Prof. Hamit Beqja
Çdo ditë shihen shkelje të rënda të edukatës. Një kronikë ordinere ngjarjesh tronditëse që të vrasin tepër.
1. Një djalë ecën rrugës i shkujdesur. Pështyn për tokë. Hedh edhe pluhurin e cigares. Nuk pyet për të tjerët. Dy – tre djelmosha bisedojnë në bufe. Nuk flasin, por bërtasin, hingëllijnë, shqetësojnë klientët. Nuk u bën kush vërejtje. As personeli i lokalit. Vajza në moshë të re, kërthizëjashta e shpinëeshalëlakuriqe kalojnë bulevardit si të hazdisura. Për opinionin e të tjerëve aq u bën.
Po edukata?
2. Dy – tre djelmosha pinë birrë në një lokal. Nuk pyesin për njerëzit që kanë pranë. Brutaliteti i tyre mund t’i shqetësojë ata. Punë e madhe! Le të shikojnë punën e vet.
3. Por ka edhe dukuri makabre. Një djalë azgan e kanë vrarë për marrje gjaku. Djalë xhaje i atij që duhej vrarë. Por vrasja gjakmarrëse nuk pyet. Zakon i mallkuar! Madje edhe me përligjje. E kemi lajmëruar të mos dalë. Por nuk ka marrë vesh. Atëherë plumbin ballit. Ta gëzojë!
E njëjta pyetje: Po edukata?
4. Le të shohim marrëdhëniet midis fqinjëve. Në banesën e katit të tretë dikush ecën rëndë në dysheme. Poshtë ka njerëz që kanë nevojë për qetësi. – fëmijë, pleq, të sëmurë. Nuk vihen në hesap. Një burrë i ngeshëm, pasi ka ngrënë drekë po pushon në ballkonin e shtëpisë. Por pluhurin e cigares dhe vetë cigaren, pasi e ka fikur, i hedh poshtë. Edhe bërthamën e një kumbulle. Punë e madhe nëse bie në kokën e ndonjë kalimtari.
5. Të duhet diçka – një certifikatë, raport mjekësor, leje shëndetësore. Drejtohesh në institucionin që u takon kjo punë. Mjeku, infermierja, sekretarja bën muhabet me shoqen pranë ose ka dalë për kafe. Të sorollatin keqas.
Përsëri pyetja: Po edukata?
6. Vijojmë të ngjitemi. Në katin e tretë. Në nivel pak më madhor. Në marrëdhëniet midis atyre që në hierarkinë e sotme shoqërore qëndrojnë më lart. Quhen VIP-a. Vijnë nga rangje të larta. Janë personalitete. Burra shteti, udhëheqës partiakë, gjithfarë bosësh. Të biznesit, administratorë të lartë; pronarë mediash, edhe drejtues të saj; madje edhe nga shoqëria civile. Mbi të gjitha – idhtarë të kulturës. Kacafyten si gjela, madje si kacagjela. Shahen në mënyrë “të pafe”. Ç’ka nuk nxjerrin nga goja. Si laviret e përdala. Fatkeqësisht sot shihen gjithandej. E fëlliqin atmosferën publike.
Tani pyetja shtrohet së treti, shumë e fortë: Po ku është edukata?
7. Sikur koleksionuam shumë shkelje edukate, sado që fillestare. Pyetje: Kështu është gjithë jeta jonë? Sigurisht që jo! Por e bëmë me qëllim. Abstraguam. Veçuam pikërisht dobësitë, mangësitë, shkeljet.
8. Veç shkeljet që u sollën janë të një niveli minor. Do parë më lart. Ku? Te marrëdhëniet midis breznive. Tipike për problemin që diskutohet. Duken qartë në dy qeliza të shoqërisë – në familje e në shkollë. Te lidhjet midis fëmijëve e prindërve, nxënësve e mësuesve. Lidhje me fjalë e me veprime.
9. Në njërën anë – të rinjtë priren nga liria. Nuk pranojnë mbikëqyrjen, tutelën e të rriturve. Duan të sillen si ua ka qejfi. Në anën tjetër – të rriturit synojnë të imponohen. E preken nga mospërfillja e të rinjve, padëgjesa e tyre. Dhe zhgënjehen. Këtu ka truall për përplasje.
Këtej dilet te konflikti i njohur i brezave: “Etër e bij”. Kërkohet zgjidhje.
Ajo është te aforizma: Doli zogu nga çerdhja, lëre të fluturojë. Një maksimë universale. E një force të mahnitshme.
10 Duke ecur më poshtë një qytetar aktiv, i shqetësuar për edukimin e drejtë të njerëzve, sidomos të rinisë nuk mund të pajtohet me cenimin e normave të edukatës qytetare. Ai është i prirë të dënojë harbutllëkun në sjellje, shpesh rrugaçe, kriminalitetin e shtuar, keqtrajtimin dhe poshtërimin e femrës, dhe dukuri të tjera haptazi kundërshoqërore. Ai shtron edhe pyetjen: Po cila është fuqia e edukatës? Cili është roli i saj? Si do luajtur ai edhe më shumë, edhe më mirë? Pastaj, në qoftë se ka faktor vendimtar në edukatë, cili është ai?
11. Duke iu përgjigjur kësaj pyetje thuhet se njeriu nuk mund të konsiderohet produkt i një faktori të vetëm edukativ, sado i fuqishëm të jetë ai. Atëherë cilët janë faktorët që ndikojnë në formimin e tij? Pasi dihet se njeriu është rezultante e një tërësie shumëfaktorëshe, me komponente të ndërthurura.
12. Që edukata nuk mund të konsiderohet e plotfuqishme, që në të nuk do kërkuar ndonjë faktor përcaktues, kjo është një e vërtetë e lashtë. E njohur teorikisht dhe e trajtuar prej kohësh nga filozofët dhe pedagogët e shquar të të gjitha epokave. Të mendosh ndryshe do të thotë të biesh në utopi.
13. Atëherë, duke u nisur nga teoria, cilat janë faktorët pjesëmarrës në formimin e njeriut? Dhe a është e domosdoshme që njëri prej tyre të jetë kryesori?
14. Ata janë të shumtë. Objektivë dhe subjektivë. Të brendshëm e të jashtëm. Dhe gjenden në ndërthurje.
15. Objektivisht procesi i formimit të qenies njerëzore fillon që në barkun e nënës. Luan rolin e vet i famshmi gen. Pastaj ecën në mënyrë të përshkallëzuar.
Kemi fëmijën - Qumshtakun, vocrrakun, lojcakun. Dhe me radhë - parashkollarin, paraadoleshentin, adoleshentin, të riun tamam, të riun e rritur.
16. Objektivisht tani ushtrojnë funksionin e vet edhe faktorët e jashtëm. Ato gjenden në të gjitha mjediset. Edhe në nivele të larta. Më i pari, shokët rreth e rrotull fëmijës. Kemi folur për rolin e shkollës e familjes. Por ato duhen parë në kontekstin e sotëm.
17. Familja synon ta rrisë ndikimin e saj. Por puna e saj zhvillohet në kushte të vështira. Kanë lindur ndërlikime të reja të cilët nuk mund të neglizhohen.
Edhe roli i shkollës do parë në këtë frymë. Sigurisht me arritjet. Por edhe me vështirësitë që i shqetësojnë sot, si vetë shkollën ashtu edhe opinionin publik.
18. Pastaj është tërësia e institucioneve kulturore dhe edukative që veprojnë si në rrafshin e organizmave fëminorë, ashtu edhe në atë të të rriturve.
Vjen media, e shkruara dhe elektronikja. Me një pasuri emisionesh të përditshme. Veçanërisht për fëmijët. Që u japin kënaqësi vogëlushëve. Por që mund t’i shqetësojnë prindërit e tyre.
As mjedisi i lirë nuk mund të harrohet. Sidomos rruga. Do marrë edhe dëftesa e saj. Pse përndryshe rritesh i qullët. Të të rrojë edukata!
19. Tani, nga fundi, le t’u kthehemi edhe një herë atyre faktorëve që në procesin e edukatës spikatin në anën vetjake të saj. Kur njeriut i kërkohet të vetedukohet. Të merret me vetedukim.
20. Në fund të fundit do nënvizuar përsëri bashkëveprimi i ndërthurur i faktorëve të brendshëm e të jashtëm që përcaktojnë procesin e edukatës, pa qenë nevoja të afirmohet se cili është faktori vendimtar në këtë proces.
21. PËRMBYLLJE
Edukata gjithsesi nuk është e plotfuqishme. Por gjithsesi ajo është edhe një forcë që mund të bëjë mrekullira. Ashtu qoftë!
Por kini parasysh! Këtu kemi kaluar te dyzimi universal.
TIRANA OBSERVER
Krijoni Kontakt