Këto ditë u zhvilluan në Jeruzalem konsultimet dypalëshe mes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Izraelit. Delegacioni ynë kryesohej nga Zv. Ministrja e Punëve të Jashtme Znj. Edith Harxhi.
Gjatë konsultimeve, palët ranë dakort për liberalizmin e plotë të lëvizjes së qytetarëve në të dyja vendet. Pala izraelite, si shenjë e marrëdhënieve historikisht shumë të mira dypalëshe, njoftoi se do të heqë brenda disa ditësh, regjimin e vizave me vendin tonë.

Qytetarët shqiptarë, pas konkretizimit të kësaj marrëveshjeje, do të udhëtojnë pa viza dhe pa taksa hyrëse në Izrael, për një periudhë 90 ditore, për të gjitha llojet e pasaportave, - të thjeshta, pasaporta shërbimi dhe diplomatike.

Në të njëjtën kohë po punohet që brenda disa muajsh të vendoset një linjë e drejtpërdrejtë ajrore Tel Aviv-Tiranë.

Ky vendim i palës izraelite vjen pas mbylljes së negociatave teknike për lehtësimin e regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian.

Marrëveshja me Komisionin Europian do të firmoset brenda këtij viti.Kjo marrëveshje parashikon lehtësimin e vizave afatshkurtëra për kategori të ndryshme qytetarësh si studiuesit, biznesmenët, studentët, artistët, sportistët, gazetarët, familjarët e emigrantëve tanë me qëndrim të rregullt në vendet anëtare të BE-së e të tjera.


Ministria e Puneve te Jashtme