Shkoder, Vret me plumb në kokë shokun e ngushtë
Teksa ka parë nënën e fëmijës së tij tek pinte kafe me shokun e tij të ngushtë Çoba ka “fshirë” nga mendja fëmijërinë e kaluar me Gavoçin
Shkoder-Xhelozia për ish-bash ëshorten, me të cilën ishte divorcuar prej disa muajsh, i ka errur sytë dhe humbur arsyen deri në marrëzi. Teksa ka parë nënën e fëmijës së tij tek pinte kafe me shokun e tij të ngushtë në një nga lokalet e plazhit të Velipojës, Andrea Çoba ka “fshirë” nga mendja vitet e fëmijërisë dhe të rinisë që kishte kaluar së bashku me Ernest Gavoçin. Në një moment lajthitjeje, kur ndihej tejet i fyer, 29-vjeçari ka qëlluar me një plumb në kokë Gavoçin dhe me dy të tjerë në trup duke e lënë këtë të fundit të vdekur në vend.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në aksin rrugor Velipojë-Shkodër e pikërisht në afërsi të fshatit Trush. Vrasja e 28-vjeçarit ka alarmuar efektivat blu të Komisariatit të Shkodrës. Forca të shumta policore janë vënë në ndjekje të autorit të krimit, që është shpallur në kërkim. Brenda pak minutave, policia dhe prokuroria kanë zbardhur plotësisht ngjarjen dhe motivin e saj. Kjo edhe falë dëshmive të dhëna nga dy shoqe të ngushta të ish-gruas së Çobës. Dy femrat kanë përjetuar momentin e vrasjes së viktimës, i cili po i shoqëronte me makinën e tij nga plazhi për në qytetin e Shkodrës.
NGJARJA
Paraditen e së enjtes, dy shokët: Ernest Gavoçi dhe Andrea Çoba kanë shkuar për të kaluar disa orë pushimi në Velipojë. Në orët e pasdites, Gavoçi është shoqëruar në një nga lokalet e këtij plazhi me ish-gruan e Çobës (Ertiolën) dhe dy shoqet e saj.
Ky fakt është vënë re nga 29-vjeçari, i cili ka marrë disa herë në telefon shokun që të mos shoqërohej me ish-bashkëshorten e tij. Ndërkaq, në orët e vona të natës, Ernest Gavoçi ka marrë në makinën e tij tri femrat për t’i sjellë në Shkodër. Ky veprim ka acaruar më shumë Andrea Çobën. Ai i ka ndjekur ata me makinë nga pas. Gjatë rrugës, Çoba i ka dërguar dhe një mesazh në celular shokut të tij, ndërsa Ernesti i është përgjigjur:
“Nuk është faji im se ish-gruaja jote më kërkoi që ta shoqëroj për në shtëpi”. Në afërsi të fshatit Trush, Andrea Çoba ka mbërritur me makinë dhe u ka ndërprerë rrugën. Në moment ka zbritur nga automjeti Ertiola. Në debat e sipër, ajo është goditur me shuplakë në fytyrë nga ish-burri i saj. Madje, ky i fundit i ka vënë nënës së fëmijës së tij pistoletën në kokë. Ernest Gavoçi ka zbritur nga makina e tij për të qetësuar shokun e lagjes, por është qëlluar për vdekje me tre plumba pistolete. Ndërsa autori i krimit, ka marrë ish-bashkëshorten e tij me makinë dhe është larguar me shpejtësi.
HETIMI
Krismat e armës kanë shkaktuar panik tek banorët e fshatit Trush, të cilët kanë sinjalizuar policinë. Uniformat blu kanë mbërritur shpejt në vendngjarje dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore janë hedhur në aksion për arrestimin e Andrea Çobës. Ndërsa janë shoqëruar në komisariat dhe dy femrat që ndodheshin në makinën e viktimës. Ato kanë dëshmuar me hollësi për rrethanat e vrasjes, duke bërë të mundur dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Krijoni Kontakt