Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    ish- Ballisti_Tetove Maska e Cimo
    Anëtarësuar
    11-12-2004
    Postime
    2,441

    Parajsa e hajdutëve të administratës ‘Berisha’

    Parajsa e hajdutëve të administratës ‘Berisha’
    Nga Mero Baze

    Fati i keq i rasteve që do të prezantoj më poshtë është vetëm shkaku, se padashur më kanë bërë mua dëshmitar të një procesi abuzimi financiar. Fati i mirë i tyre është, se kriza politike është aq e fortë dhe kapja e administratës nga elementë të korruptuar dhe nepotizimi ka shkuar aq tutje, sa i ndihmon ata të jetojnë në parajsën që krijojnë duke abuzuar me paratë e shqiptarëve.

    “Mediasoft Albania” është një nga shtypshkronjat e mëdha në vend, ku printohet vetëm gazeta “TemA” dhe gazeta “Rilindja Demokratike”. Duke pasur kapacitete të mëdha prodhimi dhe volum të vogël pune, drejtuesit e saj tentuan të konkurrojnë në një tender shtypshkrimesh në ISKSH. Pak ditë para tenderit, disa korrierë që vinin nga zyrat qendrore të këtij institucioni dhe nga një shtypshkronjë me emrin “ABC”, iu rekomanduan drejtuesve të “Mediasoft”-it të tërhiqen, pasi tenderin do ta merrte “ABC” dhe se pronari i shtypshkronjës së bashku me drejtoreshën e administratës, Ermira Verli dhe drejtoreshën ekonomike, Esma Curri, kishin përgatitur gjithë specifikimet teknike. Ky mesazh kishte shëtitur gati te të gjithë pjesëmarrësit e mundshëm në tender dhe ata ishin tërhequr në shumicë. Bashkë me këtë mesazh shëtiste dhe mesazhi nënkuptues, se dy zonjat janë kushërira të drejtoreshës Elvana, që nga ana tjetër, në të tilla raste tregohet dhe kushëriri i babait të Elvanës. Në këtë klimë gati qesharake mesazhierësh, drejtuesit e shtypshkronjës partnere me gazetën time dhe gazetën “RD”, na kërkuan mendim se ç`duhet të bënim. Unë, natyrisht, i inkurajova të futeshin në tender, duke iu thënë se këto janë thashetheme dhe mos i merrni seriozisht. U bë tenderi. “Mediasoft Albania” doli e para me gati 100 mijë dollarë më pak se fondi limit. Pas saj u rreshtuan shtypshkronja “Edlor”, shtypshkronja “Albdesign” dhe e katërta “ABC”, shtypshkronja, së cilës i ishte premtuar tenderi. Deri këtu dhe unë besoja se gjithçka ishte thënë, ishte thashethem. Pasi kaluan disa orë pas listimit si kompani e parë, më telefonon kryetari i tenderit, një miku im i vjetër, tepër korrekt dhe më njofton me keqardhje, se komisioni do të skualifikojë shtypshkronjën që kemi partnere në dy gazetat, se ka dhënë çmim shumë të ulët. “Bilé, bashkë me ju, - tha, - do të iki dhe shtypshkronja “Edlor”, se dhe ajo e ka çmimin afër jush. Do ta fitojë shtypshkronja e tretë”. E pranova arsyetimin, se m’u duk i sinqertë dhe i thashë drejtuesve të “Mediasoft”-it të mos e paragjykojnë rastin, se mua më njeh kryetari i tenderit dhe nuk ka abuzime. Dhe ata e thuajse e pranuan. Me të njëjtin kriter, te loti i dytë i binte që të skualifikohej një shtypshkronjë tjetër dhe ta fitonte “Mediasoft”. Kjo nuk u bë, pasi u kundërshtua nga tri gratë që kanë përgatitur dokumentet. Por, dje, kur do të shpallej zyrtarisht fituesi, ndodhi çudia. Dhe shtypshkronja e tretë, “Albdesign”, një nga shtypshkronjat më moderne në vend, u skualifikua dhe tenderin e fitoi pikërisht shtypshkronja “ABC”, ajo që kishte deklaruar një muaj para tenderit, se e kishte mbyllur këtë punë me ato tri gratë. Eliminimi i “Albdesign”-it u bë, se në vendimin e gjykatës nuk thuhet tamam shtypshkronjë, por thuhet punime grafike (!!!). Një komision inspektimi shkoi në shtypshkronjë, pa makineritë, verifikoi gjithçka dhe prapë nuk iu mbush mendja se aty prodhohen shtypshkrime, pasi gjykata dhe komisioni duhet të përdorin të njëjtat sinonime gjuhësore, kur vjen fjala për shtypshkrimet. Kryetari i tenderit paraqiti dorëheqjen i revoltuar, por tri gratë që bëjnë ligjin aty, pa vrarë shumë mendjen, firmosën dhe e nisën vendimin në APP. Nuk e di si do të zhvillohet më tej kjo punë, por natyrisht që do ta ndjek si kuriozitet të një rasti të pastër korrupsioni. Ajo që më duket shumë e rrezikshme në këtë histori, është kapja e administratës nga një bandë e vërtetë hajdutësh, të cilët diktojnë normat e tenderit, kuotat, rregulloret, komisionin dhe natyrisht, paracaktojnë fituesin.

    Kush mund t`i ndalë këta?

    Kjo është një pyetje e vështirë, po të kesh parasysh se ata ndihen aq të trimëruar nga mosdënimi, sa guxuan të bëjnë këtë akt të pastër korrupsioni kundrejt një shtypshkronje, së cilës nuk i mungojnë lidhjet politike për të shkuar deri në zyrë të Sali Berishës dhe për t’i treguar sesi vidhet në emër të tij dhe pushtetit të tij. Pra, kjo tregon se guximi për të vjedhur e ka tejkaluar frikën nga pushteti politik. Rrjeti nepotik i krijuar në administrata iu ka dhënë atyre pamjen e disa çerdheve mafioze, të cilat janë bërë thuajse të paprekshme. Në përpjekje për të hetuar cilat ishin “këto gra kaq trime”, më rezultoi, se drejtoresha ekonomike, Esma Çurri, nuse e djalit të Vitori Çurrit, nënkryetares së Presidiumit të Kuvendit Popullor të kohës Haxhi Lleshit, është kushërira e parë e burrit të Elvana Hanës, pra, drejtoreshës së madhe, që për lehtësi identifikimi më poshtë do ta quaj “bjondja”. Ermira Verli, drejtoresha e administratës, për të cilën më erdhi një muaj më parë mesazhi që ka përgatitur dokumentet me pronarin e shtypshkronjës, që u rendit i katërti dhe doli i pari, është po kushërirë e “bjondes”. Këto tri gra, kushërira dhe drejtuese të të njëjtit institucion, edhe pse Berisha seç ka miratuar një ligj kundër nepotizimit, kanë më tej në të njëjtin institucion një rrejt të tërë po kushërinjsh të parë apo të dytë, krushqish apo mbesash që diktojnë gjithçka. Kaq të mjafton të kuptosh vërtet kapjen e administratës së re nga korrupsioni dhe pafuqinë donkishoteske për ta luftuar atë, qoftë dhe në emër të Sali Berishës. Arsyeja është se kjo administratë nuk mund të funksionojë gjysma duke vjedhur në emër të Berishës dhe gjysma duke punuar në emër të Berishës.

    Sikur të mos më mjaftonte gjithë kjo histori, dje, telefonata të pafundme që kishin tri ditë që shtoheshin, i kërkonin drejtuesve të “Mediasoft”-it të tërhiqeshin nga një tender që bëhet sot në KESH, pasi tenderi qenka caktuar që do të merret nga një shtypshkronjë, në mos gaboj, me emrin “Kristalina”. Pas rezistencës së drejtuesve të shtypshkronjës, u tha po ashtu si fakt i fortë, se mbesa e këtij të shtypshkronjës qenka juriste, aty ku bëhet tenderi dhe i ka rregulluar kushtet që t’i fitojë kjo shtypshkronjë. Deri dje vonë, partnerët e mi në shtypshkronjën “Mediasoft”, ku shtyp gazetën, më kërkonin t’iu thoja se ç’duhet të bënin me këtë tender, të futeshin apo jo, se mos ndodhte si në rastin e ISKSH. Në fakt, nuk dija çfarë t`iu thoja, pasi herën e parë dola që isha njeri shumë i painformuar sesi bëhen tenderat.

    Këto janë dy histori të zakonshme, që ndoshta biznesmenët dhe investitorët e tjerë i ndeshin përditë. Unë i ndesha për shkak të partnerit tim të shtypshkronjës që kishte keqkuptimin që tenderat janë garë e hapur dhe mund të fitohen nga ata që kanë ofertën më të mirë. Trimërimi i rrjetit nepotik që ka kapur administratën shtetërore duke bërë biznes me paratë e taksapaguesve, është tani një histori reale, rrënjët e së cilës qëndrojnë te mosndëshkimi i askujt gjatë këtyre dy viteve për korrupsion. Qeveria ‘Berisha’ ka hyrë në ngërçin e qeverisë ‘Nano’ në vitet 2003-2005, ku askush nuk ndëshkohej, jo aq për shkak të prokurorit apo vullnetit politik, por për shkak të përfaqësimit të interesave të klaneve dhe rrjeteve nepotike në qeverisje. Kjo situatë është e ngjashme. Në këtë kohë krizash politike, ku debati më i madh është do të kemi zgjedhje apo president, ky takëm drejtuesish në administratë, që kanë kapur realisht shtetin, jetojnë në parajsë, pasi nuk i prek dot askush. Pushtetet vijnë e ikin dhe ata në emër të tyre bëjnë të njëjtën gjë, vjedhin. Dhe nuk më duket se këtu ato janë bashkuar si të majta apo të djathta. Ato janë bashkuar si një rrjet nepotik që kanë një ideal të përbashkët; të vjedhin në emër të së majtës apo të djathtës, kush të jetë në pushtet, sipas rastit. Herë Sali Berisha, herë Vitori Çurri.

  2. #2
    I come back
    Anëtarësuar
    01-10-2005
    Postime
    345
    Ky Mero Baze duket qe nuk eshte gazetar. Sepse gazetari meret me hallet e popullit nuk meret me cingerima qe nuk i hyjne as dreqit ne pune.
    Duhet te jete dikush tjeter qe meret me tendera, jo ti qe je gazetar. Tyç!

Tema të Ngjashme

  1. Britania e Madhe parajsa e kriminelëve shqiptarë
    Nga Shijaksi-London në forumin Emigracioni
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 12-08-2009, 13:48
  2. Ku ndryshon parajsa e Biblës me atë të Kuranit?
    Nga deshmuesi në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 06-09-2003, 23:09
  3. ç'eshte parajsa?
    Nga i krishteri në forumin Komuniteti protestant
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 23-08-2002, 16:53

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •