Asgjë përveç Tij
Kam lexuar në libra të ndryshëm shumë përshkrime mbi mënyrën si të shkojmë te Perëndia dhe si të praktikojmë jetën frymërore. Duket se këto metoda vlejnë më shumë për të më çoroditur sesa për të më ndihmuar, sepse ajo që kërkova më pas ishte thjesht si të isha tërësisht i Perëndisë. Kështu që, mora vendimin të jepja gjithçka për Gjithçkanë. Atëherë ia dorëzova veten tërësisht Perëndisë; hoqa dorë nga çdo gjë që nuk ishte e Tija. E bëra këtë për t’u marrë me mëkatet e mia dhe prej dashurisë sime për Të. Fillova të jetoj sikur të mos ekzistonte asgjë, absolutisht asgjë përveç Tij. Kështu pra, në këtë botë, unë fillova të kërkoj të jetoj sikur në tërë rruzullin të ndodheshim vetëm Zoti im dhe unë.
Ndonjëherë do ta paraqitja veten time para Tij: Ai gjykatësi, unë krimineli. Por, herë të tjera, e shihja si Ai që banon në zemrën time – si Atin tim, si Perëndinë tim. I shprehja adhurimin sa më shpesh të mundesha. E mbaja mendjen në praninë e Tij të shenjtë. E risillja ne mendje praninë e Tij sa herë e gjeja atë të hallakatej larg prej Tij. Më dukej një ushtrim shumë i vështirë! Por, pavarësisht vështirësive që hasja, unë nuk u ndala. Nuk e lejoja veten të binte në dëshpërim teksa mendja ime shpërqëndrohej.
U bë pjesë e pandarë e jetës sime të isha në praninë e Zotit po aq gjatë ditës sa isha kur shkoja në orën time të caktuar të lutjes. E përzija nga mendja çdo gjë që arrinte të ndërhynte në mendimet e mia për Perëndinë. Veproja kështu çdo herë, çdo orë, çdo minutë, edhe në pikun e punëve të mia të përditshme.
Ky ka qënë zakoni im i përhershëm që kur fillova jetën e murgut. Sigurisht, i realizuar jo përsosmërisht, e megjithatë, favori që kam patur përgjatë kësaj rendjeje ka qenë i madh. Sepse dështimet e mia më bëjnë të mos harroj se e tërë lavdia duhet të jetë vetëm e mëshirës dhe mirësisë së Perëndisë. Pa Të nuk bëjmë dot asgjë … dhe unë jam ai që mund të bëjë më pak nga kushdo tjetër. E megjithatë, kur besnikërisht kërkojmë të qëndrojmë në praninë e Tij të shenjtë dhe të kemi gjithmonë para syve pamjen e Tij, frytet janë të mira. Nuk ndodh më ta lëndojmë apo me vullnet të bëjmë nga ato gjëra që e fyejnë Atë. Për më tepër, një i ushtruar i tillë na çon drejt një lirie të shenjtë dhe një njohjeje të afërt me Perëndinë. Ne kërkojmë dhe marrim, sepse shpresojmë në hirin. Thënë me pak fjalë, duke insistuar në këto gjëra, ato kthehen në një zakon. Prania e Perëndisë na bëhet e natyrshme.
Nëse të pëlqen, shprehi së bashku me mua falenderime për mirësinë e madhe që ka treguar ndaj meje. Mahnitja ime s’do jetë kurrë e mjaftë për tërë favoret që i ka rezervuar një mëkatari si unë.
Çdo gjë të mund të lavdërojë Atë.
Amen.
Krijoni Kontakt