Me studiuesen e arkeologjisë, prof.dr. Edi Shukriu bisedojmë për hulumtimet arkeologjike në Kosovë, për vlerat e trashëgimisë kulturore në këndvështrimin arkeologjik, për objektet më karakteristike të trashëgimisë kulturore, respektivisht të renovuarat, për botimet nga fusha e arkeologjisë dhe e trashëgimisë kulturore në përgjithësi, për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shkencore dhe hulumtuese në lëmin e arkeologjisë, për gjendjen e objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë, për kthimin e eksponateve arkeologjike nga Beogradi etj.
-A mund të na thoni fillimisht, deri ku kanë mbërritur hulumtimet arkeologjike në Kosovë?
Shukriu: Mendoj se ka rezultate të konsiderueshme në fushën e arkeologjisë, në aspektin e gërmimeve në terren dhe të tërheqjes së vëmendjes publike për të. Pasi që hulumtimi arkeologjik nënkupton një varg procesesh, si është përnjohja, gërmimi, dokumentimi, studimi, prezantimi dhe publikimi, mendoj se për këtë duhet angazhim më i madh. Është e ditur se veprimet ad hoc në arkeologji bëhen vetëm kur ka gjetje rasti dhe kur lokaliteti arkeologjik është i rrezikuar, andaj, para çdo veprimi së pari duhet përpiluar politikat e zhvillimit të arkeologjisë dhe planifikimi afatgjatë i hulumtimeve sipas prioriteteve. për të pasuar me evidentimin e të gjitha lokaliteteve arkeologjike në Kosovë dhe të objekteve të luajtshme, vlerësimin e tyre e të tjera. Vendosja e sistemit të duhur të menaxhimit, vizioni, aspekti shkencor dhe profesionalizmi, përfshirë dhe kartografimin bashkëkohor digjital, do të duhej të ishin baza për hulumtimet e mirëfillta arkeologjike. Sot, ndonëse është aprovuar ligji për trashëgiminë, gjendja edhe në këtë fushë nuk është për t’u lavdëruar, aq më tepër nëse kësaj i shtohet edhe paraqitja e trafikimit me objekte arkeologjike, të cilës institucionet tona vërtet duhet t’i kushtojnë kujdes.
Kosova është një hapësirë plotë trashëgimi arkeologjike, falë shtresimeve të parahistorike e historike, që ishin rezultat i pozitës së saj të volitshme gjeografike dhe të burimeve të pasura natyrore. Hulumtimet të deritanishme arkeologjike në Kosovë sollën në dritë një pjesë të begatisë arkeologjike dhe njëkohësisht dëshmuan se nëntoka e Kosovës mban në vete edhe shumë lokalitete e artefakte që presin të dalin në dritë. Është kjo një pasuri e çmuar, e cila duhet trajtuar, ruajtur, konservuar dhe shfrytëzuar mbi parime të objektivitetit shkencor, të profesionalizmit dhe të neutralitetit politik.
-Cilat janë disa nga vlerat e trashëgimisë kulturore në këndvështrimin arkeologjik?
Shukriu: Një varg i lokaliteteve dhe i objekteve arkeologjike e meritojnë të përmenden me këtë rast, sepse Kosova ka thesar të vlefshëm arkeologjik dhe mjaft atraktiv, madje edhe për syrin e një vizitori. Sot dimë për shumë qendra dhe zona arkeologjike, peizazhe arkeologjike dhe monumente të luajtshme, për disa prej të cilave duhen jo shumë investime për t’i bërë atraktive për vizitorë. I tillë është kompleksi trashëgimor i Artanës/Novo Bërdës, Ulpianës, Vendenisit te Gllamniku, Municipiumit DD te Soçanica, Gradina e Llapushnikut, e Vlashnjës e shumë të tjera, përfshirë dhe komplekset e trashëgimisë ortodokse, që sot, mjerisht, mbahen të izoluara dhe që, pos që janë trashëgimi arkitektonike mesjetare, përmbajnë edhe trashëgimi arkeologjike. Nga objektet e luajtshme arkeologjike që kanë vlera shumëdimensionale shkencore e kulturore do të veçoja Monumentin epigrafik të Hyjneshës dardane nga Smira me labyrinthin rrethor unik, pikturimin shkëmbor parahistorik të Vlashnjës me drerin dhe shumësinë e spiraleve, hyjneshat neolitike që nga ato të Tjerrtores së Prishtinës, Bardhoshit, Varoshit, Mitrovicës e të tjera, si dhe Monumentin mortor nga Dardana/Kamenica, si monument guror unik dhe i rrallë, që i takon kohës së ekzistimit të shtetit dardan dhe që përmban tradita etnologjike para pushtimeve romake.
-Cilat janë objektet më karakteristike të trashëgimisë kulturore, respektivisht të renovuarat?
Shukriu: -Trashëgimisë arkitektonike i është kushtuar më shumë kujdes dhe atë në periudha të caktuara dhe në varësi, mjerisht, nga rrethanat politike dhe jo me kompleksitetin e tyre sipas prioriteteve. Në periudhat para luftës në Kosovë dhe pas vitit 2004 manastiret dhe kishat ortodokse ishin vazhdimisht në fokus dhe për to mendoj se duhet vetëm pak angazhim profesional e më shumë politik që të jenë të frekuentuara nga qytetarët. Objektet e tjera, pas shkatërrimeve të qëllimshme, janë restauruar apo rikontstruktuar dhe janë bërë objekte që vizitohen, siç është p.sh. Lidhja Shqiptare e Prizrenit apo Kulla e Isa Boletinit. Shpresoj që Kompleksi i Adem Jasharit të përgatitet në nivelin meritor sa më shpejt dhe të jetë qendër e rrjetit të monumenteve që prezantojnë luftën e UÇK-së dhe të një muzeu që do ta pasqyronte historinë e vonë të Kosovës. Arritje e madhe është bërë me renovimin e një pjese të kullave shqiptare. Si pjesë e identitetit shqiptar këto kanë pësuar shkatërrime të qëllimshe, andaj dhe jam angazhuar menjëherë pas luftës që kullave t’u kushtohet kujdes, gjë që është bërë fillimisht përmes Zyrës së Suedisë në Prishtinë dhe SIDA-s. Ndërkohë, janë ndërmarrë një varg aktivitetesh me karakter konservimi dhe revitalizimi, por mendoj se ende nuk janë në masë mjaftueshme në raport me mundësitë dhe nevojat. Në trashëgiminë arkeologjike në këtë drejtim ka mungesa të shumta, madje asnjë nga lokalitetet e shumta nuk është përgatitur për prezantim, duke u nisur nga Ulpiana.
-Çfarë mund të thoni për botimet nga fusha e arkeologjisë dhe e trashëgimisë kulturore në përgjithësi? A janë publikuar të gjitha rezultatet e kësaj fushe dhe sa krijon lehtësi fillimi i realizimit të “Hartës arkeologjike të Kosovës”?
Shukriu:- 9 vjet pas luftës në Kosovë mundësitë për botimet nga fusha e arkeologjisë dhe e trashëgimisë kulturore do të duhej të ishin më të favorshme. Në vende të tjera këto realizohen nën përkujdesjen e shtetit dhe përmes angazhimit të ekspertëve të fushës, ndërsa në Kosovë kjo zhvillohet më shumë nga iniciativa individuale dhe me shumë vështirësi. Me këtë rast do të veçoja librin me dy vëllime të Exhlale Dobrunës, që përmbledh dhe trajton monumentet epigrafike, atë të trajtimit të veçantë të monumenteve ushtarake të Naser Ferrit dhe librin tim mbi Dardaninë paraurbane. Publikimet dhe prezantimi i objekteve të mbrojtura janë të vlefshme edhe nga aspekti i mbrojtjes së tyre, ngritjes së vetëdijes për vlerat trashëgimore, por edhe për zhvillimin e ekonomisë turistike. Mendoj se nga kjo fushë, por edhe nga të tjerat, duhet shkruar apo përkthyer edhe në gjuhë të huaja, me qëllim të komunikimit në nivel botëror. Ky ka qenë, pos të tjerash, edhe qëllimi im kur botova librat “Kosova antike” dhe “Ancient Kosova”.
“Harta arkeologjike e Kosovës” është nismë e qëlluar, e paramenduar si një ndër prioritetet e para qysh në vitin 2000. Uroj që të vazhdohet në këtë drejtim dhe në të angazhohen të gjitha kuadrot arkeologjike të Kosovës.
-Në çfarë niveli është apo do të duhej të ishte bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shkencore dhe hulumtuese në lëmin e arkeologjisë: Muzeut të Kosovës, Institutit të Arkeologjisë, ASHAK dhe ekspertëve të tjerë të lëmit përkatës?
Shukriu: -Në Kosovë duhet të bëhet i mundshëm një bashkëpunim i harmonizuar, i thellë dhe i qëndrueshëm midis institucioneve, roli i të cilëve është përcaktuar me ligj. Në këtë drejtim, roli i Qeverisë, në veçanti i Ministrisë së Kulturës është shumë i rëndësishëm, pastaj i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i institucioneve të tjera. Përkujtoj se në këtë drejtim duhet pasur parasysh Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Kosovës me rrjetin rajonal, Institutin e Historisë dhe Institutin Albanologjik. Universiteti i Prishtinës, me rolin e tij shkencor dhe edukativ, duhet të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi, si veprohet kudo në botë. Mendoj se tash ne duhet të ecim para duke instaluar bashkëpunim edhe me institucionet ekzistuese të shkencave natyrore, pasi që trajtimi i trashëgimisë është multidisiplinar.
Për bashkëpunim të nevojshëm për studimin, mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore është parësore që interesi i Kosovës të jetë mbi interesat grupore dhe individuale. Fusha e trashëgimisë nuk duron pseudo-ekspertë, pseudo-shkencëtarë dhe lakmitarë të përfitimeve vetjake, që e dëmtojnë pakthyeshëm trashëgiminë dhe që në vend të hapjes së dyerve, i mbyllin këto. Kjo mund të vërehet edhe nga projekt propozimet për hulumtime arkeologjike, që pos të tjerash kanë pozicione të panevojshme për pagesë të konsultantëve shkencorë (që fare nuk janë të fushës) e të kinse konsultantëve (as të përafërt me arkeologjinë).
-Në çfarë gjendje ndodhen tash për tash objektet e trashëgimisë kulturore në Kosovë?
Shukriu: Institucionet ndërkombëtare, siç janë UNESCO, ICOMOS e të tjera që moti kanë vendosur parimet e përbashkëta, detyrimet, procedurat ligjore dhe parimet për hulumtimin, ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe prezantimin e trashëgimisë kulturore. Në këtë kuadër, mbrojtja e trashëgimisë kulturore është përgjegjësi kolektive dhe shtetërore, që duhet të zhvillohet përmes një profesionalizmi të niveli të lartë dhe të mbështetur në të arriturat bashkëkohore për mbrojtjen e trashëgimisë. Sa mund të përmbushen këto parametra përmes një buxheti shumë të vogël dhe në një ministri që përfshinë kulturën në përgjithësi, rininë e sportin është çështje e cila duhet ritrajtuar seriozisht. Po të ekzistonin kushtet, mendoj se Kosova do të duhej ta kishte ministrinë e trashëgimisë, sepse është fushë me shumë specifika që kërkon njohuri të veçanta, dhe që është edhe me leverdi ekonomike.
Në trashëgimi kulturore është investuar në një masë, mbase më shumë nga donatorët e huaj. Përderisa një numër i vogël i objekteve është në gjendje të mirë, ndonëse u mungon prezantimi i duhur, një numër i madh i tërësive kulturore historike është lënë mënjanë dhe është i rrezikuar. Shkakun për këtë duhet parë dhe në faktin se veprimtaria në këtë fushë funksionon e pakoordinuar dhe pa politika dhe metodologji të unifikuar shtetërore. Si rrjedhojë, shumë çështje duhen zgjidhur, si në vijim: Si dhe nga kush menaxhohet studimi, mbrojtja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore (programet, planifikimi, miratimi, zbatimi, monitorimi)? Pse ende nuk është përpiluar regjistri i objekteve të trashëgimisë nën mbrojtje? Pse nuk është definuar lista e trashëgimisë kulturore në rrezik? Sa veprohet sipas procedurave ligjore, parimeve dhe metodave të duhura? Si formohen/emërohen ekipet punuese, mbi cilat parime dhe kualifikime dhe nga cili autoritet? Cilat janë pasojat dhe efektet nga shkeljet e proceduarve dhe parimeve në realizmin e projekteve/planeve konservuese? Si sanksionohen dëmet nga keqmenaxhimi në vitet e fundit në trashëgiminë kulturore? Ka dhe shumë çështje të tjera që duhen shtruar, por mendoj se menaxhimi i drejtë, profesionalizmi dhe vendosja e sistemit të vlerave do të mundësonte funksionalizimin e institucioneve të trashëgimisë.
-Kthimi i eksponateve arkeologjike nga Beogradi, eksponate që i ishin marrë dikur Muzeut të Kosovës, po vonon. Pse, sipas jush nuk kthehen ato në ‘vendlindjen’ dhe çka do të duhej bërë institucionet tona dhe ato ndërkombëtare për t’u realizuar një gjë e tillë?
Shukriu: - Kërkesa për kthimin e eksponateve arkeologjike nga Beogradi është bërë që në pranverë të vitit 2000, me iniciativën e Bashkëdrejtuesve të Departamentit të Kulturës–UNMIK, për të vazhduar me Drejtorin e Muzeut të Kosovës, z. Hadrin, dhe më pas të ministrisë përkatëse. Të marra nga Muzeu i Kosovës, por edhe nga muzetë e tjera të Kosovës, edhe këto objekte të çmuara të trashëgimisë kosovare janë bërë peng i politikave serbe. Në kohën e organizimit të ekspozitës, kur lufta e armatosur kishte nisur në Kosovë, kanë qenë të qarta prapavijat politike serbe për t’i marrë objektet dhe për të dëshmuar se dardanët nuk janë ilirë, përkatësisht se Kosova, si trevë dardane nuk u takon shqiptarëve. Mjerisht, kolegët shqiptarë të Muzeut të Kosovës nuk i dëgjuan këshillat dhe ne ende po ballafaqohemi me pasojat. Mendoj se ka munguar trysnia më e madhe e UNMIK-ut dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi për kthimin e tyre në nënqiellin që i krijoi dhe ku e kanë vendin. Shpresoj se kjo eksperiencë e hidhur deri tash të shërbejë për një vetëdijesim më të lartë për vlerat e trashëgimisë arkeologjike dhe të trashëgimisë në përgjithësi, ku kultura shpirtërore, zë po aq vend të merituar.
Edi Shukriu
Edi Shukriu (Prizren, 1950) studimet për arkeologji i mbaroi në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe titullin Doktor i Shkencave Historike e mori në Universitetin e Prishtinës (1990). Është profesoreshë ordinare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Bashkëbiseduesja jonë është edhe shkrimtare e njohur, përkatësisht krijuese e poezisë, dramës etj.
GAZETA TEMA
Krijoni Kontakt