Arkeologët sërish në Hadrianopol
Rinisin gërmimet arkeologjike në qytetin antik të Hadrianopolit (Sofratikë) në Dropullin e Poshtëm në rrethin e Gjirokastrës. Ditën e djeshme u bë hapja zyrtare e ekspeditës
Rinisin gërmimet arkeologjike në qytetin antik të Hadrianopolit (Sofratikë) në Dropullin e Poshtëm në rrethin e Gjirokastrës. Ditën e djeshme u bë hapja zyrtare e ekspeditës, në prani të autoriteteve italiane si dhe atyre lokale shqiptare. Për rreth 25 ditë ekspedita e përbashkët, e cila drejtohet për palën italiane nga prof. Roberto Perna, dhe për palën shqiptare nga arkeologu Vladimir Qirjaqi, do të kryejë gërmimet në këtë zonë.
Është vazhdimësi e gërmimeve të dy viteve të kaluara, në bazë të Protokollit të bashkëpunimit, nënshkruar ndërmjet Institutit Shqiptar të Arkeologjisë dhe Universitetit të Maceratës, Itali. Së bashku me arkeologët e këtij universiteti janë edhe një grup specialistësh të Departamentit të Gjeomorfologjisë të Universitetit të Camerino-s, disa specialistë të restaurimit, arkitekturës dhe botanikës nga Rajoni i Markeve si dhe një grup studentësh të Universitetit të Gjirokastrës. Me këtë të fundit Universiteti i Maceratës ka nisur një bashkëpunim shkencor dhe didaktik i pasqyruar konkretisht te tre Protokollet e bashkëpunimit, ku vendin kryesor e zë fillimi pranë Universitetit të Gjirokastrës në vitin e ardhshëm akademik i një Kursi Diplomimi dyvjeçar në “Arkeologji dhe Administrim të Pasurive Arkeologjike”.
Sipas Roberto Perna-s, koordinator italian i misionit “qëllimi i këtij misioni është promovimi i shkëmbimeve kulturore me objektiv formimin e personelit shqiptar të specializuar në sektorin e arkeologjisë dhe në zhvillimin e sektorit të turizmit kulturor në Luginën e Drinos”. Homologu shqiptar në këtë projekt, arkeologu Vladimir Qirjaqi tah se “ky mision zyrtar italian i arkeologjisë, i treti në Shqipëri pas atyre në Foinike dhe në Durrës, është fryt i një bashkëpunimi disavjeçar midis Drejtorisë Rajonale të Monumenteve me Rajonin e Markeve, Itali”.
Gërmimet e këtij viti kanë krijuar në sipërfaqen para teatrit një zonë të gjerë arkeologjikë që mund të vizitohet lehtësisht. Brenda saj kanë dalë në dritë struktura muresh, dysheme, kanalizime dhe shumëelementë të shembur, të cilat për herë të parë bëjnë të mundur studimin e fazave të jetës së qytetit të madh, që nis me themelimin në periudhën e Hadrianit (shek.II pas Krishtit) dhe që vazhdon të paktën deri në shek. VI pas Krishtit. Nga ana tjetër, specialistët e Universitetit të Kamerinos me anë të mjeteve moderne remote sensing (gjeoradar dhe gjeosizmikë) janë duke studiuar gjithë zonën, përfshirë edhe nekropolin.
Pretendimet janë që ky qytet i veçantë antik të shpallet Park Arkeologjik.
Krijoni Kontakt