Gjeniu më i vogël quhet Xhorxhia dhe është një vogëlushe bukuroshe britanike. Me sytë e shndritshëm bojëqelli, flokët e verdha dhe buzëqeshjen e ëmbël duket një fëmijë krejtësisht normal, si ata që shohim çdo ditë teksa luajnë në park mes lodrave shumëngjyrëshe. Por, në të vërtetë, Xhorxhia nuk është si të tjerët. Vajza britanike ka një koeficient inteligjence të barabartë me 152, që e "fut" automatikisht në kategorinë e të shkëlqyerve, ku bëjnë pjesë shumë pak njerëz, mes tyre edhe fizikani i madh, Stephen Hawking. Një rast që të lë vërtet pa fjalë, aq sa MENSA, organizata që "mbledh" njerëzit me koeficientin më të lartë të inteligjencës, e ka pranuar menjëherë në radhët e saj.

Është vetëm dy vjeçe, ka një shikim domethënës, një buzëqeshje të pafajshme dhe nuk ka asnjë shenjë të veçantë që e dallon nga fëmijët e moshës së saj. Por, pavarësisht kësaj, çifti Brown (prindërit e Xhorxhias), gjithmonë ka menduar se vogëlushja e tyre ishte një fëmijë me aftësi të veçanta. "Arrin të numërojë deri në dhjetë, flet frëngjisht dhe njeh të gjitha ngjyrat", ka treguar me krenari mamaja e saj. Zhvillimi i përditshëm i saj, që zakonisht u atribuohen të afërmeve të ngushtë dhe miqve më të dashur, i ka bërë prindërit të jenë dyshues për një fëmijë të moshës së saj. Për këtë arsye, Martin dhe Lucy Brown nga Aldershot, Hampshire, kanë vendosur t‘i drejtohen një eksperti për të "matur" shkencërisht gjenialitetin e fëmijës së tyre. Dhe në të vërtetë nuk kishin gabuar aspak. Vogëlushja dyvjeçare kishte arritur t‘i linte të gjithë pa mend. Pasi kishte bërë testin për të vlerësuar koeficientin e inteligjencës, u pa se ajo u vlerësua maksimalisht. Kështu, treguesi 152 që ajo përfitoi, i përket vetëm 0.2 për qind të të gjithë popullsisë, gjë që tregon se njerëzit që e disponojnë atë janë shumë të rrallë. Aq e zgjuar është ajo, saqë menjëherë pas kësaj MENSA e ka ftuar sa hap e mbyll sytë që të bëhej pjesë e saj. Pikërisht Xhorxhia Brown me pellushët dhe filmat vizatimorë, është bërë absolutisht anëtari më i ri i saj. Por si mund të dallohet një gjeni qysh në fillim? "Ecte këmbadoras qysh pesë muajsh, nëntë muajsh ecte shumë mirë, katërmbëdhjetë muajsh filloi të vishej vetë, ndërsa 18 muajsh fliste me fraza të plota dhe bënte biseda të vështira e debate që nuk i bëjnë as të rriturit e jo më fëmijët", tregon e ëma për të përditshmen britanike "Daily Mail". Por jo vetëm kaq: arrin të dallojë ngjyrat dhe të bëjë lehtësisht dallimin mes rozës dhe lejlasë, po ashtu arrin të vizatojë një rreth në mënyrë të shkëlqyer". Ajo është në gjendje të thotë në mënyrë perfekte në frëngjisht: "Përshëndetje, unë jam Xhorxhia. Jam vetëm në shtëpi. Por dhe shumë fjalë të tjera". Po sipas asaj që tregojnë prindërit, Xhorxhia që një vjeç i ka veshur këpucët pa i ngatërruar asnjëherë, madje arrinte që t‘i çonte në vendin e duhur, ndërsa rrobat t‘i fuste në lavatriçe dhe pastaj ta ndizte atë. Por, ka qenë pikërisht komenti i saj mbi karakterin e Gastonit në filmin për fëmijë "E bukura dhe bisha" që i la prindërit e saj pa mend dhe i shtyu ata menjëherë që t‘i drejtohen ndonjë psikologu apo eksperti për t‘i kërkuar këshilla se si duhet të silleshin apo se si të edukonin një fëmijë kaq të veçantë. Kur Xhorxhia kishte shkuar për të parë filmin me prindërit e saj, në fund të tij kishte thënë: "Nuk më pëlqen fare karakteri i Gastonit. Ai është i keq dhe agresiv". Nga kryerja e disa testimeve paraprake, që rezultuan tërësisht të padobishme në përputhje me kapacitetin intelektiv të vogëlushes bionde, profesoresha Joana Friman, psikologe e specializuar në edukimin e fëmijëve me aftësi të veçanta, konfirmoi se vogëlushja me sy bojëqielli ishte vërtet jashtë çdo parashikimi. Nga "analizat" që iu bënë ajo arriti të përmblidhte vetëm disa, për shembull: 1. Xhorxhia bënte pyetje të vështira dhe të çuditshme, për të cilat ishte e domosdoshme të mbaje shënime. 2. I bëra asaj pyetje të tilla si më sill pesë blloqe të kuqe, pastaj më sill dhjetë lejla dhe ajo arrinte ta menaxhonte situatën më së mirë, aq sa edhe një pesëvjeçar nuk do të arrinte dot. 3. I kërkova të vizatonte një rreth dhe ajo e bëri atë në mënyrë aq perfekte, sa shumë të rritur, madje edhe unë vetë, nuk arrij ta bëj dot. U çudita se si ishte në gjendje ta dallonte aq mirë konceptin e një rrethi. Po ashtu, kur i thashë se sa bluzë të bukur rozë që paske veshur sot, m‘u përgjigj: "Nuk është rozë, por lejla", ndryshime që fëmijët arrijnë t‘i bëjnë vetëm në vitin e parë të shkollës.

Për nënën e saj, e cila është drejtuese e një organizate jofitimprurëse (OJQ) dhe të atin e saj, një marangoz i thjeshtë, sekreti qëndron në faktin se Xhorxhia është fëmija më i vogël nga pesë të tillë dhe ka mësuar nga më të rriturit, në mënyrë të vazhdueshme, duke pasur njëkohësisht edhe stimuj. Ditët e saj? Janë fare të zakonshme, shtojnë prindërit e saj. Shkon çdo ditë në kopsht, dëgjon përralla, merr leksione baleti, këndon dhe sheh shumë televizor. "Por, pavarësisht këtyre ka shumë teka, tamam si çdo fëmijë në moshën e saj", vazhdon më tej e ëma. Megjithatë, për disa, duke gjykuar nga komentet e publikuara në faqen e internetit të së përditshmes së njohur britanike, fakti se kjo vogëlushe është gjeniale nuk është pritur edhe aq mirë: "Edhe mbesa ime kur ishte dy vjeçe arrinte të dallonte ngjyrën vjollcë nga e kuqja dhe fliste shkëlqyeshëm", shkruante mes të tjerash një gjyshe e indinjuar, Xheni Beker. "I vetmi ndryshim është se ngeli një fëmijë i mrekullueshëm, pa pësuar asnjë presion". Ajo shton më tej se nuk është ndonjë mrekulli të jesh pjesë e MENSA-s. Ndoshta kanë të drejtë? Nuk i dihet, por ajo që është e vërtetë ka të bëjë me faktin se në Londër apo ndoshta në të gjithë botën ka "lindur" gjeniu më i vogël me emrin Xhorxhia.

Gazeta SHQIP