Sherifi: Edi Rama është si Stalini

“Sot, PS është ndarë në mënyrën si konceptohet drejtimi i partisë. Kjo është një ndarje e madhe dhe ka pasojat e saj, ajo është një ndarje reale në parti, që nuk ka të bëjë me organizimin, por me mentalitetin”, - tha dje deputeti Elmaz Sherifi në përgjigje të deklaratës së kryetarit të PS, Edi Rama, sipas të cilit Nano nuk është pjesë e projektit të tij politik. Përjashtimi i 6 deputetëve socialistë nga radhët e PS për Elmaz Sherifin dëshmon, se Edi Rama ka konceptin se, “sa më pak të jemi, aq më të fuqishëm jemi”, duke theksuar se në demokraci veprojnë numrat dhe nuk vepron cilësia. “Cilësia më shumë sesa sasia është tezë e vjetër, tezë komuniste, pra ta pastrojmë partinë, duke përjashtuar elementët armiq të saj. Nëse ke 6 deputetë më pak, do të thotë se ke 6 numra apo armë më pak, do të thotë që i jep mundësi mazhorancës që ajo të miratojë ligjet me shumicën e nevojshme, pasi këta që t`i i përjashton, mund të bashkohen me mazhorancën”, - tha deputeti socialist Elmaz Sherifi. Ai e krahason Ramën me Stalinin, duke theksuar se Nano nuk përfaqëson vetëm veten e tij, por historinë 15-vjeçare të PS. “Unë nuk jam i befasuar nga deklarata e Ramës, pasi kjo është një tezë e vjetër që më kujton tezën e famshme: “Kur themi Lenini, nënkuptojmë partia”. Nano nuk përfaqëson vetveten, për faktin se ka qenë 15 vjet kryetar i PS. Ai ka kontributet e tij reale dhe pozitive në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, në transformimin e PS në një parti me parime demokratike, në një parti që u pranua në Internacionalen Socialiste. Mbi të gjitha, Nano ka drejtuar ekzekutivin shqiptar dhe si kryetar i PS ka qenë në krye të kësaj force politike, ku PS ka drejtuar për 8 vjet”, - tha Sherifi.

Deklarata

I radhitur që herët në grupin e mbështetësve të Nanos në PS, Elmaz Sherifi mendon se Fatos Nano në krye të PS është zgjidhja e më e mirë dhe e vetme, pasi, sipas tij, Nano ka dëshmuar se di të mbajë ekuilibrat dhe të garantojë demokracinë e brendshme në parti. “Kam qenë mbështetës i ish-kryetarit Nano dhe mendoj se ai do të ishte zgjidhja më e mirë, për vetë kontributin dhe aftësitë e treguara në vendosjen e ekuilibreve politike brenda PS, si dhe mund të ishte një rregullator i institucioneve në shtetin shqiptar. Nano nuk ka prirje diktatoriale, ai është kritikuar për liberalizëm dhe ky liberalizëm është i nevojshëm në Shqipëri”, - tha deputeti socialist. Për çështjen e përjashtimit të 6 deputetëve, të cilët morën pjesë në votimin më 20 korrik në parlament për zgjedhjen e presidentit, Sherifi mendon se akti i tyre është një veprim i drejtë në përputhje me Kushtetutën dhe se ai vetë është kundër përjashtimit të tyre nga radhët e PS. “Ata kanë vepruar në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin që rregullon marrëdhëniet në parlament. Presidenti duhet të zgjidhet në parlament dhe, përderisa themi se gjërat rregullohen në parlament, zgjidhja më e mirë mes Topit apo Cekës, unë mendoj se më mirë është Topi, pasi ai vinte në mënyrë të natyrshme si mbështetje e partisë së tij, ndërsa Ceka shkoi në votim në mënyrë tepër të pamoralshme, me firmat e deputetëve të mazhorancës dhe me mbështetjen e Ramës dhe forcave të tjera aleate”, - tha dje Sherifi.