22/06/2007
• Këngëtarja e lokaleve shqiptare në Zvicër vetëhelmohet me fostoksinë në Tiranë.
Dashamir Biçaku
Sonila Suli, 25 vjeçe, banuese në rrugën "Irfan Tomini", në kryeqytet është gjetur e vetëhelmuar në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë nga babai i saj. Ai e ka nisur vajzën me urgjencë për në Spitalin Ushtarak, kur falë ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ajo ka mundur të jetojë edhe 6 orë të tjera, por jo t'i shpëtojë vdekjes. Rreth orës 10:30 minuta, paraditen e së mërkurës, këngëtarja ka ndërruar jetë. Sipas burimeve nga Spitali Ushtarak, gjendja e Sonila Sulit kishte ardhur duke u përkeqësuar në momentet e fundit përpara vdekjes, ndërsa imuniteti i saj ishte dobësuar gjithnjë e më tepër. Për disa orë gjendja e vajzës ka ardhur duke u përmirësuar dhe të gjithë kanë menduar se këngëtarja kishte shpëtuar. Madje ajo është marrë në pyetje edhe nga oficerët e Policisë Kriminale të komisariatit nr.2, në një kohë kur gjendja e saj ishte e mirë. Por pak çaste më vonë gjendja e vajzës ka dalë jashtë kontrollit dhe më pas 25-vjeçarja ka humbur jetën. Policia dyshon se shkak për ngjarjen ka qenë një sëmundje nga e cila 25-vjeçarja vuante prej kohësh, ndërsa bashkëjetonte me një person të njohur të saj. Burime të grupit hetimor, thanë dje për gazetën "Panorama" se viktima prej kohësh vuante veç sëmundjes së saj edhe ndarjen e prindërve. Madje një fakt i tillë është pohuar edhe nga mjekët, të cilët thanë se të afërmit e vajzës u kanë treguar një fakt të tillë, që dyshohet se ka ndikuar në vendimin e këngëtares. Mbrëmjen e së martës Sonila Suli, këngëtarja 25-vjeçare, kishte vendosur të qëndronte në shtëpinë e familjes së saj dhe jo me njeriun me të cilin bashkëjetonte prej kohësh. Rreth orës 02:00, pas mesnate, babai i vajzës ka kuptuar se 25-vjeçarja nuk ishte mirë, ka shkuar në dhomën e saj e ka parë se vajza ishte në gjendje alivanie. Babai i viktimës e ka nisur atë menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak në kryeqytet, ku këngëtarja ka marrë ndihmën e parë. Mjekët i kanë bërë një lavash vajzës dhe e kanë mbajtur me serume dhe ilaçe kundër helmimit. Kjo gjendje duket se ka përmirësuar përkohësisht gjendjen e vajzës, e cila ka arritur mëngjesin e së mërkurës por ka vdekur pak kohë më pas. Ajo ka pasur mundësi t'iu përgjigjet edhe hetuesve, duke u treguar se ishte vetëhelmuar me fostoksinë, para se të ndahej nga jeta. Viktima e vetë-helmimit mësohet se prej vitesh ishte kthyer në një këngëtare të njohur të lokaleve shqiptare të natës në Zvicër.
Krijoni Kontakt