A kanë dinastitë e pasura trashëgimtarë të lumtur? Disa e kanë quajtur "mallkimi i trashëgimisë", fakti që me gjithë se kanë patur gjithçka në jetë (ndonjëherë më shumë se mjaftueshëm), ata kanë qenë të llastuar, të papërgjegjshëm dhe egoistë. Një biznesmen zotohet se do të japë një bilionë dollarë për bamirësi. Një tjetër familje kërkon trashëgiminë e ndaluar. Të pasurit bëhen të pasur dhe fëmijët e tyre duan të gjithë një copë të tortës. Gazeta "The Independent" boton historitë e familjeve më të pasura në botë, njëkohësisht dinastitë më fatkeqe. Ndërsa do të lexoni për këto histori, do të kuptoni se fjala e urtë "Paratë nuk e bëjnë njeriun të lumtur" merr një kuptim të vërtetë. Paratë jo vetëm që nuk e bëjnë njeriun të lumtur, por ato në disa raste janë burimi i fatkeqësisë. Gati në të gjitha rastet trashëgimtarët më të rinj vuajnë nga abuzimi me alkoolin apo janë narkomanë, si në rastin e John Hervey, markezit të shtatë të familjes Bristol, pasuria e të cilit tani është zhdukur, duke i dhënë fund dinastisë shekullore. Një tjetër trashëgimtar, Charles Churchill, edhe pse vjen nga një ndër familjet më të njohura në botë, dhe në dejet e tij rrjedh gjaku i Winston Curchill, nuk mund të mbajë në dorë as edhe një kuletë. Edhe pse në moshën 51-vjeçare, ai është i njohur për koleksionin më të madh të zakoneve të këqija. Një gjykatës kohët e fundit i dha titullin ironik "një kriminel i zakonshëm", titull që i shkon më shumë se duka i Malborough. Emri i Paris Hilton është më i njohur për publikun shqiptar. Këngëtarja, aktorja dhe trashëgimtarja e 30 milionë dollarëve ka kryer dënimin kohët e fundit në shtetin kalifornian për shkelje të shumta të rregullave të qarkullimit rrugor. Ajo është një ndër femrat më të pasura për momentin, duke u paguar me miliona dollarë vetëm për një dalje televizive, megjithatë edhe fakti se është personazh publik nuk e lejon të bëjë çfarë të dojë. Një ndër familjet e mallkuara është edhe familja Versace. Motra Donatella, kohët e fundit ka pranuar se ka abuzuar me drogën, dhe vajza e saj e madhe, Allegra, trashëgimtarja e pasurisë, sapo ka dalë nga klinika ku është kuruar për anoreksi.
Familja Getty
Jean Paul Getty i vjetri është ai që ka ndërtuar biznesin e naftës së familjes, duke u bërë kështu një nga burrat më të pasur në botë. Ai u martua pesë herë, duke pohuar: "Një marrëdhënie e gjatë me një grua është e mundur vetëm nëse je një dështim në biznes". Gruaja e katërt, Getty, lindi një djalë, John Paul, i riu, puna e parë e të cilit, për të provuar veten, ishte pompimi i naftës për 100 dollarë në muaj. Në vitin '73, John Paul Jr punonte në Romë si kreu i "Getty Oil Italiana" kur djali i tij, John Paul III, atëherë 16 vjeç, u rrëmbye. Rrëmbyesit i kërkuan 3 milionë dollarë. Familja, duke mos i besuar kërcënimeve, refuzoi. Rrëmbyesit i prenë veshin djaloshit. Familja pagoi. John Paul III u traumatizua dhe përfundoi i droguar.
Familja Onassise
Aristotle Onassis fitonte vetëm 23 cent në orë në punën e parë. Në kohën e martesës me vejushën e John F. Kennedy, kishte ndërtuar një perandori detare me vlerë 500 milionë dollarë. Thonë se Onassis ka shpenzuar 20 milionë dollarë gjatë muajit të mjaltit me Jackie-n dhe zotëronte jahtin më të bukur në histori me emrin "Christina", si vajza me gruan e parë, Athina-n. Por bota shpejt iu boshatis pas vdekjes së djalit, Alexandros, nga përplasja e avionit në vitin '73. Christina nuk shkonte mirë me njerkën dhe secila nga katër martesat e saj përfundoi në divorc. Kur Aristotle Onassis vdiq, ajo trashëgoi 55 për qind të pasurisë. Në vitin '88 ajo vdiq. Pasuria i mbeti vajzës 3-vjeçares, Athina, e cila sot në moshën 22-vjeçare është një nga femrat më të pasura në botë.
Familja Fraser
Fraserët e Lovatit është një nga dinastitë më të njohura të Skocisë. Pasardhësi më i famshëm i shekullit të 20-të, heroi i luftës, lordi Lovat. Megjithatë, vitet e fundit nuk kanë shkuar kaq mirë për familjen. Më 21 mars '95, Fraserët u mblodhën për herë të tretë brenda një viti në kishën në Eskadale për një funeral. Ata vajtonin jo vetëm për humbjen e të dashurve, por dhe për shkatërrimin e një pasurie. I pari që vdiq ishte Adrew Fraser, më i riu. I dyti ishte vëllai i zhytur në borxhe, Simon dhe i treti ishte MacShimi. Titulli i mbeti 18-vjeçarit Simon, i cili duhet të paguante 7 milionë paund borxhe të babait. I riu Simon u detyrua të shesë pasurinë "Beayly" për 1.5 milionë paund.
Familja Hilton
Conrad Nicholson Hilton ndërtoi hotelin në El Paso, Teksas, në vitin '30 dhe më pas ngriti zinxhirin e hoteleve më të mëdhenj në botë. U martua tri herë dhe pati katër fëmijë. Kur vdiq në vitin '79, u la vëllezërve që ishin gjallë 250 mijë dollarë secilit dhe 10 mijë dollarë nipërve dhe mbesave. Pronat e Conrad i shkuan Kishës Katolike Romake. Fëmijët e tij dhe trashëgimtarët e tjerë u çregjistruan nga testamenti. Megjithatë, djali i tij Barron luftoi për testamentin në vitin '88 dhe e transformoi vlerën në 335 milionë dollarë. Djali i Barron, Rick, ka një pasuri të tijën me një vlerë prej 300 milionë dollarësh. Ai ka katër fëmijë, Nicky dhe Paris janë më të njohurat. Paris Hilton, përveç 30 milionë dollarëve të trashëguar ka një karrierë mediatike.
Familja Bristol
Kur policia mbërriti në shtëpinë e John Hervey për të hetuar, u përgjigj shërbëtori i tij. Ata kërkonin të flisnin me markezin e shtatë të Bristolit, por shërbyesi u përgjigj: "Nuk ka arsye ta shqetësoni zotërinë. Sapo ka rënë të flejë". Ishte ora 10 e mëngjesit. Lordi Bristol, i cili vdiq papritur në moshën 44-vjeçare, ka shpenzuar 30 milionë dollarë nga paratë e familjes me festa, kokainë, heroinë dhe helikopterë. Kur u pyet nëse burgu i kishte bërë mirë, ai përgjigjet: "Jo! Burgu është për shtresat e ulëta". Burgosja ishte gjenetike. Babai i tij, Victor Hervey, ka kryer tre vite burg për një grabitje bizhuterish. Pasuria e tyre ka marrë fund, por "saga e Bristolëve" jeton. Mbesat e John, Lady Victoria dhe Lady Isabella, janë aktore dhe yje të televizionit.
Familja Mountbatten
Ata janë aristokratë, banues në pronën "Broadlands", prej 6 akrash në Hampshire, dhe janë të afërm të Mbretëreshës Elizabeth dhe princit Philip. Pikërisht në pronën e tyre këta kanë kaluar muajin e mjaltit. Megjithatë, edhe një familje të tillë e prek tragjedia. Në vitin '79, stër-stërnipi i mbretëreshës Victoria dhe dukës së Edinburgut, u vra nga "IRA", ndërsa peshkonte me nipin, i cili gjithashtu vdiq në Gjirin Donegal. Disa ditë më vonë, nipi tjetër Philip u martua me Penny-n, tani Lady Romsey, dhe mori pronën "Broadlands". Një nga vajzat e tyre, Leonora, vdiq nga një sëmundje në vitin '91. Djali i vetëm, Nicholas, po lufton me alkoolin dhe drogën. Edhe pse është trashëgimtari i 100 milionë pafundëve, prindërit e tij e kanë ndalur të marrë trashëgiminë.
Familja Hesketh
Për 150 vjet, familja Hesketh ka pasur në pronësi Easton Neston, një nga shtëpitë më të bukura në Northamptonshire. Në vitin 1950 lindi Thomas Alexander Fermor-Hesketh. Në moshën 5-vjeçare, pas vdekjes së babait, ai trashëgoi gjithë pasuritë e tij. Në vitin 2004, "Easton Neston" duhet të shitej. Paratë i ka shpenzuar duke kënaqur oreksin për ushqim, verë dhe argëtim. Ndër hobet e tij janë garat me motor dhe politika. Skuadra e tij hyri në garat "James Hunt" në F1 dhe F2 në vitet '70 dhe në vitin '80 hapi firmën e tij të motorëve, por ajo falimentoi, duke humbur kështu 1.8 milionë paundët e investorëve. Ministri në qeverinë e Theçerit, Hesketh, u bë drejtori i thesarit të Partisë Konservatore.
Familja Bismarck
Ndonjëherë emri mund të jetë një trashëgimi më e keqe se pasuria. Stër-stërnipi i kancelarit të famshëm të hekurit në Gjermani, Otto von Bismarck, ka bërë një jetë të qetë si avokat dhe ndërtues në Bruksel. Princi Ferdinand von Bismarck merret me marrëveshje nga një kështjellë në Hamburgn, pronë e familjes. Djali më i rritur, Carl-Eduard e përdor emrin e familjes për të treguar ujë dhe cigare. Vajza Vanessa von Bismarck është partnere e një firme të specializuar për artikuj luksi. Por për kontin Gottfried von Bismarck, fëmija i dytë i princit Ferdinand, gjërat shkuan ndryshe. Me emrin e xhaxhait, i cili ishte i përfshirë në kryengritjen kundër Hitlerit, i riu Gottfried e konsideroi emrin e familjes si një barrë. Ai vdiq në mënyrë të mistershme në vitin '06.
Familja Versace
Gianni Versace mësoi të modelojë nga mamaja rrobaqepëse. Në vitin '78 ai hapi dyqanin e parë me ndihmën e vëllait të madh, Santo. Për dy dekada ishte industria më me influencë në botë. Gjithçka ndryshoi në vitin '97, kur Gianni u godit në kokë nga Andrew Cunanan, një gei dhe vrasës serial. Perandoria Versace u nda mes Santos dhe Donatellas. 30 për qind të kompanisë ia la vëllait dhe 20 për qind Donatellas, por 50 për qind të trashëgimisë së Donatellas ia la vajzës së saj të madhe, Allegra, e cila i trashëgoi në vitin '04, kur mbushi 18-vjeç. Allegra trashëgoi 250 milionë dollarë, një vilë në Koma dhe një shtëpi në Manhatan, ndërsa vëllai i saj, Daniel, 16 vjeç, trashëgoi koleksionin e artit, 10 milionë dollarë. Që pas vrasjes së Gianni-t, familja ka qenë në krizë.
Familja Angelli
Prodhuesi gjigand italian, Giovanni Agnelli, themeloi "Fiatin" në vitin 1899, me një investim prej 400 dollarësh. Ai u bë kreu në vitin '20, duke e vënë emrin e kompanisë në librat e historisë. Pas vdekjes në vitin '45, djali Gianni u bë pasardhësi i dinastisë. Në shtëpinë e tyre, familja Angellis ka të njëjtin status të shenjtë që i është akorduar familjes Kennedy në SHBA. Mashtrime, komplote, çmenduri dhe vdekje e papritur ka karakterizuar klanin. Vendasit thonë se familja Agnelli është prekur nga dyfishi i shkatërrimeve më të tmerrshme. Gianni i ka hyrë luftës në vitin '40 dhe është plagosur dy herë. Djali i ti, Edoardo Agnelli u kthye në mysliman pasi studioi fe në Universitetin Princeton. Shumë shpejt u arrestua për trafikim droge në Kenya, por shpejt vdiq.
Familja Hearsts
Kur ishte 10-vjeç, William Randolph Hearst, trashëgimtari i një pasurie minierash, i kërkoi mamasë nëse mund t'ia blinte kështjellën Windsor. I lindur në vitin '63, Hearst krijoi perandorinë më të madhe të gazetave. Në ato ditë, Hearst shpenzoi 50 milionë dollarë në koleksione arti. Ai ishte blerësi i çerekut të objekteve të artit në botë që janë shitur gjatë kohës së tij. Nipërit dhe mbesat e tij kanë vazhduar të drejtojnë gazetën që ai themeloi. Stërmbesa e tij, Patty, është një nga figurat më të famshme. Në vitin '74 u rrëmbye nga revolucionarë politikë. Ajo u dashurua me rrëmbyesin dhe mediat nxorën foto të saj me automatik. Shpejt doli në 10 personat më të kërkuar. Pas shumë burgimeve, presidenti Bill Clinton i dha lirinë.
Familja churchill
John Churchill, duka i parë i Marlborough, kishte në pronë pallatin Blnheim dhe pronat në Oxfordshire që rrethonin mbretëreshën Anne në vitin 1704. Kjo është një ndër familjet që ka prodhuar numrin më të madh të aristokratëve dhe burrave të shtetit, përfshirë dhe Winston Churchill. Trashëgimtari i sotëm nuk është asnjë burrë shteti. Charles James Spencer-Churchill, 51-vjeç, i njohur si Jamie Blandford, është një nga narkotikët dhe paraprishësit më të mëdhenj. Përdorimi i drogës e ka çuar në sallën e gjyqit në shumë raste. Ai është dënuar tri herë. Kaq i shqetësuar ishte babai i tij për sigurinë e pasurisë, sa në vitin 1994 e hoqi nga trashëgimia. Vitet e fundit, Blandford thotë se ka zënë mend, megjithatë askush nuk ka besim t'i lërë një kuletë në dorë.
tiranaobserver
Krijoni Kontakt