-
Enveri i gjatë i PS nuk do të triumfojë!
Enveri i gjatë i PS nuk do të triumfojë!
Por natyrisht që Edvini nuk është kaq naiv sa t’i lërë në duart e Dades Marrëdhëniet me Jashtë të PS. Pikësëpari sepse e ka kuptuar se nuk mund ta dorëzojë aksesin dhe impaktin ndërkombëtar në duart e Artës dhe në dëm të vetes, dhe sëdyti, pikërisht për të monopolizuar çdo funksion dhe akses politik, i ka vënë Artës si dublant bash Taulant Ballën, për të cilin ka shpikur pseudofunksionin politik të kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Integrimit në PS.
Me këtë lëvizje ai jo vetëm ka neutralizuar, nëpërmjet konkurrencës dhe mbivendosjes së funksioneve, hir-ush-ushen Arta që magjeps bashkëbiseduesit e huaj dhe vendas, por i ka grabitur Nanos bash këshilltarin Balla, duke e lënë vetëm me një Taulant dhe duke i hequr komponentin e rëndësishëm librazhdiot Ushtrisë dhe Lëvizjes për Paqen.
Në këtë kuptim Nanos i mbetet të rivalizojë edhe me Taulant Ballën, përveçse me Daden, duke rrezikuar seriozisht shterrjen e fuqive rivalizuese dhe të impaktit pasues ndërkombëtar në këtë konkurrencë të egër.
Jo pa qëllim Edvini, i cili i njeh mjaft mirë ambiciet dhe deliret prej lideri panballkanist të Nanos, i ka blatuar Taulantit prej Librazhdi bash postin më emërgjatë në politikën shqiptare, atë të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Integrimit në Partinë Socialiste.
Dhe si për inat të ish shefit Nano, të cilit dikur i lidhte ushkurët kur rrumbullosej dhe mezi zbërthente zinxhirin, Taulant Balla duke e konkurruar egërsisht Nanon nga Shkupi ku ish shefi u strehua më 14 shtator 1998, ka marrë pjesë në konferencën rajonale “Rruga drejt anëtarësimit në BE - Përcaktimi i prioriteteve”, zhvilluar më 22 Shtator 2007 në kryeqytetin e Maqedonisë, në konferencën që zhvillohej nën kujdesin e veçantë të Forumit Europian për Demokraci dhe Solidaritet.
Dhe ku pa, bash në konferencën ku mund të fliste me kompetencë vetëm ai, lideri historik i socialistëve, që gjatë gjithë diskurit të tij në sallën e TOB-it nuk bëri tjetër veçse zieu vorbën për “demokracinë, integrimin, diallogun, stabilizim-asociimin, solidaritetin socialist, hapësirën ballkanike, europianizimin dhe euroatlantizmin”, për të cilët Nano paskësh qenë investuar e shkrirë që nga koha e Bënçës e deri në kryetarllëkun dhe kryeministërllëkun e pas 29 qershorit 1997.
Dhe si për inat të Nanos dhe në shenjë të hapur konkurrence me ish shefin që dikur e shtypte me të ndenjura e të cilit i bënte fresk në gjumin e vapës dhe vapën e të pirit, gjatë kësaj konference Taulant Balla ka bërë një “prezantim të ecurisë së integrimit Europian të Shqipërisë, duke vendosur një theks të veçantë mbi binarët kryesorë të procesit të stabilim-asociimit, diallogun politik, bashkëpunimin rajonal, liberalizimin progresiv të barrierave tregtare dhe implementimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, decentralizimin dhe transferimin e kompetencave drejt qeverisjes vendore, si dhe mbi domosdoshmërinë e reformave në Drejtësi”, të cilat kanë qenë dhe mbeten bash temat e stërpreferuara të Nanos, e të cilat Taulanti ka të ngjarë t’ia ketë vjedhur ish shefit në fajllet e kompjuterit, ndonëse zëra konfidentë pranë tij na bëjnë me dije se Taulanti ka pretenduar se ka qenë Demka i Nanos dhe se ato që ka deklaruar dikur ish shefi, janë kërrenjat që ai pat krrerë dhe që Fatosi pa syze i lexonte dhe i recitonte plot pathos e pompozitet në mbledhjet e qeverisë, partisë, takimet ndërkombëtare, brenda e jashtë Shqipërisë.
Si për inat të Nanos dhe Dades, si dhe për t’i dëshmuar besnikëri Ramës dhe njëkohësisht edhe për t’i krjuar bindje të plotë për kompetencë dhe vizion politik, Balla në Shkup ka folur edhe për temat e preferuara të Nanos dhe të prekura tangencialisht prej tij edhe në diskurin e TOB-it: ato për reformat në përgjithësi, për reformimin e sistemit të drejtësisë në veçanti dhe sidomos për Kosovën dhe statusin e saj të pavarësimit konform planit Ahtisaari, për çka ka rivalizuar indirekt edhe veteranen e diplomacies, Daden, dhe madje edhe vetë Edvinin që kërkoi vetëm Republikë të Kosovës gjatë vizitës së fundit në Prishtinë.
Madje duke përfituar edhe nga pjesëmarrja e disa europarlamentarëve, përfaqësuesve të Komisionit Europian dhe të vendeve anëtare të BE, rivali i Nanos dhe Dades, Taulant Balla, referuar çështjes së Kosovës ka theksuar se ajo tashmë është një çështje europiane, duke deklaruar konkretisht dhe me grandomani, në vetën e parë: “Unë besoj se vendet anëtare të BE do të arrijnë t’i superojnë kontekstet e tyre nacionale, për të arritur në një qëndrim të unifikuar, që respekton të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të Kosovës për vetvendosje. Janë pikërisht këto, parimet mbi të cilat mbështetet vetë bashkësia europiane...”.
Madje, për të sfiduar hapur rivalët Nano e Dade me vizionin e tij panballkanist, që ka shastisur jo vetëm Nanon por edhe mitomanin tjetër, Edvinin, Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Integrimit Europian dhe Euroatlantik në PS Taulant Balla, pas konferencës së Shkupit po zhvillon një tur panballkanik në kryeqytetin e Shkupit, në Sofie dhe Bukuresht, gjatë të cilit në kontaktet intensive me kolegët deputetë dhe funksionarët e lartë të vendeve respektive, do të kërkojë unifikimin e qëndrimeve të tyre në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës.
Parë në këtë këndvështrim dhe bilanc, vizita e sukseshme dhe impakti panballkanik i ish vartësit të Nanos, është një konkurrencë e egër ndaj shefit të dikurshëm, “vjedhje e ideve dhe tezave”, (ndonëse nuk dihet se kush është plagjiatori në këtë rast po t’i referohemi pretendimeve të Taulantit), “… që kërkonte një shef që ta linte të dilte në krye të punëve dhe të ecte vetë”.
Nano ka të drejtë të ndjehet keq tek sheh të rivalizohet dhe sfidohet kaq hapur nga Arta dhe Taulanti, të cilët po u mbushin mendjen kokëboshëve të PS se humbja e Fatosit nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe… Dhe pikërisht këtu fillon edhe fatkeqësia e “liderit historik të PS dhe të së majtës shqiptare”, ngaqë kjo bjerrje dhe zvogëlim në sytë e socialistëve, i kujton atij dhe atyre nafakën shpëtimtare ramiziste pas vdekjes së shokut Enver, të cilin Nano po don ta imitojë, jo thjesht për hir të raporteve të vjetra me Nexhon dhe Ramizin, por sepse ndjehet i mikluar nga cilësori “lider historik”, i cili për bashkëshoqërim idesh i ka krijuar Fatosit bindjen se “mbrapa i vjen historia”… Ndonëse duhet thënë se nuk po i vjen gjindja socialiste, ngaqë kur kish nevojë ajo për të, ai jetonte në ajër, në çartera, me të cilët gjatë 365 ditëve të vitit 1994 fluturoi, gdhiu dhe ngrysi plot 280 ditë, ajrore.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt