Nga Arbanasi, Bullgari
I zet DURAKU

230 km larg Sofjes, fshati Arbanas ngrihet në një lartësi zotëruese sipër kodrës kështjellë të kryeqytetit historik bullgar Veliko Tërnovo. Për së largu shquhen shtëpitë e bardha mes blerimit. Nga 15- 20 qershori i këtij viti, Arbanasi u shndërrua në qendrën ku, nën kujdesin e Zyrës së UNESCO-s në Venecia, u zhvillua “Seminari Rajonal i Ekspertëve të Evropës Juglindore, mbi Trashëgiminë Jomateriale”, punimet e të cilit u mbajtën në hotelin “Arbanasi Palace”. Në kohën e regjimit të kaluar në këtë hotel modern vinte për të pushuar vetë Teodor Zhivkov, kreu komunist i vendit, bashkë me shpurën e nomenklaturës së tij. Prej këndej ai kundronte dhe ndjente se kish nën këmbë Caravecin dhe krejt qytetin e mbretërve, siç quhet ndryshe Veliko Tërnovo. Apo s’ishte mbret e shkuar mbretit Zhivkovi. Këtu ai kishte kohë të meditonte për miqtë dhe kundërshtarët, të përpiqej ndër të tjera të ringjallte lavdinë e dikurshme historike të carëve dhe sipas motos së tyre “kalë pas kali, hero pas heroi” edhe të ngrinte kultin e vetvetes. Vera në Arbanas të përtërin me ajrin e kulluar, ndërsa në dimër atje mund të shkohet edhe sot për të shijuar sportin e skive në bardhësinë e borës dhe, mbase, udhëheqja dëfrehej dikur duke ushtruar gjuetinë e derrit të egër në pyllin e dendur që shtrihet nga maja e kodrës në Arbanas, ku janë të vendosura antenat e kompanive të telefonave celulare dhe kudo përqark deri sa të të hajë syri. (Ki është pillë, more Sillo!)
Sipas organizatores kryesore të këtij takimi, prof. Mila Santova, drejtoreshë e Institutit të Folklorit në Akademinë Bullgare të Shkencave, Arbanasi është ndërtuar nga mjeshtër shqiptarë që, përveç emrit, i dhanë atij rrugët me kalldrëm, stilin arkitektonik të bujtinave karakteristike, ku ndërthuret guri i latuar dhe druri i gdhendur, ndërtesat që u ngjajnë fortifikatave të vërteta dhe që tani shërbejnë si muzeume, oborret e tyre të blerta, të mbushura me pemë, kishat me ikona e piktura murale dhe manastiret e shenjta, mjediset e të cilave janë gjithnjë plot me vizitorë e besimtarë…
Seminari do të mbahej në Tryavna, një qytet i vogël, jo shumë larg Arbanasit, por në ditët e fundit, siç na thanë, reshjet atje dëmtuan hotelin ku do të qëndronin pjesëmarrësit. Patëm fatin ta shijonim mikpritjen e këtij qyteti të bardhë me një bukuri të virgjër në një luginë paqeje dhe blerimi, por vend më të bukur se Arbanasi për të folur për kulturën shpirtërore zor se mund të gjendej. Para dy-tre shekujsh, ndërtuesit shqiptar, në harmoni të plotë me vendasit, e ngritën jetën këtu duke selitur ndër të tjera një monument të pavdekshëm për bashkëpunimin dhe bashkëjetesën njerëzore.
Rrugët e fshatit, ashtu të hijezuara në çdo kohë, janë si të përmbytura nga një aromë e njomë. Era e blireve dhe e arrave më vjen e njohur. Por është dhe një erëmim tjetër, i pangjashëm me aromat që njoh, që i bën të veçanta mëngjeset dhe mbrëmjet në Arbanas. Këtë nuk e ndjejmë vetëm ne shqiptarët, që ndihemi më të përmalluar për ajrin e pastër, por edhe Nasho që vjen nga Ljubjana, Martina nga Zagrebi, Irina nga Bukureshti... Ndërsa dy studiuesit turq, Oxhall Oguz dhe Nebi Ozdemir e shfaqin më haptas admirimin e tyre për bukurinë e Arbanasit.
Ndoshta edhe për shkak të emrit, gjithçka këtu më ngjan e njohur dhe familjare. Si për të na thënë rrini si në shtëpinë tuaj, mikpritësit bullgarë, mua dhe Eduart Nurkën, specialist i muzikës në Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike na kishin vënë për të ndenjur te “Arbanashka Kështa”, Bujtina Shqiptare, siç mund të shqipërohej. Ajo ndodhej pothuajse në krye të fshatit. Pas portës tradicionale të saj, që mund ta shohësh ende në ndërtesat e moçme të Beratit, Gjirokastrës apo Shkodrës, brenda mureve rrethuese, avllive, siç u themi, në një oborr të përbashkët, të bollshëm, ngrihen dy ndërtesat e bujtinës, nga ku mund të shohësh pyllin e dendur përqark fshatit që zbret poshtë disa kilometra për të rrethuar edhe qytetin Veliko Tërnovo me çatitë e kuqe të banesave të ngjeshura nën një tis të hollë mjegulle.
Bujtina ku rrimë ne, tani shërben si hotel me dy yje. Arbanasi është i mbushur me hotele të tilla dhe restorante. Vetëm në rrugën tonë gjenden mjaft prej tyre. Nëpër sokakun e ngushtë të mbuluar nga kumbullat e egra, asfalti dhe kalldrëmi janë prishur me kohë. Bujtësit e shumtë, duke u ngjitur kur vijnë, a duke zbritur kur ikin, mezi tërheqin valixhet e mëdha. Mbushen me frymë një copë herë para portave me tabela, ku shpesh përdoret fjala e vjetër orientale “Han” dhe “Mehane”. Me sa duket në Arbanas nuk e kanë kompleksin se mos dikush do t’i quaj të vjetruar. Emri i fshatit me bujtinat, mejhanet, kishat dhe manastiret e tij ndodhet në çdo guidë turistike, dhe turistët, mbase edhe pa ndihmën e guidave, janë të pranishëm këtu në çdo stinë të vitit.
Po ku janë banorët e parë që ngritën bujtinat, a ka mbetur ndonjë shqiptar i hershëm, sa për t’u përshëndetur dhe për të ndërruar dy fjalë shqip. Drekojmë në restorantin “Qeshmata”, darkojmë te “Lulak”-u, emërtimet e të cilave lidhen padyshim me emrat çezmë dhe lule, por nuk dëgjojmë gjëkundi të flitet shqip. Na vjen zor të pyesim më shumë, nuk na duket e udhës të kuturisim më tepër rrugëve të fshatit. Kur u ktheva në Tiranë, pyeta poetin Fatos Arapi. Në rininë e tij ai kreu studimet e larta në Sofje. Malli për Bullgarinë nuk i del nga zemra.
“Ju paskan dërguar në Arbanasi?! Mrekulli. Është fshat i shqiptarëve, padyshim. Kanë kishat, manastirin e tyre. Duhet ta dish se shqiptarët e Arbanasit nuk kanë qenë mjeshtër vetëm për ndërtimet, por kanë një rol të çmuar në pavarësinë e Bullgarisë. Po deshe të interesohesh, për Arbanasin do të gjesh libra dhe dokumente të bollshme në Bibliotekën tonë Kombëtare. Materiale gjenden edhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës”, pohon me siguri shkrimtari i shquar. Edhe nëse rrjedha e kohës mund të ketë retushuar mjaft gjëra, vepra e mirë e shqiptarëve në Arbanas është e dukshme dhe na bën të krenohemi.
Në Tryavna, në qytetin ku ishte planifikuar të mbahej seminari, një qendër e rëndësishme për rilindjen bullgare me shumë buste e përmendore luftëtarësh e iluministësh, më la mbresa veçanërisht Don Kishoti mbi kalë, krenar e zulmëmadh me heshtën që kërcënon horizontet dhe Sanço Pança, pas tij, i rrëgjuar dhe i kruspullosur mbi gomar. Kjo vepër moderne e krijuar me skrap nga skulptori i njohur vendas Georgi Chapkunov, të nxiste të mendoje ndër të tjera rreth përpjekjeve për udhëtime të panumërta që ndërmarrim për t’u kthyer në të shkuarën tonë plot aromë, ngjyra, besime e virtyte të ndezura me synimin për t’i kundruar me adhurim, për t’i risjellë edhe një herë në kohën që jetojmë. Për të dalë edhe një herë në prag të shtëpisë duke pritur mikun dhe shtegtarin me bukën e ngrohtë në dorë. Me besimin se kështu e keqja nuk do të na trokasë kurrë, të korret gruri nën këngën e grave, të rrotullohen gurët e mullinjve duke bluar drithin e jetës, të zhurmojnë çikrikët duke mbledhur fijet, të endet pëlhura, shajaku, shtrojet, mbulesat, të mbruhet brumi dhe të piqen ëmbëlsirat e festës…
Ndërkohë kujtohemi me dhimbje se jetojmë në realitete të tjera, ku gjithnjë e më pak mbetet vend për të ëndërruar, kur jo rrallë të shohin vëngër për shkak të emrit, të gjuhës, të veshjes, ngjyrës së lëkurës… Kur vrundujt e urrejtjes, mbështetur mbi mite të vjetra arrijnë të sjellin zotin e vdekjes midis nesh dhe lumenjtë pastaj nuk sjellin ujë, por helm dhe gjak. Dhe ballkanasit që nuk përtojnë të vdesin (po jap jetën si me le, thuhet në një këngë të Shkodrës) përplasen seriozisht me njëri tjetrin, duke rritur përmasat e tragjedive. Ndaj pas kalorësit fytyrëngrysur vjen Sanço i rrumbullt, por i kthjellët, për të na kujtuar nevojat e përditshme të jetës, që në vend të përbindëshave të fantazisë të shohim se kemi para vetëm mullinjtë e erës...
Sidoqoftë, e kaluara nuk mund të shmanget. Gjithkush ndjen se duhet të kthejë kokën pas. Për më tepër popujt. Në këtë rast nën dritën e historisë mund të gjesh më lehtë rrugën dhe mund të shmangësh përsëritjen e gabimeve të verifikuara.
Përvoja e studiuesve bullgare të Institutit të Folklorit për inventarizimin e pasurive shpirtërore, ishte me vlera të padiskutueshme dhe një shembull për tu ndjekur nga vendet e rajonit. Një gjë e tillë u shënua me të drejtë edhe në rezolutën përfundimtare të seminarit. Ekspertët bullgar paraqitën hollësisht, dimensionet e kurorëzimit me sukses të projektit të tyre të mbështetur nga UNESCO, që konsistonte në plotësimin e një harte me përgjigjet përkatëse për pyetësorin shkencor në lidhje me gjithë trashëgiminë shpirtërore.
Kumtesat e mbajtura nga Vania Mateva, Ana Shtarbanova, Albena Georgievna, Miglena Ivanovna, etj, u vlerësuan edhe për nivelin e lartë shkencor.
Plotësimi i pyetjeve në lidhje me vendin, bartësit, ekzekutuesit, me gjinitë dhe llojet e kësaj pasurie, dialektet a nëndialektet, etj, është bërë nga qendrat rajonale të kulturës duke pasqyruar gjendjen reale dhe të gjallë të visarit kulturor. Struktura e arshivës kësisoj paraqet elementët bazë dhe ndryshimet thelbësore. Regjistrimet janë në audio, video dhe me fotografi. Përmes një katalogu tipologjik shohim rituale të ndryshme, ceremoniale, ku më kryesori dhe padyshim më i ndritshmi është kremtimi i dasmës që përmbledh njohjen, dashurinë, shpalljen e fejesës dhe së fundi ditën e kurorëzimit. Sa të ngjashme me dasmat tona. Edhe atje krushqve dhe nuses i dalin para me bukë në dorë. Nusja puth bukën, pastaj buka thyhet. Rreth çarçafit të natës së parë hedhin valle dasmorët. Edhe në rrethinat e Sofjes, bie fjala, nuses i venë në krahë një fëmijë të shëndetshëm.
Në inventarin e kulturës shpirtërore përveç gamës së gjerë të vallëzimeve dhe kërcimeve, përfshihen zejet e ndryshme, artizanati, përgatitja e ushqimeve, gatimi i tyre nomatisjet, magjitë, mjekimet popullore, masazhet, praktikat rituale... Muzika dhe veglat muzikore, padyshim zënë një vend të rëndësishëm në këtë inventar. Fillohet sipas hartës me zonat etnografike me okarinën, veglën muzikore mijëvjeçare që sjell ende jehonën e trashëgimisë trako-ilire edhe në Maqedoni e Kosovë; dudukun, një lloj fyelli rumun, violinën, klarinetën, tamburin, gajden, kavallin, fizarmonikën, daullen, curlen. Në folklorin bullgar, sipas studiuesve, me kohë kanë fituar të drejtën e përdorimit harmonika dhe kitara, por në veprimtaritë folklorike për të ruajtur pastërtinë e tij nuk lejohet veglat elektronike.
Inventari do të ishte i mangët po të mos përfshinte mënyrat e këndimit. Bullgarët krenohen edhe me polifoninë e tyre, për të cilën kanë të drejtë të mburren edhe në Maqedoni. Eduart Nurka, kolegu im në seminar, dëgjon me vëmendje zërat e shtruar të këngëtarëve, që i ngjajnë me një ere të butë që kalon me dhimbje e trishtim nga bari i pakositur i livadheve nëpër degë e gjethe drurësh. (Pyjet e pafund të Bullgarisë, pyje të reja, ku dallojmë në shumicë praninë e blireve plot me lule, duket se e mbushin me erë të mirë krejt Ballkanin). Magjia e këngës nxjerr në pah vlerat e një shpirti të madh bujar. Por studiuesit bullgar i njohin edhe vlerat e papërsëritshme të polifonisë shqiptare. Sidomos zonjat, Peycheva dhe Kaufman, njohjen e tyre e shtrinin deri në hollësira. Ata u interesuan të njihen me regjistrimet e reja nga polifonia toske dhe labe dhe, kur Eduarti premtoi t’u dërgonte disa disqe, zonjat e nderuara nuk e fshehën kënaqësinë.
Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan përvojën bullgare për regjistrimin e trashëgimisë shpirtërore dhe u përpoqën të sjellin aspekte të punës së tyre.
Përveç aspekteve të ligjshmërisë, ne paraqitëm në seminar fillimin e realizimit të një projekti pilot që po zbatohet në Institutin e Kulturës Popullore, përmes të cilit arkivi i tij do të migrojë i gjithi në shirit kompjuterik.
Pas nesh folën rreth përvojës së tyre Slobodanka Nikoliq, përfaqësuese e Bosnje-Hercegovinës, Martina Krizhaniq e Kroacisë, Georgia Hoplarou e Qipros, Ivona Tatarevska e Velika Serafimovska të Maqedonisë, Irina Balotescu e Rumanisë, Nasho Krizhnar i Sllovenisë dhe Nebi Ozdemir e Oxhall Oguz të Turqisë.
Veliko Tërnovo ndodhet në zemër të Bullgarisë, ku edhe gjendet epiqendra e lëvizjeve historike, lëkundjet dhe tronditjet e së cilës shpesh kanë përcaktuar drejtimin apo fatin e rrjedhës së vetë jetës së këtij vendi. Qyteti i mbretërve dhe i shenjtorëve, siç cilësohet, është kryeqyteti shpirtëror i bullgarëve. Lumi Jantra, tani në piskun e vapës, ashtu i mpakur, rrjedh pa zhurmë në shtratin e vet. Në breg të tij ndodhet kisha më e vjetër e qytetit, e ngritur në shekullin XIII, për të kremtuar fitoren ndaj perandorit bizantin Theodore Comnenus. E rrënuar disa herë dhe e ringritur sërish, ajo ruan kujtime të vjetra, midis të cilave edhe varrin me eshtrat e martirit të njohur serb, Shën Sava, që jetoi, shërbeu në këtë vend dhe u varros këtu kur vdiq. (Legjendat mbi gjoja flakjen e eshtrave të tij në Danub nga të ashtuquajturat hordhi të huaja, paskan qenë vetëm rrena. Sa martirizime të sajuara, sa shenjtorë e idhuj pa krena, ka ende në historinë e Ballkanit!)
Qyteti është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën lindore ndodhet qyteti i vjetër, krenaria legjitime e Veliko Tërnovos. Gjithë kodra është e rrethuar me muret plot bedena të kështjellës së restauruar. Gjetjet arkeologjike kanë vërtetuar se ajo popullohej që në lashtësi prej trakëve, shumë kohë para dyndjeve sllave. Në Carevec janë zbuluar 400 ndërtesa të fortifikuara dhe 22 kisha. Kështjella u fortifikua mjaft në periudhën e Bizantit, por lavdia e saj u ngrit në zenit gjatë mbretërisë së dytë bullgare (shek. XII-XIV), kur u ndërtuan institucionet më të rëndësishme të shtetit bullgar, pallatet dhe tempujt. Atje është e ndaluar të futesh me makina. Në hyrje të tij, te ura është vënë trau i postbllokut që ngrihet vetëm kur ke prerë biletën. 58 mijë turistë të huaj e vizituan kështjellën vetëm vitin e kaluar.
Në pjesën e vjetër të qytetit janë përqendruar kishat, manastiret, muzeu arkeologjik dhe monumentet e tjera të kulturës. Rrugët janë të ngushta dhe ndërtesat pasqyrojnë shpirtin e kohës kur u ngritën gjatë lulëzimit të perandorisë osmane. Ndoshta kështu mund të shpjegohet ngjashmëria me banesat qytetare në vise të tjera të Ballkanit. Ndërtimet buzë Jantrës herë të kujtojnë Prizrenin a Shkupin e vjetër, herë Beratin a Korçën… Profesori turk Nebi Ozdemir është i mendimit se trashëgimia kulturore e osmanëve më mirë se kudo ruhet në vendet e Ballkanit. Anadolli, sipas tij, është i varfër në krahasim me këto vende ku ruhen hane, ura, konaqe, saraje madhështore.
Për pjesëmarrësit në seminar, zëvendësministrja bullgare e kulturës, Nadejda Zaharieva, shtroi një darkë në restorantin që ndodhej pranë katedrales së qytetit, mu përballë kështjellës në kodër. Kur u errësua plotësisht ndoqëm spektaklin “Tinguj dhe drita”, të pëlqyeshëm si për vendasit dhe të huajt. Flakërima shumëngjyrëshe ndizte muret rrethuese të kalasë, mprehte kullat e bedenat e përgjakura prej përplasjeve shekullore, e bënte më të thekshme trishtimin, dhimbjen, qëndresën. I krijuar në fund të viteve 80, duke evokuar historinë dhe nxitur krenarinë kombëtare, spektakli sikur paralajmëronte për furtunat që do të shpërthenin në rajon. Për fat të mirë vala e dhunës ndëretnike nuk e përfshiu Bullgarinë...
Pjesa e re e qytetit me banesat dhe objektet social kulturore është e ngjashme me të gjitha qendrat e vogla urbane në ish-vendet socialiste. Pallate pesë-gjashtëkatëshe banimi, dyqane me shumicë, restorante, banka, një pjesë e të cilave me të njëjtin emër i shohim edhe në Tiranë.
“Për të gjithë ata që nuk e dinë se ku është Qiproja, ja ku është ky ishulli i vogël në lindje të detit Mesdhe”, e filloi si duke qeshur prezantimin e saj në seminar, grekja Georgia Hoplarou. Të gjithë e vunë buzën në gaz, mbase duke menduar se asnjëri prej pjesëmarrësve nuk përfaqësonte ndonjë vend kushedi se sa të madh. Ndoshta për shkak të fuqisë dhe madhësive të përafërta, paragjykimet dhe tensioni në rajonin e cilësuar si fuçi baruti, duket se qëndrojnë pezull gati për të shpërthyer.
Gjuha e seminarit ishte anglishtja dhe frëngjishtja. Të zotët e shtëpisë, të shumtën e kohës, natyrisht flisnin në gjuhë amtare. Por pjesëmarrësit, kur nuk i gjejnë shpejt fjalët në këto gjuhë arrijnë të merren vesh me njëri- tjetrin. Zbulojnë si me habi se përveç një numri jo të vogël fjalësh kanë shumë gjëra të përbashkëta. U tregoj fillimisht turqve se para shumë kohësh gjuhëtari Osman Myderrizi ka botuar një fjalor me 5 mijë orientalizma të futura në gjuhën shqipe. Një pjesë e madhe ka dalë nga përdorimi, pjesa tjetër e orientalizmave, siç mendonin me të drejtë edhe studiuesit turq, Nebiu dhe Oxhalli, përdoren në kontekste të caktuara për të karakterizuar me nota humori e satire personazhe që u ka ikur koha. Ndoshta më tepër orientalizma gjenden tek të tjerët në Ballkan.
Ndërkohë konstatojmë se veshjet tradicionale i kemi të ngjashme. Shajak, pëlhura leshi e liri të ngjyrosura e të qëndisura me motive të ngjashme. Kostume të prera e të qepura pothuaj njëlloj. I njëjti trishtim e dhimbje në këngët baritore. Pothuaj të njëjtat gjellë shtrohen ende në tryezat tona. Njerëz që të presin me krah hapur, gojëmbël, të gjindshëm për të të zgjatur dorën kur ke nevojë, të dhimbshëm dhe me lotin në cepin e syrit. Më shumë se një mijë vjet, duke jetuar bashkë ose pranë njëri-tjetrit, kanë qenë të mjaftueshme për të na dhënë tipare të përbashkëta që vlen të njihen, të studiohen e të ruhen. Në fakultetin Histori- Filologji të Tiranës, prof. Shaban Demiraj, Gjuhësinë Ballkanike prej shumë kohësh e jep si lëndë të veçantë.
Krah meje në restorantin “Moska” (një ndër më të mirët në Sofje) një diplomat bullgar që kishte punuar për disa vjet në Kosovë më thotë se të gjithë popujt e Ballkanit kanë periudhën e tyre të ndritur historike.
“E rëndësishme historia, padyshim, por nuk ecet para vetëm me lavdinë e së kaluarës”, dëshiron të theksojë ai, dhe shton:
“Kam kujtime të bukura në Kosovë, i ruaj lidhjet me shqiptarët që kam punuar, veçse Rugova më ka mrekulluar me natyrën dhe njerëzit e saj”.
“Aq lart sa ndodhet ajo, i them me të qeshur, mbase e keqja e ka pasur të vështirë të ngjitet deri atje”.
Diplomatit, me sa mu duk, i pëlqeu kjo përgjigje.
“Vetëm në Rugovë, këmbënguli ai, kam ngrënë gjellët që më gatuante dikur gjyshja dhe nëna”.
Ishte radha ime të më ndrisnin sytë. Mjafton të duash, them me vete, dhe të mirën e gjen kudo. Gjuha më e pëlqyeshme dhe më e frytshme e diplomacisë në rajonin tonë është miqësia e sinqertë dhe bashkëpunimi që sjell begati dhe paqe, sepse më shumë se të tjerët, paqen e duan popujt e vegjël.

Arbanasi
Rrugët e fshatit, ashtu të hijezuara në çdo kohë, janë si të përmbytura nga një aromë e njomë. Era e blireve dhe e arrave më vjen e njohur. Por është dhe një erëmim tjetër, i pangjashëm me aromat që njoh, që i bën të veçanta mëngjeset dhe mbrëmjet në Arbanas.

Polifonia
Fillohet sipas hartës me zonat etnografike me okarinën, veglën muzikore mijëvjeçare që sjell ende jehonën e trashëgimisë trako-ilire edhe në Maqedoni e Kosovë; dudukun, një lloj fyelli rumun, violinën, klarinetën, tamburin, gajden, kavallin, fizarmonikën, daullen, curlen

Kishat e vjetra
Në pjesën e vjetër të qytetit janë përqendruar kishat, manastiret, muzeu arkeologjik dhe monumentet e tjera të kulturës. Rrugët janë të ngushta dhe ndërtesat pasqyrojnë shpirtin e kohës kur u ngritën gjatë lulëzimit të perandorisë osmane. Ndoshta kështu mund të shpjegohet ngjashmëria me banesat qytetare në vise të tjera të Ballkanit.

Karakteri komunist
Pjesa e re e qytetit me banesat dhe objektet social kulturore është e ngjashme me të gjitha qendrat e vogla urbane në ish-vendet socialiste. Pallate pesë-gjashtëkatëshe banimi, dyqane me shumicë, restorante, banka, një pjesë e të cilave me të njëjtin emër i shohim edhe në Tiranë.

tiranaobserver