NJË PLAN B PËR KOSOVËN

Meqë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë po i nënshtrohet shantazhit rus, krerët në Prishtinë duhet ta dëshmojnë veten duke hamendur tjera mundësi. Kosova e ka një dritare të vogël ende të hapur, por ajo kërkon vendosmëri si nga krerët, ashtu edhe nga qytetarët.

Bllokimi i procesit politik rreth Kosovës në KS nga ana e rusëve ka krijuar një situatë të pashpresë. Dosja është hequr nga KS e ka kaluar në Grupin e Kontaktit, ku ekziston një mundësi teorike që pavarësimi të na miratohet përkundër Moskës. Por teoria e praktika dallojnë goxha shumë. Grupi i Kontaktit po i rikthehet lëndës së Kosovës sipas kërkesave ruse, duke e shfronëzuar paraprakisht Ahtisarin dhe dosjen e tij. Meqë shtyrja 120 ditëshe ishte pjesë e kësaj dosjeje, as ajo nuk quhet më finale. Një fillim kaq i mbrapsht, zor që pjell një fund të mbarë.

Në këtë gjendje alarmante, krerëve në Prishtinë u kanë mbetur dy alternativa, secila prej të cilave është më e keqe se shoqja. E para është një vazhdim i mender “negociatave”, ku të gjitha palët do t’i ofrojnë Kosovës sall litar që të viret. E dyta është një shpallje e njëanshme e pavarësisë, që ndoshta dikur mund të njihet nga Amerika me aleatë, por pa enklavat e Beogradit. Nëse pavarësia nuk vje përmes rezolutës në KS, atëhere Kosova s’ka mundësi juridike ta pengojë shkëputjen e tyre e anektimin në Serbi.

Ekziston, ndërkaq, një alternativë e tretë, e cila do t’i linte me brekët poshtë si Beogradin, edhe Moskën, por ajo kërkon vendosmëri prej krerëve të Prishtinës. Ajo vërtet përmban rreziqe, por absolutisht jo më të mëdha se alternativat tjera. Veçse, për dallim prej tyre, ajo përmban edhe një shans madhor për t’i çuar më tej aspiratat historike të shqiptarëve. Unë detyrohem ta përmend këtë alternativë publikisht, pasi me të, si duket, kalkulojnë që të gjihë, përpos atyre që duhet – pos krerëve politikë të Kosovës.

Është fjala, shkurt, për shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga ana e qeverisë, që është përmendur shpesh; por edhe për rimarrje të kontrollit mbi enklavat përmes TMK-së, gjë e cila nuk është debatuar kurrë publikisht.

Skenari është i thjeshtë. Para se të gdhijë mëngjesi i vendimit të njëanshëm të qeverisë, trupat e TMK-së mund të anashkalojnë postblloqet e K-Forit e të përvidhen në enklavat e Veriut, për të zaptuar ndërtesat qendrore dhe stacionet e policisë, ku do ta ngrisin flamurin shqiptar. Në mëngjes, qeveria, me të njëjtën frymë siç e shpall njëanshëm pavarësinë dhe anullimin e UNMIK-ut, u bën njoftim publik trupave të K-Forit se çdo përdorim i dhunës kundër TMK-së do të konsiderohet si akt i agresionit kundër Kosovës së pavarur. Njëherit, qeveria u bën thirrje serbëve në enklava që të rrijnë në shtëpitë e veta, pse janë qytetarë të Kosovës me të drejta të barabarta si gjithë tjerët. Poashtu, qeveria u bën thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë UNMIK-un dhe të mblidhen në grumbuj rreth Kuvendit e qeverisë, për ta mbrojtur paqësisht mëvetësinë e Kosovës.

Si thashë më lartë, kjo alternativë natyrisht që i ka vështirësitë e veta. Rreziku më i madh vjen nëse TMK-ja dështon që ta merr kontrollin mbi ndërtesat qendrore në enklava. Unë s'e gjykoj dot propabilitetin e kësaj, por them se nëse TMK-ja s’ka menduar për këtë ditë tash e tetë vjet, ahere kot paskemi paguar taksa për të. Rreziqet tjera, siç është reagimi i K-Forit dhe njohja ndërkombëtare, janë të menaxhueshme. Pikë së pari, ndërtesat vitale në enklava nuk ruhen as do të ruhen enkas nga K-Fori, pse para tyre valon flamuri i Serbisë. Reagimi pasues i K-Forit kushtëzohet nga të ashtuquajturat “Rregullat e Angazhimit”, një urdhër standard me shkrim që e ka në xhep të setrës çdo ushtar i huaj këtu. Ky i detyron ushtarët e K-Forit që ta kundërveprojnë me zjarr çdo sulm prej Serbisë, por i urdhëron që t’i shmangen maksimalisht dhunës me vendorët. Për të ndërmarrur një operacion të gjërë kundër TMK-së, K-Fori duhet t’i ndërrojë Rregullat e Angazhimit, një procedurë politikë goxha e ngatërruar në Bruksel, që s'ka gjasa të kalojë: vendet e NATO-s s'kanë disponim ta përsëritin Millosheviçin, e të përlyhen në përgjakje masive në Kosovë. Ndërsa kjo alternativë s’e përjashton, pra, mundësinë e shkëmbimeve sporadike me njësi të veçuara të K-Forit, rreziku i një konflikti të gjërë është minimal, për të mos thënë zero. Më e besueshmja është se K-Fori do të pozicionohet mes pozicioneve të TMK-së në enkalva dhe ekstremistëve serbë për të evituar gjakderdhjet, gjë që na shkon përshtati neve perfekt. Për sa i përket njohjes ndërkombëtare, vërtet mundet që bashkësia ndërkombëtare të mos e njohë një mëvetësim të këtillë për një kohë; por në afat të gjatë, ne ia hapim rrugën njohjes kur Kosova ta kontrollojë tërë territorin e vet, e kur të dëshmohet se serbët në enklava po trajtohen mirë nga autoritetet vendore.

Shansat e kësaj alternative janë më të mëdha se që ia merr mendja dikujt. Momenti kritik është, si thashë, etablimi i kontrollit mbi enklava nga TMK-ja, e mbrojtja e institucioneve në Prishtinë nga qytetarët. Nëse arrijmë sukses në këto dy pika vitale, pjesët tjera të mozaikut bijnë në vendin e vet kur të fashitet pluhuri. Le të mos harrojmë që mu sot është çasti ideal për një veprim të vendosur. Kosova e mëvetëshme gëzon sot mbështetje të fuqishme në SHBA e në vendet kyçe evropiane, por s’është fare e sigurtë që kjo mbështetje do ta mbijetonte një ndërrim të administratës në Uashington.

Kur t’i vësh në kandar rreziqet e përfitimet, del se kjo alternativë është absolutisht më e favorshmja për Kosovën. Në këtë alternativë, Kosova edhe në skenarin më të keq prapë nuk humbet më shumë se që ka humbur qysh sot. Prania e K-Forit këtu, e cila do të vazhdojë patjetër edhe në të ardhmen (por në kontratë me Kosovën e mëvetëshme) na siguron prej Serbisë sido që të vejë puna. Mirëpo, nëse puna shkon mirë, ne e sigurojmë përfundimisht kontrollin mbi tërë territorin e vendit, si dhe, pas një kohe, një njohjen të pakomplikuar ndërkombëtare nga SHBA-të dhe aleatët tanë. Në vazhdim, vetëm ky opsion na siguron një shans ta dëshmojmë veten si zot shtëpie të kujdesshëm ndaj minoriteteve, e një fqinjësi të mirë me një Serbi të re, që nuk ka më se ç'të fitojë në Kosovë.

Gjithkush e kupton që kjo alternativë nuk është mënyra ideale për ta zgjidhur nyjen e Kosovës. Porse përgjegjësia pse punët kanë ardhur gjer këtu nuk është te shqiptarët. Krerët shqiptarë në Prishtinë i kanë shtjerrur të gjitha mundësitë e koncesioneve me Beogradin, por bota s’po na e jep mëvetësinë e premtuar. Shkaqet e shkeljes së këtij premtimi nuk burojnë këtu, po kanë përmasa globale, larg prej kufinjve të Kosovës. Gjasat që diçka të ndryshojë në këtë aspekt pas 4, 6 apo 12 muajsh, madje edhe pas 4 a 12 vjetësh, janë minimale – ato lehtë mund të keqësohen edhe më, por zor se do të ndreqen. Ne shqiptarët duhet ta kuptojmë që na kanë mbështetur me shpatulla për muri. E pra, kur të vish në këtë ditë, dy duar për një krye janë.