Temperaturat e larta kanë mbipopulluar me pacientë poliklinikat dhe Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Dielli ka goditur sidomos ata që vuajnë nga zemra dhe të sëmurët me migrenë, ku fluksi i pacientëve në urgjenca është mbi 50 pacientë në ditë. Këtë e bëjnë të ditur burime zyrtare pranë QSUT-së, të cilët theksojnë se vapa po shkakton dëme të rënda tek shëndeti i njerëzve. "Po përballemi me fluks pacientësh çdo ditë, për shkak të vapës dhe kjo është problematike sidomos për personat që vuajnë nga zemra",- pohon shefi i Urgjencës së Kardiologjisë në QSUT, Edmond Zajmi. Ndërsa burime pranë Pediatrisë pohojnë se numri i urgjencave arrin rreth 120 në ditë, për shkak të problemeve të shkaktuara nga vapa tek fëmijët.
Sipas ekspertëve dhe mjekëve, sëmundjet dhe infarktet shtohen dhe më tepër në kuadrin e përgjithshëm të ngrohjes globale. Përveç të vegjëlve, ata të moshës së tretë, sipas mjekëve vuajnë nga sëmundjet kardiake. Temperaturat larta shkaktojnë ulje të nivelit të kujdesshmërisë së trupit dhe dobësim të madh të kujtesës së njeriut. Mjekët thonë se shumica e qytetarëve që qëndrojnë për orë të tëra në diell, rrezikojnë të pësojnë atak të fortë, i cili mund t'i çojë edhe drejt vdekjes. Vapa shkakton dhimbje të forta të kokës dhe të sëmurët me migrenë kanë një përkeqësim të fuqishëm gjatë stinës së verës. Të gjendur përballë fluksit të pacientëve, mjekët vazhdojnë të rekomandojnë kujdes maksimal ndaj temperaturave të larta.
Kështu, ata rekomandojnë të evitohen sa më shumë lëvizjet në orët e mesditës dhe të konsumohen sa më shumë lëngje, pasi për shkak të vapës njerëzit humbasin lëngje nga trupi dhe kërkohet që të zëvendësohen. Gjithashtu, ata pohojnë se kujdes i veçantë duhet treguar sidomos ndaj fëmijëve dhe moshës së tretë, pasi organizmi i dobët mund të jetë më i ekspozuar ndaj problemeve që sjell vapa. "Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiake dhe ata me hipertension, nuk duhet ta neglizhojnë për asnjë moment vapën përvëluese, pasi mund të kenë pasoja serioze mbi shëndetin",- theksojnë mjekët.
Shekulli
Krijoni Kontakt