Ndër ata që nuk e kanë braktisur akoma Shqipërine dhe vazhdojnë të jetojnë nën presionin e dhunshëm të dobët ekonomik të vendit, të krijojnë art vërtetësisht të zhveshur nga gënjeshtra , të paguajnë haraçin e "dekorimit të dhunshëm" intelektual të jetëve dhe krijimtarisë së tyre , të mbeten besnik të ëndrave dhe ideve më të kthiellta njerëzore, njëri nga ata pra është z. Yzedin Hima prej të cilit kam nderin t'ju prezantoj sotë një gërshetim unikal vargjesh qe rrallëhere i ndeshim në rrjedhën e asaj çka lexojmë përditë. Yzedin Hima është thjeshtësisht poet ku pesha dhe koloriti i fjalëve të tij nuk kanë nevoj për tituj dhe estetizmin e të "ububujshmes". - Flurans Ilia
çdo dite humb diçka
rruget e mia te hershme po kthehen ne gjarperinj te bukur
deshirat e dhunuara jane ornamente ne shpinen e tyre
e braktis lekuren gjarperi , vizatimet mbeten art dhembjeje
peng i jetes sime plage e bukur ne shpinen e gjarperinjeve
fluturon lart ne kthetrat e shqiponjes dhe bie ylber
ne gojen e hapur te hardhuces se mahnitur nga lartesia
hardhuca eshte e lumtur se piu nje ylber ne piken e veses
e shtrire ne gur ben nje plazh estetik nen driten e yjeve
etja eshte gjithçka
u deha duke pire drite nga neoni i ftohte i syrit tend
ndjej mall per terrin ku var dobesite e mia
urat ua hipin lumenjeve me shalet hapur si kurva
indiferente ata rrjedhin drejt nje dashurie sublime
etja eshte gjitheçka. Nje njeri i nginjur vozit mbi bote
si nje bidon bosh mbi valet e qeta te lumit
kam veshur nje bluze cicerimash prej kanarine
poshte kapotes se rende te vuajtjeve te babait tim
kapota me rri e gjate. Supet me dhembin
e kaluara eshte piedestal ku ngrihet statuja e genjeshtres
edhe fjalet kane helm te forte si gjarprinjte
fjalia shpifese eshte nje gjarper jeshil ne barin e njome
mjedisi eshte ndotur edhe nga mbetjet e fjaleve
futur ne libra me kapake te trashe
e dashura ime u mahnit nga zambaket e bardhe
prej fjale te tubuara ne nje tekst urimi per ditelindje
bota u be nga nje materie qe thirret dobesi
grate jane shpetimi i njerezve te ndershem
pylli eshte ne gjinine femerore.Shih floket dhe enigmat e tij
u deha duke pire dhimbje. Fjalet me dalin te jargavanta
mëngjes në provincë
Laureshat endin pëlhurën e ditës me cicërima të bardha
Nata fshihet thellë te një gruaje me trup xixëllonje
Blic i këmbëve të hijshme vret më bukur se vetëtima
Pelerina e një pashke sot është rrobë e preferuar për horra
Gris natë për të gjetur vendin tënd të shenjtë ku fle zjarri
Nën çurgën e frikës së ndarjes që ngroh bufi në lëvozhgë
Hape këmbët për të kapërcyer apo për të formuar ylberin?
Bari i zi kreshpërohet poshtë luginës te shtjella e zjarrtë
Aty ku ngjizen gjenitë, horrat dhe vdekëtari i thjeshtë
E gjithë turma kruspulloset nën kapota të murrme ushtari
Lypsari me fytyrë guri me zor ndahet nga rrugica e imët
Me të cilën fjeti gjithë natën nën qiellin e mbjellë me lofata
Jorgani i qyramidheve digjet në diellin që rri pezull mbi vesë
Nepërka ime ende fle e qetë brenda duarve të mia prej
qelqi.
pa titull
Rruga u përdhunua këtë mëngjes nga një turtull
Flokët e saj të hirtë po ia ndreqte karrocieri i postës
Teksa kali i tredhur tundte bishtin krenar për pafajësinë
Dielli ra mbi gropa e u përgjak në të çjerrat e kuqe
Mbushur me hingëllima të trishta kali të tredhur
Rruga mbeti shtatëzanë me një turtull të brishtë
Dhe nga barku nxorri një mëngjes nëpunësin e postës
Që thërriste me nje letër në dorë në formë pëllumbi
Dhe turtulli djallëzisht buzëqeshte midis gjetheve
Teksa çukiste herë pas here në seksfrutin e plepit steril
Nën cicërimat e korit të harabelave impotentë.
fjalët e thëna
Fjalët e thëna ndër vite ende jetojnë diku
Se fjala kur thuhet nuk vdes, atë çast nis të jetojë
Thotë Emily Dickinson dhe ajo ka të drejtë
Ajo grua mban një varse me smeraldë fjalësh
Të cilat ia dhurova një pasdite i dehur nga vera
Një vajzë e kam vrarë me një fjalë të vetme
Teksa ia thashë krejt i shkujdesur në një piknik
Dikush e mban një fjalë të thënë vath në vesh
Disa fjalë jetojnë në një pllakë varri buzë rrugës
Një grup fjalësh janë në themelet e gënjeshtrës
Ndër libra disa fjalë kanë nisur të më ndryshken
Siç ndryshket qielli në shkurt nga mungesa e diellit.
Fjalët e pathëna po, ato vdesin brenda vetes
Njeriu që kurrë nuk foli është një varrezë e trishtë
Ku prehen fjalët nën qiparisat e zinj të heshtjes.
është ditë e dielë
Të duash është gjithmonë më mirë se të urresh
më thonë sytë kozmikë të një breshke të vogël
teksa përhapnin një dritë qiellore që endej mbi bar
Sy të tillë ka vetëm vajza që nuk më deshi kurrë
Dhe për fatin tim të keq ajo kurrë nuk më urreu
Shihej çdo ditë në sytë e mi si në një pasqyrë të thyer.
Lumi përpëlitet në sqepin e pulëbardhës në ag
Burrat në duart e grave sot kanë rënë robër
Është e diel dhe qielli në qindra çarçafë të kaltër
Valëzon në ballkonet e qytetit që prehet në krahët e grave.
harta e atdheut
Murit ia hoqën gurët një e nga një deri tek rrënjët
Po muri mbeti në sytë e njerëzve me gurët e rëndë gri
Njerëzit me sy muresh vështrojnë nga ura e re
që lidh brigjet e hirta të hiçit ku rrjedh mungesa e lumit
nën klithmat e pulëbardhave prej letre të bardhë
Pemët çelën luleshprese në këtë fund të ngrirë janari
Luleshpresat ndritën rrugën e fatit në një dritë muti
Njeriu veshi një palë sandale fjalësh dhe u nis për udhë
Bliri i zhveshur ka shpërthyer në cicërima kanarinash
Në pyllin e bukur të shpresës matanë asaj kodre fati
Që largohet si një arushë e bardhë me këmbë mjegulle
Njeriu ka në këmbë vetëm lidhësat e kaltra të shpresës
Rrugës lë në pluhur hartën fatkeqe të atdheut .
Në vjeshtë të gjithë vdesim nga pak
në pellgje kalbej drita
Gabriel Garcia Marques
njolla drite mbi gjurmët e tua të freskëta
ikja është demi i zi që shpon ditën në brinjë
dita dridhshëm pikon nga streha e muzgut
dhe lag zërin e pikëlluar të bulkthit në bar
në rrëpirën e lotit pejzazhet bien në humnerë
fjalët prej uji thyhen në gurin e moskuptimit
mendimi është ajo gjethja e tharë në shtjellë
mbërthyer fort te drita dhe te tingulli a!
Pantera e zezë lëpin gishtat e mi prej qelqi
gjurmët e tua mbi dritën e kalbur të ditës
pikojnë mbi barin e kuq tingullin O, ku qyqja
këndon përvajshëm: ku-ku! ku-ku! ku-ku!
shiu i penduar e njomi shkrumbin e muzgut
nata ka veshur mbathje të zeza me penj drite
teksa shtrihet mbi rënkime gjethesh të rëna
ti ike, ti ike, ti ike, ti ike, ti ike, ti ike, ti ike
dielli është iriq me gjemba dritëdhimbjeje
2005
antifabul
Turma e milingonave vente e vinte në mesditën e nxehtë të korrikut. Nga porta e shtëpisë së tyre rridhte një çurgë nate. Ato nuk ndaleshin për asnjë çast. Kokrrat e mëdha të grurit binin në humnerën e zezë të egzistencës së tyre. Zogjtë e ndalën koncertin dhe vizatonin harqe freskie mbi burim. Ajri i nxehtë rëndonte si plumb i shkrirë mbi krahët e larashit.
Gjinkallat vazhdonin koncertin e tyre. Kori i tyre freskonte qiellin e kaltër. Ajri dridhej, teksa vërshonte nga gjoksi i tyre. Pylli merrte frymë nga mijra klimatizatorë të vegjël. Nën ritmin e këngës së tyre po ndërtohej piramida e egzistencës nga vargu i zi i skllevërve. Pastaj vera shkoi. Nga sytë e trishtuar të drerit pikonte dimër. Matanë kristalineve të qerpikëve të akullt kërkova sytë borealë të Asaj.
Jam një vidh i mjerë me brekë e këmishë të bardhë që përmjerr në lëndinë!
Gjinkalla troket në portën e zezë të milingonave. Kërkoi taksën e koncerteve të verës. Një zë i akullt proletari rrodhi nga të çarat e derës: -Po çfarë bëre gjithë verën?
-Detyrën e çdo artisti në botë, këndova pa reshtur që të mos e zinte gjumi pyllin dhe vdiste, që ajri të mos derdhej si plumb i shkrirë mbi bar, që qetësia e vdekjes të mos paralizonte milingonat në varg.
Milingona u përvodh në terrin e moralit të turmës.
Mbeta vidh i mjerë me brekë e këmishë të bardhë në mes të borës së ngrirë të moralit. Këngët e akullta të gjinkallave zgjaten stalaktit në strehët e syve të Asaj.
2005
bardh e zi
blirët e rinj kanë çelur kanarina
anës rrugës vrapojnë zbathur në agim
këpucët e vjetra pinë kafenë e mëngjesit
rruga nxiton në takimin e lënë në kryqëzim
ngjethet fustani mbi format shpërthyese
ti u shfaqe në pëlhurën e ajrit nderur kah drita
tingujt puthen me tinguj nëpër strehët e syve
pikë-pikë- pikë pikon terr nga flokët e zinj
nën këmbët delikate zbardh dhëmbët asfalti
strukur te gjoksi dy zogj ende flenë gjumë
muret e qullur kollen në ngjyrë portokalli
peshku i kuq ha fjalët e hedhura në akuarum
manekinët s'e kanë emrin në lista për votim
në heshtje protestojnë në butikët e bllokut
dita ikën mbi kuaj të bardhë me nxitim
ndërsa nata lehtë- lehtë të zbret prej flokut
2005
vjeshta në mëngjes
arti është një gënjeshtër që thotë të vërtetën
Pablo Piccaso
terri vrapon skutave të ftohta
një mace prej drite e ndjek pas
me mbathje gjethesh ndër këmbë
shëtitin nudo pemët nëpër park
ti fle e qetë nën kujën e erës
harruar nën rrobat e hirta
te ky mëngjes vjeshta dhemb
te foletë bosh, te ndarjet e trishta
u tretën zërat e ngrohtë në rrugë
dhe rrugët plot zhurmë ikën larg
në këtë vjeshtë plot ndryshk
ne të gjithë vdesim nga pak
2006
ti je shpirti im i bukur
Ezra Pound: ç'dashuron do mbetet gjatë
zgjyrë është pjesa tjetër
u thinjën shkronjat, fleta u zbeh
mataforat kanë zënë ndryshk
ndërsa ti qëndron përherë e re
si mermer i bardhë nën myshk
pemët e ngarkuara me cicërima
janë femra që nuk shtrihen kurrë
dimri i zhvesh me duar të sigurta
siç di të zhveshë vetëm një burrë
te shtjella blu ne mbytemi çdo dite
lumi është brinja e kaltër e detit
pulëbardhat lindin nga gjiri i tij
me dhembje e lagin cohën e qiellit
te sytë e tu janë mbytur det e qiell
shpend’ i egër të dridhet në buzë
kur ecën rrugës si gishtat në tastierë
në sytë e njerëzve ajri digjet shpuzë
kur dimër e terr e shpirt i mbërdhirë
bukuria ndrit e ngroh si zjarri në vatër
ti m’u shfaqe një ditë marsi të ngrirë
në trajtën e një gruaje prej qelqi të kaltër
2006
udhëkryq
aty ku udhët puthen me udhët
e era i ndal hapat dhe pret erën
me këmbët e lodhura ndër duar
pa ditur ku t’i lëshoj gjurmët
qëndroj te semafori me sy njeriu
i lidhur fort në mitrën e fatit
po pres të dal si foshnja në dritë
dua të lind dhe dot nuk po lind
në rrugën e zbehtë si prostitutë
semafori nxin si një sfinks
mbeta në udhëkryqin kuq e zi
ku në dy patavra të ndryshkura rruge
Jezu Krishti kryqëzohet çdo ditë
2006
të etur shkojmë në hiç
lumi ha brigjet me mërmërima
kambana ha heshtjen me drithma
deti i etur pi çdo çast lumenjtë
dhe terri i uritur përpin retë
në natën e gjatë ne pimë vetminë
brenda nesh 100 ujq ulërijnë
të dehur bëjmë seks me kujtesën
teksa qirinjtë hanë terrin dhe veten
koha ha kohën si përbindësh mitik
rrjedha e saj mokrrat mbi ne i vërtit
aty bluhet jeta jonë çdo orë e çdo ditë
dhe poshtë del miell i bardhë : një hiç
2006
©Yzedin Hima
Krijoni Kontakt