Fshati Vithkuq me një sërë objektesh të vjetra fetare të kultit ortodoks, ka patur disa thesare apo sasi të ndryshme floriri të fshehura në vende të caktuara, kryesisht në afërsi të kishave dhe pas disa grabitjeve të kryera pas viteve 1990ë i ka ardhur fatkeqësisht radha edhe thesarit të fshehur në këmbët e urës më të vjetër dhe më të madhe të këtij fshati.
Për disa banorë të fshatit Vithkuq, nuk ka asnjë dyshim se çarja e murit prej guri në trashësi rreth gjysmë metri në këmbët e urës së vjetër të Vithkuqit është kryer për grabitjen e thesarit të ruajtur atje prej kushedi sa shekujsh. Ndërsa i qëndrojnë mendimit se në këmbën e parë të urës së vjetër është arritur të vidhet ose thesari në flori i Manastirit të Shën Pjetrit, rruga për në të cilin degëzohet pikërisht pranë urës së vjetër, ose një djep në ar që ka qenë simbol i zonës, banorë të Vithkuqit tregojnë edhe raste të tjera të vjedhjes së vlerave të çmuara në fshatin e tyre. Në fshatin e hershëm dhe nga më të njohurit për vlera historike në rrethin e Korçës, kanë ekzistuar dikur 14 kisha dhe dy manastire. Krahas tyre edhe ura e njohur fillimisht me emrin Ura e Zotos ose Ura e Madhe. Ndër këto objekte jo të pakta me vlera të rralla, tani kanë mbetur më këmbë rreth 8-9 kisha në gjendje të mirë dhe pjesërisht përgjysmë Manastiri i Shën Pjetrit.
Dëshmia
Një banor i fshatit Vithkuq, që për vetë profesionin që ka ushtruar, ka qenë pak a shumë në dijeni të disa grabitjeve të mëparshme që janë kryer në thesaret e fshatit të tij, në mënyrë bindëse tregon se edhe në këmbën e urës së vjetër do të ketë qenë një thesar që është vjedhur ditët e fundit. Duke preferuar që të mos identifikohet, ai dëshmon se në këmbën e urës së vjetër, ku ishte ndërtuar edhe dhomëza e fshehtë, asnjëherë nuk janë kryer meremetime që të mund të zbulonin atje thesarin e fshehur. Ai shtoi se në urën e vjetër që të çon në fshatin Vithkuq janë kryer meremetime të pjesshme të vetullave të saj apo kryesisht në këmbën e mesit të urës që rrihej më shumë nga dallgët e lumit, por jo në këmbët anësore të saj. Dëshmia e tij interesante vijon me të tjera fakte, që tregojnë ekzistencë thesaresh. “Deri në vitet 1990 në pjesën ballore të urës, nga ana e lumit, ka qenë një gur i skalitur, në të cilin ishte gdhendur një emblemë e vjetër që tregonte një lloj fytyre njeriu apo kafshe me disa elementë anash. Përballë kësaj embleme ka qenë një shkëmb, në të cilin unë di me siguri se është zbuluar një thesar në flori nga persona të caktuar”, tregon banori i fshatit Vithkuq. Sipas tij, vetë pozicioni i emblemës përballë shkëmbit dhe ndonjë deshifrim i mundshëm i elementëve të saj kanë ndihmuar vjedhësit që të gjejnë thesarin në flori të fshehur pranë shkëmbit të urës. “Nuk ka asgjë për t’u habitur nga thesaret e shumta që kanë qenë të fshehur në vende të ndryshme në fshatin tonë, sepse ruajtja e tyre bëhej me synimin për të përballuar dyndjet osmane të kohës, dhe në rast fatkeqësish të rënda të përballoheshin ndërtimet nga e para të kishave dhe urave”, shprehet banori i fshatit Vithkuq. Ai shton dëshminë tjetër të vjedhjes të një qypi me flori në afërsi të Kishës së Shën Dëlliut në Vithkuq. Kanë qenë afërsisht fillimet e viteve ’90, por këtë herë ata që gërmuan kanë qenë disa grekë, të cilët të pajisur me një hartë vetëm sa kërkuan ndihmën e dy punëtorëve krahu nga fshati Vithkuq për të gërmuar, dhe kështu arritën të përvetësonin këtë thesar në flori. Edhe vjedhja e fundit e ndodhur në këmbën e urës së vjetër dyshohet të jetë kryer nga të ardhur dhe jo vendas, por ndoshta hetimet e policisë mbetet të zbardhin më shumë nga kjo ngjarje. Fakti që banorët e fshatit kanë patur dijeni për këto thesare të fshehura në afërsi të kishave apo të objekteve të vjetra të Vithkuqit, nuk janë dëmtuar apo vjedhur më parë shpjegohet me besëtytnitë apo besimin e vetë banorëve për këto objekte kulti dhe ndërtime që ruanin vlera të veçanta historike e përbënin trashëgimi për gjithë banorët. Tani në fshatin Vithkuq kanë mbetur disa kisha të tjera që frekuentohen nga banorët e tij, por ndërkaq duket të jenë zbuluar e vjedhur ndoshta pjesa më e madhe e thesareve të ruajtura prej shekujsh në afërsi të tyre. Vetë Ura e Vjetër e Vithkuqit mendohet të jetë ndërtuar rreth 400 vjet më parë, ndërsa fshati ka qenë ndër të parët në rrethin e Korçës që është populluar dhe ka treguar shenjat e qytetërimit në mjaft aspekte të tij.
Dyshohet vjedhja e një djepi floriri në këmbët e urës së Vithkuqit
Një djep prej floriri, simbol i zonës së Vithkuqit, dyshohet të jetë vjedhur pak ditë më parë në këmbët e urës më të vjetër që të çon në këtë fshat me tradita të Korçës. Banorë të fshatit Vithkuq pretendojnë se nga prishja e murit anësor të urës së njohur me emrin Ura e Zotos apo edhe Ura e Vjetër është arritur të grabitet një thesar, i cili ka shumë mundësi të ketë qenë një djep prej floriri. Një banor i kësaj zone pohon se kanë qarkulluar si gojëdhëna thëniet se në një dhomëzë me diametrat gati 1.5 X 1.5 metra të përshtatur në këmbën e parë të urës së vjetër ka qenë i fshehur një thesar. Si besimtarë të devotshëm të fesë ortodokse, e kanë konsideruar këtë vend të shenjtë, nisur edhe nga fakti se kanë ndërtuar pak metra larg urës një lloj vakëfi që të çon në manastirin e Shën Pjetrit
Krijoni Kontakt