Shkup /06/08/ 15:15
Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë mbrëmë është granatuar gjatë sulmit terrorist, lajmëroi sot zëdhënësi qeveritar, ndërsa incidentin e konfirmoi edhe policia.
Zëdhënësi qeveritar Ivica Bocevski për Makfaks-in deklaroi se ndërtesa qeveritare është sulmuar mbrëmë gjysmë ore pas mesnatës, me dy granata tromblloni. Ai saktësoi se granatat, kanë qenë me prejardhje nga Afrika e Jugut dhe janë shkrepur nga distanca prej 400 metrave.
Në incidentin s`ka të lënduar, ndërsa ende s`ka informata për dëmin e shkaktuar.
"Qeveria dëshiron t`i porositë të gjithë atë që kanë marrë pjesë në sulmin terrorist se kurdoherë do të përfundojnë në burg. I informojmë sulmuesit se porosia është pranuar, por Qeveria nuk do të lëshojë pe nga politika e saj e deritanishme", lajmëroi Bocevski.
Ministria e Punëve të Brendshme e konfirmoi sulmin dhe paralajmëroi se së shpejti do të dalë me kumtesë. /Makfaks/
![]()
Krijoni Kontakt