Londër, zhduken milionat e shqiptarit të burgosur
Gjykata britanike arrin t`i sekuestrojë vetëm 3,200 paund: ka përfituar të paktën 300 mijë sterlina
Nga Londra
Muhamed Veliu
Riza Hoxha, i dënuar me tetë vite burg për trafikimin dhe më pas
shfrytëzimin e një shtetaseje nga Lituania përfitoi 300 mijë stërlina, duke e përdorur atë si prostitutë. Kjo ka qenë shuma e bërë publike në Gjykatën e Krimeve "Kingston Croën Court", gjatë një seance sekuestrimi ndaj Hoxhës. Sipas përllogaritje të policisë, gjatë kohës që shfrytëzoi litunezen, ai mundi të përfitojë shumën prej 300 mijë stërlina. Kur gjykatësi i çështjes pyeti detektivët, që
u morën me këtë çështje vitin e shkuar, se cila ishte shuma e aseteve
të sekuestrua, përgjigja nuk ishte suprizuese. "Vetëm një makinë
tip `Benz` me vlerë 3200 stërlina", është përgjigjur hetuesi. "Kjo
makinë është shitur duke ia kaluar paratë policisë", ka sqaruar ai më
tej.
I pyetur rreth shumës prej 300 mijë stërlina, se ku më të gjenden
këto para, detektivi ka thënë se, nga hetimi nuk kanë mundur të
lokalizojnë asnjë aset tjetër të 45-vjeçarit nga fshati Shëmrie e
Kukësit, azilant në Londër. Burime të ndryshme dyshojnë se ai mund
t`i ketë lënë paratë në bixhoz, në lokalet ilegale të kumarit, pronë
e turqve, në lagjen "Haringey", në veri të Londrës. Por nuk
përjashtohet mundësia që paratë të jenë investuar në Shqipëri. Riza
Hoxha njihej mes grupeve kriminale shqiptare në Londër me
pseudonimin "Xakja i Barkingut". Atij iu damkos ku pseudonim, pasi
zona ku kishte bizneset e tij ishte lagja e Barkingut, ku jeton një
komunitet prej 6 mijë shqiptarësh. Pasi është arrestuar për trafikim
dhe shfrytëzim personi, gjatë kontrollit të shtëpisë, atij iu gjet
një pistoletë. Kur u pyet për armën në polici, ai tha se i përkiste
të birit edhe ky i skeduar në polici si grabitësh shtëpish. Por armës
nuk iu gjet asnjë gjurmë.
Dënimi
Tetorin e shkuar trafikimi për qëllime prostitucioni në Angli të një
gruaje lituaneze i kushtoi 24 vite burg në total një grupi kriminal
shqiptaro-rus, ku bënte pjesë edhe Riza Hoxha. Ai është gjetur fajtor
për trafikim personi në Britaninë e Madhe me qëllime prostitucioni,
duke u dënuar me 8 vjet burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij i ngushtë,
23-vjeçari Ylber Dauti, i njohur me pseudonimin "Billi" do t`i duhet
të shpenzojë 9 vite në burgjet e shtetit ishull. Dy bashkëpunëtoret
ruse të shqiptarëve, Ruta Strazdaite dhe Monika Szabova, u dënuan
respektivisht me nga 4 dhe 3 vjet burg secila. Sipas policisë
vendase, ky grup kriminal, në vitin 2005, trafikoi nga Lituania një
36-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, të cilës iu premtua punë si
pastruese në stadiumin e njohur të Çelsit, nga bashkëpunëtorja e
grupit, Ruta Strazdaite. Por ajo u detyrua të bënte prostitutën për
llogari të Hoxhës dhe Dautit. Për t`i shpëtuar skllavërisë, ajo u
hodh nga kati i tretë i një shtëpie publike, në qendër të Londrës nga
ku theu këmbën. Lituanezja e traumatizuar i kërkoi ndihmë nga një
kalimtare, e cila e strehoi në shtëpinë e saj. "Nëse do të kisha
vazhduar të qëndroja në atë shtëpi, dhe të kundërshtoja, padyshim ata
do të më kishin torturuar dhe vrarë", i tha ajo gjykatës, mes lotëve.
DYSHIMET
Kontrata me Çelësin
Riza Hoxha kishte mundur të fitonte një kontratë për pastrimin e
stadiumit të Çelsit pas çdo ndeshjeje. Gjithnjë sipas policisë, bëhet
fjalë për një biznes të kamufluar, për të mbuluar të ardhurat që
emigranti shqiptar përfitonte nga bota e krimit, kryesisht
prostitucioni dhe një dyqani ilegal bastesh, në veri të kryeqytetit
britanik.
Krijoni Kontakt