Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,241
    Postimet në Bllog
    22

    Dhimitër Mborja, fotograf me famë në Hollivudin e viteve ‘20

    Dhimitër Mborja, fotograf me famë në Hollivudin e viteve ‘20

    Nga Qerim Vrioni

    Një fotograf i shquar i shekullit të kaluar me origjinë shqiptare, por me veprimtari jashtë vendit, është edhe Dhimitër Mborja-Bratko. Ai është lindur në fshatin Mborje të Korçës në vitin 1903. Në moshën 3-vjeçare shkoi në Amerikë (Detroit) si shumë korçarë të tjerë me besim të madh tek “Bota e re”. Pas studimeve në Institutin e Arteve të Detroit, në një kolegj të artit fotografik, Mborja lëviz në Los Anxhelos, në Hollivud, duke filluar punë si regjizor filmash vizatimor. Filmi i tij i parë në këtë fushë mendohet të jetë seriali “Cubby the Bear” rreth viteve ’20. Më pas, në vitet ’30, Mborja realizon figurat plastike lëvizëse të dinosaurve për filmin “Lost World” e, paskëtaj studion e tij ia shet Uollt Dizneit (Walt Disney) të famshëm. Në këtë kohë hap këtu studion e tij fotografike dhe njëkohësisht punon për dekorin e disa filmave artistikë, veprimtari këto të porositura.

    Puna në kinematografi, talenti si edhe natyra e bën të krijojë miqësira të shumta, në mes të cilëve edhe me figura të tilla mjaft të njohura të kohës të teatrit dhe filmit si Rudolfo Valentino dhe Lilian Gish, aktorë në kulmin e lavdisë së tyre. Përveç pjesëmarrjes në realizimin e filmave, ai punon edhe si drejtues i shfaqjeve artistike që jepeshin në anijet e mëdha të udhëtarëve gjatë lundrimeve të gjata.

    Pranë UNRRA-s në Ballkan lë fotografi me vlera të mëdha

    Në vitin 1942, Mborja vendosi të futet në rradhët e ushtrisë amerikane si fotograf. Për këtë kryen kolegjin e Luftës në Uashington, ku studion për fotografi (1). Pas përfundimit të L2B në Europë, ai punon pranë UNRRA-s në Ballkan, duke lënë fotografi me vlera të mëdha, por të pacilësuara me datat dhe vendet që pasqyroheshin në to. Më vonë shpërngulet si fotograf në shtabin e gjeneralit Dagllas Makartur, kryekomandanti i forcave amerikane në Paqësor, ku përmbush një punë voluminoze e njëkohësisht me nivel të lartë teknik, dokumentar madje dhe artistik.

    Përmendim se emri i Dhimitër Mborjes (Borjes a Bratkos, siç shkruhet disa herë), kishte kohë që ishte bërë i njohur në shtypin amerikan të viteve ’20. Kështu, gazeta “Zëri i Korçës” (20.07.1929), shkruan: “Z.George Dhimitër Mborja ka marrë një famë të çkëlqyer në Hollivud të SHBA”, e më poshtë duke cituar gazetën amerikane “Los Angelos Evening Express”, e përkohëshmja korçare nënvizon : “George Mborja është artist i vërtetë, një artist i portreteve i cili përfytyron me hollësi çdo gjë që shikon me sytë e tij çponjës, jo me furçë, por me gërsherë, duke krijuar llojin e quajtur “sizoret” (scissorettes) (2).

    Takimet e fotografëve Mborja- Mili

    Shënojmë këtu se Mborja ishte një vit më i madh se fotografi tjetër nga Korça, Gjon Mili. Ata janë njohur me njëri-tjetrin e ndoshta kanë punuar së bashku, para se Mili të bëhej fotograf i shquar. Në një foto që na u mundësua prej Muzeut “Douglas MacArthur”(Mak Arthur) në Norfolk (Virxhinia, SHBA), ata të dy shihen bashkë me të tjerë me veshje të shekullit XIX, ka të ngjarë pas ndonjë çfaqje teatrore. Sipas punonjësve të muzeut, fotoja I përket viteve 20-30, kur Mborja ishte bërë i njohur në këtë fushë, ndërsa Mili sapo kish filluar fotografimin si amator. Në vitet 1937-38, kur Mili iu përkushtua tërësisht fotografisë, Mborja kishte mjaft emër në rrethet e “camera obscura” (fotografisë) të Uashingtonit dhe thirrej “fotograf Bratka”.

    Në kohështrirjen 11-vjeçare, 1945-1956, kur Borja punoi në Japoni si fotograf pranë gjeneralit Makartur, mendja dhe duart e tij përpunuan në laborator mijra foto të realizuara nga ai në kohën e L2B, si dhe gjatë asaj të Koresë (1949-1953). Ky dhjetëvjecar shënon shumë udhëtime nëpër Azi, ku fotografon mjedise luftarake, politikanë, ushtarakë, peisazhe, monumente kulturore, historike dhe religjoze, ambjente dhe veprimtari artistike. Njëkohësisht, ai iu përkushtua edhe mbledhjes së objekteve dhe relikeve të artit dhe artizanatit të Lindjes, punë kjo mjaft pasionante dhe voluminoze, duke krijuar me to një koleksion të rrallë. Kështu, ai siguron eksponante nga Japonia ku bëhet mik edhe i perandorit Hirohito, nga Tailanda, Koreja, Birmania, Kina, Indonezia, Irani, Rusia, Nepali etj. Ato ishin krijuar brenda një ndërkohe prej rreth shtatë shekujsh, nga shekulli 13 deri në atë 20. Në këtë kohë, përmendim se Borja ishte martuar me një japoneze me të cilën u nda kur ky vendosi të kthehej përsëri në Amerikë.

    Imazhet e presidentëve të botës në objektivin e Mborjes

    Objektivin e aparatit të Borjes e kanë nëpërkaluar imazhet e presidentëve amerikanë Truman, Ajzenhauer e Kenedi, të perandorit Hirohito etj. Një ndër fotot më të ndjera të Borjes, është ajo e titulluar “Bota e Kenedit”, në të cilën pasqyrohet tavolina e punës e presidentit Xh.F.Kenedi fill pas vrasjes së tij, pra bosh. Atë e ka fotografuar nëpërmjet një dritareje rrethore të Shtëpsë së Bardhë dhe e kishte vendosur në murin e studios së tij. Në një libër me fotografi nga luftrat e ndryshme me titull “Luftë dhe Konflikte” (War&Conflict), të botuar më 1990, në Uashington, përfshihen edhe disa foto të Borjes, realizuar nga ai në luftrat e zhvilluara në Lindjen e Largët (3).

    Dhimitër Mborja është ndarë nga jeta i vetmuar në shtëpinë e tij në Bethesda të shtetit Meriland (SHBA), në vitin 1990. Ai iku nga kjo botë pa harruar atdheun e tij, për këtë në testament shkroi edhe dy dëshirat e fundit : “Më coni hirin e trupit në Korcë dhe hapni një muze me koleksionin tim”.

    Fotografitë e Bratkos përdoren nga historianët si burim referimi dhe dokumentimi për pasqyrimin e veprimtarisë së gjeneralit Makartur, një nga ushtarakët më të suksesshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në qendrën muzeale “Douglas MacArthur” në Norfolk , ruhet një arkiv prej rreth 45 mij fotosh dhe diapozitivash, shumë prej të cilave Mborja i realizoi brenda hapësirës kohore mbi 10-vjeçare si drejtor i laboratorit fotografik pranë shtabit të komandës së gjeneralit Makartur, pas Luftës së Dytë në Japoni, Filipinë e Kore. Pamjet e fotografive janë të veçanta, dhe drejtori i Qendrës tregohet shumë krenar për koleksionin e Mborjes.

    Me gjithë dëshirën e madhe të Mborjes për të vizituar tokën e të parëve të tij, autoritetet komuniste nuk e lejuan, por ai si artist fisnik e me ndjenja kombëtare u kujtua në testament për vendin ku ishte lindur dhe nga kishte origjinën, Shqipërinë. Në porosinë e fundit, siç u përmend edhe më sipër, ai përfshinte edhe ndërtimin me shpenzimet e tij të një muzeu me një koleksion të madh relikesh nga Lindja që do ndërtohesh në qytetin e Korçës me emrin “Muzeu i Artit Aziatik, Bratko”. Kjo dëshirë e tij, ndonëse me vështirësi e probleme, u realizua në vitin 2003 kur në këtë qytet u inagurua ky muze. Ai është i rrallë edhe në Europë përsa i përket numrit të madh të objekteve të ekspozuara, por dhe larmisë së tyre. Muzeu, përbën gjithashtu të parin institucion kulturor e artistik në Shqipëri që ndërtohet e pajiset me objekte të dhuruara nga një person, në rastin tonë fotograf dhe koleksionist, por me një atdhedashuri për t’u marrë shembull. Bota shqiptare e fotografisë ndjen një krenari fare të ligjshme që ky artist shpirtmadh është pjesë e natyrshme dhe e shquar e saj. Për gjithë sa u shkruajt më sipër, Dhimitër Mborja meriton një studim më serioz të veprimtarisë së tij në lëm të fotografisë, e kësisoj të zër vendin që i takon në historinë e fotografisë shqiptare, ndonëse me prurje artistike dhe dokumentare jo për vendin e origjinës.

    Burime:

    1)_Gazeta : “Ushtria”- Tiranë, 22 Shtator 2006.

    2)_Gazeta “Zëri i Korçës” –Korçë, 20 Korrik 1929

    3)_Heller J.--“War and Conflict”--Selected Images from the National Archives—1765-1970 Washington, D.C., 1990.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 03-07-2007 më 14:39

Tema të Ngjashme

  1. Dhimitër Anagnosti sot dhe dje
    Nga Humdinger në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 24-01-2022, 10:48
  2. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
    Nga dodoni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 01-06-2009, 00:29
  3. Si pozuan burrat e shtetit shqiptar?
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-02-2009, 09:28
  4. Shkrimtari shqiptar në metropolin socialist të viteve ’60.
    Nga Arrnubi në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 13-06-2006, 03:33
  5. Dhimitër Shyteriqi
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 27-07-2005, 08:42

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •