Presidenti Bamir Topi ka pritur në një takim pune pasditen e djeshme në Presidencë kreun e qeverisë, Sali Berisha. Në këtë takim, Kryeministri e informoi dhe diskutoi me Presidentin për një seri problemesh të lidhura me hapat që po hidhen për zgjidhjen e çështjes së energjisë, zjarret dhe emergjencën e tyre në vend, si dhe masat e ndërmarra nga qeveria për përballimin e këtyre problemeve. Në takim u diskutua edhe për një seri problemesh të tjera, të cilat lidhen ngushtë me fazën e reformave që kërkon NATO dhe BE. Reforma në drejtësi dhe çështja e prokurorit të Përgjithshëm ka qenë një pikë tjetër e diskutuar në takimin e dy krerëve më të lartë të shtetit. Sipas komunikatës së nxjerrë nga Presidenca, në qendër të takimit mes Presidentit dhe Kryeministrit ka qenë problematika e aktualitetit politik e shoqëror në vend. Dy drejtuesit e lartë janë ndalur në problemet që po kalon vendi ynë me energjinë elektrike, ujin e pijshëm, zjarret dhe sigurinë në miniera, me vëmendje të veçantë në forcimin e infrastrukturës, por edhe koordinim të institucioneve për përballimin e kapërcimin e këtyre situatave të vështira.
Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha kanë diskutuar gjithashtu edhe mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes institucioneve në vend dhe fazën e reformave ku ka hyrë Shqipëria në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE.
Shqip
Krijoni Kontakt