Një herë një vëlla u ngazëllye nga një mesazh bazuar te Romakët 6. Ai mendoi se tashmë e kishte kuptuar kapitullin 6 të Romakëve. Pak ditë më pas u grind ashpër me gruan e tij. Kjo është historia e trishtueshme e njeriut. Kapitulli 6 i Romakëve ishte veç një diçka për të - shkronja në një libër. Për rrjedhojë, nuk ishte dritë. Nëse do kishte parë dritë, nuk do mundte të vepronte sipas njeriut të vjetër, sepse ai do ishte rrëzuar përdhe nga ajo dritë.
Drita është e fortë. Ajo mund të bëjë atë që njeriu nuk e bën dot vetë. Atë që nuk mund ta bëjë dot doktrina, që nuk mund ta bëjë ndihma e vëllezërve dhe e motrave, atë që nuk mund ta arrini nëpërmjet mundit tuaj, drita mundet ta përmbushë menjëherë. Ne mund ta konsiderojmë veten tonë shumë të fortë – por, kur drita shndrit, bëhemi të butë. Kur Gjoni pa dritën, ai u bë si një i vdekur; e njëjta gjë edhe me Danielin. Asnjë nuk është në gjendje të shohë fytyrën e Zotit dhe të mos bjerë në tokë. Asnjë nuk mund ta vështrojë Zotin pa u bërë si një i vdekur. Është e vështirë për ne të vdesim, është e rëndë të jemi të përulur, por sapo drita shkëlqen, këto gjëra kanë ndodhur. Drita që vjen nga Zoti ka fuqi therëse. I rrëzon njerëzit përtokë ndërsa shndrit.
Vetë Zoti Jezus është dritë. Për pasojë, kujtdo që përballet me Të i hapen sytë dhe shikon, bie dhe dobësohet sikur të jetë i vdekur. Shumë njerëz kanë një karakter të fortë dhe të ashpër. Ata nuk janë thyer kurrë nga Zoti; as vetja e tyre dhe askush tjetër nuk mund të përballet me ta. Vjen koha kur drita e Zotit ndriçon mbi ta. Sapo shohin dritën, ata bëhen enë të thyera. Ai që sheh Zotin është pa dyshim i dobët dhe i thyer. Askush nuk mund të jetojë pasi ka parë Zotin. Kjo është drita.
Të dashur miq, mos ngatërroni asnjëherë dritën me gjëra të tjera. Ajo që ne zakonisht quajmë dritë nuk është e thënë të jetë patjetër dritë. Shumë prej tyre janë doktrina ose të ashtuquajtura “të vërteta”. Ato nuk kanë asnjë dobi frymërore në jetën tonë. Ishte dikur një vëlla që e donte Zotin shumë. Një ditë takon dikë i cili i thotë: “Jam kaq i gëzuar që kam gjetur doktrinën e mëkatit te libri i Romakëve.” Dhe vëllai i përgjigjet: “Miku im, si ka mundësi që e zbulove sot doktrinën e mëkatit tek Romakët? Mendoj se duhet ta kishe gjetur praninë e mëkatit kohë më parë te vetja jote.” Shumë përpiqen të zbulojnë doktrinën, por ata nuk kanë gjetur faktin. Ndaj ajo mbetet fjalë dhe një çështje e vdekur. Ajo nuk është dritë, jetë apo Krisht.
Efekti i parë i dritës - ajo vret....
vazhdon...
Krijoni Kontakt