Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 10
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Besnik Dizdari: Kritikë “letrare” mbi një kampionat

    Kritikë “letrare” mbi një Kampionat

    Nga Besnik Dizdari


    Besnik Dizdari

    I konsumuar jopak në gjithçka: në fushë dhe jashtë saj, në gazetari, në publik dhe në ekran, Kampionati Kombëtar i Futbollit në Shqipëri, të duket si një roman që nuk lexohet. Sepse në një farë mënyre, një kampionat futbolli përngjan me një roman. Ai ka konfliktin e tij, personazhet, narracionin, stilin e vet. Dhe në të gjitha këto, ai që ende mundohet të rezistojë në Kampionatin Shqiptar është konflikti. Konflikti i gjithmonshëm i romanit - Kampionat: lufta për titullin dhe mosrënien, lufta e dy skajeve. Të tjerat paraqiten krejt të zbehta, të buta, të pa shkëlqim, të pa forcë…
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    I.

    U duk se konflikti nisi që në fillim, në Javën 1, atë të 24 gushtit kur një Flamurtar i ri mposhtte 1-0 SK Tiranën – kampione, dhe vihej në krye së bashku me Dinamon, Besën dhe Partizanin. Konflikti mori forcë, kur personazhet e vjetër papritmas u ndodhën përballë Besës së Kavajës e cila mbasi kishte eliminuar për herë të parë në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar, një skuadër të ish Jugosllavisë, Bezanija të Beogradit, shpërthente në fitore të njëmbasnjishme deri sa, në Javën 11, e shihte veten në krye me 3 pikë mbi Partizanin. Dhe vetëm kaq. Mandej do t’i lëshonte udhë Teutës “së saj” 0-1 mu në Kavajë dhe qysh nga ky çast konflikti i romanit bije keqas. E, nuk ka më konflikt, por vetëm sundim të Dinamos si dikur, e cila, po si dikur, nis e fiton pa ndalesë lartësuar deri në shuarjen e çdo konflikti: 7-0 Skenderbeut të Korçës! Dhe 6 pikë mbi Partizanin, 7 mbi KS Elbasanin, 9 mbi Vllazninë dhe SK Tiranën, 10 mbi Besën e Kavajës! Këtu po, merr fund konflikti. “Acta est fabula”, siç tha Augusti në shtratin e vdekjes dhe këto ishin fjalët e tij të fundit. Komedia mbaroi!

    Në fund Skenderbeu “autori” i 7-0-s së freskët duket se i po i thotë lamtumirë para kohe një Kampionati, ose ndryshe daljes prej sferës së personazheve të romanit. Më 1961 Dinamo e kishte mund 7-2 skuadrën korçare. 46 vjet më parë… Dhe Teuta e Besëlidhja thuajse në një vijë me te. Një treshe jashtë çdo konflikti. Ose pjesë delikate e një konflikti, atij të luftës për rënie.

    Kësisoji, 16 javë para mbarimit romanit i është shuar konflikti. Çka e bën ate një roman të palexueshëm ose një kampionat pa spektatorë. Në mbi 80 përqind të ndeshjeve kurr më tepër se 1500 shikues! Më pak se Kampionatet e Paraluftës!

    E vërteta është se dalja jashtë skenës para kohe e disa personazheve, jo vetëm që zbeh konfliktin, por nga ana tjetër nuk pasuron narracionin. Kur me narracion do të kuptojmë tregimin, mënyrën e të treguarit të një Kampionati. E dobëson sepse shpesh herë nuk ke çka tregon.

    Në javën e fundit të këtij kapitulli të parë, pati megjithate një çast të shkurtër për narracion. Fitoren e bujshme të Vllaznisë 4-1 ndaj Sportklub Tiranës, rezultat zâmadh që nuk ishte mbërritë prej 21 vjetësh. Ka qenë 4-0 për Vllazninë ndaj asaj që ende quhej 17 Nëntori i Tiranës. Në Shkodër, Vllaznia - 17 Nëntori 4-0, stina 1985-86. Dhe 4-1 më 2007 që hyn në narracionin tonë vërtet si në të rrallat për t’u treguar në këte roman. Eshtë një narracion që zgjat vetëm 90 minuta dhe që i përmban në vetvete të gjitha: konfliktin, personazhet, stilin. Konflikti është sepse mbas një humbje 0-4 në Peqin që shkodranët duan ta quajnë episodike, vjen kjo fitore historike e 21 vjetëve mu në çastin kur në gjithë këto vitet ’80, ’90, ‘2000, 17 Nëntori apo Sportklub Tirana, i ka rrëmbyer Vllaznisë bukur 64 fitore përballë vetëm 13 të shkodranëve, të cilët, siç tregon Libri 5 i “Historisë së Kampionateve të Shqipërisë”, përsa i përket fitoreve, deri më 1959 Vllaznia kryesonte 19-10 ndaj Sportklubit. Mirëpo, histori e re, narracion i ri.

    Ajo çka ia vlen të tregohet prej 4-1-shit të 29 dhjetorit 2007, bashkohet në një mjedis befasues publiku prej rreth 6000 shikuesish – rekordi i stinës mbase, prej shpërthimit të dyshes Sukaj – Sinani, dhe të një stili të interpretuar me të gjitha figurat e mundshme të një sulmuesi race me emrin Vioresin Sinani. I thjeshtë goli i parë, matematik goli i dytë dhe vepër arti goli i tretë i tij, i katërti i ndeshjes. Eshtë i një stili brazilian, nëse dëshëron të krahasosh pa komplekse edhe kur këte e interpreton një futbollist i Shqipërisë së një kampionati të vogël të cilit i është shuar konflikti. Duhet të jetë goli i vitit për Shqipërinë. Në të vërtetë topin ia fal vetë portjeri 37-vjeçar Blendi Nallbani. Dhe mu në këte çast ngjitet në katedër Vioresin Sinani. E mënjanon Nallbanin vetëm me një përkulje të lehtë të trupit, ndërkohë që dy apo tre mbrojtës të miqve nga Tirana, rrufeshëm rreshtohen në vijë jo të drejtë njeri mbas tjetrit. Dhe Sinani i cili vendos të mos ketë punë me ta. E çon paksa topin mbi këmbë dhe lëshon harkun më elegant që mund të marrim me mend, për te porta e boshatisur e Nallbanit. Eshtë si në basketboll, si një gjuajtje trepikëshe që shuan gjithë kundërshtimin e personazheve të fushës. Po çka mund të bënte tjetër përveçse kështu Sinani? Mund të gjuante fort me tmerr për të shkyer rrjetën! Kurrsesi! Thjesht vetëm një hark të butë të një elegance të stilit. Dhe 171 gola të shënuara prej tij në 282 ndeshje në kampionatet shqiptare duke kaluar duelantin Indrit Fortuzi (166 gola). IFFHS e rendit të 13-tin në botë për vitin 2007 me 23 gola në harkun e vitit diellor 2007. Ky është kryepersonazhi i romanit tonë në zhvillim e sipër, ndryshe kryeshënuesi ende në fushën e lojës në Kampionatet Shqiptare.
    My silence doesn't mean I am gone!

  3. #3
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    II.

    Këtu merr fund dhe narracioni i romanit tonë.

    Kur personazhet janë kaq të pakët… Ose kur personazhi i vërtetë është vetëm një: Dinamo e Tiranës, dikur e Ministrisë së “Punëve të Brëndëshme”, 16 herë kampione e Shqipërisë, por vetëm një titull të fituar në 18 vjet të tana (2002) me një epërsi të thellë, duke nxjerrë jashtë konfliktit para kohe gjithë personazhet e tjerë. Kështu, ajo kërkon të interpretojë e vetme në një roman të tanë. Dhe nëse ruhet ky zhvillim i zbehtë konflikti, atëherë Dinamo do të jetë një lloj personazhi “diktator” që do të mbetet i vetëm në skenë edhe për 16 javë të tjera, duke shuar çdo aftësi tonën për narracion…

    Ky do të jetë suksesi i madh i Dinamos dhe fundi i një Kampionati pa konflikt.

    Dy episode të Javës 17, barazimi i Partizanit 0-0 me skuadrën e re të Vlorës dhe humbja sensacionale e SK Tiranës 4-1 në Shkodër mbas 11 ndeshjeve të pahumbura rresht, prej të cilave 7 fitore, ishte e vetmja çka mund të tregohej në fundin e vitit 2007.

    Personazhet ndërkaq, duket se kanë dalë pa mëshirë jashtë rolit të tyre. Kemi një Kampionat që me gjithë rritjen e KS Elbasanit (4 fitore dhe 1 barazim në pesë ndeshjet e fundit) apo qëndrueshmërinë e Shkumbinit në “mesin e tij të artë”, qëndresën e Kastriotit “të vogël” i cili ende nuk ka luajtur në fushën e vet për këte stinë, dhe ende me pasigurinë e Flamurtarit, prapseprap nuk të ngroh asesi. Ndonëse skuadra e Vlorës pati një kapitull të denjë për narracionin më tërheqës që mund të bëhet: 1-0 Dinamos, 1-0 SK Tiranës, dy herë 0-0 Partizanit, 1-0 Besës, 1-1 në Shkodër, 2-2 në Elbasan! Vështroni se çfarë interpretimesh! Të gjitha përballë atyre që mëtojnë të jenë personazhet kryesorë të romanit tonë. Megjithate… Flamurtari vetëm 22 pikë dhe thjesht i 8-ti! Paradoks i një romani futbolli. Mos ndoshta në pjesën e dytë të Kampionatit do të kemi ngjitjen në skenë të personazhit të vërtetë që njihet si Flamurtari i Vlorës, vetëm 1 herë Kampion i Shqipërisë, edhe këte 17 vjet më parë (1991)?...

    Atëherë po, mund të rinisë vërtet konflikti, të cilin tash për tash nuk e përfton as Partizani, edhe pse është i dyti. Edhe pse për një çast të duket se jemi kthyer në vitet ’50 kur kishim vetëm një konflikt: atë të PartizanDinamos, dikasterialëve të mëdhenj të asokohe. Vështirë të ndodhë megjithate që të përsëritet ky konflikt e të rifillojë në demokracinë e vitit 2007, historia “komuniste” e Kampionatit të Shqipërisë…
    My silence doesn't mean I am gone!

  4. #4
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    III.

    Stilin nga ana letrare e përkufizojnë si “mënyrë të shkruari”, e mbrenda tij përfshihet i gjithë kompleksi i veçorive gjuhësore dhe formale që janë njinjishmëria (identiteti) i një autori. Prej këtu dalim te stili që po e quajmë sportiv, që nuk është asgjë tjetër përveçse mënyra e interpretimit të një ushtrimi apo të një veprimtarie sportive. Mandej, mund të dalësh edhe te e veçanta stilistike e futbollit që shprehet përmes taktikës së lojës e mveshur gjithmonë me stilin e shkollës së cilës ai futboll i përket.

    Për fat të keq sot në Kampionatin Shqiptar stili ka rrëshqitur në joharmoninë më të rrallë të mbas vitit 1960, vit, kur deri diku edhe futbolli shqiptar pat nisur të përforconte një farë shkolle, apo më mirë me thënë, të përvetësonte pjesëz të një shkolle. Doemos, kurrsesi asnjërën prej tri shkollave klasike të fubollit: atë britanike ose nordike, amerikanojugore dhe danubiane. Shqipëria, kur kujton se si erdhi e se si eci futbolli në tokën e saj, vetvetiu ka qenë nën ndikimin e shkollës italiane, ose e thënë më ndryshe “futbolli shqiptar ndodhet nën ndikimin e futbollit italian dhe jugosllav”, siç e përcaktonte ate një enciklopedi e huaj që në fillim të viteve ’70, ndërsa historia na tregonte se në pjesën më të madhe të Shekullit XX, në futbollin shqiptar kishin sunduar marrëdhëniet me instruktorë, trajnerë e ndeshje më të shumta prej këtyre dy vendeve fqinjë, deri sa erdhi Bashkimi Sovjetik prej të cilit më mbas u përpoqëm të merrnin mënyrat organizative dhe të stërvitjes, por pa ia arritur plotësisht. Të gjitha këto ende nuk ia arrijmë t’i shkoqisim, sepse përveç të tjerave, studimet shkencore për futbollin në Shqipërinë e sotme nuk ekzistojnë!

    Sidoqoftë, nëse do të flitej për një stil “tonin”, është ai që për shumë vite e kanë përcaktuar si “shpirti luftarak i shqiptarëve”, që më tepër është stili i futbollit të kundërsulmit, apo stili “all’italiana”, siç e quajnë. “Kundërsulmi është arma e të varfërve, e vetmja që i korrespondon të vërtetës apo mundësisë së tyre”, siç e ka përcaktuar një studjues i madh. Me këte armë italianët kanë fituar katër Kupa të Botës, po prej vitesh për ta kjo nuk është më një armë e të varfërve, por armë së cilës ata i kanë shtuar shumë cilësi të tjera të futbollit modern, gati gati duke e shndërruar në armë rezervë të kohëve të vështira. Ndonëse për Shqipërinë, e vërteta është se të gjitha rezultatet më të mëdha ndërkombëtare që ajo ka arritur, janë ndeshje të stilit të kundërsulmit.

    As kjo në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë sot nuk funksionon. Dhe në tanësi nuk kemi të bëjmë me një stil, por me një shpërbërje stili.

    Dikur kemi foluar për stilin elegant, teknik, të shtruar e të një mendimi të Vllaznisë së Shkodrës. Ose të futbollit të shpejtë, të vrullshëm të Partizanit të Tiranës. Mandej të stilit teknik e të shpërthimit të para portës të Dinamos së Tiranës. Dhe për shumë vite për stilin sulmues, shpesh të papërmbajtshëm, të Sportklub Tiranës qysh në themelim, e, të 17 Nëntorit në vazhdim, që i ka dhënë 22 tituj të kampionit. Pa harruar kurrnjiherë se është e vetmja skuadër në Shqipëri që ndonëse në fillimet e saj, i ka dhënë dy të mëdhenj Kampionatit të Italisë, një Lushtë e një Kryezi, e më mbas e ka mbushë rregullisht Kombëtaren e Shqipërisë sa me sulmues të rangut po aq edhe me mbrojtës të shkëlqyer. Qysh në vitet ’60, mbas Partizanit të viteve ’50, qe e para skuadër e një stili taktik të vërtetë, nëse mund ta përkufizojmë kështu.

    Këto ishin pak a shumë shkollat apo shkollëzat e futbollit shqiptar.

    Për fat, sot ky është një roman pa stil. Ose një Kampionat pa një vijë melodike origjinale të tijen. Jo të krahasueshme me ate britanike ose nordike, amerikanojugore apo danubiane. Kjo nuk na shkon nëpërmend. Ajo që na shkon nëpërmend është retorika e pyetjes: a e kemi ruajtur atë që kemi arritur?

    Për sot kurrsesi. Në Shqipëri luhet për çastin, për ditën, për javën, për mundësinë e një trepikëshi të ditës. Stili as që mund të shkohet nëpërmend. Qoftë edhe në këte Kampionat të 69-të ku në 17 javë skuadrat kanë aktivizuar afër 270 lojtarë dhe 24 trajnerë, që do të thotë mesatarisht 23 lojtarë për skuadër dhe që mbrenda 17 javëve janë ndërruar mesatarisht të gjithë trajnerët e skuadrave! Vështirë të gjejmë një skuadër që ia arrin të ketë në 11-shin e saj lojtarë të një stili unik (vetanak) apo trajnerë që ruajnë e përsosin një stil. Kemi përshtypjen se nuk diktojnë trajnerët, por presidentët e klubeve, fjala e të cilëve dëgjohet fort për marrje e dhënie lojtarësh, për blerje e shitje lojtarësh, pa iu shkuar kurr ndër mend se sa ata i përshtaten stilit të skuadrës përkatëse.

    Në skuadrat shqiptare vëren se për të mbërritur ta zëmë, te porta kundërshtare, kalohet në tri periudha prolikse, të stërgjatura: atë të mbrojtjes, të mesfushës dhe të sulmit, çka duket si normale, por secila prej tyre luan aktin e saj tejet të veçuar prej dy të tjerave, çka shkakton ose shkëputjen e lidhjes, prishjen e harmonisë, e madje edhe të shpejtësisë së lojës dhe njinjishmërinë e vetë shkollës, nëse vërtet mund të të flisnim për shkolla apo shkollëza shqiptare.

    Vërejmë se nuk kemi të bëjmë me një stil, por me një shpërbërje stili. Dhe duke humbur stilin, Kampionati Shqiptar ka humbur “nordin”e futbollit të vërtetë.
    My silence doesn't mean I am gone!

  5. #5
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    IV.

    Çudia më e madhe është se kjo humbje stili mbrenda zhvillimit të konfliktit të zbehtë të këtij romani, të këtij Kampionati, me shtérrim personazhesh e humbje të narracionit, ka vënë në një pozitë të vështirë edhe gazetarinë që e pasqyron ate.

    “Unë nuk jam poet. Po nëse keni kuptuar vargun “dolce chiara é la note senza vento”, nuk kam nevojë të vazhdoj. Pele e sheh edhe lojën e tij, por dhe të shokëve; e lë të interpretojë duetin atë që në deri thellësi ka inisiativën e sulmit, e mandej shfaqet edhe vetë, e duke shpërthyer prej luleve të barit, ia arrin të shënojë”, poetizon një çast të futbollit duke marrë thënien dhe stilin e Leopardit, një i madh i gazetarisë sportive, Gianni Brera.

    Futbolli është edhe poezi. Por po ky autor, për veten thoshte : ”Jam thjesht një artizan”.

    Dhe vështroni:

    “Terreni i lojës është përsosmërisht i ruajtur mirë, me përjashtim të zonës së portjerëve, ku bari nuk ka pamje të njëjtë. Tribunat e stadiumit të Lozanës duken krejtësisht të mbushura: është një rekord pranie: llogaritet se janë 41.000 spektatorë, prej të cilëve 8000 italianë. Në ndihmë të arbitrit Viana (Brazil) janë arbitrat anësorë Marino (Uruguaj) dhe Asensi (Spanja), ndërkohë që amerikanojugori Vilizzio në tribunë bën komisarin e caktuar prej federates ndërkombëtare. Incidente të lehtë pësuan në fushën e lojës Pandolfini, Fatton, Hugi dhe Meiere. Goditjet nga këndi ishin 12-1 për Italinë, pjesa e parë 7-1. Nga minuta e 25-të e pjesës së parë, Boniperti ka luajtur në kushte të qarta mangësie për shkak të një dëmtimi në kavilje, e shkaktuar prej një ndërhyrjeje të ashpër të një kundërshtari”.

    Kjo pjesëz është vetëm kronika e hyrjes përmbledhëse e të veçantave të shkrimit të një ndeshjeje Zvicra – Italia 2-1 të Kupës së Botës 1954, mbasi para saj autori ka vendosë dy skedat e përbërjes simbas vendosjes taktike të dy skuadrave. Dhe mandej vjen përshkrimi e gjithçka tjetër për ndeshjen. Nuk është vetëm ky stil i n jë informacioni lehtësues dhe të domosdoshëm për ate që quhet lexues. Por një model është megjithate. Që sot kurrsesi nuk përdoret në gazetarinë shqiptare.

    Kampionati Shqiptar nuk dihet se çfarë stili ushtron në gazetarinë e Kampionatit të varfër Shqiptar. Nuk na shkon ndër mend poezia, por vetëm ajo që i përket një “artizani” të gazetarisë, siç thotë paraardhësi i madh i mësipërm. Mirëpo, nga ana tjetër, çka na duhet ne sot se çka shkruajnë apo se çfarë stili kanë gazetat sportive (dhe jo) më të shumta se askund në botë, këto të Shqipërisë? Në fund të fundit a nuk është një çështje apo punë private? Mirëpo, për ndonjerën që ne, breza gazetarësh dhe themeluesish i patëm dhënë një rend e pozitë kombëtare, madje në vetë kulturën kombëtare, të drejtën për t’u shqetësuar askush nuk mund të na heqë. Kur përveç të tjerave iu kemi kushtuar vitet tona më të çmueshme. Për të kaluar në duar të tjera natyrisht, por jo në duar e stil të gabuar.

    Po themi më të voglën, më të paktën: çdo javë skedat e Kampionatit të Shqipërisë kanë mangësi të tmerrshme. Në emra, minuta, vendosje, episode. Edhe ky është një stil. Një stil i shpërbërë si vetë stili i Kampionatit Shqiptar. Rikujtojmë: nuk është punë poezie është punë informacioni. Sot edhe një romani i kërkohet të ketë informacion. Jemi në Shekullin XXI dhe nëse gazeta të shitet fort për hir të Loterisë sportive, atëherë…

    Kësaj rradhe vetëm kaq. Situatën e rënduar të fjalës së shkruar sportive për një herë tjetër. Gazetar është një profesion si gjithë të tjerët. Ka rregullat e tij të forta profesionale. Mund të shkruash apo të punosh gazetar në një gazetë, por kjo nuk do të thotë se vërtet je gazetar.
    My silence doesn't mean I am gone!

  6. #6
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    V.

    E fillonte Anton Mazreku, themeluesi i radiokronikës në Shqipëri:

    “Koha është e bukur, pranverore. Diell. Fryn një erë e lehtë. Terreni i shkëlqyeshëm. Partizani i veshur me fanelat e tij të kuqe dhe të mbathurat e errta ka portën në drejtim të kodrave të kryeqytetit. Dinamo e veshur krejt në të bardha ka portën në drejtimin verior të stadiumit”.

    Rëndom e thonte këte para ose mbasi kishte dhënë përbërjet taktike të skuadrave.

    Ishte një kohë kur radiokronisti me zërin e tij të sillte pamjen e mjedisit të ndeshjes. Zëvëndësonte atë, “kutinë magjike”, siç e kanë quajtur, ekranin e televizionit që ende nuk kishte mbërritur në Shqipëri. Ishte një detyrë profesionale edhe kjo, detyrë e profesionistëve të mëdhenj, shkrimtarë, poetë apo “artizanë” qofshin.

    Emisioni radiofonik “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, i vetmi emision i drejtpërdrejt improvizues i Radio Tiranës për gati 50 javë në vit, është mbase mbetja e vetme emocionuese e një shkolle të një stili shqiptar, ndonëse Shqipëria përmes Mazrekut e ka bartë ate duke e marrë prej të tjerëve. Më shumë se dhjetë herë kam botuar Kodin e Radiokronistit të RAI-t. Askush nuk është ndikuar prej tij. Tash po shkoj më tej: po skicoj “pa stil” një kod më të gjërë, më përimtues të radiokronikës, si të thuash shqiptar, kombëtar, duke pasë parasysh se si e bëjmë ne këte emision për të cilin ende nuk kam mundur të bind as Radio Tiranën që t’i kushtojë një rëndësi më tepër.

    Tek është Kodi ynë me të 35 “nenet” e tij:
    My silence doesn't mean I am gone!

  7. #7
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    VI.

    1. Të që drejton: fol më pak se askush tjetër. Sa më shkurt që të flasësh aq më i dëgjueshëm je. Mos harro se je vetëm në rolin e ndërlidhësit nga njëra ndeshje në tjetrën.

    2. Kur ka ardhur ora e fillimit të ndeshjeve, lidhu me fushën e ndeshjes më të rëndësishme, leni komentet për një herë tjetër.

    3.Kurr mos e thuaj ti rezultatin, por lënia ta thotë radiokronisti i drejtpërdrejtë i fushës ku po zhvillohet ndeshja. Vetëm nëse nuk lidhesh me te mund ta thuash ti rezultatin.

    4.Përdor sa më pak që të jetë e mundur përmendjen “e lidhjes apo moslidhjes së linjave”, apo që “punon apo nuk punon linja”. Këto janë çështje të mbrendshme të Radios, në prapaskenë, paraprakisht. Nëse nuk ke siguruar linjën, mos transmeto nga ai qytet. Lë redaktorin të lidhet herë mbas here në telefon për ndryshimet e rezultatit dhe njoftoje sapo ai të ta japë ty.

    5.Kurr mos thuaj kur nuk lidhesh se “radikronisti filan është mërzitur nga humbja e skuadrës së qytetit të tij”. Kjo sidomos është e palejueshme. Radiokronisti është asnjanës.

    6.Mos e ndërprit radiokronistin pa thënë qartë ai se cila minutë është dhe sa është rezultati. Dhe mos harro: ndërprerjet duhet të fillojnë me “më falni, këtu Durrësi” ose “më falni këtu Elbasani”. Dhe mënjano thënie të tilla si “faleminderit Mazreku”, dhe mos përmend emra. Dëgjuesi don të dijë për cilën ndeshje bëhet fjalë dhe jo se cili radiokronist është në linjë.

    7.Mos përmend emrin e radiokronistit, se kjo nuk ka rëndësi. Përmendi emrat e tyre vetëm në fillim dhe para se të nisin ndeshjet si dhe në fund të emisionit.

    8.Mos thuaj kurr kur kalon nga një ndeshje në tjetrën më tepër se këto shtatë a tetë fjalë: “Dhe tani në Vlorë në ndeshjen Flamurtari – SK Tirana”. Ose diçka edhe më pak se kaq. Mos harro se nuk je ti dhe as radiokronisti më i rëndësishmi. E rëndësishme është ndeshja që po luhet atje dhe rezultati i saj.

    9.Përherë mendo vetëm dëgjuesin, dhe jo zërin tënd, edhe nëse këte zë e ke shumë të bukur. Kujto padurimin e dëgjuesit për të mësuar se cili është rezultati i skuadrës së qytetit të tij.

    10.Kurr mos shpërndaj merita, dhe aq më keq elozhe, të aftësisë së radiokronistit që transmeton. As mos iu bëj kritikë. Këto nuk bëjnë pjesë në radiokronikat.

    11.Kurr mos thuaj “unë dua”, “unë po kërkoj”. Këtu nuk duhet të ekzistojë “uni” yt.

    12.Ji serioz, lakonik deri në skaj dhe gjithnjë vetëm ndërlidhës nga një ndeshje në tjetrën. Jo komentator, analizues dhe gjykues i asaj çka ngjet.

    13.Mos harro se ky emision është thjesht kronikë informative. Komentet në fund, në mbarim të ndeshjeve. Por edhe këto mbasi ke dhënë informacionet e radiokronistëve drejtpërsëdrejti nga fushat përkatëse.

    14.Mos bëj humor me radiokronistët gjatë emisionit. Kjo është e dënueshme nga ana profesionale. Jepi seriozitet të madh emisionit dhe mos lejo që “vartësit” tuaj që janë radiokronistët, të humbasin seriozitetin e radiokronikave e të dalin jashtë rregullores së emisionit, duke i dhënë vetes kompetenca që nuk iu takojnë.

    15.Ti i dashur radiokronist, shko e pakta një orë para ndeshjes në stadium. Merr formacionet, kontrollo kabinën tënde, kushtet e transmetimit dhe njofto menjëherë studion qendrore nëse ke pengesa.

    16.Fillo me fomacionet e skuadrave, jo duke lexuar skematikisht fletën e protokollit, por emrat simbas posteve dhe detyrave taktike që ata mbajnë në ndeshje: “portjer Vogli, mbrojtës i qendrës Fagu, mbrojtës i majtë Halluni”, e kështu me rradhë.

    17. Kur lidhesh gjatë zhvillimit të ndeshjes, fillo vetëm me rezultatin, mos përsërit fjalinë më të mëzitëshme në botë: “Ju flasim nga Stadiumi “X” ku po luhet ndeshja më e rëndësishme e Kampionatit të 69-të Kombtar të futbollit, midis skuadrave “X” dhe “Y” e vlefëshme për Javën e 11-të”. Jo,jo! Se cila është ndeshja e ka thënë ndërlidhësi apo drejtuesi i emisionit. Ti fillo vetëm me këto shtatë a tetë fjalë: “Gjithnjë 1-1 në minutën e 20-të të ndeshjes Besëlidhja – Partizani”. Vetëm kaq.

    18.Gjithmonë fillo dhe mbaro duke thënë minutën dhe rezultatin. Kjo është detyra e yte parësore.

    19.Kur goli nuk ndikon në rezultat, do ta japësh vetëm kur të të thërrasë studio qendrore.

    20.E nëse është shënuar gol tjetër, atëherë thuaj: “Besëlidhja ka kaluar në epërsi 2-1 mbas golit të Bledar Kolës në minutën e 20-të të pjesës së parë, mbas një goditje me krye të një topi të pasuar nga afër prej Ramës”.

    21.Nëse rregullorja e emisionit të lejon të vazhdosh, jep gjykimin e shkurtër për ndeshjen dhe bëj vetëm radiokronikë Nuk ka më të bukur dhe tërheqëse se radiokronika.

    22.Kurr mos e kërko linjën, nëqoftëse nuk ka ndryshuar rezultati dhe nëqoftëse nuk ka dalë jashtë një portjer me karton të kuq. Në raste të tjera prit dhe do të lidhesh vetëm kur të thërret drejtuesi në linjë.

    23.Kur lidhesh mbas do kohe, nëse ka ndërrime lojtarësh tregoji. Nëse ka kartona të verdhë gjithashtu tregoji. Nëse ka karton të kuq jipe menjëherë mbasi ke dhënë situatën e rezultatit.

    24.Mos e kritiko gjyqtarin, sepse në fund të fundit një spektator në tribunë je edhe ti, dhe nuk ke patur kohë të zbulosh gabimin e tij në çast. Mund të japësh protestën e spektatorëve ose një incident që ka ndodhë me gjyqtarin dhe vetëm kaq. Nuk të takon më tepër.

    25.Mos e përmend emrin e drejtuesit të emisionit, se as kjo nuk të takon ty. Thuaj vetëm “studio” dhe kaq. Në radiokronikë përmenden vetëm mbiemrat e futbollistëve dhe të askujt tjetër (kur ka një problem edhe i gjyqtarit). Gjithmonë vetëm mbiemrat e tyre. Emrat vetëm kur në fushën e lojës janë dy apo më shumë lojtarë me të njëjtin mbiemër.

    26.Absolutisht mos harro se nuk është e drejta e yte të përgëzosh një koleg apo drejtuesin e emisionit.

    27.Kurr mos bëj kortezina që nuk të takojnë dhe lëja drejtuesit detyrën e përshëndetjeve dhe të urimeve, i cili gjithashtu mund t’i thotë vetëm në fund të emisionit nëse me të vërtetë ato meritohen dhe vetëm për raste të veçanta.

    28.Mos thuaj “a mund të vazhdoj, ose, a dëgjohem”. As kjo nuk hyn në të drejtën tënde. Vetëm drejtuesi është ai që bën lidhjen dhe ndërprerjen.

    29.Ndalohet të thuash “unë kështu e unë ashtu”. Edhe ti, madje sidomos ti, duhet ta luftosh “unin”.

    30.Nëse je ndeshje e dorës së parë, pra që bën radiokronikë për një kohë më të gjatë, mos harro të përsërisësh rezultatin, siç të ndodh që për minuta të tana nuk e thua.

    31.Eshtë absolutisht e ndaluar të thuash “kemi kohë që kërkojmë linjën”. Nuk vlen. Nuk është informacion. Jep rezultatin e çastit dhe kaq, vetëm kaq! Sepse nuk je ti që komandon linjat. Durim se do të të thërrasin.

    32.Mos merr ti insiativën që në fund të ndeshjes të kërkosh të intervistosh të tjerë, nëse këte nuk e ka rregullorja e emisionit. Dhe aq më tepër, kurr mos intervisto në mes të radiokronikës personazhe të tjerë sado të famshëm që të të duken ty ata. Dëgjuesit nuk i interesojnë intervistat në mes të ndeshjeve, por se çka ngjan minutë mbas minute në stadiumet respektivë.

    33.Kupto se në këte emision të gjithë dëgjuesit janë të paduruar për ecurinë e rezultatit të skuadrës së tyre dhe jo për komentet e miqve tuaj që ke pranë mikrofonit.

    34.Mbaj gjithmonë pranë një radio që të dish të përballosh çdo lloj katastrofe që mund të ngjasë në linjë.

    35.Për sportdashësin e pasionuar të së dielës, radio është mbretëresha: trego kujdesin më madh për gjuhën që do të përdorësh. Mëso, studjo dhe lexo. Ndryshe ky profesion merr fund, ashtu siç ka marrë fund për shumë…
    My silence doesn't mean I am gone!

  8. #8
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    XXX

    Edhe prashtrimi i këtij Kodi i përket romanit tonë dhe kritikës “letrare” rreth tij, kritikë “letrare” mbi Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë.

    Një gjë është: të gjitha këto janë të lidhura me njëra tjetrën, ndikojnë njera mbi tjetrën, dhe në fund të fundit, të gjitha i bashkojnë ato që bashkojnë një roman: “konflikti, personazhet, narracioni, stili”.

    Ky shkrim nuk hyn në të thellët megjithate. Vetëm ravijëzon. Do të presim shkurtin, siç e ka menduar e dashtuna jonë FSHF (ajo që na lë gati 50 ditë pa Kampionat) për të pa se çka do të bëjë Dinamo – “Kampionia e Dimrit” 2007-08; apo nëse Partizani, KS Elbasani, Vllaznia e SK Tirana, mund t’i japin një jetë tjetër festës së përjavshme të shqiptarëve, Kampionatit Kombëtar të tyre qënuk përbën më një festë. Problemet e mëdha janë krejt të tjera nga çka përmban kjo kritikë “letrare” mbi një Kampionat….
    My silence doesn't mean I am gone!

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Manchester, UK
    Postime
    1,079

    Përse futbolli është ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri?

    (marre nga TemA, 22 Prill 2008)

    Nga Besnik Dizdari

    Qysh sot në “TemA” copëza nga “romani” i pabotuar i futbollit të Kampionatit Kombëtar. Si dhe mbi futbollin e folur që sundon futbollin e luajtur

    SPEKTATORET

    Futbolli shqiptar i Kampionatit Kombëtar përjeton një nga periudhat më të varfëra të historisë së tij. Të shtunën, në tribunën karshi të Stadiumit “Selman Stërmasi” kam numruar praninë e vetëm 271 spektatorëve. Nuk di nëse ishin me bileta apo pa bileta. Dhe këte asnjëherë nuk kam për ta mësuar. Sepse Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja në Evropë që nuk regjistron numrin e spektatorëve në ndeshjet, ndonëse e ka për detyrë institucionale. Në tribunën qendrore nuk besoj të kenë qenë më shumë se nja 600 vetë. Çka do të thotë se në ndeshjen më të vjetër të futbollit shqiptar, atë Sportklub Tirana– Vllaznia e Shkodrës kanë qenë vetëm nja 600-700 spektatorë. Them se është vendosur rekordi i pranisë më të pakët të spektatorëve në duelin kombëtar Tiranë– Shkodër. Shumë më pak edhe se sa kanë qenë në ndeshjen e parë midis skuadrës së Tiranës dhe të Shkodës që daton më 1921, plot 87 vjet më parë. Ndërsa me çfarë kanë qenë spektatorët e morisë së pafund të ndeshjeve Tiranë-Shkodër në dekadat e mbasme, krahasimet nuk mund të bëhen. Asokohe, bie fjala në Shkodër, mund të ishin 16.500 dhe në Tiranë 19.500 spektatorë. Eshtë kapaciteti i plotë i stadiumeve kombëtare “Qemal Stafa” dhe “Loro Boriçi” që mbusheshin jorrallë. E dimë që kjo kohë për shumë arësye nuk mund të vijë më kurr. Erdhi kjo e 271 spektatorëve, rekordi më negativ i historisë Tiranë– Shkodër.

    Flakja tej që spektatori kryeqytetas i bën ndeshjes SK Tirana– Vllaznia është një ndër provat më të fundit që vërtetojnë braktisjen historike të ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar prej spektatorëve shqiptarë.

    Ndërkaq, thuajse asnjë spektator në tribunat karshi të Flamurtarit të Vlorës në ndeshjen e tij me Besëlidhjen. E kush, Vlora? Vlora e spektatorëve më fantastikë që ka pasë Shqipëria. Sot Flamurtari është 19 pikë larg Dinamos dhe 17 pikë larg Partizanit, 11 pikë larg Besës, 10 pikë larg SK Tiranës! Kjo është njëra prej fabulave. Sepse ka disa fabula.

    Teuta e Durrësit edhe më keq: 25 pikë larg Dinamos, 23 pikë larg Partizanit, 17 pikë larg Besës, 16 pikë larg SK Tiranës, 14 pikë larg KS Elnbasanit! Në Durrës as nuk pyet më kush për ndeshje futbolli që i përkasin kombit shqiptar.

    Edhe për këto futbolli është ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri.

    Nuk po na pëlqen me u endë përsëri në problematikën e kësaj braktisjeje të papame, sepse, e pakta prej shtatë a tetë vjetësh, në faqet e kësaj gazete ne e keni shtérrun tematikën e gjithë kësaj rëniejeje të interesit për Kampionatin Kombëtar, kur të gjithë të tjerët kanë heshtur. Ne dëshërojmë që në ciklin tonë të përpiqemi për të shkelur paksa edhe një herë në këte rrugëtim të zbehtë dhe të pa emocione të Kampionatit Kombëtar, dukuria apo “fenomeni” (meqë janë kaq të dëshiruara fjalët e huaja në gazetarinë e shkruar dhe të folur të futbollit të sotëm shqiptar), për të cilin, në fund të fundit, qe themeluar dhe ekziston edhe vetë ajo që ka emërtimin historik: Federata Shqiptare e Futbollit, tash së fundi paditësja e shkëlqyeshme e qeverisë shqiptare në FIFA apo UEFA.




    *




    SK TIRANA– VLLAZNIA

    Duke iu kthyer ndeshjes SK Tirana– Vllaznia, si për të dashtë për ta marrë ate si simbol të rënies së futbollit, vërejmë se ajo qe një shfaqje kontradiktore që bartte në vetvete, rënien e pazakontë të stilit të skuadrës shkodrane nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, përpjekjet për kthesë mbas dështimit të madh të SK Tiranës, për t’i bërë kështu një mbyllje të fuqishme stinës së saj tejet “të dyshimtë” 2007-2008.

    E vërteta është se Sportklubi dha një shfaqje të bukur të tij, mbi të gjitha me pesë gola artistikë, të interpretuara plot forcë prej të pabagueshmit Klodian Duro, çuditërisht i frymëzuar prej mendjes krijuese të një 20 vjeçari me emrin Jetmir Hyka, i cili të habit me episodet e tij të rrjedhshëm e të pandalshëm që interpreton. Edhe pse një ndeshje e pabarabartë, tifozët e Sportklub Tiranës, të cilët gjithashtu nuk pranuan të vinin të shtunën në Stadiumin “Selman Stërmasi”, kanë mbetë pa pâ një ndeshje të gëzueshme dhe tejet dëfryese të skuadrës së tyre, të cilën mesa duket, nuk e kanë më të shtrenjtë si dikur. Ndonëse në këte dhjetvjetësh ajo ka fituar 6 prej 10 kampionateve të zhvilluara!

    Edhe kjo mosndjekje apo përcaktim që ka të bëjë me 23 herë kampionen e vjetër të Shqipërisë, për fat, shkon “në të mirë” të rënies së Kampionatit Kombëtar.

    Dhe që më bën të them se futbolli sot është “sporti më i prapambetur në Shqipëri”.




    *




    SKENDERBEU E TE TJERE

    Nuk dua ta besoj, por kur shoh Skenderbeun e Korçës me vetëm 11 pikë në 28 ndeshje, apo që në në 6 ndeshje rresht ai humbet plot 6 (me siguri një rekord i tij edhe ky) edhe më fort bindem se futbolli tash për tash, të paktën është një ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri.

    Mandej i kthehem Teutës së Durrësit që rropatet për të mos e braktisur Kampionatin Kombëtar dhe kur për çdo javë i shoh tribunat e stadiumit të saj (ai mban emrin e një heroi të futbollit të viteve ’30, Niko Dovanës së përkujtueshëm) krejtësisht të boshatisura, prap them se futbolli është sporti më “i prapambetur” në Shqipëri. Dhe kur kthehem edhe më mbrapa dhe shoh Tomorrin e Beratit, i cili po rrezikon të braktisë edhe kategorinë e dytë, atëherë them “lum Skenderbeu”.




    *




    TELEVIZIONI

    Dhe papritmas i kthehem Televizionit, atij Shqiptar i cili me ligj është publik, e vetvetiu, edhe përmes skemës së tij për futbollin e Kampionatit Kombëtar, bindem prap për “prapambetjen” e futbollit shqiptar të sotëm. E vërteta është se Rubrika Sportive për rifillimin e së cilës mbas zhdukjes së dënueshme që i ishte bërë, jam munduar të jap edhe unë një ndihmesë modeste si anëtar i Këshillit Drejtues, ka një gjallërim, sidomos për trajtimin e sporteve të tjerë dhe transmetimet sportive (kujto vetëm transmetimin e ndeshjes së boksit Qato-Vitor Sâ, apo dhe Kampionatin e fundit Evropian në peshëngritje) megjithate ende nuk ia ka arritur për futbollin.

    Duket një kopje e emisioneve të të tjerëve. Katër-pesë vetë të vendosur edhe aty përballë si një mbledhje skematike, biseda “të lira” deri në mungesën e plotë të një boshti gazetaresk apo dhe futbollistik, mënyra më e lehtë kjo për të trajtuar Kampionatin Kombëtar. Dhe pa risi, çka për misionin e tij do t’i takonte tejet TVSH-së. Mbi të gjitha, me një sundim apo përparësi të pafalshme të futbollit të folur ndaj atij të luajtur apo dhe të shikuar në ekran. Në matjet e bëra del 30 përqind figurë e futbollit të fushës, e intervistës së fushës, e mjedisit të saj dhe 70 përqind “diskutime”. Eshtë e çuditshme se si mbërriti puna deri këtu: që në rubrikat për futbollin, të mos spikasë protagonisti i fushës, loja e luajtur, episodet, ngjarjet e veçanta të ndeshjes, kthimi te historia, te kujtesa historike (kujto vetëm arkivin e rrallë që ka TVSH), pa shkuar te komenti redaksional apo editoriali i javës.

    Eshtë interesant! Shoh TV 21 të Kosovës. Dhe në rubrikën e tij për çdo ndeshje ai jep në ekran deri dhe përbërjet e 11-shave të skuadrave, edhe numrin e spektatorëve. Zbaton ligjin e parë të gazetarisë që thotë se gazetaria është informacion, madje INFORMACION me gërma kapitale! Ndërsa në ekranin tonë nuk jepen as emrat e golshënuesve! Dhe me padurim nxitohet te i ftuari në studio sikur të ishte ai vetë Kampionati!

    Asnjëherë në historinë e televizioneve shqiptare nuk ka arritur të bëhet kaq i rëndësishëm, kaq “vendimtar”, kaq “i ditur”, kaq sundues, kaq “i përkdhelur” i ftuari në studio. Kanë vërshuar kohët e fundit në ekran “futbollistët-komentatorë”, dhe ka rënë poshtë figura e gazetarit sportiv. Ky është një problem i madh, të cilin TVSH-së i takon ta ndërrojë menjëherë. Jo për ta braktisur ish “futbollistin – komentator”, por për t’i dhënë atij aq sa i takon. Sunduesja në këtë rast i takon të jetë gazetaria e mirëfilltë sportive. Jo i ftuari si një herë paradokohe ku kishin zënë vend jo pak, por plot pesë “komentatorë” si dhe pesë dinamas “doc”, ndonjeri prej të cilëve vetcitohej si “i përvojës së gjatë që kam në fushën e sportit” apo “kur na prezantuat si personalitete të sportit dhe kështu është”.

    Mbas së cilës vinte përulja e rubrikës që i thoshte: “duke iu referuar atyre që tha shoku (zoti)”. Kur dihet një ligj tjetër që thotë se edhe rubrikat televizive sportive nuk janë për t’i rritur artificialisht vlerën dhe as për t’i përmirësuar biografinë të ftuarit, por vetëm për t’i shërbyer publikut.

    Drejtimi i RTSH, në të vërtetë ka premtuar për një ndryshim tjetër sportiv, të një niveli tjetër, më të lartë. E, shpresojmë se do të marrë përparësinë futbolli i luajtur, jo ai i folur. Ai i fushës së lojës dhe jo ai i studios. Na takon të përpiqemi që rubrika të jetë si të thuash, një model tjetër, ku ta marrë fjalën më fort gazetaria e vërtetë, që nuk bën protagonist biseduesin këmbë mbi këmbë, thuajse me duar në xhepa (si nuk pamë një njeri të paktën me një skedë sado të vogël në dorë, me një të dhënë sado modeste, por gjithçka vetëm “me memorje”?).

    Këto skema që i kthejnë rubrikat për futbollin kombëtar gjoja në “erudicione” specialistësh, të cilët natyrisht mund të jenë të vlefshëm në masën e duhur, por jo deri aty sa të krijojnë kalanë e skemës së gjithpushtetëshme, me sa duket po aq të çojnë te mendimi ynë se sot futbolli është sporti më “i prapambetur” në Shqipëri.

    Sidoqoftë, edhe autori i këtyre rradhëve, ashtu si dhe të tjerët, ka besim te drejtimi i TVSH.




    *




    JAVA 28 e K69K

    Të shtunën që shkoi K69K për pak po shkonte drejt një tjetër rekordi origjinal. Nëse nuk do të kishte shënuar Besa, për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të ndodheshim përpara një jave Kampinati ku gola do të kishte vetëm një ndeshje, ajo SK Tirana – Vllaznia; dhe ku pesë ndeshjet e tjera do të mbeteshin 0-0. Kjo do të thoshte se për herë të parë në histori, 84 përqind e ndeshjeve të një jave Kampionati të Shqipërisë nuk do të prodhonin gola!

    Ndodhi që në 4 prej 6 ndeshjeve nuk pati gola, por qe katër herë 0-0. Ose 75 përqind e ndeshjeve nuk dhanë gola. Numri i përgjithshëm i të cilëve mbërriti në 372 gola në 28 javë. Ose 2.2 gola për ndeshje, mesatarja më e e ulta e 14 Kampionateve të fundit. Kampionati Kombëtar i Shqipërisë ka humbur golat. Asnjë skuadër nuk ka shënuar të paktën 2 gola për ndeshje. Për fat, kemi një skuadër e cila ka pësuar mbi 2 gola për ndeshje: Skenderbeu me mesatarisht 2.40 gola për ndeshje! Ose plot 67 në tanësi! Kampionati e ka “forcën” e golave te pësimi jo te shënimi. Që don të thotë se ai e ka forcën jo te merita, por te dobësia e dikuj…

    Ky është Kampionati i PartizanDinamos, dy dikasterialët e mëdhenj, të cilët, siç e kemi përmendur këto kohë, për herë të parë mbas plot 18 vjetëve mëtojnë midis védi një duel të tyre të veçuar për të rrëmbyer titullin e Kampionit. Hera e fundit ka qenë më 1990, kur Dinamo u shpall kampione përmes duelit të vetëm me Partizanin. Plot 16 herë janë ndodhur Dinamo e Partizani në një duel të këtillë, të luftës mbrenda llojit të tyre, për të rrëmbyer titullin shqiptar të futbollit. 7 herë Dinamo ia ka rrëmbyer titullin Partizanit, ndërsa ky vetëm 1 herë, më 1957 mbas ndeshjes shtesë fundore.

    Të shtunën dy mëtuesit mbetën aty ku ishin: Dinamo 55 pikë, Partizani 53, gjithnjë 2 pikë ndryshim. Dy barazime 0-0 prej të katërve iu përkasin atyre: Shkumbini– Dinamo 0-0 dhe KS Elbasani– Partizani 0-0! Shtérrimi i futbollit. E bukura e këtyre ndeshjeve? Sepse pati spektatorë. Natyrisht kurrsesi stadiume të mbushura. Në Shqipëri sot asesi nuk mund të ketë më stadiume të mbushura. Lamtumirë një herë e mirë tifozit të madh!

    Të shtunën ndodhi përfundimisht largimi i Skenderbeut të Korçës prej Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, të cilit Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë emërtimin johistorik “Superligë”. Një togfjalësh jo i gjuhës shqipe. Nuk mund të mbulohet varfëria e një Kampionati me imitime kësisoji “pseudomoderne” dhe johistorike. Italia i thotë “Serie A”, Gjermania “Bundesliga”, Anglia “Premiership”, Franca “Ligue 1”, Spanja “Primera Division”. Shqipëria në madhështi: “Superligë”!

    Kur ende nuk e ka themeluar Ligën. Dhe kur asgjë nuk është “super” në Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, i cili përjetësisht është quajtur “Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë”, emërtim të cilin duke zhdukur e ngatërruar një histori të tanë, FSHF ia ka kaluar Kampionatit të Kategorisë së Dytë!

    Kështu, padashur kaluam në përsëritje, gjëra që i kemi shkruar njëqind herë. Më tepër se kaq nuk mundemi, sepse mund të cënojmë pavarësinë e jshtëzakonshme, më të madhen në histori që gëzon Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ia ka mbushë mendjen FIFA-s se po i ndërhyhet politikisht…

    Dhe… mjaft me kaq. Nuk kemi dëshirë të përfshihemi në “politikën e apolitikës” së futbollit “super” të Shqipërisë.

    Sidoqoftë, në këte fund, Kampionati i 69-të mbase papritmas mund të bëhet tërheqës; thjesht për shkak se dueli Dinamo– Partizani, për fatin e tyre të keq me numrin më të paktë të ndjekësve në historinë e tyre të lavdishme që iu ka dhuruar plot 31 prej 69 Kampionateve zyrtarë të Shqipërisë, vërtet mund të ndizet. Por kurr si dikur, natyrisht!...

    Të shtunën atyre iu afrua Besa e Kavajës në 6 dhe 8 pikë, nga 8 dhe 10 që ishte. A mund të guxojmë ta përfshijmë praktikisht mëtuese të titullit edhe Besën e Kavajës, e cila ka kryesuar 4 javë të këtij Kampionati? Pa retorikë: për të ndodhur kjo, duhet që më e pakta në pesë këto javë, në tre prej tyre PartizanDinamo të humbasin nga 3 ndeshje dhe Besa e Kavajës të fitojë e pakta katër. Do të kishim një sensacion evropian të futbollit. Ndonjëherë edhe kanë ndodhur këto kthesa në kampionatet shqiptare. Ndodhnin asokohe kur nuk kishte skuadra pa më të paktën nja katër a pesë burra të vërtetë futbolli për secilën. Sot Kampionati i Shqipërisë me sa duket, ka vetëm një skuadër të kësisoj burrash: Kastriotin e Krujës: 28 pikë të fituar, 8 fitore, 5 barazime pa luajtur asnjë ndeshje në fushën e vet, pa përftuar as praninë as duartrokitjet e spektatorëve të vet. Duhet të jetë edhe ky një rekord evropian i stinës që skuadra krutane e drejtuar në 28 ndeshjet e saj prej trajnerëve V.Bici dhe R.Ndreu, meriton ta zotërojë. Nëse qëndron në Kampionatin Kombëtar, pra nëse nuk bie, i takon çmimi i veçantë i Federatës Shqiptare të Futbollit.

    Mirëpo, çmime kësisoji nuk i gjen te Federata Shqiptare e Futbollit.




    *




    FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT

    Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka çmime. Ajo është ndër federatat më të varfëra në çmime. Ajo është një rutinë e tanë: Kampion, Nënkampion dhe kaq. Nuk dimë nëse i jep një shéj nderimi vendit të tretë. Nuk di a i jep një Kupë kryeshënuesit të Kampionatit. Ajo nuk ka as dëshirë dhe as njerëz që të marrin modele prej Federatave të tjera të futbollit në Evropë. Ajo vetëm kopjon emërtime kozmopolite që cënojnë gjuhën shqipe: “Superligë”!

    Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ia shohim flamurin as në ndeshjet e Kampionatit Kombëtar, ndonëse ka fituar pavarësinë më ekzemplare (shembullore) që ka patur ndonjëherë në histori. Nuk ia shijojmë kulturën e plotë të një ndeshejeje. Madje të asnjë ndeshjeje. Kampionati Kombëtar i Shqipërisë vërtet është “më i prapambeturi”. Ai është i vetmi në Evropë ndeshjet e të cilit nga ana e publicitetit janë shurdhmemece unikale (vetanake). Asnjë botim (fletë) për ndeshjen, asnjë informacion, asnjë qendër zëri që krijon mjedis dhe informacion së bashku. Asnjë kujtim apo përkujtim historik sado episodik që të ishte. Asnjë tingull jehone. Asnjë rregull mirëfilli në stadiumet. Tribunat e ashtuquajtura VIP, pa VIP. E kush nuk ulet në tribunat qendrore të stadiumeve shqiptare. Pluhur. Dhe asnjë stadium me sallë shtypi apo kushtet më normale për gazetarët. Ndonëse FSHF gëzon pavarësinë më të plotë që ka pasë ndonjëherë në histori.

    Nuk mund t’i bëjë asesi të gjitha këto, që të tjerët i kanë në rregullore. I ka pasë në rregulloret e veta edhe Shqipëria në Kampionatete e Mbretërisë. Vitet ’30. Madje edhe detyrimin për ekzekutimin e Himnit Kombëtar, siç e kanë sot mjaft Kampionate Kombëtare të disa shteteve.

    Komiteti Ekzekutiv i tashëm i FSHF nuk mund t’i plotësojë shumë prej këtyre kushteve…




    *




    KOMITETI EKZEKUTIV I FSHF

    E para e të gjithave: ai nuk është kombëtar, përderisa 90 përqind e anëtarëve të tij janë kryeqyetas. Ai nuk është përfaqësues i mbarë Shqipërisë, madje as i dy tre klubeve kryesorë futbollistikë të Shqipërisë (Shkodër, Elbasan, Durrës, Kavajë) Ai është vetëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, i kancelerisë së saj dhe e ka të vështirë që, kështu siç është, të marrë vendime kombëtare. Ai është një Komitet që mund të marrë vendime teknike mirëfilli e ndoshta dhe financiare. Por e ka të vështirë të marrë vendime shqiptarije të futbollit. Ai ka një dinamovizim që nuk e ka pasë as nën diktaturë. Shihni biografinë e anëtarëve të tij.

    I iku Korça. I është larguar Gjirokastra, Po i zhduket Berati. Rrezikon ta braktisë edhe Durrësi. I është shfytyruar Vlora. Ka humbur stili tradicional i Vllaznisë së Shkodrës. Ai është Komiteti që ka bërë më “super” Kampionatin e Kategorisë së Dytë (që e quan të parë) se sa të Parin e vërtetë. Mbrenda tij ky Komitet Ekzekutiv ka anëtarë drejtues të BFSSH-së së Regjimit (dhe jo vetëm kaq, më keq akoma) me të cilët ka guxim të përfaqësohet edhe te Federata e Futbollit të Kosovës. Mendon se edhe kjo hyn të “kompetencat” e pavarësisë së tij. E mu kjo nuk ka të bëjë asesi me pavarësinë e tij. Kjo ka të bëjë me shqiptarinë, me ndjenjën kombëtare, me respektin për Kosovën, e po ta përimtosh paksa më tepër, ka të bëjë edhe me Kushtetutën, që nuk është Kushtetuta e Diktaturës por e Demokracisë.

    Edhe këto janë fragmente disi të përsëritur. Me sa duket prap do t’i përsërisim. Deri sa t’i mbushet mendja Federatës së sotme Shqiptare të Futbollit (mbas saj natyrisht do të vijë një tjetër) se futbolli nuk është i saj, por i Shqipërisë. E thotë vetë emërtimi: Federata Shqiptare e Futbollit.

    Të shtunën tabela e Renditjes nuk u tund nga istikami. Ndërruan vetëm vendet 4-5, ato SK Tirana - KS Elbasani. Çka duket si qëndrueshmëri. Edhe atje poshtë siguria e plotë e largimit të Skenderbeut të Korçës duket si qëndrueshmëri në mjerimin e vet. Teuta, Kastrioti dhe Besëlidhja vetëm 2 pikë largësi. Do të bjerë pa bzâ edhe njëra prej tyre. Ndërsa dy të tjerat do të kalojnë në atë që Evropa i thotë play- out. Kjo është dhe rregullorja tjetër e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka vendosë që një Kampionat të Kombit me vetëm 12 skuadra ta kërcënojë me rënien e 4 prej tyre! Kjo është shpikja e Komitetit Ekzekutiv jo të të gjithë kombit, i cili mbas një mbledhje punërash në zyrat moderne që Federata Shqiptare e Futbollit i ka si ato të Federatës së Anglisë, pat vendosur me një të rënë të lapsit që një e treta e skuadrave të mund të bijen në Kategorinë e Dytë të rréjshme (së cilës Komiteti Ekzekutiv i thotë me prepotencë johistorike Kategori e Parë).

    E gjitha kjo është pasojë e pavarësisë së mrekullueshme që gëzon Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili mbasi e mbylli sezonin e Kombëtares 2-4 me Biellorusinë në Tiranë dhe 1-6 me Rumaninë në Bukuresht, dhe mbasi ka mbyllë gojën dhe ende nuk tregon përse ndodhën këto dy shifra tmerruese të futbollit, kërkon të na lëjë edhe pa Skenderbeun e Korçës, po e po, por (Zot na ruej!) edhe pa Teutën e Durrësit e gati gati edhe pa Flamurtarin e Vlorës. Ashtu siç na ka lënë në mëshirën e gjigandizmit të Kampionatit të Kategorisë së Dytë (që i thotë i Parë) pa Beratin e Gjirokastrën, pa Lushnjën e Fierin.




    XXX




    Këtu mbaron kapitulli ynë i parë i “romanit” të pabotuar të Kampionatit të Shqipërisë. Kapitujt e tjerë do të vazhdojnë javët e ardhshme. Të shtunën që vjen është Dinamo– KS Elbasani dhe Partizani– SK Tirana. Eshtë edhe Besëlidhja– Shkumbini dhe Teuta– Flamurtari. Eshtë edhe Skenderbeu– Kastrioti. Mund të jetë shkatrrrimi i ri i futbollit të Qyteteve të Shqipërisë dhe i tribunave të boshatisura…

    Shpresojmë që herën tjetër të mos nxjerrim prej Arkivit kapitullin tonë “10 vjet ndeshje të shitura në Kampionatin e Shqipërisë”.

    Kujtojmë edhe një herë se futbolli është sot ndër sportet “më të prapambetur” në Shqipëri. Biellorusia 1-4! Rumania 1-6! Dhe në 5 edicionet e fundit të Shqipërisë në Kupat e Evropës, ku ajo nuk është matur me të mëdhenjtë, por me të vegjlit e të mesmit e Evropës, bilanci është ky: 60 ndeshje 40 humbje!

    Mos po e nxijmë realitetin, siç thoshte dikur Partia e Regjimit, reminishencat e së cilës do të uronim të mos gjallonin në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit?...
    Lulet edhe mund ti shkelin por Pranveren nuk mund ta ndalin dot.

  10. #10
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Manchester, UK
    Postime
    1,079
    Keto vezhgimet e Dizdarit mua me duken te goditura, por me me vend eshte komenti qe mund te besh: mire e ke ti byrazer po kujt ja thu.
    Lulet edhe mund ti shkelin por Pranveren nuk mund ta ndalin dot.

Tema të Ngjashme

  1. Kurthi gazetarit Mazher Mahmoodt arreston Besnik Qemen
    Nga Shijaksi-London në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 26-12-2008, 10:04
  2. Kush e fiton superligën shqiptare?
    Nga Davius në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 646
    Postimi i Fundit: 11-05-2006, 10:58
  3. Tifozët e Super Kampiones Tirana
    Nga BlueBaron në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 26-02-2006, 22:05
  4. Besnik DIZDARI mbi historine e Futbollit
    Nga erzeni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-06-2003, 17:49

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •