Shkaku mendohet të jetë ndonjë cigare e hedhur nga ndonjë kalimtar në rrugën e plazhit, ku kanë marrë flakë fillimisht barishtet e thara e më pas shkurret.
DURRËS - Një zjarr ka rënë dje në orët e drekës në rezidencën qeveritare në bllokun e Durrësit, ose siç quhet ndryshe “Blloku”. Ende nuk janë përcaktuar shkaqet e rënies së këtij zjarri, por një grup hetimi ka nisur punën. Ndërkohë, dy avionë të cilët i ka marrë qeveria me qira vetëm për rastet e zjarreve, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku pasi mbusheshin me ujin e detit, shkarkoheshin në vatrën e ndezur.
ZJARRI
Flakët kanë përfshirë pjesën e gjelbëruar, që në vetvete është një pyll i vogël me pemë të larta, por që ka dhe një brez të lartë shkurresh, të cilat janë përfshirë gjithashtu nga flakët. Meqenëse blloku ruhet nga forcat e Gardës Kombëtare, ata kanë dhënë menjëherë alarmin pranë institucioneve antizjarr dhe kanë vënë në lëvizje jo vetëm zjarrfikëset, por dhe dy avionë të marrë me qira nga qeveria shqiptare enkas për shuarjen e zjarreve. Kanë qenë pikërisht këta të fundit, të cilët duke shfrytëzuar ujin e detit, janë furnizuar pikërisht aty dhe janë shkarkuar disa herë mbi pyllin që po digjej. Fillimisht, strategjia e atyre që u morën me shuarjen e zjarrit ka qenë izolimi i tij, për të mos lejuar përhapjen, për shkak se fare pranë ndodhen godinat ku pushojnë autoritetet e larta shtetërore, si Presidenti i Republikës, Kryeministri, kryetarja e Parlamentit dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.
SHKAKU
Pas 40 minutash, avionët janë larguar dhe me shuarjen e vatrave të vogla u morën zjarrfikëset e Durrësit dhe të portit detar. Shkaku mendohet të jetë ndonjë cigare e hedhur nga ndonjë kalimtar në rrugën e plazhit, ku kanë marrë flakë fillimisht barishtet e thara e më pas shkurret. Por ndërkohë ka dhe disa dëshmi banorësh të plazhit që jetojnë rreth bllokut. Ata deklarojnë se përpara zjarrit kanë dëgjuar një shpërthim që mendojnë se mund të ketë qenë e ndonjë bombule gazi, e cila nuk dihet se në ç’rrethana mund të ketë shpërthyer, duke i vënë zjarrin bimësisë së rezidencës. Ekspertët po punojnë për të përcaktuar shkakun, pasi nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë shkëndije elektrike.
Zona e bllokut qeveritar është 40 hektarë, pjesa më e madhe e të cilit është pyll, dekor. Në të ndodhen vilat qeveritare. Për shuarjen e zjarrit është dashur një orë. Pasi janë larguar dy avionë “Canatair”, lokalizimi i vatrës është bërë me zjarrfikëset. Sipas policisë, zjarri nuk ka shkaktuar dëme në objekte, ndërsa qeveritarët nuk kanë qenë sot për weekend në zonën e Durrësit. Ndërkohë, zjarri ka shkaktuar panik tek pushuesit e shumtë përreth, por edhe në zonën e bllokut qeveritar, duke bërë që të mobilizohen përnjëherësh shumë struktura, derisa vatra e zjarrit është vënë nën kontroll.
Artur Korriku
Krijoni Kontakt