Mediu i kërkon Qeverisë 11.4 milionë USD pa tender
Modernizimi i forcave tona të armatosura, në prag të marrjes së një ftesë të mundshme për integrimin në NATO, ka sjellë si domosdoshmëri investimin në këtë drejtim me pajisje të reja, që t’i përgjigjen situatës në të cilën jemi.
Adi Shkëmbi
Me këtë argument, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka paraqitur në mbledhjen e fundit të qeverisë një “program të veçantë të Ministrisë së Mbrojtjes për modernizimin e forcave të armatosura - modernizimi i kompletit të pajimeve individuale të ushtarakut të forcave të armatosura”. Ky program synon pajisjen e trupave ushtarake shqiptare me pajisje luftarake, përmes blerjes me prokurim të drejtpërdrejtë nga një kompani turke.
Situata aktuale
Sipas këtij projektvendimi të paraqitur në qeveri për miratim, jepet situata aktuale në të cilën ndodhen forcat e armatosura. “Forcat e Armatosura kanë në përdorim pajisje individuale që i përket brezit të vjetër të këtyre pajisjeve të vjetërsuara dhe të dala jashtë standardeve bashkëkohore të tipit kinez e të prodhimit vendas. Në ballafaqimin me situatat e reja dhe operacionet luftarake që ndërmarrin njësitë e FA të RSH, si pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare në kuadrin e aleancës kundër terrorizmit në Irak, Afganistan dhe në Bosnje, pjesëmarrja në shumë shtabe të NATO-s, si dhe kërkesat në rritje për certifikimin e aftësive operacionale e ushtarake të njësive të ndryshme të FA brenda vendit nga aleanca e NATO-s në prag të marrjes së ftesës për anëtarësim, diktojnë marrjen e masave emergjente dhe radikale për arritjen e standardeve të NATO dhe në aspektin e kompletimit me pajisje individuale të ushtarakut”, thuhet në projektvendimin e paraqitur nga ministri Mediu.
Propozimi
Në këto kushte ku ndodhen forcat e armatosura, kreu i Ministrisë së Mbrojtjes i ka propozuar Këshillit të Ministrave për miratim një projektvendim për blerjen e 31 pajisjeve si helmeta, këpucë me qafa ushtari, xhupa stërvitjeje, çorape ushtari verore, çorape ushtari dimri, çanta shpine e deri te jelekë antiplumb, thika luftimi apo thika xhepi shumë përdorimesh për modernizimin e forcave të armatosura për të përmbushur misionet ku marrin pjesë. Sipas Mediut, realizimi i këtij programi do të bëjë të mundur përmbushjen e një ndër standardeve bazë të një ushtrie moderne, të krahasueshme me ushtritë e tjera të vendeve të NATO-s. Ministri i Mbrojtjes bën të ditur në relacionin e këtij projektvendimi, se blerja e këtyre pajisjeve do të bëhet me një kompani turke, e cila furnizon edhe forcat e armatosura të Turqisë. “Nga analiza e ofertave që janë grumbulluar, rezulton se oferta turke paraqet lehtësira, të cilat nuk i ofrojnë shtetet e tjera. Realizimi i këtij programi me palën turke sjell si pasojë një shpejtësi të menjëhershme në përmbushjen e nevojave urgjente në këtë fazë dhe garanton një cilësi të lartë në nivelin e standardeve të NATO-s”, thuhet në relacionin e këtij projektvendimi. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky program i veçantë do të kushtojë 11.4 milionë dollarë, shpenzime të cilat do të përballohen nga buxheti i ministrisë.
Pajisjet e propozuara për t’u blerë
Helmetë 8470-27-008-0097
Këpucë me qafa ushtari
Xhup stërvitje
Çorape ushtari verore
Çorape ushtari dimri
Çanta shpine
Tuta të gjata
Uniformë stërvitje kamuflazhi
Bluza ushtari me mëngë të shkurtra
Bluza ushtari me mëngë të gjata
Rrip pantallonash me thurje kaki
Pagure alumini
Rrip mezi ushtari me thurje (kaki, najlon)
Jelek-gjoksore kamuflazhi
Shtresë dysheku alpin
Dyshek alpin
Komplet pajisje të kombinuara portative kazma-lopatë
Këllëf për komplet pajisje të kombinuara portative kazma-lopatë
Kostum kundër shiut
Paket individuale shëndetësore
Jelek antiplumb
Syze dielli
Thika luftimi
Thikë xhepi shumëpërdorimesh
Jelek rezervuar uji 3 litra
Busull
GSP
Shall
Rrjet maskimi individuale
Elektrik dore
Mbrojtëse bërrylash dhe gjunjësh
Krijoni Kontakt