Ajo që deklaroi kryeministri Berisha për rrjedhje
informacioni, ishte thjeshtë një deklaratë në publik, pasi vetë uniformat blu janë ndjerë besëthyer në shumë raste. Dikush brenda radhëve është kthyer në informator të grupeve kriminale dhe personave në kërkim dhe policisë nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm të ikë me "gisht në gojë". Mbi bazën e të dhënave nga Policia e Shtetit, nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, por edhe nga investigimet e detajuara që kemi bërë si gazetarë, po botojmë sot 9 operacionet që kanë dështuar nga spiunimet e uniformave blu.
Dështimet
Mjafton të përmendim vetëm mobilizimin e policisë në aksione dhe fondet e veçanta që shpenzohen për kryerjen e tyre si dhe mosrealizimi me sukses quhet dështim i dyfishtë, përveç atij profesional. Përveç dekonspirimit të operacioneve të grupeve të gatshme të policisë, dështime kanë pasur edhe forcat elitë të repartit RENEA. Burime nga policia shpjegojnë se kjo sigurisht nuk ka ardhur nga mungesa e efektivitetit apo e përgatitjes, por nga spiunimet. Janë vetë uniformat blu, që në disa raste vënë në dijeni të operacioneve grupe kriminale persona në kërkim, por edhe fshatra e qytete, dhe më pas gjithçka ka vetëm një emër, dështim. Përgjegjës për të gjitha dështimet e operacioneve kanë qenë vetë agjentë të policisë, të cilat në disa raste edhe janë pikasur nga drejtuesit e lartë të policisë dhe SHKB. Madje janë marrë edhe masa deri nga largim nga puna.
Hetimet e SHKB-së
Duke marrë shkas nga mos zbardhja e shumë ngjarjeve, SHKB-ja ka hetuar rreth 200 policë, të cilët dyshohet se kanë fshehur prova dhe fakte të tyre. Dosje, të cilat janë mbyllur për mungesë provash, tashmë do të rihapen dhe të gjithë personat përgjegjës për pushimin e tyre do të vihen para përgjegjësisë, qofshin këta edhe uniforma blu. Kështu kanë pohuar burime pranë SHKB-së. Këtë nismë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm e ka marrë për të gjithë ata policë, të cilët kanë nisur të zbardhin një ngjarje dhe më pas dyshohet se kanë fshehur fakte të saj apo edhe kanë spiunuar një operacion.

operacionet e spiunuara

RENEA PRITET ME ARME NE LAZARAT
Është një nga dështimet e rralla të repartit të forcave speciale, RENEA për sekuestrimin e drogës të të arrestuarit Xhelo Gërveshi. Ishte muaji nëntor i vitit 2006 dhe dyshohet se dikush e ka dekonspiruar operacionin e specialëve, që ishte planifikuar të realizohej pas mesnate dhe ata janë ndeshur me breshëri armësh.

POLICIA NUK ARRESTON TE KERKUARIN
Një superoperacion i policisë së Fierit për kapjen e biznesmenit të ndërtimit, Ahmet Isufi, i kërkuar për trafik drogë, është kthyer në dështim. Gjithçka ka ndodhur në mesnatën e 15 majit të këtij viti. Madje drejtuesit e lartë të policisë dhe SHKB, vendosi shkarkimin nga detyra të 5 policëve, pasi dyshoheshin se kishin spiunuar operacionin.

SPIUNIMI NE BURGUN E BURRELIT
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më 6 gusht të 2005-s ushtruan operacione "blic" në qelitë e burgut të Burrelit, ku kishte informacione të forta për hyrjen e mjeteve të ndaluara që ndihmonin të dënuarit për arratisje. Por pasi qelitë e Burrelit janë krehur nga një grup special kontrolli, nuk është zbuluar asnjë parregullsi. Ky fakt shkaktoi nisjen e verifikimeve për një rrjedhje të mundshme informacioni, e cila u ka dhënë mundësi të dënuarve të parapërgatiten për kontrollin.

PA AUTOR ATENTATI NDAJ INSPEKTORIT TE KRIMEVE
Kanë dështuar operacionet e policisë së kryeqytetit për kapjen e atentatorëve të kolegut të tyre. Edhe pse pista ishte e qartë dhe e vetme, uniformat blu nuk kanë arritur që të arrestojnë dy persona, të cilët në fund të qershorit të këtij viti qëlluan 15 herë me plumba banesën e oficerit të policisë, Hajri Kushe.

NUK KAPET MAUNIA ME DROGE NGA MAQEDONIA
Një informacion se një maune me drogë po vinte nga Maqedonia drejt Shqipërisë dhe destinacioni i saj ishte Italia, ka vënë në alarm uniformat blu. Dhjetëra agjentë policie kanë blinduar kufirin në janar të vitit 2006 dhe nuk kanë arritur të ndalojnë maunen, e cila ka përfunduar në Itali. Vendi fqinjë e quajti një dështim operacionin e policisë shqiptare.

MBETET I LIRE BOSI I REGINAVE TE VJEDHURA
Policia e quajti si një nga sukseset e saj operacionin "Regina", i cili u zhvillua në maj të këtij viti, ku u arrestuan 8 persona dhe u sekuestruan makinat që ata i vidhnin me armë. Por edhe ky sukses pati një dështim brenda tij. Bosi, i cili drejtonte të gjitha grabitjet, E.Nezaj, është ende i lirë.

POLICIA NUK ARRESTON AUTORIN E VRASJES
Dështimi më i fundit i policisë së kryeqytetit është edhe fakti që autori i vrasjes së Fatime Kasemit, një muaj më parë, në lagjen "Ali Demi", është ende i lirë. Policia mendoi se ra në gjurmët e autorit, madje edhe shoqëroi një 18-vjeçar, por që pas hetimeve nuk rezultoi të ishte ai dhe u la i lirë.

SHKRUMBIMI I KULLES SE HAKLAJVE
Disa herë radhazi kulla e Haklajve në fshatin Kërrnajë të Tropojës ishte qëlluar me bomba, dhe disa herë radhazi policia e qytetit verior kishte zhvilluar operacione për kapjen e autorëve. Në fund të vitit 2006 kulla u shkatërrua nga bombardimi i radhës, por policia nuk arriti të identifikojë autorët, duke dështuar në operacionet e herë pas hershme të saj.

NUK ARRESTOHET MANIAKU i "DON BOSKOS"
Policia e Tiranës edhe pse ngriti herë pas here postblloqe dhe organizoi dhjetëra operacione, nuk arriti të arrestojë të ashtuquajturin maniaku i "Don Boskos". Ky person ende i paidentifikuar ishte denoncuar në maj të këtij viti nga dhjetëra gra dhe vajza, se ai i kishte plagosur. Madje policia e përgënjeshtroi ekzistencën e tij.

Berisha: Në polici ka rrjedhje informacioni

Kryeministri Sali Berisha u ka tërhequr vëmendjen drejtuesve më të lartë të policisë shqiptare se përveç sukseseve të tyre ka pasur edhe rrjedhje të informacioneve. Gjatë një ceremonie diplomimi në përfundim të trajnimit të oficerëve kryesorë shqiptarë ai është shprehur se vendi do të ishte më i sigurt nëse do të rritej kontrolli i brendshëm i policisë, për të hequr nga radhët e saj uniformat blu që bashkëpunojnë me krimin. Kreu i qeverisë shqiptare u ka kërkuar shefave kryesorë të policisë që, krahas ruajtjes së rendit dhe sigurisë në Shqipëri, nuk duhet të lejojnë eksportimin e krimit drejt vendeve fqinjë dhe sidomos Italisë. Në sugjerimet e tij Berisha ka kërkuar një bashkëpunim të policisë me komunitetin. Kryeministri Berisha vlerësoi përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga policia e shtetit në luftën e përditshme kundër krimit, duke theksuar se roli i tyre nuk është i rëndësishëm vetëm brenda territorit të vendit. "Ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe që ju, krahas aftësimit tuaj, duhet të jeni shumë të vëmendshëm kundrejt institucionit tuaj. Asgjë nuk rëndon dhe dëmton më shumë punën tuaj sesa individët me uniformë që bashkëpunojnë me krimin, ndaj dhe është në detyrimin tuaj madhor që të forconi gjithnjë e më shumë shërbimin tuaj të brendshëm, të nxirrni jashtë radhëve tuaja dhe të vendosni para ligjit, ata, të cilët venë në rrezik direkt jetën tuaj, venë në rrezik sigurinë e vendit, si dhe sigurinë e qytetarëve. Në bashkëpunimin e tyre me krimin ata hapin dyert për të. Ju keni bërë përpjekje të mëdha, në këtë aspekt, gjatë këtyre viteve. Suksesi i operacioneve tuaja, ndër të tjera ka në bazë edhe integritetin me të cilin ju i keni realizuar ato, por nuk mund të mohohet se sërish ka pasur rrjedhje, ndonëse të rralla. Ndaj dhe kërkohet nga ju që të bëni përpjekje shumë më të mëdha ndaj këtyre elementeve", është shprehur Berisha në fjalën e tij. Ndërkohë ai ka vlerësuar edhe ligjin dhe strukturën e re të policisë.

TiranaObserver