Ylli Dylgjeri: Shqiptarët mes rrumpallës dhe Rampallës
28 korrik 2007
Situata e tensionuar e Partisë Socialiste vjen e reflektuar përmes një interviste ekskluzive për gazetën “SOT” me një nga figurat me kontribut në selinë rozë, njëkohësisht anëtar i Lëvizjes për Politikë Institucionale, Ylli Dylgjeri. Sipas optikës së tij, sot Partia Socialiste ka këmbët, trupin dhe krahët e Ramës, por pa kokë. Sipas tij Edi Rama po shkatërron Partinë Socialiste duke demonstruar regres dhe propaganduar “trëndafila”. Ndërsa lidhur me 6 të përjashtuarit, duke e konsideruar Fatos Nanon si të shtatin, ai e simbolizon këtë me 7 plagët e Gjergj Eles Alisë, por duke thënë se Kreu i PS-së nuk vjen nga Eposi. Ai vjen nga epshet: Të gjithë pushtetet më takojnë mua. Ai nuk është Gjergj Elez Alia, por vetëm Edvin Kristaq Rama.
Si e konsideroni situatën aktuale brenda Partisë Socialiste, fill pas zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit?
Opinioni shqiptar dhe mbarë simpatizantët e të dy kampeve më të mëdha politike po kalojnë nga doktor rrumpalla drejt piktor ram-pallës. Pra, thënë shkurt nga rumpalla tek rampalla. Ky nuk është gabim leksikor, por shikoj një çoroditje totale të demokracisë në Partinë Socialiste dhe më duket se është vrarë demokracia. Historia do të flasë për këtë, madje shumë shpejt. Siç duket Shqipëria është e përfshirë e gjitha nga zjarret dhe unë po shoh që zjarri ka rënë edhe në Partinë Socialiste. I takon emergjencave civile të planifikojnë një fluturim të avionit ukrainas edhe mbi këtë parti. Këtu e thënë shqip, autori i flakës quhet Edi Rama. Nuk ka nevojë për investigime më të hollësishme. Do t’i kërkoja si bashkëmoshatar, si djalë Tirane, njëkohësisht edhe si nëpunës i administratës së lartë publike, Edi Rama- mjaft me represion në PS. E përsëris, mjaft me represion në PS. E dëgjoj shpesh tribunave dhe në auditorë apo në takimet e tij përzgjedhëse që flet për politikën e re. Më dalin puçrra kur e dëgjoj këtë fjalë, sepse vetëm këtu mbetet politika e re dhe nuk thotë asgjë më shumë se kaq. Mundohet herë pas here të sqarojë se politika e re nuk do të thotë të jesh i vjetër dhe të mendosh si ri, apo të jesh i ri dhe të mendosh si i vjetër. Rama nuk e kupton vetë se çfarë është politika e re. Sot Partia Socialiste vërtet ka këmbët e Ramës, trupin e Ramës, krahët e Ramës, por ama pa kokë
Ju jeni angazhuar në Lëvizjen për Politikë Institucionale. Deri në çfarë etape ka arritur të shkojë kjo lëvizje?
Kam pasur një ftesë nga disa kolegë të mi, ish-funksionarë, militantë aktivë të PS-së, intelektualë të cilët më kanë ftuar për t’iu bashkangjitur kësaj lëvizjeje. Jemi në fillimet tona të organizimit dhe mund të them që përmasat e saj po rriten çdo ditë dhe shumë shpejt kambanat e kësaj lëvizjeje ju do t’i dëgjoni gjatë muajit shtator. Them kambanat, por nuk kam parasysh kambanën e Paqes, sepse ajo kambanë mund të bjerë, por mund të bjerë në Prokurori. Jemi në një kohë me paradokse, bëjmë luftë mes njëri-tjetrit për të mbrojtur paqen. Por etiketimet nga Edi Rama janë makabre. Na quan aleancë të së keqes. Më kujton politikën e Xhorxh Bushit, i cili këtë etiketim e vuri pas 11 shtatorit për terroristët islamikë, kur i quajti aleanca e djallit. Të dukem unë si terrorist i nderuar gazetar? Apo kolegët e mi, Enver Reçi, Majlinda Keta e shumë të tjerë që të më falin se nuk po ua përmend emrin, që kanë lidhje me djallin? Kjo është qesharake! Më vjen keq sepse Rama po kalon një depresion pa fund.
Si e konsideroni përjashtimin e 6 deputetëve socialistë nga Partia. Vendim që u përforcua së fundi edhe në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së?
Që në fillim të bisedës e thashë që edhe në PS ka rënë zjarri. Me rënien e zjarrit kisha parasysh një çoroditje dhe një amulli totale me ato që ndodhën në këtë parti. Këta 6 deputetë u përjashtuan pasi PS-ja nuk kishte të qartë se kush ishte President i saj, kandidatura për këtë post. Po ju pyes juve. E keni të qartë se kush ishte kandidatura për President e Partisë Socialiste? Ju kthyen tryezës së parë të bisedimeve, dështuan, pas kësaj nuk dolën përgjegjësi, nuk u përjashtua njeri pas kësaj tryeze. U ngrit niveli me përfaqësi nga vetë Edi Rama, dështoi dhe përsëri nuk dolën përgjegjësi. Më pas u realizua intriga Ceka për të përjashtuar nga procesi kandidaturën e Fatos Nanos, përsëri nuk pati asnjë prononcim nga Partia Socialiste. Së fundi përjashtohen 6 deputetët që në mënyrë kushtetuese morën pjesë në Parlament për votimin e Presidentit. Kam qenë në tavolinë më zotin Nano atë natë dhe kam dëgjuar dhjetëra telefonata urimi që i vinin, nga Departamenti i Shtetit të SHBA si dhe nga vet evropiani, zoti Oli Rehn, lidhur me kontributin e tij për zgjedhjen e Presidentit të vendit dhe më vjen të qesh kur shoh që deklaratat e PS-së lidhur me 6 të përjashtuarit janë shumë të lëkundura. Fillimisht dalin edhe thonë se ata janë të vetë përjashtuar. Pse? Sepse kanë frikë. Pastaj thonë se janë të përjashtuar. Ka një inkoherencë, një mungesë burrërie dhe më i paburri aty është vetë Edi Rama. 6 deputetët, duke e konsideruar Fatos Nanon si të shtatin, janë për të si shtatë plagët e Gjergj Eles Alisë, por duhet thënë se Kreu i PS-së nuk vjen nga Eposi. Ai vjen nga epshet: “Të gjithë pushtetet më takojnë mua”. Ai nuk është Gjergj Elez Alia, por vetëm Edvin Kristaq Rama.
Cilat janë konsideratat tuaja për “fytyrën” e re të Partisë Socialiste me zgjedhjen e Kryesisë së saj në të cilën nuk mundën të zënë vend as Ben Blushi, Bashkim Fino apo Ylli Bufi. A dini të më thoni, se përse duhet të këtë pasur frikë Edi Rama nga këta tre emra?
Prej shumë vitesh këta emra kanë qenë eprorë dhe kolegët e mi dhe me shumë prej tyre ndaj respektin dhe konsideratat për përkushtimin që kanë dhënë në Partinë Socialiste. Atë ditë kur u mblodh Asambleja dhe që u zgjodh kryesia e re, unë me humor përdora një fjalë duke e quajtur “krye-zia”. E shikoja që rrinin të ngrysur në sallë, dëgjonin kryetarin Rama dhe nuk reagonin, duke bluajtur në kujtesën e tyre kandidimin në zgjedhjet e ardhshme. “Të flas apo të mos flas? Të reagoj apo të mos reagoj?”. Kjo ishte e gjithë drama e tyre. Edi Rama mbasi shkarkoi 6 deputetët, hoqi edhe një “Fino” fasadës së Partisë Socialiste. Këtu e kam fjalën për mos zgjedhjen e Bashkim Finos në asnjë nga strukturat drejtuese të Partisë, i cili për seriozitetin e punës së tij, vlen të respektohet.
Edi Rama u shpreh gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare se po kërkonte Gramos Ruçin në krye të Kryesisë së re, që pavarësisht se është një figurë e vjetër në Parti do të dinte të bënte shumë mirë politikat e reja. A ishte ky personi i duhur që duhet të zgjidhej?
Unë e kuptova ndryshe zgjedhjen e Gramos Ruçit në krye të Asamblesë Socialiste. Unë e kuptova që anëtarësia dhe të zgjedhurit e Partisë Socialiste votuan traditën, votuan historinë, votuan burrërinë dhe mu duk se vetëm një hap e ndante nga një votim i ri që së shpejti do të ndodhë në Partinë Socialiste. Le të presim pushimet për të pritur lajmet e reja më të gëzueshme në PS.
Sipas jush çfarë mund të ndodhë më konkretisht në shtator brenda Partisë Socialiste?
Është lëvizja drejt socialistëve, drejt qytetarëve, drejt bazës, ajo e cila do të arrijë ta përkrahë këtë lëvizje për politikë institucionale. Është ajo që do t’i japë hapësira dhe statut apo legjitimitet kësaj lëvizjeje. Ajo do të konkurrojë me alternativat e saj për t’iu kthyer kushtetutshmërisë, legjitimitetin dhe institucionalizimin partisë. Nuk mendoj se do të bëhet me mesazhe që të emërohet apo të zgjidhet filani sepse është i imi, siç është vepruar deri tani. Do të flasë vetë baza dhe do të përzgjedhë midis më të mirëve. Më vjen keq që ta shpreh por elektorati do t’i bashkohet aleancës së të mirës.
Si e shikoni pozicionin e Gramos Ruçit në Partinë Socialiste, fill pas zgjedhjes së tij në Kryesinë e Asamblenë Kombëtare. Sipas jush, ai do të ndërmjetësojë midis dy rrymave, apo do të jetë krahu i fortë i Edi Ramës?
E konsideroj pozicionin e tij si moderator në zhvillimet e mëtejshme në Partinë Socialiste. Ne jemi njohur hershëm me projektet e Ramës për kthim në identitet. Tashmë thirrjes apo sloganit të propaganduar me kaq bujë në çdo dekor të mbledhjeve të Partisë Socialiste, “Ne jemi gati”, na detyron ti përgjigjemi NE “gjithmonë gati”. Ai në fakt po demonstron vetëm regres duke propaganduar “trëndafila”. Koha dy-vjeçare në krye të PS po vërteton se Edi Rama nuk i duhet më asaj.
Për çfarë motive e mban PS Ramën?
Po të përgjigjem thjesht, nuk e kuptoj se ç’i duhet piktori politikës, në asnjë vend evropian, piktori nuk ka detyrime ndaj politikës, tjetër piktura dhe tjetër politika. Qoftë edhe vetëm për këtë, ai duhet të largohet nga drejtimi politik. Ndryshe, ai e bën këtë për para? Për pasion? Për aventurë? Apo për lavdi personale?
Gazeta Sot
Krijoni Kontakt