Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Miush modern Maska e miushi
    Anëtarësuar
    04-08-2007
    Vendndodhja
    si thua shpirt te mungoj ndo pak?
    Postime
    217

    Qyteti vetëvrasës

    Qyteti vetëvrasës

    Maks Velo
    04-08-2007
    Qytetet më të vlerësuar kanë një curriculum në vazhdimësi. Saranda ka lindur si fshat, dhe më vonë si një qytet i vogël portual dhe peshkatarësh që më vonë mori dhe funksione administrative. Qyteti i vogël u rivlerësua kur u bënë zbulimet e rëndësishme arkeologjike në afërsi dhe kur filloi të marrë vlera si qytet turistik. Këto funksione duheshin ruajtur në raporte të studiuara mirë. Sot është e vështirë të lexosh kontekstin funksional të qytetit. Nuk është as port, as qendër administrative, as qytet turistik, sepse funksionet janë difuzuar, është prishur proporcioni dhe ekuilibri, i cili çon përpara zhvillimin normal të një qyteti.

    Nëse qelizat nuk ruajnë proporcionet dhe kemi superprodhim vetëm të njërës, atëherë kemi fenomenin vrasëtar kancerogjen. Kjo ngjau me Sarandën. Ndërtuesit po ngrenë një qytet tjetër tërësisht të pastudjuar dhe fantazmë. Saranda është bërë e frikshme. Janë disa qytete tek ne si Tirana, Durrësi, Vlora, por jo në këtë përmasë. Këtu impakti është menjëherë i dukshëm dhe katastrofik. Harxhohet gjithë kjo energji dhe vlerë materiale për të vrarë vetveten. Qytet vetëvrasës si Saranda nuk ka në Mesdhe. Në asnjë vend turizmi nuk bëhet me pallate dhe apartamente. Qyteti është shpërfytyruar.

    Nuk ka asnjë të dhënë sa apartamente banimi të reja po ndërtohen dhe sa është kapaciteti i hoteleve. Ecet qorrazi me një voluntarizëm antishkencor. Kjo sepse sarandiotët mendojnë se do të pasurohen duke shitur apartamente. Dhe qyteti do të rritet nga 25 mijë në 45 mijë. Po ku do të bëjnë plazh këta njerëz? Kur plazhi i qytetit është sa një furkë? Dhe qyteti është pa infrastrukturë, pa parkingje, pa fusha sporti, pa sheshe për lojëra fëmijësh (tani, dy karruselat janë vendosur në rrugë) pa teatro dhe kinema verore. Pa asgjë. Nuk u intereson asgjë. Vetëm të shesin apartamente dhe kaq. Dhe kujtojnë se do të pasurohen. Përse nuk pyesin në Budva si është ky raport, si e ndërtojnë ata infrastrukturën hoteliere?

    Mendoj se ky është gabim i madh i Bashkisë së Sarandës, që do të jetë fatal.
    Që tani në zonën e Hotel Butrintit e më poshtë, nuk qarkullohet dot. Në një rrugë të vetme të ngushtë ecin makinat, njerëzit, pushuesit, fëmijët, kafshët, të gjithë e të gjitha, kamionët, autobusët dhe makinat luksoze. Kështu është dhe në qytet. Festivali i Bandave u bë në rrugë, edhe Kampionati i Bilardos; aty në mes të rrugës ngrihen podiume dhe stadiume... dhe ti pret të vijnë turistë... Hapësirën gjithmonë e konceptoj si një kupolë xhami. Dhe këtë kupolë të padukshme po ta mbash parasysh, të mëson si të ndërtosh brenda saj, si të ruash natyrën, si të lartësosh njeriun me veprën e duhur në harmoni me ambjentin. Dhe se si kjo arkitekturë e lindur nga një urbanistikë sensibël është një mrekulli e krijimit njerëzor, bëhet pjesë, shkrihet dhe pasuron natyrën. Por kur ti Njeri shkel dhe përbuz gjithë ligjet e shenjta të krijimit, pa asnjë respekt e dashuri, kjo kupolë xhami kriset.

    Saranda sipër, nuk e meriton detin poshtë. Ishin dy pjesë në harmoni, tani janë në armiqësi. Qyteti është në armiqësi me malin dhe detin. Vetë godinat e larta që janë ngritur e po ngrihen janë produkt i një kaosi administrativ të bërë qëllimisht nga politika, i një mungese të theksuar morali dhe aftësish profesionale nga urbanistët dhe arkitektët, dhe e një ndërgjegjeje të çoroditur dhe primitive të banorëve. Në modestinë qëndron madhështia e popujve evropianë. Në babëzinë qëndron rënia e popujve të paformuar që vazhdojnë të shfaqin sindroma orientale. Titulli "Qytetar" të jep disa të drejta, por të vë në dukje dhe disa detyrime. Aq sa qytetarët plotësojnë detyrimet, aq edhe ata janë të qytetëruar, janë evropianë.

    Këto detyrime ndaj qytetit të tyre, janë dukshëm të përjashtuara nga qytetarët e Sarandës që kuptohet nuk u dhimbset asgjë, dhe jo më vlerësimet evropiane. Asnjëherë tjetër dhe askund, turistët e huaj dhe vendas, nuk janë tmerruar nga mënyra se si "hahet" mali, si dhunohet, si masakrohet, si shpërdorohet ai. Është shfaqja më makabre e antiekologjisë shqiptare. Dhe aty mbijnë ngjitur me njëra-tjetrën godina të larta betoni që nuk respektojnë asnjë rregull urbanistik.

    Asnjëherë betoni nuk është më dukur kaq kriminal, kaq i shëmtuar, dhe kaq i pamëshirshëm sa në Sarandë. Sa i bukur dhe fisnik është ai gur i bardhë, dhe sa vrasëtar ky beton që prodhon një formë kaq antiestetike. Saranda që ishte shembulli më i përkryer i një zgjidhjeje urbanistike harmonike, u shndërrua në shembullin më të keq të një urbanistike pa asnjë vlerë, veçse asaj kriminale. Ku është Instituti i Urbanistikës? Ku është prezenca dhe kritika e profesoriatit urbanist në Fakultetin e Arkitekturës? Të gjithë fshihen dhe largohen sikur të shohin një vrasje në rrugë.

    Numri më i madh i shfaqjeve në festivalin e Butrintit ishin tragjedi. Por asnjëra nga ato nuk arrinte të më trondiste aq sa pyetja e vazhdueshme që flinte brenda meje dhe nuk m'u nda asnjë çast: Pse nuk jemi në gjendje? Pse nuk jemi në gjendje të bëjmë një gjë të mirë?
    Pse nuk arrijmë t'i afrohemi dot veprës arkitektonike, teatrit të Butrintit, një perfeksion konceptimi dhe zbatimi?
    Pse jemi kaq larg tyre?
    Pse kemi ecur në sensin e kundërt?
    Pse nuk jemi ne para grekërve të vjetër, por jana ata para nesh?
    Si është e mundur që në vend të paraprinim me objekte dinjitoze të kohës moderne, nga Saranda në Ksamil e deri në Butrint, ne i tregojmë çdo turisti një katrahurë dhe një mishmash ndërtimesh të egra?
    A kuptojmë goditjen psiqike që ai merr, traumën që i shkaktojmë?
    Kush e ka fajin?
    Sigurisht që grekët e vjetër jo, ata na e treguan rrugën. Dashuri dhe sakrificë.
    Ne nuk dimë as të duam të bukurën dhe as të sakrifikojmë për të.


    Intervista

    Çfarë ka ndryshuar që nga hera e fundit që keni qenë në Sarandë?

    Saranda është dyfishuar në këto vite, është bërë një qytet gjigant urbanistik dhe arkitektonik. Nëse do të mbushen këto apartamente duhet të vejë deri në 40-50 mijë banorë dhe nga një qytet i vogël po futet në rangun e qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Ky kalim bëhet pa asnjë kriter urbanistik, bëhet pa u mbështetur në studime paraprake të sistemit të rrugëve, të zonave të ndërtimit, të gjelbërimit, të zonës industriale dhe portuale me zonën e banimit. Këtu është shpërfytyruar e gjitha dhe e gjitha shkon vetëm në ndërtimin e pallateve dhe hoteleve. Kaq ngelet nga Saranda.

    Paradite zbritën disa autobusë me turistë në Butrint. Pyetëm një prej tyre, nga Anglia. Pushonte në Korfuz dhe vinte në Sarandë si turist njëditor. Na tha se ajo që i bëri përshtypje nga qyteti ishte stili i ndërtesave: i shëmtuar. Dhe pisllëku. Është e dukshme që Saranda është qytet pa arkitekturë dhe do të jetë i tillë derisa këto ndërtesa do të vazhdojnë të ekzistojnë.
    Këtu, e keqja më e madhe është se në çdo pikë të Sarandës, sheh gjithë Sarandën. Nuk është si në qytetet e tjera që kanë shtrirje horizontale. Këtu i ke evidente si në një foto panoramike të gjitha godinat. Kjo e bën akoma më të rëndë, më të trishtueshme më të pavlerë këtë qytet, sepse mungojnë qoftë projektimet individuale të objekteve, qoftë dhe bashkësia, vendosja. Raportet e tyre njëra me tjetrën, krijojnë një imazh kakofonik. Është një materializim, një ngurtësim i babëzisë, i ligësisë, i egoizimit pa skrupull dhe pa fre që kanë këta njerëz, sepse nuk mund ta trajtojnë qytetin e tyre në këtë mënyrë. Secili mendon si të ngrejë kate përpjetë, i duket sikur ato kate janë pare, prandaj ka ndodhur ky black out prej të cilit nuk vijnë turistët që s'kanë ç'të shohin. Unë për shembull nëse vij, vij vetëm për teatrin e Butrintit, përndryshe ky qytet më krijon një ndjenjë faji që e kam ditën dhe natën. Është si një krim që t'i nuk ia ndal dot dorën një njeriu që sulmon me thikë. Dhe themi si është e mundur që nuk i ndalim dot këta njerëz. Kështu unë ndjej më shumë faj se këta që janë pronarët e objekteve.

    Duket sikur po flasim vetëm për frymën e qytetit në tërësi. Po ç'mbetet të analizohet për ato shërbime jo pak të vogla me të cilat qyteti do t'u shërbente turistëve dhe vetë sarandiotëve. Për shembull parkingjet, gjelbërimin plazhet, porti, shëtitorja. Saranda duket sikur është futur mes dy presave, mes ndërtimeve që janë në mal dhe ndërtimeve që janë në breg.
    Kur ndërtohen qytete të tilla turistike duhet të jenë prioritare edhe objekte të tilla si kinema verore, vende për për të ngritur një skenë. Në Sarandë nuk ka një amfiteatër veror, nuk ka disko të mira, nuk ka hapësirë, nuk ka palzh ku të venë njerëzit, po ngjishen të gjithë, nuk ka një shëtitore të pastër të çuar deri në fund. Përgjatë shëtitores ndodhet varri i Bilal Xhaferrit që nuk e kuptoj ç'do. Ai varr duhet të shkojë tek varrezat. Nuk ka një kujdes për pemët, dhe ato që thahen nuk hiqen, nuk krasiten, nuk ka gjelbërim, nuk ka lule. Këtu dhe ato lule që janë mbijnë vetë në mes të shkëmbit, sepse nuk kujdeset njeri. Pastaj, ajo egërsia me të cilën sulmohet mali, të krijon një keqardhje. Të vjen kaq keq për malin, kur e sheh kështu në këtë formë, që i futen dhe e hanë sikur hanë bukë me djath. Këtu po bëhet një agresion që shkon deri sipër në mal, kur rendimenti më i madh i qyteteve turistike është horizontal. Për shembull Korfuzi ka një shtrirje të tillë, me shtëpi të vogla, sepse secili do të krijojë një intimitet. Këtu janë të gjithë bashkë, ngjishemi e shtypemi, nuk merret vesh, duhet të jesh pronësi e sarandiotëve. Pra në këto kushte ikën personalja, ikën intimiteti, bëhet më keq se kolektivja në kohën e socializmit, bëhet një zhveshje, një shpëlarje totale e vlerës individuale kur ajo që kërkon njeriu është intimiteti në plazh me një person, intimiteti në natyrë.

    Si ka qenë ajo atmosfera me aromën e Sarandës së shtëpive dykatëshe, si e mbani mend.
    Për herë të parë kam ardhur në Sarandë në vitin 1957 dhe kam një vizatim të një mulliri të vjetër që ka qenë në breg të detit, një mulli me ujë dhe më pas ishte çentrali. Saranda ishte një gjë e mrekullueshme, ishte e ruajtur, ishte një shkallëzim, kishte një studim urbanistik shumë, shumë të mirë, me shkallare që shkonin sipër dhe ti shihje malin, dhe kur zbrisje shihje detin. Kishte një lidhje shumë organike të detit, me rërën, me bregun, pastaj me pjesën e shëtitores, të shkallares. Gjithçka shpërndahej si me aorta, si me enë gjaku nëpër shtëpitë, dhe krijohej një komunitet shumë i bukur në hapësirë. Kishte një liri dhe korrente ajri. Tani të gjitha janë bllokuar. Është bërë një bllokazh total si një emboli urbanistike. Ky qytet nuk merr dot frymë. Pikërisht këtë nuk na rekomandonin në vitet '92-'94 arkitektë të huaj duke na thënë kujdes betonin. Ne bëmë të kundërtën. Dhe shembullin e mirë konkret e keni tek Kalaja e Lëkurësit që është ndëruar me gurë, me kollona guri, me dru.

    Pikërisht nga këtej thoni se mund të shohësh Sarandën ashtu siç duhej të ishte. Po si mund të ishte Saranda?
    Saranda mund të ishte e shpërndarë anash në breg, majtas deri në Butrint dhe djathtas deri nga Borshi dhe të ishte me shtëpi të vogla, me lokale, me porte të vegjël, me rrugë, me hotele deri në tre kate, shtëpi deri në katër kate. Kështu do të ishte bërë nga perlat e Mesdheut. Fakti është që tani është e kundërta dhe ata që kanë mend dhe dinë të operojnë ashtu siç ka ndodhur në Mal të Zi apo si në Greqi. Prandaj këto vende i marrin të gjithë tursitët që kur vijnë, vijnë vetëm për Butrintin. Dhe për të shkuar aty rruga është me një kalim. Ka gjithnjë rrezik që të bjerë autobusi i tursitëve. Asnjeri nuk vë dorë kur zgjerimi i rrugës është shumë i lehtë sepse është mali nga njëra anë.

    Ka akoma kohë të ndreqen gjëra të mundshme si porti, sistemi i rrugëve, një itinerar tragetesh.
    Për mua duhet të bërë një gjë. Duhen bllokuar ndërtimet në këtë fazë që janë, duhet krijuar një komision shtetëror për këtë punë. Të krijohet në grup i mirë nga Instituti i Urbanistikës që ta marrë në studim dhe njëherë për të parë çfarë mund të shpëtohet në këto 2500 leje që ka dhënë bashkia në vitin 2000. Të paktën të mos vazhdojë kjo barbari, kjo çmenduri betoni që të duket sikur je në një psikiatri betoni dhe të pkatën çfarë mund të rregullohet. Ose pastaj kjo të vazhdojë si një katastrofë që është e pashembullt. Sigurisht, do ishte shumë mirë zgjerimi i portit ku tani janë dhënë lejë për pallate; vënia e një trageti Himarë-Vlorë-Durrës që gjatë sezonit veror ose kur deti është i qetë, do ishte një gjë kaq e bukur ku ti kalon dhe sheh gjithë bregdetin. Nuk janë gjëra kaq të vështira dhe me përfitim. Nuk e marr vesh pse me autobus bëhet kjo punë dhe me traget nuk bëhet.

    Ju vetë, si keni kaluar këto ditë në hotel, si është shërbimi.

    Sipas asaj që shoh unë, ka dy kategori të prera që janë këta këtu, pra sarandaiot me qytetin e tyre, dhe raporti i atyre që vijnë. Raporti i sarandiotëve është i çuditshëm, nuk bëhen merak fare, nuk u intereson qyteti. Raporti ynë, i atyre që vijnë me këtë qytet është si një makinë që po bie në greminë dhe nuk po e mbajmë dot. Është e trishtueshme. Të ngjall një ndjenjë faji, një ndjenjë përgjegjësie, në ndjenjë paaftësie totale si shtet, kupton tërë rezultatet e një 17- vjeçari që mund të kish qenë shumë, shumë më i mirë. Nuk ka ndodhur për mungesën e aftësive profesionale, për mungesën e cilësive njerëzore, dhe defekteve të mëdha që kemi ne në ndërgjegje në raportin me natyrën dhe me tjetrin dhe që kujtojmë se të kesh pesë apartamente si pronë, mund të sakrifikosh çdo gjë. Por nuk është kështu. Mjaftojmë të kuptojmë se vendet tursitike e kanë përfitimin në ruajtjen e vlerave të natyrës dhe të vlerës natyrore që i ofron turistit, ndërsa banimi duhet të jetë i dyti, i fshehur, jo aq evident. Shërbimi duhet të jetë shumë i butë, shumë i mirë, atëherë vijnë tursitët. Këtu është një shërbim agresiv.

    Qarkullon një teori se bregdeti shqiptar mbetet akoma i virgjër dhe është normale të kemi dy tre pika të mbipopulluara për të shpëtuar pjesën tjetër.

    Këto janë 100% justifikime. Ne nxjerrim lloj-lloj teorish për të justifikuar krimet që bëjmë. Për shembull ju e mbani mend se ka gjithë ato teori për të justifikuar piramidat financiare. Kjo është një piramidë. Por nëse ajo e para ishte vërtet një humbje e jashtëzakonshme, por ishte një humbje që me vitet edhe harrohet dhe familjet kompesohen pak e nga pak, kjo piramidë betoni nuk rregullohet dot më. Ne nxjerrim teori të tilla edhe për Tiranën, edhe për Vlorën. Për çdo faj që bëjmë ka gjithmonë një teori nga ne, në kundërshtim me gjithë teoritë normale të provuara shkencërisht nga urbanistika dhe arkitektura botërore. Edhe sikur të thoshim se Sarandën po e bëjmë të mbipopulluar nuk është ky mbipopullimi. Mbipopullim nuk do të thotë katastrofë urbanistike. Mbipopullim do të thotë ndërtime më shumë, më të mira për një një sasi të madhe njerëzish. Por nuk justifikohet shkatërrimi urbanistik dhe mungesa e vlerës së arkitekturës me mbipopullimin.

    A ka zgjidhje?

    Sigurisht që tani nuk ka zgjidhje. E pata thënë edhe atëhere më rastin e ndërtimit të dy kullave në Bulevardin e Tiranës që nuk ka zgjidhje. Dhe vazhduam me kullat ne, ashtu siç bëmë tani, me aprovimin e projektit të Parlamentit mbi ish-Komitetin Qëndror, sepse ne gjithmonë nxjerrim teorira. Shkurt, për Sarandën, zgjidhje e vetme është ndalimi i katastrofës në këtë pikë që është.

    Bisedoi Elsa Demo

  2. #2
    Canna-log Maska e Artson
    Anëtarësuar
    24-07-2007
    Vendndodhja
    Loading...
    Postime
    416
    Hiberbole e gjetur...
    Kur jam rrethuar nga njerëz të vegjël s'ndjej madhështi, por mjerim! M.Roçi

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    jo nuk eshte hiperbole por realitet..
    mirpo problemi eshte se ki maks velua qe hedh shashka ne drejtim te bashkise se sarandes.. (meqe kryetari saj eshte i pd-se dhe maksi vet i selise roze te edvinit..) eshte vete nje nga regjisoret e vetvrasjes se qytetit me te vetvrare te shqiperise..tiranes se edvinit.. i te cilit edvin ki maksi eshte zagar besnik ..

    gjigandeve te betonit qe nderton tirana gjat ketyre viteve asnjehere nuk ju be nje kritik nga maks velua.. ky piktor e artist e arkitekt i njohur..
    ndersa sarandes mund tja absorboje deri diku deti i madh qe e ka 2metra larg pluhurin ..pordhet e squfuro plumbo gazo karbonet ..tiranes se ngrate qe eshte ne lengate ska ci ben lana mikroskopike.. pra nuk e lan dot gjemen kanceroze qe prodhojne miljona helm- prodhuset makina..
    projektet velo-iste edviniste mrikokordheliste.. pseudo franko hollandiste.. batacki iste.. mjafton ti shikosh nje here e te ze tmerri.. kur ja sheh qarte synimin kancero sjelles te atyre maketeve te shemtuara..qe kan vetem nje llogjik.. superfitimin.. e mafies qe kullot nen bo.let e edvinit ..padronit te maksit..

    prandaj dhe shkrimi i maksit per saranden nuk ndergjegjeson dot njeri sepse eshte shkrim i nje skenaristi te aktit te vetvrasjes se vet kryeqytetit tone..
    pra shkrim i nje batakciu..
    ky shkrim eshte tepke si nje shkrim i mikut te maks edvinit te para ca javeve.. pra i ardo klosit per tiranen.. ku ardua i klosit raketon nje kryetar minibashkie te katundit shkoz si shkaktar te kanceroizimit te tiranes.. e kur te dy si maksi si ardiani e din se.. (sic e dim dhe ne) e kan aty ne bashki tek sahati autorin e vertete te gjemes..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 11-08-2007 më 02:29

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    12-07-2006
    Vendndodhja
    tirane
    Postime
    856
    o brar ...c'lidhje ka edvini me kete shkrim...??
    eshte e vertete dhe e trishtueshme ajo qe thote ai per saranden...ndoshta mund te mos ne vije mire... pasi te gjithe e dime se ai e thote te verteten e hidhur pa e zbukuruar fare dhe me shume agresivitet... po fundi i fundit c'rendesi ka se miku i kujt eshte...te dyja qeverite kane treguar nje drite-shkurtesi te pashoqe per sa i perket ndertimeve pa shije... dhe pa kurrfare plani urbanistik...
    duhet t'a ndash militantizmin nga gjykimi mendoj une...

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e pellumbi
    Anëtarësuar
    30-04-2005
    Postime
    320
    e drejte! hahah
    Nese ajo qe do te thuash nuk eshte me e mire se heshtja atehere me mire hesht.

Tema të Ngjashme

  1. Dardani apo Kosovë
    Nga Statovci në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 15-06-2018, 11:31
  2. HISTORIA E QYTETEVE SHQIPTARE (edmondfieri)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-03-2008, 14:28
  3. Ilirët - diskutimi mbi ta
    Nga Leonard Alili në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 111
    Postimi i Fundit: 10-10-2006, 16:02
  4. Burreli, qyteti me më shumë viktima në ‘97
    Nga FLORIRI në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 19-05-2005, 08:24
  5. Del nga dheu qyteti 2000-vjeçar i Adrianopolit
    Nga shoku_sar në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 18-08-2003, 04:46

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •