Ja përse nuk mund të jetë Kur'ani vepër e dikujt tjetër pos All-llahut!
"Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur'an është i trilluar prej dikujt përveç All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve * Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Sillne pra ju një kaptinë të ngjajshme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni” * Por ja, ata përgënjeshtruan atë (Kur'anin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin dhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve * Ka prej tyre (te të cilët u dërgua Muhammedi) që e besojnë atë (Kur'anin), e ka prej tyre edhe asish që atë nuk e besojnë. Zoti i njeh më së miri kokëfortit".[1]
Kemi përpara duarve librin e fundit të zbritur nga qielli, Kur'anin, rreth "autorësisë" së të cilit kemi disa polemika nga disa që akoma nuk e kanë të qartë prejardhjen e tij.
Kushdo ka të drejtë të pyesë e të dialogojë rreth paqartësisë së tij, por askush nuk ka të drejtë të hedhë poshtë vërtetësi të palëkundëshme, me argumente kontradiktore, të pasakta e qesharake, burimi i të cilëve është mllefi, inati e histeria!
Sidoqoftë le të kthehemi në pyetjen tonë: Kush është "autor" i Kur'anit?
Supozimet rreth "autorësisë" së Kur'anit sillen në tri pika:
1.Vepër e Muhammedit,
2.Vepër e arabëve,
3.Vepër nga një anë e panjohur.
Le të hedhim dritë mbi këto supozime, për të dalë në një vendim përfundimtar që do vërtetojë prejardhjen e Kur'anit.
A është Muhammedi (a.s) autor i Kur'anit?
Përgjigjja e kësaj pyetje do të jetë padyshim negative, për arsyet e mëposhtme:
1. Mënyra e dialogut apo thirrjes në Kur'an, ndryshon plotësisht nga të folurit e Muhammedit (a.s) që është një njeri si të tjerët me dallimin e vetëm, se atij i shpallet revelatë nga Zoti (xh.sh), gjë të cilën e pohon vetë Kur'ani: "Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askënd".[2]
2. Gjatë leximit të haditheve (fjalëve të Profetit Muhammed), në mënyrë të natyrshme do ndjejmë se kemi të bëjmë me një person të lartë dhe të mbushur me ndjenja të ndryshme njerëzore. Ndërsa, gjatë leximit të Kur'anit, detyrimisht e ndjejmë se s'kemi të bëjmë me një njeri që na thotë, na urdhëron, na ndalon, na këshillon e na tregon rrugët e mirësisë e drejtësisë, por një "autor" madhështor, fisnik, i drejtë, i fortë, mëshirues, fjala e së cilit ndryshon nga ajo e Muhammedit (a.s).
3. Arsye tjetër e mos qënies së Profetit Muhammed (a.s) autor i Kur'anit, është edhe fakti se ai ishte një njeri analfabet, që nuk shkruante dhe as lexonte dhe nuk njihej ndonjë mësues i tij, sa ishte gjallë! Madje fenomenin e analfabetizmit të Profetit Muhammed (a.s) e tregon edhe Kur'ani: "Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit".[3]
4. Atëherë si mund të jetë e arsyeshme dhe a mund ta pranojë logjika që një analfabet të jetë autor i një libri kaq madhështor, plot dituri e përkushtim dhe sfidues i gjithësisë, si Kur'ani?
5. Vështrimi i Kur'anit aq i plotë dhe aq i rregullt ndaj universit, jetës, mendimit, veprimtarisë njerëzore, luftës e paqes, martesës e divorcit, adhurimeve e riteve fetare, ekonomisë dhe industrisë, qiejve dhe tokës me shtresat e saj, etj, po të ishte vepër e Muhammedit, ai s'do ishte njeri tokësor e i zakonshëm, madje as hënor a marsian, nëse do vërtetonim ekzistencën e qënieve njerëzore në ato dy vende dhe aftësitë e tyre super njerëzore!?
6. Po të lexojmë në Kur'an, do gjejmë gjithashtu edhe lajmet e popujve të mëparshëm, deri në ditët e para të jetës mbi këtë planet, lajme që në kohën e Muhammedit (a.s) sigurisht që nuk përmendeshin në burimet e historisë, por edhe nuk njiheshin fare! Gjithashtu në Kur'an ka sfidë të padyshimtë ose një mrekulli në lidhje me shkencën, jetën, vdekjen, mjekësinë, kiminë, matematikën, etj, që do thotë se Kur'ani është një burim i vërtetë diturije dhe nxitës për thellim në të!
A mund të pranohet logjikisht që këto fakte të përmendura, t'i ketë shkruar një person analfabet?!
7. Sikur autor i Kur'anit të ishte Muhammedi (a.s), përse nuk e dëgjuam asnjëherë ta pranonte apo ta theksonte vetë, një gjë të tillë?
8. Në Kur'anin e Madhërueshëm ka mjaft ajete, në të cilat i tërhiqet vëmendja Muhammedit (a.s) në formë qortimi, si p.sh:
v "Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: “Unë do të bëj këtë nesër!” * Vetëm (nëse i shton): “Në dashtë All-llahu!” ".[4]
v "O ti pejgamber (o ti, që të është sjellë kumtesa nga qielli), pse ia ndalon vetes atë që All-llahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave tuaja? All-llahu është mëkatfalës, Mëshirues".[5]
9. Nganjëherë, me Profetin ndodhte ndonjë ngjarje dhe ai kishte nevojë për ndonjë ajet kur'anor që ta ndriçonte atë çështje e ta zgjidhte problemin, mirëpo kalonin ditë të tëra e atij nuk i vinte lajmëtari i qiellit, saqë disa filluan të talleshin me të duke i thënë: Të la Zoti yt…Hoqi dorë prej teje, etj, derisa zbriti ajeti: "Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur".[6]
Po këtij fakti si t'ia vëmë emrin?!
Pas gjithë këtyre argumenteve të përmendura, a mund të mendojmë e të arsyetojmë vetëm se Kur'ani nuk është vepër e Muhammedit (a.s) dhe se ai nuk është autor i këtij libri, por ky libër i është reveluar atij, por nga kush? Nga arabët? Nga xhindët? Apo nga…?
Le ta shohim e ta provojmë se sa qëndron ky fakt, ose ta refuzojmë si të parin!
A janë arabët autorët dhe reveluesit e Kur'anit?
Ka qenë prej natyrës së arabëve, në kohën kur u dërgua Muhammedi (a.s), letërsia, dashuria dhe pasioni për poezinë e ligjërimin.
Për çdo vit arabët kishin një sezon të posaçëm, në të cilin mblidheshin dhe paraqitnin krijimtarinë e tyre. Ligjëratat e shoqëruara me vargje ishin mjeshtri e arabëve, madje edhe të folurit vetëm me anë të vargut ishte një gjë jo e çuditshme ndër ta.
E kemi të qartë faktin, se çdo Profet është dërguar të sfidojë popullin e tij në çështjen më të përhapur ndër ta.
Hz. Musai (a.s) u dërgua në një popull, ku magjia ishte shumë e përhapur dhe ai me mrekullitë e Zotit i sfidoi dhe i mahniti ata.
Ja si e tregon një pjesë të kësaj mrekullie, Kur'ani i Madhërueshëm:
"Ai (Musai) e hodhi shkopin e vet, kur ja, u shfaq gjarpër i vërtetë *… Ai (Musai) tha: "Hidhni ju"! E kur hodhën ata (shkopinjë e litarë), magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe sollën një magji të madhe * E Ne e frymëzuam Musain (duke i thënë): "Hidhe shkopin tënd!" Kur qe, ai gëlltiste atë që kishin magjepsuar".[7]
Ndërsa Hz. Isai, u dërgua në një popull që e njihte mjekësinë e shërimin e sëmundjeve. Mrekullia e tij ishte pikërisht në sfidimin e tyre në atë fushë.
Ja si e tregon Kur'ani këtë fakt:
"Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend, unë i shëroj të verbërit, të sëmurit në lëkurë, dhe unë me lejen e All-llahut ngjalli të vdekurit: unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depononi në shtëpitë tuaja. Vërtetë, kjo është fakt për ju nëse jeni besimtarë".[8]
Ndërsa Kur'ani erdhi si mrekulli në një popull që krenoheshin me letërsi e ligjërim, duke i sfiduar ata me mënyrat e tija të jashtëzakonshme e të shkëlqyera në të shprehur dhe në ligjërim!
Atëherë si mund të jetë Kur'ani vepër e arabëve ose argument i rritjes së tyre artistike e letrare, njëkohë që ai mposhti çdo kryevepër të arbëve letraro- artistike?!
Pastaj, vetë arabët jomuslimanë habiteshin me tekstet e Kur'anit dhe e pranonin se ai nuk ishte shkruar nga dorë njeriu!
P.sh. Velid ibnul Mugire, një jomusliman i parisë së Mekkes, pasi e dëgjoi Kur'anin, ndër të tjera tha: "Kur'ani ka një ëmbëlsi, qëndron në një lartësi…dhe mbi të gjitha nuk është fjalë njeriu"!
Por, sikur të ishte Kur'ani vepër e arabëve, përse nuk mundën t'i përgjigjeshin sfidës së Kur'anit: "A mos ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi!” Jo, por ata nuk besojnë * Pra, nëse ata janë drejt, le ta sjellin një ligjërim si ai".[9]
Ndërsa prof. Sadik er- Rafii, ndër dijetarët e letërsisë arabe të shekullit të kaluar, në librin e tij "Mrekullia e Kur'anit", fq. 218, thotë: "Pas daljes në pah të Kur'anit, arabëve s'u mbetet më emër në listën e letërsisë, pasi kjo mrekulli i sfidoi…".
E si mund të mendojmë pastaj se Kur'ani është autorësi e arabëve?!
A janë xhindët autorët e vërtetë të Kur'anit?
Detyrimisht kur të lexojmë ajetet në vijim, do ta kemi shumë të thjeshtë t'i përgjigjemi negativisht pyetjes së lartpërmendur: "Thuaj: “Mua më shpallet se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur'anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kur'an që mahnit, () që udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t'ia shoqërojmë më askënd”".[10]
A është e mundur që ata vetë ta kenë shkruar këtë libër e njëkohësisht të mahniten prej veprës së tyre në këtë mënyrë dhe për më tepër të shkojnë te populli i tyre e t'i lajmërojnë për mrekullinë e tij dhe besimin e tyre në njësinë e All-llahut?
Pastaj vëreni se si kontaktuan ky grup me popullin e tyre, pas dëgjimit të Kur'anit: "Thanë: "O populli ynë, në dëgjuam një libër të shpallur pas Musait, që vërteton atë para tij, që udhëzon në të vërtetën dhe në rrugën e drejtë!" * O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të All-llahut dhe besoni atij! Ai ju falë mëkatet tuaja dhe ju shpëton prej një dënimi plot vuajtje".[11]
"Ne dëgjuam një libër të shpallur", jo "Ja libri që shkruam e vetëshpallëm"!
Dallim i madh në mes dy shprehjeve, për ata që mendojnë dhe drejt logjikojnë?!
Kush është "autori" i vërtetë i Kur'anit?
Në qoftë se arabët, nuk mundën ta përballojnë sfidën e Kur'anit dhe s'arritën të sillnin një libër të ngjashëm me të, a logjikohet që ky libër të jetë nga dora e njeriut?
Pastaj po të shohim në Kur'an, do gjejmë se prej karakteristikave të tij është edhe:
v Pastërtia në të shprehur.
v Transmetimi i lajmeve të padëgjuara më parë; të ndodhura e të pandodhura.
v Mos ekzistenca e gabimeve në të.
v Kuptimplotë.
v Shumëanëshmëria në kuptim.
v Vërtetësia e lajmeve.
v Ligj i përsosur, i përshtatshëm për çdo kohë e çdo vend.
v I pajisur me një kod matematikor të admirueshëm e të mrekullueshëm.
v Burim i shkencave dhe dijeve.
v Sfidë ndaj dijes dhe dijetarëve, etj.
Pas gjithë kësaj lind sërish pyetja e parë: Cila është prejardhja e Kur'anit dhe nga na erdhi ai?
Vetë All-llahu i Madhëruar na i përgjigjet kësaj pyetje, duke na thënë:
"Shpallja e librit është prej All-llahut, të Gjithfuqishmit, të Urtit".[12]
Ndërsa atyre që akoma vazhdojnë të besojnë se Kur'ani është vepër e dikujt tjetër pos All-llahut, u këshilloj të lexojnë ajetin kur'anor:
"A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur'anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie".[13]
E nëse akoma vazhdojnë të jetojnë në botën e ankthit dhe të dyshimit: Zoti i udhëzoftë
Krijoni Kontakt