dhe punonjësve të këtij institucioni, aty nuk mbeti më asgjë, ambientet u kyçen dhe brenda mureve rrethuese të kësaj ndërtese ishin vetëm një çift qensh të vetmuar.
Ishte 45-vjeçarja Shpresa Tartaraj, që ka punuar kuzhinere në familjen e sekretarit të parë të ambasadës së bashku më një shoqen e saj pastruese, që i ushqyen këta qenë për dy vjet me radhë deri në vitin 2001. Ngjan me një skenar filmi. Kemi dy shtete që prishin marrëdhëniet pas një lufte. Diplomatët boshatisin godinën dhe zyrat dhe largohen, por në të mbeten dy qenë që nuk kuptojnë armiqësinë e njerëzve dhe vazhdojnë të bëjnë punën e vjetër: të ruajnë godinën. E vetmja që u vjen keq për ta është një grua shqiptare që kurrsesi nuk ngatërron marrëdhënien mes dy vendeve me marrëdhëniet me qentë. Një histori që më shumë vlen edhe për moral që në këtë rast viktimat por edhe triumfues janë po ato kafshë të pafajshme.
Çfarë lidhjesh keni patur ju me Ambasadën Jugosllave në Tiranë, dhe cili ka qenë roli juaj?
Unë kam punuar për dy vjet kuzhiniere në familjen e sekretarit të parë të kësaj ambasade, dhe jam ndierë shumë mirë. Ishte një familje e rregullt dhe shumë e edukuar, kam pasur marrëdhënie mjaft të mira me ta. Shkoja çdo ditë në shtëpinë e tyre në orën 10 të paradites dhe kthehesha në ora 4 të pasdites. Gatuaja atë që më porosiste e zonja e shtëpisë, për të cilën ruaj ende respekt, servirja, dhe kaq ishte puna ime në atë familje.
Çfarë hante kryesisht familja ku gatuanit ju?
Ushqime të zakonshme, si të gjithë ne, nuk kishin ndonjë ndryshim. Ne jemi ballkanas, dhe kemi pak a shumë të njëjtat shije. Por të them të drejtën, më shumë pëlqenin byrekun me peta të pjekura.
Ju paguanin mirë?
Unë për vete merrja 250 dollarë në muaj, dhe isha shumë e kënaqur, drekën e haja atje. Shkoja në 10, gatuaja e servirja drekën dhe në katër kthehesha në shtëpi. Ata kishin shumë respekt për shqiptarët, pasi ishte familje që kishte jetuar për një kohë të gjatë në Gjakovë të Kosovës dhe kishin pak a shumë natyrën tonë. Çdo personalitet që punonte në aty kishte kuzhinierin e vet. Ne ishim 8 të tillë.
Po më pas pse u larguat nga ajo punë?
U largova pasi ky ambasadori i ri që erdhi nuk ishte njeri i mirë, i përbuzte shqiptarët. Kjo ndodhi pasi në vitin 1999, kur filloi lufta në Kosovë, ambasada këtu u mbyll fare dhe punonjësit u larguan që të gjithë, çelësat i morën ata, në ambientet e ambasadës ngelën vetëm dy qenë.
Çfarë u bë me ata qenë, kush i ushqente?
Ata për dy vjet ndenjën këtu dhe u ushqyen nga unë dhe nga një shoqja ime, Ana, e cila punonte pastruese në Ambasadë, iu jepnim për të ngrënë që nga hekurat, përballë ambasadës, u hidhnim ushqimin. Më vinte keq, ata ishin dy, Leo e quanin mashkullin dhe Suzi femrën.
Me çfarë ushqime i ushqenit qentë?
Dilja çdo mëngjes nga shtëpia, blija kocka dhe i gatuaja supë, i çoja për të ngrënë në mëngjes dhe në darkë, dy herë në ditë. Shkonim te porta i linim supën, ujin dhe largoheshim, pasi ndërtesa ruhej me policë. Ata gëzoheshin shumë, sa na shikonin ne, qanin!
Po ku janë qenët tani?
Në vitin 2001 i mori mikja ime, Ana, e cila kishte punuar pastruese aty, dhe i çoi në Fushë-Krujë te një miku i vet. Shkuam dhe disa kohë më vonë që i pamë, por tani nuk e di më a janë apo kanë ngordhur. Ndërkohë para vitit 1999 kur ishin përfaqësuesit e ambasadës këtu, i ushqenin vetë. Kur i larguam prej këtej i kemi futur në një makinë deri në Fushë-Krujë, po ishin qenë shumë të mëdhenj, ne nuk na hanin se ishin miqësuar.
Ku punoni tani, zonja Shpresa?
Tani jam e pa punë, që nga momenti kur jam shkëputur nga ajo familje nuk kam punuar më asnjë ditë.
Gruaja që ushqeu qentë serb
Mund të duket si një përrallë, por është 100 për qind e vërtetë. kuzhinierja shqiptare e Ambasadës së ish-Jugosllavisë në vendin tonë, për dy vjet me radhë u ka dhënë ushqim qenve serbë. Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1999 mes dy vendeve, për shkak të luftë së Kosovës, përfaqësuesit serb që ndodheshin në Shqipëri u larguan, por jo plotësisht. Pas tyre lanë dy qentë të racës pastor dhe kujdestarja e tyre ishte nje grua shqitrare e cial I usheque për dy vjet pa asnjë lekë
Krijoni Kontakt