Mënyra juaj e veshjes dhe prezantimi ndonjëherë janë po aq të rëndësishme sa edhe kualifikimi juaj.

Sa herë mendoni për Milanon, sigurisht që ju shkon mendja te firmat më prestigjioze të modës si "Armani", "Dolce&Gabanna" dhe "Versace": fustane të mrekullueshme, stil i veçantë dhe shumë klas mbi të gjitha. Qyteti italian është sinonimi i modës së fundit, por studentët që po përfundojnë masterin aty ndoshta nuk e kanë kuptuar mirë domethënien që ka veshja në intervistat e punës. Cincia Felicceti, redaktore në revistën "Cosmopolitan" dhe një konsulente e veshjeve, ka arritur në përfundimin se veshja është një element shumë i rëndësishëm nëse dëshironi të fitoni vendi e ëndërruar të punës. Trajnimi i saj "Dress to impress" ("Vishuni për të rënë në sy"), në Universitetin Bocconi, ka synimin që t‘i largojë studentët nga xhinset dhe T-shirt -et e përditshme në kostumet serioze që janë të denja për çdo punë.

Problemi, shpjegon Marliu Ortini, drejtues në sektorin e zhvillimit të karrierës, është identifikuar nga kompanitë ndërkombëtare si Lehman Brothers, që punëson rregullisht studentët që kanë një master. "Ata na treguan se studentët tanë janë shumë të përgatitur dhe konkurrues, por ndonjëherë nuk e prezantojnë ashtu siç duhet veten e tyre. Nuk është vetëm çështje veshjeje, por mendimi dhe sjellje në të njëjtën kohë". Sipas Felicceti-t, njerëzit krijojnë përshtypjet e para brenda 7 sekondave. Ajo i këshillon studentëve që të paraqiten seriozisht, me flokë të pastër dhe të krehur. Ajo kundërshton ashpër flokët e stiluar, buzëkuqin e ndezur dhe peliçet luksoze që mund të jenë të përshtatshme për t‘u veshur në "Via Montenapoleone", sepse "shkëlqimi nuk është patjetër stil". Mënyra më e lehtë për të rënë në sy për mirë, sipas Felicceti-t, është që të zgjidhni një ikonë që është i/e njohur në publik dhe ta kopjoni, të merrni më të mirën e saj/tij. Kështu, për shembull, presidenti i "Ferrari"-t dhe drejtuesi i "Fiat"-it, Luca Cordero Montezemolo, është një model i mirë për t‘u ndjekur. "Ky i fundit është një shembull pozitiv, sepse kur mendoni atë, ndoshta nuk i mbani mend mirë kostumin që kishte veshur, por kujtoni se ai njeri ka shumë stil dhe është gjithmonë elegant. Sa herë kujtoni atë, sigurisht që ju mbetet në mendje imazhi pozitiv", tregon Ortini.

Imazhi nuk është gjithçka, por ndihmon shumë. Kryesorja është formimi. "Nëse nuk keni formimin e duhur, atëherë edhe veshja më e shtrenjtë dhe fine nuk do ju shërbente për asgjë. Por nëse jeni i mirëformuar dhe paraqiteni seriozisht, atëherë ju i mbushni mendjen personit që keni përballë se jeni i kompletuar". Giulio Andreotti thoshte: "Nuk është e rëndësishme që të jeni të saktë dhe në rregull me veten, e rëndësishme është që të tjerët të mendojnë kështu". Studentët që studiojnë në Milano nuk janë të vetmit që kanë nevojë për disa këshilla të vlefshme mode. Në programe të universiteteve të ndryshme, studentëve u jepet mundësia të zgjedhin një kurs për të mësuar se si duhet të vishemi dhe sillemi në vende të caktuara. Nuk është e thënë se nëse dëshironi të punoni në firma prestigjioze si "Louis Vuitton", "Cartier", "Swarkovski" ose "Lamborghini", atëherë stili juaj duhet të jetë i njëjtë me klientët e këtyre firmave. Universiteti i Monakos ofron çdo vit seminare për të gjithë të rinjtë që duan të mësojnë më shumë për ngjyrat dhe stilin, si të visheni në bazë të kulturës ose vendit nga i cili vini, cila është veshja më e përshtatshme për ju, ku e gjeni veten më mirë. Tessa Hood, konsulente që punon me studentë në shkollën e biznesit "Leed", tregon se të gjithë këta elementë ndikojnë ndjeshëm në rritjen e punësisë. Studimet e bëra nga shoqata e studentëve të diplomuar tregojnë se gjysma e të sapodiplomuarve që janë futur në punë në Britaninë e Madhe, nuk dinë të sillen me klientët dhe kolegët e tyre.

Është e ashtuquajtura "soft skills", që po përpiqet t‘i shpjegojë në këto seminare që kanë zhvilluar firma dhe universitete të ndryshme. Për të pasur një prezantim perfekt, mos kërcisni këmbët kur shkoni në punë dhe mos ngacmoni thonjtë, jini bindës dhe punoni në grup për t‘i bindur të tjerët që, përveçse jeni një punonjës i aftë, dini të bëni punë në grup. Por kjo gjë ndryshon për vende të ndryshme. Janë disa norma sjelljeje në punë me të cilat ju duhet të njiheni sa herë shkoni në një vend të caktuar. "Nëse takoni një klient tuajin në Azi, mos harroni të vishni një xhaketë", këshillon Mike Nardovich, biznesmen që punon në Shangai. Rregullat e sjelljes ndryshojnë në Japoni. "Japonezët janë njerëzit që dinë të vishen ashtu siç duhet në vendet e punës, ata kanë një ndërthurje mes konservatorizmit dhe stilit personal", tregon Nardovich. "E kam të fiksuar në mendje. Sa herë shëtisja në Tokio, shikoja punonjës të rinj të veshur me kostum të errët me vijë të bardhë dhe me një kravatë të çelët. Ndërsa femrat me të njëjtën veshje veçse mbanin një rreth në kokë". Mund të ketë shumë probleme mbi të ardhurat dhe papunësinë, por për kinezët një gjë mund ta themi me siguri: janë një hap para evropianëve në këtë drejtim.

Revista IMAGE