Peqin-Arrestohet nëna e një të dënuari me burgim të përjetshëm, pasi tentoi t’i dërgonte djalit drogë dhe celular në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pohuan se Vasilika Kapaj u pikas nga forcat e policisë së burgut, gjatë kontrollit që u ushtrua në ushqimet që ajo do t’i dërgonte djalit të saj 29-vjeçar, Arsen Kapaj. Sapo është konstatuar se në çantat e gruas kishte mjete të jashtëligjshme, është njoftuar policia, e cila ka bërë shoqërimin e nënës së të dënuarit. Telefoni celular është bllokuar menjëherë, ndërsa sasia e gjetur, e cila dyshohet të jetë drogë, është dërguar në laborator, ku do të përcaktohet dhe lloji i saj. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që familjarët e të dënuarve tentojnë të fusin lëndë narkotike në qeli. Ky fakt dëshmon që në burgjet shqiptare ka jo pak përdorues droge.
Kontrolli
Ashtu si dhe herët e tjera, gruaja me trastat në duar të mbushura me ushqime e lëngje, është nisur nga Vlora për në burgun e Peqinit, ku do të takonte djalin e saj Arsenin, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm dhënë në vitin 2001, pa e ditur se do të përfundonte në qeli dhe vet ajo. Celulari që ajo kishte fshehur në mes të ushqimeve, është gjetur lehtas nga policët e kontrollit. Por teksa këta të fundit kanë “rrëmuar” dhe më shumë në çantat e të moshuarës, në plot gjashtë kuti shkrepseje kanë gjetur disa doza droge, sasia e të cilave nuk është përcaktuar ende. Për këtë fakt janë vënë në dijeni eprorët e burgut dhe forcat e policisë së Elbasanit. Këta të fundit kanë shoqëruar për në ambientet e komisariatit 50-vjeçaren Kapaj, e cila është marrë në pyetje për disa orë me radhë, ku dhe ka pohuar se drogën dhe celularin me kartën rimbushëse do t’ia dërgonte të birit. Ajo nuk ka pranuar të ketë dërguar ndonjëherë më parë në qelinë e djalit të saj drogë, por këtë herë ai e kishte detyruar, pasi nuk kishte mundur ta siguronte “mallin” në asnjë rrugë tjetër.
I dënuari
Arsen Kapaj, 29 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm për vjedhje me armë në bashkëpunim shtatë herë dhe vjedhje me pasojë vdekjen e personit në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën ai është shpallur fajtor nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, ka ndodhur më 23 korrik 1999. Pikërisht këtë ditë, Kapaj ka rënë dakord me mikun e tij Elibion Cenaj, të dalin në aksin rrugor Fier-Vlorë, për të vjedhur të gjithë personat që do të kalonin me automjete në atë rrugë. Për të realizuar qëllimin e tyre, dy të dënuarit tashmë pajisen me nga një armë zjarri tip automatik. Kështu, janë nisur rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe kanë ndaluar plot shtatë automjete, ku nën kërcënimin e armës u marrin pasagjerëve gjithçka kishin me vete. Situata degradon kur njëri nga furgonët nuk ndalon. Në këtë moment, Arsen Kapaj qëllon me armë në drejtim të tij, duke lënë të vdekur një nga pasagjerët e furgonit, Foto Kola. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Kapaj u cilësua fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Miku i tij, Elibion Cenaj vuan dënimin me 18 vjet burg. Arsen Kapaj nuk njihej si përdorues i lëndës narkotike, por një fakt i tillë tashmë duhet konfirmuar nga autoritetet e burgjeve.
gazetashqiptare
Krijoni Kontakt