Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1

    FBI Task-Force në vjeshtë operacion ndaj mafies shqiptare

    FBI Task-Forcë
    Në vjeshtë operacion ndaj mafies shqiptare

    28/07/2007

    Deklaron drejtori i Përgjithshëm i FBI-së, Robert Mueller, në një seancë dëgjimore në senatin amerikan

    Një Task-Forcë është ngritur posaçërisht nga Byroja Federale e Hetimeve amerikane (FBI), për të luftuar krimin e organizuar shqiptar. Ajo që të bën përshtypje është fakti që Pentagoni është një nga sponsorizuesit e një projekti të tillë, që do të manaxhohet nga FBI.

    Në vjeshtën e këtij viti pritet të fillojë operacioni për goditjen e këtyre grupeve.

    Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Përgjithshëm i FBI-së, Robert Mueller, në një seancë dëgjimore në senatin amerikan, i cili ndër prioritetet e FBI-së për luftën kundër krimit transnacional ka piketuar edhe betejën me mafien shqiptare.

    "'La Cosa Nostra' është një ndërmarrje e organizuar kriminale me lidhje të drejtpërdrejta me mafien siciliane dhe mbetet një rrezik i rëndësishëm kriminal ndaj shoqërisë amerikane", është shprehur Mueller, ndërsa ka theksuar se agjentët e FBI-së kanë filluar të hetojnë sindikatat e organizuara kriminale shqiptare, euro-aziatike, aziatike dhe afrikane.

    Sipas Mueller "ndërmjet viteve 2001–2007, dosjet e krimit të organizuar euro-aziatik janë rritur me 65 për qind. Dhe një mesatare prej 160 individësh janë proceduar për çdo vit, nga 2002 deri në 2006".

    Ndërsa kreu i FBI-së ka vlerësuar se krimi i organizuar transnacional ka evoluar me avancimin e globalizimit dhe teknologjisë, ai ka njoftuar edhe për ngritjen e Task-Forcës rajonale në Evropë, që kanë si synim goditjen e grupeve të organizuara kriminale evropiane, që ndikojnë edhe në tregun amerikan.

    "FBI ka caktuar personel në Romë për të bashkëpunuar me autoritete policore dhe hetimore italiane për të luftuar mafien siciliane. Njëkohësisht është ngritur edhe Task-Forca për krimin e organizuar ndërmjet FBI-së dhe Policisë Kombëtare Hungareze. Task-Forca për krimin e organizuar shqiptar do të fillojë veprimin operacionet brenda kësaj vjeshte, të financuara pjesërisht edhe nga Departamenti i Mbrojtjes", ka paralajmëruar drejtori i Përgjithshëm i FBI-së, Robert Mueller.

    Dhjetëvjeçarin e fundi raporte të ndryshme të FBI-së, CIA-s, si dhe ato të shërbimeve inteligjente evropiane, kanë theksuar rrezikun që po i kanoset shoqërisë amerikane, nga mafia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Nuk kanë qenë të paktë vizitat dhe bashkëpunimi i Byrosë Federale të Hetimeve me autoritetet shqiptare, por asnjëherë nuk kanë patur përmasa të këtilla për të ndërmarrë operacione të këtyre niveleve.

    Vitin e kaluar, FBI ka goditur të paktën një grup kriminal shqiptar, i cili merrej me gjobvënie, shantazhe, dhe që kishin lidhje me grupet kriminale të "La Cosa Nostrës" amerikane.

    Pasqyra ju bë e ditur edhe kryeprokurorit

    Krimi shqiptar në SHBA

    Më se një vit më parë, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeprokurori Theodhori Sollaku është njohur me hetime të kryera ndaj grupeve kriminale shqiptare atje. Mësohet se grupet shqiptare akuzohen atje, kryesisht për vjedhje e grabitje me dhunë, vrasje e trafik droge.

    Bandat shqiptare veprojnë në SHBA kryesisht në qytetet e Miçiganit, Detroitit, New Xhersit e New York. Madje, në disa raste të vjedhjeve të bankomateve janë vërejtur forma të reja grabitjeje. Shqiptarët e akuzuar për këto grabitje, rezulton të kenë vjedhur gjithë bankomatin dhe jo ta kenë hapur atë në vend. Pasi e transportojnë në periferitë e qyteteve dhe atje i shpërthejnë me eksploziv ose mjete të forta.

    Precedentët

    4 dhjetor 2006

    Valë arrestimesh në SHBA, disa prej tyre shqiptarë

    Policia e qytetit të Miamit, në bashkëpunim me U.S. Immigration and Customs Enforcement, gjatë një operacioni disaditor ka arrestuar 62 persona nën dyshimin se, ata janë të përfshirë në një serë aktivitetesh të paligjshme dhe në grupe të kriminalitetit të organizuar.

    Në mesin e të arrestuarve gjenden edhe disa shqiptarë, të cilët për arsye të ruajtjes së sekretit nuk u bëhet i ditur emri. Po ashtu janë arrestuar edhe disa avokatë dhe noterë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në realizimin e veprave kriminale të të arrestuarve.

    “Të 62 të arrestuarit janë nga 18 shtete përfshirë Shqipërinë, do të depërtohen nga SHBA-të me forcën e policisë, pasi ata kanë thyer ligjin duke kryer vepra kriminale, të cilat dënohen me ligj sipas legjislacionit të shtetit federal të Floridës”, deklaroi Zyra Amerikane e Emigracionit dhe Mbrojtjes së Kufirit.

    8 maj 2007

    FBI arreston kosovarët

    për akte terroriste

    Gjashtë persona, disa prej të cilëve dhe me origjinë shqiptare janë arrestuar nga autoritetet federale amerikane të FBI-së.

    Burimet zyrtare bëjnë të ditur se personat e arrestuar akuzohen se kanë lidhje me organizatat islamike. Ata janë akuzuar gjithashtu se ishin duke përgatitur një sulm të armatosur kundër bazës ushtarake të Fort Dix, në Nju Xhersi ku dhe stërviten ushtarët që nisen për në Irak.

    Një zyrtar i policisë që ka folur në kushte anonimati për shkak se dokumentet e çështjes janë të mbyllura, tha se sulmi u ndalua në fazat e para.

    Autoritetet besojnë se kosovarët ishin trajnuar në Pokonos të Amerikës për sulmin dhe kanë kryer gjithashtu vëzhgime në institucione të tjera ushtarake. Gjithashtu pohohet se të gjashtë personat hetoheshin prej një viti nga autoritetet amerikane, ndërkohë që ata u arrestuan teksa përpiqeshin të blinin armë automatike.

    18 korrik 2007

    Pranga oficerit amerikan,

    punoi për bandën shqiptare

    Kontrollet e shumta në radhët e policisë mundësuan zbulimin e një rasti, ku polici amerikan bashkëpunonte dhe mbronte një bandë kriminale, të përbërë nga shqiptarë. Polici i arrestuar Darren Moonan, 27 vjeç, u kap bashkë me 6 anëtarë të bandës, të cilët kryesisht merreshin me trafik droge dhe vjedhje të pasurisë.

    Oficeri amerikan, sipas mediave amerikane, ka punuar me bandën shqiptare prej tetëmuajsh dhe ka nxjerrë përfitime të konsiderueshme. Ai u zbulua nga një agjent i FBI-së, i cili kishte arritur të regjistronte disa biseda të këtij oficeri të policisë me anëtarë të tjerë të dyshuar të kësaj bande, e cila merrej me vjedhje dhe trafik droge.

    Ai në disa raste kishte devijuar forcat e rendit nga vendi i ngjarjes dhe punonte si shoferi drejtues i bandës shqiptare, ndërsa nëse shpallet i fajshëm, oficeri amerikan që bashkëpunoi me shqiptarët do të dënohet me 60 vite burg.

    Bandat shqiptare, shqetësim edhe në Angli

    Hetuesit anglez, verifikim dhe sekuestro llogarive të bandave shqiptare

    Drejtësia britanike prej më se një viti, ka filluar verifikimin e pasurive të gjithë shqiptarëve të dënuar atje për krime të ndryshme, veçanërisht ata të akuzuar si organizatorë e pjesëmarrës në bandat kriminale, me qëllim evidentimin e konfiskimin e tyre dhe kalimin për llogari të shtetit britanik. Verifikimi i hetuesve anglezë është përqendruar në vendin tonë, ku edhe dyshohet të jenë investuar pjesa më e madhe e fitimeve të shqiptarëve, që i kanë përfituar këto para si rrjedhojë e aktiviteteve të paligjshme. Pasi këto pasuri të paluajtshme dhe në gjendje valute të sekuestrohen, do t’i kalojnë shtetit anglez, atje ku edhe janë përfituar prej shqiptarëve.

    Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se këto verifikime të pasurive të bandave kriminale shqiptare që kanë vepruar në Angli.

    Verifikimi

    Nga të njëjtat burime mësohet se hetuesit anglezë kanë mbërritur me dosje të përpiluara të transaksioneve bankare të kryera nga shqiptarët e dënuar atje për krime të ndryshme, kryesisht për ata shqiptarë që janë dënuar nga drejtësia angleze për trafik dhe tregtim të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim të femrave për prostitucion.

    Burimet saktësojnë se janë verifikuar të gjitha këto transaksione në bankat shqiptare në të cilat rezultonin se janë kryer.

    Nga verifikimi i përbashkët i drejtësive të dy vendeve është konkluduar se ka pasur transaksione që arrijnë deri në vlerën e rreth 100 mijë dollarëve.

    Ndërkaq, paratë të cilat nuk figurojnë më në gjendjet financiare të bankave ku kanë mbërritur dyshohet të jenë investuar në biznese të ndryshme në Shqipëri, nga familjarët e të dënuarve në Britaninë e Madhe. Hetuesit anglezë në bashkëpunim me Prokurorinë shqiptare janë duke evidentuar këto pasuri me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre. Pasi të evidentohen dhe sekuestrohen këto pasuri, familjarëve të të dënuarve do t’u kërkohet që të deklarojnë prejardhjen zyrtare të parave që janë investuar. Nëse ata nuk do të arrijnë të deklarojnë prejardhjen, atëherë do të konfiskohen nga drejtësia angleze.

    Konfiskimet

    Është hera e parë, që verifikimi dhe sekuestrimi i pasurive me prejardhje nga aktivitete kriminale të kryhet për llogari të një shteti tjetër.

    Sipas burimeve të akuzës, këto pasuri të shqiptarëve të dënuar nga drejtësia angleze, do të konfiskohen për llogari të këtij shteti, pasi nuk rezulton që këta persona të dënuar nga Gjykata angleze, nuk rezulton të kenë pasur precedentë penale në vendin tonë, apo të kenë kryer aktivitete të paligjshme në Shqipëri. Por, duket se paratë që kanë fituar në Angli me anë të trafiqeve dhe tregtimit të drogës apo shfrytëzimit të femrave për prostitucion, i kanë investuar në Shqipëri. Për këtë arsye, Drejtësia angleze po i evidenton këto pasuri, dhe do të kryejë konfiskimin.

    Burimet e akuzës sqarojnë se gjithë vlera e këtyre pasurive apo bizneseve do të kalojë për llogari të shtetit anglez, vend në të cilin janë përfituar në rrugë të paligjshme.

    Gazeta Metropol

  2. #2

    Telefonat, 12 qytete nën përgjim

    Telefonat, 12 qytete nën përgjim

    Mjafton vetëm një "alo" dhe gjithkush mund të gjendet në pak minuta nga policia

    Përgjimet kanë sjellë suksesin e operacioneve të policisë. Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka negociuar me dy kompanitë celulare për montimin e pajisjeve të sistemit DATACOM, për të bërë të mundur gjetjen e personave shumë të kërkuar. Pas regjistrimit të numrave me parapagesë, një tjetër ndihmë ka ardhur për policinë e prokurorinë. Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në analizën e gjashtëmujorit të parë të vitit 2007 mbi sistemin DATACOM, "aktualisht ka përfunduar konfigurimi i sistemit, është negociuar me kompanitë VODAFONE, AMC për montimin e pajisjeve të sistemit, si dhe ka përfunduar montimi i bazamenteve të antenave". Kryekomisar Prençi shtoi se janë rreth 36 projekte të financuara nga donatorë të ndryshëm, ku 12 prej tyre kanë përfunduar, 14 janë në fazën e implementimit dhe në përgatitje 10 projekte të reja. "Sipas planit buxhetor të miratuar për vitin 2007, nga financimet e huaja Policia e Shtetit pritet të përfitojë gjatë këtij viti nga implementimi i disa projekteve 9654296 euro".

    Sukses vizita e Bushit

    Ndër arritjet e Policisë së Shtetit është edhe koordinimi i mirë i punonjësve të policisë gjatë vizitës së Presidentit amerikan, Xhorxh Bush. "Si ndër momentet më kryesore dhe arritje në veprimtarinë e Policisë së Shtetit, gjatë kësaj periudhe mund të përmendim veprimtarinë e policisë për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend me rastin e vizitës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", tha drejtori i Policisë së Shtetit. Sipas tij, arritje të tjera ishin masat e marra në kuadër të zhvillimit të zgjedhjeve vendore, goditja e grupeve dhe rrjeteve kriminale, lufta kundër kultivimit të bimës narkotike, ligji i ri për Policinë e Shtetit, masat për përballimin e sezonit turistik veror në vend etj. Po sipas Prençit, në punën e policisë ka pasur edhe mangësi, duke premtuar se në të ardhmen sektorët do të përmirësohen.

    Qytetet e drogës

    Në analizë, një rëndësi iu kushtua edhe trafikimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike. "Edhe në luftën për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, mbi bazën e analizës së fenomenit dhe evidentimit të qarqeve problematike si Vlora, Fieri, Gjirokastra, Shkodra dhe disa raste në rrethin e Tropojës, përgatitëm më shpejt planin e veprimit për këtë qëllim, duke bashkëpunuar me institucionet e administratës shtetërore, shoqërinë civile, komunitetin dhe mediat", tha kryekomisari. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë identifikuar 220 vepra penale në fushën e drogës, nga të cilat 57 raste të drogave të forta dhe 163 raste të kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, duke pasur një rritje prej 26 veprash penale më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në operacionet antidrogë janë kapur dhe sekuestruar 51 automjete, 13 armë e rreth 15 mijë euro.

    Pastrimi i parave

    Në shkallë vendi janë evidentuar 845 vepra penale në fushën e pastrimit të parave dhe krimeve ekonomiko-financiare. Janë implikuar gjithsej 957 autorë të veprave penale, prej të cilëve janë arrestuar e ndaluar 195 autorë, 756 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 6 janë shpallur në kërkim. Sipas Prençit, për vepra penale të korrupsionit janë evidentuar 11 raste me 26 autorë, nga të cilët 7 janë arrestuar dhe 19 janë ndjekur penalisht në gjendje të lirë. Për sa u përket krimeve të doganës janë evidentuar 96 vepra penale, ndërsa në fushën e tatim-taksave janë evidentuar 94 raste të veprave penale me 95 autorë. Ndërsa, për sa u përket falsifikimeve të dokumenteve, gjatë kësaj periudhe janë evidencuar 399 vepra penale.


    Gazeta Shqip

Tema të Ngjashme

  1. Theofan Stilian Noli: Jeta dhe veprat e tij
    Nga ILovePejaa në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 85
    Postimi i Fundit: 15-11-2022, 22:39
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  3. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53
  4. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •