Fatjon Ferko
E Enjte, 28 Qershor 2007
Fatura financiare per kompensimin e pronareve te kryeqytetit arrin ne rreth 4,4 miliadre euro. Me ne fund duket se qeveria shqiptare do te kete te dhenat kryesore per sasine e tokes qe do t'u kompensohet fizikisht apo financiarisht subjekteve te shpronesuara. Dje, OSBE-ja ne bashkepunim me Agjencine e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave prezantoi projektin per krijimin e Bazes Dixhitale te te Dhenave te kesaj agjencie, e cila perfshin te gjitha kerkesat e dorezuara per kthim dhe kompensim gjate 13 viteve te fundit. Pikerisht sipas te dhenave te bera publike, gjate ketij prezantimi rezulton se vetem ne Tirane jane rreth 22 milione m2 truall, qe presin te kompensohen nga shteti. E llogaritur e gjithe kjo siperfaqe me nje vlere mesatare prej rreth 200 euro m/2 do te thote qe vetem per kryeqytetin, qeveria shqiptare duhet te derdhe ne xhepat e ish-pronareve rreth 4,4 miliarde euro. Nderkohe, ne kete siperfaqe, nuk eshte llogaritur siperfaqja e tokes bujqesore, qe, sipas te njejta te dhenave, rezulton te jete rreth 29 milione m2, vetem per rrethin e Tiranes. Nderkohe, lidhur me kete projekt, drejtoresha e Pergjithshme e AKKP-se, Justina Borici deklaroi dje se "ky eshte nje proces qe i sherben, jo vetem informatizimit te dhenave, por lehteson punen ne marrjen e tyre dhe per shkembimin e
informacionit, jo vetem te zyres qendrore dhe zyrave rajonale, por dhe vete te ketyre te fundit si dhe institucioneve te tjera qe kane lidhje me keto probleme".
Projekti i ri nuk ka perfunduar ende, pasi duhet te realizohet edhe per Qarkun e Fierit, Gjirokastres dhe Vlores, megjithate rezultatet e para jane te prekshme. Keshtu, ne te gjithe vendin jane depozituar dhe shqyrtuar rreth 45 mije dosje te ish-pronareve gjate ketyre 13 viteve te fundit. Keshtu, sipas ketyre te dhenave po i afrohet procesit te nxjerrjes se nje fature konkrete financiare per kompensimin financiar te subjekteve te shpronesuara. Duke qene se ka perfunduar pergatitja e hartes se vleres se prones ne nje sere qytetesh, atehere qe tani Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave mund te nis perllogaritjet konkrete per kete fature. Nga ana tjeter, duket se pergatitja e ketij data- base eshte perkrahur edhe nga pronaret, te cilet deklaruan dje se shifrat qe jane paraqitur ne kete regjister perkojne me shifrat qe ata kane bere gjithmone publike. Sipas tyre, llogaritet qe fatura financiare per kompensimin e ish-pronareve ne te gjithe vendin te jete ne rreth 24 miliarde euro, cka do te thote qe kjo shifer eshte teper e madhe dhe e paperballueshme per te gjitha qeverite. Nga ana tjeter, gjate ketyre diteve pritej te realizohej edhe kompensimi financiar te subjekteve te shpronesuara per 6-mujorin e pare te vitit 2006, por qe duket se do te shtyhet. Realisht, sipas ligjit per kthimin dhe kompensimin e pronave, fondi ndahet ne gjashtemujorin e pare te cdo viti financiar. I njejti nen percakton se me propozim te Agjencise se Kthimit e Kompensimit te Pronave eshte Keshilli i Ministrave qe do te miratoje kriteret qe do te zbatohen. Menjehere pas kesaj, fondi perkates i kalon Agjencise, e cila zbaton ndarjen e lekeve. Megjithate ende nuk ka nje vendim perfundimtar per realizimin e ketij procesi, i cili, ne rast se nuk pershpejtohet, rrezikon te gjeje zbatim ne muajin gusht.
Te dhenat per Tiranen
Dosje te subjekteve te shpronesuara 5212
Vendime te marra 7824
Siperfaqja e tokes se kthyer 18169452m2
Siperfaqe totale per kompensim 29831229 m/2
Shuma totale per kompensim 772046401 leke
Siperfaqja e trojeve per kompensim 22651860 m/2
Agim Toro:
Pronat, te behet ndryshimi i ligjit
Krijimi i nje data-base duhet te sherbej si nisme per ndryshimin e ligjit per kthimin dhe kompensimin e pronave. Ky ka qene mendimi i sekretarit te Pergjithshem te Shoqates "Pronesi me Drejtesi", Agim Toro, pas prezantimit te projektit krijimin e Bazes Dixhitale te te Dhenave te AKKP-se. "Aty u demonstruan shifra dhe fakte, te cilat duhet t'i paraprinin hartimit te ligjit per kthimin dhe kompensimin e pronave. Shifra, te cilat
nuk jane paraqitur kurre dhe nuk kane sherbyer per hartimin e nje strategjie, qe te con te ligji i pronave. Ne mendojme qe puna e sotme eshte shume e vlefshme, por duhet t'i sherbeje qeverise shqiptare dhe parlamentit per t'iu rikthyer ligjit, i cili ne gjendjen aktuale ka nje kosto dhe ngarkese financiare te paperballueshme nga cdo qeveri dhe nga populli shqiptar", deklaroi Toro.
Justina Borici:
Dixhitalizimi, percaktohet fatura
Realizimi dixhitalizimit te arkivit te AKKP-se do te sherbeje per percaktimin e fatures financiare per kompensimin e ish-pronareve. Drejtoresha e Pergjithshme e Agjencise se Kthimit dhe Kompensimit te Pronave, Justina Borici, theksoi dje se realizimi i ketij projekti jep mundesine per llogaritjen e kesaj fature, si dhe do te jete nje ndihme per institucionet e treta. Nderkohe, per sa i perket afatit per kompensimin financiar te subjekteve te shpronesuara per 6-mujorin e pare te vitit 2006, ajo nuk dha asnje date konkrete. Sipas saj, mendohet qe ky proces te mbyllet per nje kohe sa me te shkurter, megjithate, AKKP-ja ka bere projektvendimin dhe e ka derguar ne Ministrine e Drejtesise dhe tashme jane duket pritur procedurat e tjera, qe nuk varen prej tyre.
PS: Qeveria harroi pronaret e ish-te perndjekurit
Opozita akuzon qeverine se nuk ka derdhur deri me sot asnje qindarke per kompensimin e pronareve si dhe te ish-te perndjekurve politike. Nenkryetari i Komisionit te Ekonomise, Arben Malaj, duke bere nje bilanc te investimeve qe qeveria ka bere ne gjashtemujorin e pare te ketij viti, tha se behet fjale perreth 11 miliarde leke qe ekzekutivi nuk i ka investuar ne ekonomi. "Qeveria per 5 muajt e pare te vitit nuk ka bere asnje kompensim per energjine dhe shtresat e varfra nuk kane qene perfituese te ketij kompensimi. Po keshtu, qeveria nuk ka paguar as edhe nje qindarke per kompensimin e ish-pronareve dhe ish-te perndjekurve politike", deklaroi Malaj. Deputeti socialist u ndal dhe ne investimet e huaja. Sipas tij, per te dytin vit rresht keto investime jane ne nivelin me te ulet qe ka pare ndonjehere Shqiperia. Malaj theksoi se investimet e huaja kapin shifren prej 22% te planit pesemujor dhe vetem 6,7 per qind ne nje vit.
Krijoni Kontakt