Pranga gazetarëve të “Fiks Fare”, të veshur si policë, vinin gjoba
Nga Bledar Lumani
Forcat e policisë së komisariatit Nr. 6 kanë ndaluar ditën e djeshme tre gazetarë të emisionit “Fiks Fare”, pasi këta të fundit ishin veshur si policë të qarkullimit rrugor dhe ushtronin kontrolle ndaj drejtuesve të automjeteve. Për këtë vepër janë ndaluar dhe shoqëruar për në komisariat: Amanda Raci, 19 vjeç, Arlinda Budina, 18 vjeç dhe Saimir Zeneli, 38 vjeç, të tre këta banues në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, dy vajzat ishin të veshura si me uniformë të policisë rrugore, ndërsa Zeneli komunikonte me to me një radiomarrëse, e cila iu gjend në dorë në çastin e arrestimit.
Zbulimi
Ka qenë ora 14:00 e ditës së djeshme, kur pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë mbërritur informacione nga qytetarë të ndryshëm se në segmentin rrugor Tiranë-Ndroq-Plepa, tre persona po ushtronin kontrolle ndaj drejtuesve të automjeteve. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së komisariatit Nr. 6 të Tiranës, të cilët kanë konstatuar se gazetarët e “Fiks”-it ishin veshur si policë të qarkullimit rrugor dhe ndalonin automjetet që kalonin në këtë segment. Atyre iu ndaluan në cilësinë e provës materiale 2 palë bluza ngjyrë blu të policisë, dy jelekë policie, 2 kapele policie dhe tre radiomarrëse. Nga burimet pranë policisë mësohet se tre gazetarët e emisionit “Fiks Fare”, në televizionin “Top Channel”, akuzohen për veprën penale “mbajtje pa të drejtë të uniformës së policisë”, si dhe “mbajtje pa të drejtë e shenjave dalluese të punonjësve të shtetit”. Për këtë vepër, e cila përbën kundravajtje penale, të akuzuarit mund të dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Të tre gazetarët e emisionit “Fiks Fare”, të cilët kishin dalë si policë rrugorë, në aksin rrugor Tiranë-Ndroq-Plepa dhe më konkretisht në vendin e quajtur kryqëzimi i Lapidarit të Pezës, po filmonin materiale për emisionin e tyre. Pasi dhanë sqarimet e tyre në polici, ata u lanë të lirë. Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, e cila do të procedojë më tej për këtë ngjarje. Zëdhënësja e policisë së Tiranës u shpreh se, “kërkojmë mirëkuptimin e të gjitha mediave vizive për raste të tilla, pasi ata më parë duhet të njoftojnë në organet kompetente, me qëllim marrjen e lejeve për zhvillimin normal të enisioneve të tyre”. Ajo tha se të tre gazetarët e emisionit “Fiks Fare” në televizionin “Top Channel” do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Tema
Krijoni Kontakt