Lac- Lind një gic me dy gojë, një sy dhe me njërin vesh më të shkurtër se tjetrin. Rasti i rrallë është shënuar mëngjesin e djeshëm në lagjen nr.2 të qytetit të Laçit, në një kompleks derrash në pronësi të Luigj Bushit. Fermeri që prej kohësh merret me mbarështimin e derrave ka shtangur nga habia, kur vënë re se gici i sapolindur kishte anomali të theksuara dhe të pa hasura ndonjëherë në rrethin e Kurbinit. Ai ka lajmëruar menjëherë veterinerët si dhe Drejtorinë e Bujqësisë së Kurbinit. Specialistë të këtij institucioni janë shprehur se është hera e parë që në këtë zonë lind një gic me pamje të tillë, ndonëse raste të tilla nuk përjashtohen nga mjekësia. Sipas veterinerëve, anomalitë e konstatuara tek gici mund të jenë shkaktuar nga ndotja e madhe e ambientit të qytetit të Laçit nga mbetjet e uzinës së bakrit. Ndërkohë, fermeri përjashton mundësinë që prindërit e të voglit të kenë lidhje gjinore apo fisnore.
NGJARJA
Mëngjesin e djeshëm, fermeri Luigj Bushi ka pritur lindjen e një dose të cilën ai kishte blerë para disa kohësh në Mal të Zi. Në lindjen e saj të parë, kafsha ka sjellë në jetë 9 gica, ku njëri prej tyre me anomali të theksuara. Mbarështuesi i derrave ka mbetur pa fjalë, kur vënë re se i sapolinduri kishte dy gojë. Duke e parë më me kujdes, Bushi ka vënë re se i vogli kishte një sy, pasi në vend të syrit tjetër kishte një qeskë të mbushur me ujë. Habia e tij është shtuar, kur ka konstatuar se njëri vesh i gicit ishte më i vogël se tjetri. “Kurrë s’kisha përjetuar një gjë të tillë. U habita shumë. Defektet që konstatova tek gici ishin të pazakonta, pasi në Kurbin nuk është shënuar një rast i tillë”, - thotë Luigj Bushi. Ai sqaron se derrkuci i sapolindur peshon 800 gram dhe i është i gjatë 35 centimetër. Pronari i kompleksit të derrave u ka treguar të afërmve të tij për ngjarjen e pazakontë dhe më pas ka njoftuar dhe specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë. “Lindja e një gici me anomali të theksuara duhet të studiohet nga veterinerët dhe të gjenden shkaqet. Prindërit e të sapolindurit nuk kanë lidhje gjinore, pasi dosën e kam blerë në vendin fqinjë, kurse derrin në një kompleks mbarështimi në Mamurras”, - sqaron Luigj Bushi.
SPECIALISTËT
Në kompleksin e derrave në pronësi të Luigj Bushit, kanë shkuar veterinerët, të cilët kanë parë nga afër gicin e sapolindur dhe që kishte shumë anomali. Sipas tyre, një lindje e tillë mund të jetë shkaktuar nga ndotja e madhe e ambientit në qytetin e Laçit. “Është rasti i parë që në Laç lind një gic me një pamje kaq të deformuar. Por, të tilla raste nuk përjashtohen nga mjekësia”, - është shprehur veterineri Gëzim Dika.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt